Ylli i Seleçaos është shprehur se për të nuk ka rëndësi se sa gola shënon, por do që në fund të turneut të përfundojë me kupën e botës në dorë
Dëshira e një futbollisti që në hapat e parë është që të ngrejë Kupën e Botës. Kjo ka qenë edhe dëshira e Nejmarit, të cilën tashmë e ka shumë afër. Lojtari bashkë me ekipin e tij është kualifikuar dhe do të presë në çerekfinale Kolumbinë. Triumfi në Botëror i Brazilit vlen më shumë se çdo gjë, shumë më tepër se vendosja e Këpucës së Artë në vitrinë. Nejmari është një nga superstarët e këtij kompeticioni dhe lideri i deklaruar i ekipit të tij. Një rol të cilin e ka kryer mjaft mirë pasi në këtë kupë bote ka shënuar 4 gola që mbajnë emrin e tij deri në këto momente. Megjithatë, suksesi individual për të renditet pas ëndrrës për ta parë Brazilin kampion për herë të gjashtë. “Nuk dua të jem lojtari më i mirë apo kryegolashënuesi i këtij turneu. Gjithçka që dëshiroj është Kupa e Botës. Kam ëndërruar gjithmonë për të dhe pak rëndësi ka se si arrijmë deri aty. E dua këtë trofe më shumë se çdo gjë. Dua të jap ndihmën time për skuadrën, duke shpresuar se kjo ëndërr do të mbyllet me Brazilin kampion”. Ndeshja me Kilin çoi vendasit shumë afër daljes nga Botërori, megjithatë në fund ishin brazilianët që festuan. Pas takimit Nejmari u pa duke derdhur lot afër teknikut Skolari pas një presioni ë madh të krijuar nga loja. Talenti i Barçës pohoi se pavarësisht shpërthimit emocional, ai nuk ndjeu asnjë lloj presioni gjatë takimit. “Kam luajtur i qetë dhe pa frikë. Kur ndjen frikë, atëherë dëshira për të fituar të largohet. E dinim që do të luanim përballë një skuadre të madhe, por ne ishim të vendosur për të shkuar në çerekfinale”. Më tej Nejmari ngriti në qiell me elozhe trajnerin e 5 herë kampionëve. Për Skolarin, lojtari deklaroi se ai është shumë i rëndësishëm për ekipin. Ai u shpreh se të gjithë lojtarët e duan dhe me teknikun ekziston respekt reciprok brenda kombëtares. Kujtojmë se Brazili ka një rivale mjaft të fortë përballë. Kolumbianët janë mjaft të rrezikshëm dhe këtë gjë e treguan mjaft mirë ndaj Uruguait. Një ekip solid dhe i fortë në të gjitha repartet e lojës. Ndryshe nga Kili i cili edhe pse bëri një lojë të fortë nuk ka emrat e ekipit Kolumbia. Sfida do të jetë e veçantë edhe për faktin se do të vihen përballë Xhejms Rodrigez dhe Nejmari. Dy nga yjet që do jenë ata që do bëjnë spektaklin në të ardhmen dhe që premtojnë shumë edhe për këtë ndeshje.
Pogba: Momenti i tanishëm, një ëndërr
Mesfushori juventin është i ngazëllyer me golin e shënuar në fitoren e Francës ndaj Nigerisë. Skuadra evropiane fitoi 2-0 ndaj përfaqësueses afrikane me Pogba që shënoi golin e parë të takimit, para se Josef Jobo të vulosi ndeshjen me një autogol. “Nuk ka fjalë, nuk kam fjalë për ta përshkruar atë çfarë ne po tregojnë në fushë. Ne kemi të gjithë kombin prapa nesh, jam i lumtur për ekipin. Përfundimisht është emocioni më i madh në karrierën time. Ne jemi në çerekfinale dhe është një prej momenteve më të mira në jetën time”, – ka thënë talenti i gjelave.
Mikel: Arbitri nuk veproi për gjuajtjen e Zhirudit
Xhon Obi Mikel thotë se Olivier Zhirudi është dashur të përjashtohej me karton të kuq në ndeshjen ndërmjet Francës dhe Nigerisë. Blutë fituan me rezultat 2-0 takimin e të tetës së finales, ndërsa gjatë lojës sulmuesi i Arsenalit e preku pak me bërryl qëllimisht mesfushorin e. Këtë e pa arbitri Mark Geiger, por ai vetëm ia tërhoqi vërejtjen sulmuesit francez duke mos e ndëshkuar. “Po, më goditi me bërryl dhe arbitri e pa dhe vetëm e paralajmëroi, madje nuk i dha as karton të verdhë, asgjë. Ishte gjë e keqe. Ne e njohim futbollin nëse e sheh, duhet të veprosh. Arbitri e pa”, – ka deklaruar lojtari nigerian.
Federata Kamerunase vë në hetim lojtarët për fiksim ndeshjesh
Autoritetet kamerunase do të hetojnë shtatë lojtarë të tyre, për të cilët thuhet se kanë qenë pjesëmarrës në montimin e rezultateve në Kampionatin Botëror. Federata e futbollit në Kamerun ka njoftuar se ka kërkuar nga Komiteti i Etikës që të zbulojë mashtrimet e mundshme, sidomos për humbjen prej 4-0 nga Kroacia në ndeshjen e dytë grupore. FECAFOOT (Federata Kamerunase) ka lëshuar një komunikatë për shtyp përmes së cilës bën të ditur fillimin e procesit të hetimit. Spekulimet për mundësinë e montimit të rezultateve i tha mashtruesi senegalez, Uilson Raj Perumal, i cili në të kaluarën është dënuar për montim rezultatesh. Duke folur për “Der Spiegel”, ai tha se një lojtar do të përjashtohej me karton të kuq në ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Kamerunit, dhe pikërisht ashtu ndodhi, pasi Aleks Song e goditi me bërryl Mario Mandzukiçin. Po ashtu, gjatë lojës pati një incident ndërmjet dy futbollistëve kamerunas, kur Benua Asu-Ekoto deshi ta godasë me kokë bashkëlojtarin e tij, Beniamin Mukandjo.
Juventusi sakrifikon Kualjarelën për Iturben
Juventusi është gati të fillojë rekrutimet verore, ndërsa Huan Iturbe është një nga shënjestrat e bardhezinjve. Anësori argjentinas është duke joshur interesimet e klubeve italiane, si Roma dhe Milani, mirëpo “Zonja e Vjetër” dëshiron të ndërhyjë për transferimin e tij. Real Madridi e ka përcjellë për një kohë të gjatë 21-vjeçarin, megjithatë këtë afat kalimtar galaktikët kanë plane të tjera. Juventusi dëshiron të ofrojë 20 milionë euro plus Fabio Kualjarela për shërbimet e tij. Në rast se Verona refuzon, atëherë do ta përfshijë edhe Federiko Peluzon në marrëveshje.