Gjelat kanë arritur të fitojnë me afrikanët në një lojë në të cilën u luftua shumë dhe në të cilën vendosën episodet
Franca tregoi edhe një herë se është e fortë. Një skuadër që di të reagojë edhe në momente të vështira. Ekipi i Deshampit arriti të fitonte me rezultatin 2-0 ndaj Nigerisë në një përballje emocionuese. Sfida ishte e fortë dhe kishte karakter për të fituar nga të dy krahët. Mirëpo ata që u gjetën më mirë në momentet e duhura, ishin gjelat që finalizuan dy herë, duke i dhënë vetes kualifikimin për në çerekfinale. Loja do të niste me një temp të lartë, duke pasur parasysh edhe lojën që bëjnë të dyja skuadrat. Nigerianët shquhen për vetitë e tyre atletike, por as francezët nuk mbeten mbrapa. Trekolorët janë ata që mundohen të krijojnë para, por që bllokohen mirë nga mbrojtja e Nigerisë. Është Pogba ai që ndez i pari shkëndijat. Lojtari juventin me hapin e tij karakteristik arrin të kalojë mirë në zonën e nigerianëve për të kombinuar më pas me Valbuenën që kroson te lojtari, i cili gjuan mjaft bukur, por që portieri nigerian do të reagonte mjaft mirë. Loja do të ishte e fortë, pasi nigerianët do të tregoheshin të rrezikshëm në disa raste. Driblimet në krah të afrikanëve janë të rrezikshëm dhe shumë herë vejnë në rrezik Hugo Lorisin, i cili reagon mirë. Musa apo dhe Emenike do të gjuanin disa herë drejt portës së trekolorëve, por pa rezultat. Franca duket në formë të mirë, por ndryshe nga ditët e tjera ka probleme në finalizim, aty ku Valbuena, Zhirud dhe Benzema nuk lidhën. Sulmuesi i Arsenalit duket edhe hallka më e dobët e ekipit, pasi nuk kryen funksionin e duhur në fazën sulmuese. Kështu, të dyja skuadrat do të shkonin drejt pushimit me shifra rezultat të bardhë.
Ndërsa në pjesën e dytë do të kishim një drejtim të rrymës së lojës. Në 20-minutëshin e parë të fraksionit do të ishin nigerianët ata që do të reagonin me një lojë sulmuese drejt francezëve. Ekipi i Deshampit dukej i mpirë dhe pa ide. Ndërkohë, kjo shfrytëzohet shumë mirë nga nigerianët që çajnë shumë mirë për të gjuajtur topa afër zonës së rreptësisë. Emenike dhe Odemuingie janë mjaft të rrezikshëm dhe vendosin në pozicion të vështirë mbrojtjen dhe Lorisin. Lodhja duket te francezët që duke pasur parasysh edhe temperaturat, është një minus i madh. Një pengesë e madhe që vlerësohet shumë mirë nga shqiponjat afrikane që tentojnë të surprizojnë edhe në këtë takim. Por zëvendësimi i Zhirudit me Grizmanin ndryshon lojën. Lojtari i ri i hedhur në sulm duket se i jep mushkërinë e duhur skuadrës që fillon të reagojë. Franca tashmë është më aktive dhe më kërkuese ndaj golit. Është Karim Benzema ai që provon disa herë që të befasojë Enejeamën, por do të ishte e kotë, pasi lojtari do të gjendej në ditë të mirë. Ndërsa Johan Kabaje do të trondiste shtyllën, por vetëm kaq pasi topi nuk do të prekte rrjetën. Në minutën e 79-të presioni i francezve do të sillte edhe produktin e saj. Do të ishte Pol Pogba ai që do të shpëtonte Francën. Lojtari do të përfitonte nga një rrëmujë në zonë për të gjuajtur me kokë, duke kaur skuadrën e tij në epërsi. Franca feston, ndërsa nigerianët e shikojë veten të pafuqishëm që të rikthejnë gjërat por që duket se nuk ka fuqinë e duhur për të ndryshuar gjërat. Nga kjo situatë përfiton Franca që duket se tashmë tenton që të heqë të gjitha dyshimet dhe surprizat. Gjelat sulmojnë dhe duket se janë shumë të më të freskët se në minutat e para. Një presion që duket se u jep edhe golin e dytë. Përsëri pas një krosimi nga një nga lojtarët francezë do të ishte Grizman ai që do të ngatërronte afrikanët që do të shënonin autogol. Do të ishte Jobo ai që do të fuste topin në rrjetën e tij, duke i dhënë kështu kapitullimin ekipit të tij. Minutat e tjera do të shërbenin vetëm për formalizëm, pasi Franca tashmë kishte kaluar për në fazën tjetër. Deshamp feston pasi ka arritur të heqë ngërçin e 2010-ës dhe tashmë shikon para. Sprova ndaj Nigerisë ishte shumë e rëndësishme për të parë edhe vazhdimësinë e ekipit më tej.
Presidenti i Uruguait: FIFA, bandë e vjetër këlyshësh
Hoze Mujica ka sulmuar ashpër FIFA-n me fjalë që nuk i shkojnë aspak përshtat një kreu shteti. Eliminimi i Uruguait në 1/8 e Kupës së Botës vazhdon të djegë shumë në vendin amerikanojugor, ku largimin e parakohshëm nga Brazili ia faturojnë pezullimit të Luis Suarezit. Presidenti i Uruguait, Hoze Mujica, ka sulmuar ashpër FIFA-n me fjalë që nuk i shkojnë aspak përshtat një kreu shteti. “FIFA është një bandë e vjetër këlyshësh. Ishte e drejtë që Suarezi të ndëshkohej, por jo të aplikonin sanksione fashiste”. Sulmuesi i Liverpulit u pezullua 9 ndeshje me kombëtaren dhe katër muaj në të gjitha aktivitetet në rang klubesh për shkak të kafshimit të Xhorxho Kielinit në sfidën e fundit në grup me Italinë. Ndërkohë që vetë lojtari dje ka shkruar edhe një letër publike ku është shprehur me keqardhje për gjithçka kishte ndodhur. Lojtari latin i kërkoi falje mbrojtësit italian dhe të gjithë tifozëve për aktin e kryer, duke u premtuar se nuk do të ketë më veprime të tilla nga ai.
Marselo: Ndaj Kilit mësuam të vuajmë
Lojtari i galaktikëve, Marselo, thotë se skuadra e tij është mësuar të vuajë në ndeshjen ndaj Kilit. Seleçao nuk bënë lojën e tyre të zakonshme në përballjen e të tetës së finales, pasi nuk u lejuan nga kundërshtari, ndërsa u desh që në çerekfinale të kualifikoheshin pas ekzekutimit të penaltive.“Për të fituar Kupën e Botës duhet të dish si të vuash. Ne u mësuam të vuajmë. Hulio Çezar na shpëtoi. Ai ishte më nervozi, por më pas ishte solid. Tashmë mund të vazhdojmë për t’u bërë kampionë. Emocionalisht, të gjithë ishim të vdekur. ishte një test që duhej ta kalonim. Pashë publikun, kishte njerëz që bërtisnin dhe qanin. Fitorja ishte kënaqësi”, – ka thënë mbrojtësi brazilian.
De Jong larg Botërorit
Najxhel de Jong ka gjasa minimale për lojë në vazhdën e turneut të sivjetmë botëror, ka bërë të ditur trajneri Luis van Gal. 29-vjeçari, i cili ka qenë njëri nga futbollistët më të mirë të Holandës në fazën grupore, la fushën pas vetëm dhjetë minutash në ndeshjen e të tetës së finales kundër Meksikës. Përzgjedhësi holandez tash ka bërë të ditur se mesfushori mund të mos paraqitet më në këtë Botëror. “De Jong pati një tendosje në ijë dhe u detyrova ta zëvendësoja. Është serioze. Kam frikë se ka marrë fund për të. Nuk mendoj nëse do të jetë në gjendje të luajë në çerekfinale, të jem i sinqertë vështirë se mund të luajë. Ai është njëri nga lojtarët e mi më të rëndësishëm, prandaj kjo është një humbje e madhe për ne”, – ka deklaruar tekniku tulipanëve.
Zaneti, për dy vjet zëvendëspresident i Interit
Interi e ka nxjerrë “në pension” fanellën me numrin 4 për nder të Havier Zanetit dhe legjenda zikaltër do të bëhet zëvendëspresident i klubit për dy vitet e ardhshme, ka njoftuar Erik Tohir. Argjentinasi i dha fund karrierës si futbollist aktiv, ndërsa në 19 vitet e fundit kishte luajtur me fanellën e skuadrës nga Milanoja. Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar, mes tjerash, pesë tituj të Serisë A, katër Kupa të Italisë, një titull të Ligës së Kampioneve dhe një Kupë të Botës për Klube. “Zaneti do të jetë zëvendëspresident për dy vite. Po ashtu, bordi ka vendosur që ta tërheqë fanellën e tij me numrin 4”, – ka deklaruar Tohir për mediat italiane. Presidenti i klubit ka thënë se shpreson në rinovimin e trajnerit Valter Maxarri dhe njëherësh ka treguar se ka marrë një ofertë për shitjen e Mauro Ikardit, por dëshiron që ta mbajë në skuadër talentin.