Rrëfimi i rrallë/ Studiuesja Antonia Young: Si zbulova “Virgjëreshat e betuara” kur nuk na lejonte Enver Hoxha

0
277

Antonia Young 

215Keqkuptimi kulturor i virgjëreshave të betuara shqiptare

Vjen në Tiranë autorja e “Virgjëreshat e betuara shqiptare”, botimet “Skanderbeg books”. Albanologia Antonia Young do të prezantojë botimin në shqip të kësaj vepre aq të përfolur. Me të drejta autori, më poshtë botojmë të plotë rrëfimin e saj mbi librin. Gratë që u bënë burra, si udhëtoi drejt Shqipërisë dhe historive që kanë tronditur pasionet, duke krijuar aureolën ekzotike mbi shqiptaret e veriut

 Udhëtimi i tim vëllai, më 1954, në Jugosllavi, ishte ai që më ngjalli interesin ta vizitoja dhe ta shihja nga afër rindërtimin e atij vendi që kishte humbur 10 për qind të popullsisë së vet gjatë Luftës së Dytë Botërore (më shumë se gjysma ishin vrarë në konfliktet civile të kohës). Edhe unë, si shumë të tjerë, u frymëzova nga vizioni mbi Brigadat Rinore Kombëtare dhe Ndërkombëtare, që ndërtonin rrugë dhe hekurudha e që i entuziazmuan e ngazëllyen të gjithë (isha e përfshirë nga ky emocion). E. P. Thompson, njëri prej vullnetarëve rrëfen:

Gjëja më e pazakontë e kësaj hekurudhe ishte mënyra se si u ndërtua Hekurudha Rinore. Në Angli, kur dëgjuan herën e parë për Hekurudhën Rinore, njerëzit menduan se ishte ndonjë lloj loje ose ndonjë marifet i propagandës… Por në Hekurudhën Rinore Shamac-Sarajevë s’kishte trena lodër… pjesa më e madhe e punës bëhej pa mbikëqyrje dhe me mjete nga më primitivet… Puna përparonte jo prej urdhrave apo nga detyrimet vetjake, por nga hareja e këngëve dhe nga fryma e mrekullueshme e bashkëpunimit… (prej një libri shënimesh) ishte ajo çka pamë në Jugosllavi kur punuam mes ‘brigadierëve’ (sic) në Hekurudhë; ishte ajo çka dëgjuam kur folëm dhe diskutuam me këdo nga lektorët e shquar dhe drejtuesit e rinj të kuzhinierëve, nëpunësve dhe gjimnazistëve; ajo çka përjetuam kur kërcyem vallet tradicionale kolo, kur kënduam e klithëm me miqtë tanë rreth zjarreve të mëdha gjatë mbrëmjeve.

Në Perëndimin e pasluftës, në vitet 1940 dhe 1950, arsimimi kishte depërtuar, por jo në pjesën më të madhe të Evropës Lindore. Kur mësova për ekzistencën e saj dhe gjendjen ku ndodhej, u josha aq shumë, sa më lindi dëshira të lexoja gjithçka që më dilte përpara me këtë subjekt. Një ndër librat e parë që lexova, ishte “Black Lamb and Grey Falcon” i Rebecca West, ku përshkruante udhëtimet e saj nëpër gjithë Jugosllavinë e viteve 1937-38. Ndonëse pikëpamjet e West janë tejet të ndikuara nga shoqëruesit e saj serbë, ajo gjithsesi ofron një informacion të bollshëm për Jugosllavinë e asaj kohe. Kritiku letrar Larry Woolf e sheh rëndësinë e këtij libri si një profeci për të ardhmen:

Pothuajse pas pesëdhjetë vjetësh nga botimi i parë i “Black Lamb and Grey Falcon”, Rebecca West na mahnit me masën dhe thellësinë e njohurive rreth Jugosllavisë, por mbi të gjitha libri na trondit me pasionin dhe nevoja e saj të ngutshme për ta njohur, po ashtu si dhe ne… Kur “Black Lamb and Grey Falcon” u botua në 1941, Hitleri qe bërë zotërues i Evropës Lindore, Jugosllavia ishte bombarduar dhe shkatërruar; kjo bëri që Rebecca West të qe një vizitore në një univers tashmë të zhdukur. Në atë çast të historisë, libri i Rebecca West sfidoi Britaninë dhe Amerikën, duke mbajtur gjallë një imazh të Evropës në dimensionin e saj të plotë, si moral dhe politik, duke bërë me dije pa hamendje se Evropa Lindore ishte pjesë e domosdoshme e Evropës… Sfida jonë do të jetë të zbulojmë Evropën Lindore nga e para dhe ta njohim atë pa dogmat ideologjike, që i kanë shërbyer si identifikues të thjeshtë, sfida jonë do të jetë pranimi i saj si pjesë e Evropës dhe jo si një pjesë e shkëputur e saj.

Në vitet 1950-60 shfrytëzoja rastin për të vizituar Jugosllavinë, kurdo që mundesha, duke udhëtuar me çfarëdo gjëje që më dilte përpara: varkë, autobus, më këmbë, autostop, herë-herë me karroca dhe me tren. Njëri prej trenave ishte një ciro i vogël, 7 të cilit iu deshën shtatëmbëdhjetë orë çaf-çuf për të bërë vetëm pesëdhjetë e tetë kilometra nga Gostivari në Ohër. Treni i vockël me tre vagonë i ngjiste malet aq ngadalë, saqë mund të zbrisje, të këpusje rrugës ndonjë manaferrë dhe të ngjiteshe përsëri në trenin që lëvizte. Dikur trenat ishin të ndarë sipas tre klaseve, vetëm klasi i parë i udhëtarëve kishte mundësi të qëndronte në trenin që ngjiste malin. Pasagjerët e klasit të dytë duhej të zbrisnin dhe të ecnin në këmbë, ndërsa pasagjerët e klasit të tretë ishin të detyruar të zbrisnin dhe të shtynin trenin. Këtë ma kishin shpjeguar makinistët nga jashtë kabinës. Gjatë udhëtimit derisa mbërriti, treni kishte ndaluar nja dy herë dhe të gjithë kishin zbritur me gjërat e rënda, dhe kishin hipur përsëri.

Verën e kalova nëpër kampingje me një mikun tim nga Jugosllavia, nëpër të gjashtë republikat, duke i përjetuar dallimet fantastike që as kohezioni i imponuar i Titos nuk kishte mundur t’i sheshonte. Në atë postën maqedonase pranë liqenit të Ohrit në vitin 1958, nuk më besuan shumë kur me vështrimin kah Shqipëria, u thashë se isha britanike. Atë kohë vetëm pak turistë linin bregdetin e mrekullueshëm të Dalmacisë për të udhëtuar më në brendësi të gadishullit. Këtë udhëtim e ndërmerrte ndonjë familje ose grupe franceze dhe gjermane. Pamja ime, të udhëtuarit vetëm dhe përdorimi i disa shprehjeve në serbo-kroatisht, ndonjëherë shtynin të besoje se isha nga ndonjë prej republikave të Jugosllavisë, të thurura këto fakte krijonin një histori më të besueshme jete, që përfshinte fëmijërinë time në Shqipëri, arratisjen e mëvonshme në Jugosllavi me not nëpër liqen. Dikur, pas një endjeje me varkë në bregdetin jugor të Korfuzit, ia ngula sytë Shqipërisë. Jugosllavia kishte kohë që i kishte shkëputur lidhjet me Shqipërinë, qyshkur më 1948 Tito i hodhi poshtë kërkesat e Bashkimit Sovjetik dhe ideja se Shqipëria do të bëhej një prej shtatë republikave të Jugosllavisë, kishte marrë fund përgjithmonë.

Martesa, emigrimi dhe detyrimet familjare e shtynë vizitën në Jugosllavinë e viteve 1970, ku po lulëzonte mirëqenia dhe shpresa, por kur u ktheva aty (pak pas vdekjes së Titos në vitet 1980) kisha një qëllim të ri. Puna e tim shoqi në ‘Peace Studies’, më çoi në Qendrën ndëruniversitare në Dubrovnik në ndihmë të organizimit të konferencave ndërkombëtare dhe kurseve të edukimin ndaj dhunës dhe vendosjes së paqes. Qendra ishte vendosur në një ndërtesë të mirë, e ndërtuar që në kohën e sundimit austro-hungarez, ishte një institut që mikpriste studentë dhe pedagogë nga Perëndimi dhe nga Lindja, duke ofruar një vend për bashkëpunim mes njerëzve me të shkuar komuniste dhe jokomuniste. Ndonjë cinik mund ta vinte në dyshim vlerën e kësaj pune, e cila nuk paskësh qenë e aftë të parandalonte vrasjet e tmerrshme dhe shkatërrimin e viteve 1990, por e vlen të përmendet se stafi i Qendrës e vazhdoi punën edhe gjatë periudhës më të vështirë, pavarësisht bombardimit të ndërtesës dhe zjarrit shkatërrues. Me mbështetjen ndërkombëtare, Qendra u rihap përsëri pas një pushimi të shkurtër duke ofruar kurse të rinovuara.

Ribotimi në Ballkan në mesin e viteve 1980 të të shtatë librave plot jetë të Mary Edith Durham, e mes tyre “Shqipëria e Epërme”, e bënë mjaft të famshme për punët e saj.

Kjo grua e shkëlqyer britanike (zakonisht e njohur si Edith Durham), udhëtoi nëpër Ballkan gjatë çerekut të parë të shek. XX, duke u përfshirë më shumë si artiste, si antropologe e vetëtrajnuar dhe si drejtuese që ndihmonte me punë humanitare, ajo ishte e informuar si të qe një analiste politike, madje edhe duke ndikuar në politikën e jashtme britanike për këtë zonë.

E lindur në 1863, ajo nuk mundi ta vizitonte Ballkanin deri në moshën tridhjetë e shtatë vjeçe. E munduar shumë në shërbim të nënës së saj të sëmurë, doktori e këshilloi të bënte disa pushime ‘menjëherë sapo t’i jepej mundësia’. Ajo udhëtoi me anije nga Trieste dhe me këshillën e dikujt në bord, zbarkoi në Kotor të Malit të Zi. Nga ajo kohë e më pas në vitet në vazhdim, ajo e vizitoi cep më cep të gjithë Ballkanin, duke bërë një fushatë të fuqishme për pavarësinë e shumë minoriteteve.

Shpërndau ndihma mjekësore, ushqime dhe batanije për të prekurit nga luftërat dhe kryengritjet e asaj kohe. Ajo përpiqej gjithmonë në krye t’i dëgjonte të gjitha palët e konfliktit me të cilët kishte kontakte dhe më pas i botonte këto ngjarje. Një koment i saj i vitit 1913, mjerisht mund të përsëritet me të njëjtin kuptim edhe sot: ‘E vetmja gjë që mund ta themi me bindje, është se nuk ka pasur asnjë zgjidhje të qëndrueshme për Çështjen e Ballkanit’.

Pas vizitave të para në Malin e Zi dhe Serbi, Durham mori në mbrojtje çështjen e shqiptarëve dhe në vazhdimësi të gjitha shkrimet e saj lidheshin me situatat politike, historike dhe antropologjike të Shqipërisë.

Në fjalën gjatë përvjetorit të saj të tetëdhjetë, Durham tha: ‘Ka të ngjarë që çështjet e nxehta në politikën e Ballkanit, të zgjidhen duke studiuar me kujdes sjelljet, zakonet, ritet e secilës krahinë dhe duke u treguar të gjithëve se cilës pjesë i përkasin në të vërtetë. E nisa me shumë gëzim këtë program të jashtëzakonshëm’. Kjo përpjekje e saj solli librin Për fiset, ligjet dhe zakonet e ballkanasve, i pakrahasueshëm dhe i pashembullt për detajet antropologjike të pikturuara me grafika për grupet dhe fenomenet njerëzore, shumica e të cilave tashmë nuk ekzistojnë më. Fenomeni i ‘virgjineshave’ – pjesë e librit – është studiuar nga afër nga Durham. Ajo takoi të paktën nëntë prej tyre.

Nëse edukimi i tre fëmijëve të mi më kufizoi nga udhëtimet nëpër Ballkan, ajo më ndihmoi të zbuloja një sërë dimensionesh të reja. Një prej tyre ishin veprat e Laura Ingalls Wilder, një seri nëntë librash për fëmijë që i lexoja bashkë me vajzat e mia. Më vonë këto tregime u ekranizuan dobët në serialin me titull “Little House on the Prarie”. Ky serial rrëfen historinë e vërtetë të Laurës, të prindërve të saj dhe të tri motrave që u endën nëpër Amerikë në fillim të shek. XIX në kërkim të një jetë të lirë. Në fund të këtyre librave, Laura (e martuar në librin e parafundit) dhe i shoqi, u përballën me një fatkeqësi të re dhe nuk mund të kujdeseshin për foshnjën e tyre, Rose. Një fund i tillë i pakëndshëm pas leximit për dy vjet, më la në ankth për të zbuluar se ç’ndodhi me këta njerëz të vërtetë.

Krejt papritur m’u dha mundësia ta ndiqja tregimin në jetën reale. E vendosur në Norvegji më 1983, pata fatin e mirë që përmes Institutit Kërkimor për Paqe në Oslo, të njihesha me antropologen norvegjeze, Berit Backer, e cila sapo kishte përfunduar tezën e doktoraturës për lidhjet farefisnore të shqiptarëve. Në kohën që gjurmoja në fushën e saj, në mesin e viteve 1970, të huajt s’lejoheshin të kryenin kurrfarë studimi të pavarur në Shqipëri.

Në vend të kësaj, Backer arriti të siguronte një leje për të punuar në fshatin Isniq të Kosovës, nja tre km larg Deçanit, pranë kufirit me Shqipërinë, i populluar vetëm me shqiptarë. Bibliografia e saj, përfshinte Majat e Shalës: ‘Një kronikë e disa udhëtimeve midis fiseve malësore të Shqipërisë’ nga Rose Wilder Lane. Në të vërtetë zbulova se vajza e Laurës, Rose, një lexuese të apasionuar qysh fëmijë, hodhi një hap të pazakontë për vajzat adoleshente të kohës, duke braktisur gjysmëperëndimin rural për t’u bërë gazetare. Në 1915 ajo u vendos në San Françisko, ku edhe u martua menjëherë. Thuhet se në vitet 1920 ajo ishte shkrimtarja femër më e paguar në botë.

Në vitin 1919, Rose ishte autorizuar nga Kryqi i Kuq të raportonte për situatën e refugjatëve në Evropë pas Luftës së Parë Botërore. Përmes kësaj pune, e ftuar nga miq të saj, ajo iu bashkua njërës prej ekspeditave që ndihmonin në ndërtimin të shkollave në malet e Shqipërisë veriore. Këtu gjeti dhe frymëzimin për librin e saj, të botuar vetëm një dekadë pas librit të Durham Shqipëria e Epërme. Më romantik dhe me më pak hollësira, ndryshe nga vepra e Durhamit që përmbante dokumente etnografike, Majat e Shalës e Rose Wilder Lane, sidoqoftë, vërteton shumë nga traditat të cilat Durhami tashmë i kishte vënë në dukje. Një prej tyre ishte fenomeni i ‘burrneshave’ (‘Virgjëreshat shqiptare’ të Durhamit).

Ka një literaturë të gjerë për udhëtimet nëpër Shqipëri, pjesa më e madhe janë shkruar herët nga udhëtarë të huaj që kanë vizituar këtë zonë në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe njëzet, e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Këtu përfshihen punë studimore dhe vepra nga personalitete të shquara si Lord Byron dhe Edward Lear.

Pothuajse të gjithë këta shkrimtarë i janë referuar Kanunit (Kodet dhe ligjet e mbledhura nga Lekë Dukagjini në shekullin e pesëmbëdhjetë), dhe shumë të tjerë i janë referuar ‘virgjëreshave shqiptare’. R. W. Lane nuk shkruan se ka takuar ndonjë ‘virgjëreshë shqiptare’, por nga të dhënat kuptohet një gjë e tillë! Kryeplaku i Thethit, Lulashi, mendonte se të udhëtuarit e saj e pa shoqëruar nga ndonjë burrë, e veshur me pantallona dhe me flokët e shkurtra, qenë të dhëna se ajo ishte zotuar burrneshë. Shumica janë dokumentuar në të shkuarën, ku fenomeni i njohur si ‘virgjinesha’ absolutisht është zhdukur nën regjimin komunist. Ky ishte një subjekt i kulturës shqiptare që dëshiroja ta vëzhgoja.

Një konferencë e mbajtur në Universitetin e Bradfordit në 1987 me temë ‘Gratë udhëtare në Ballkan’, më mundësoi të paraqisja një letër të Rose Wilder Lane, dhe të hamendësoja nëse ende ekzistonin ‘virgjineshat’. Herën e parë që vizitova veriun e Shqipërisë më 1989, bëra kërkime lidhur me këtë çështje. Udhëtarët perëndimorë që vizitonin Shqipërinë në atë kohë, lejoheshin të udhëtonin vetëm nën një mbikëqyrje të rreptë, por ama për këto grupe ata kujdeseshin shumë dhe ishin mjaft të përgatitur, duke ndjekur itinerare të veçanta.

Këto grupe e kishin të ndaluar të flisnin me ndonjë tjetër përveç drejtuesit të tyre ose me përfaqësuesit e shtetit. Të huajt ishin informuar për mrekullitë e kohës së komunizmit: analfabetizmi i para Luftës Çlirimtare (kështu njihet Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri), ishte ulur nga 85 në 5 për qind (te femrat ishte edhe më i madh), askush nuk fitonte dyfishin e asaj që fitonte një tjetër, nuk kishte taksa, nuk kishte krime, nuk kishte papunësi dhe qiratë ishin më pak se 10 për qind e gjithë të ardhurave. Gjithashtu, plani pesëvjeçar i vitit 1970, kishte përmbyllur elektrifikimin e të gjitha fshatrave.

Vetëm pak vite më vonë e morëm vesh çmimin e plotë të ‘progresit’ në Shqipëri. Në dobi të këtij progresi, përveç tmerrit që njihet gjerësisht edhe sot, shumë libra u dogjën, shumë të tjerë u ndaluan. Nuk kishte një planimetri qyteti ose harta rrugësh të sakta, i tillë ishte edhe shqetësimi i regjimit strikt stalinist, t’i mbante njerëzit e thjeshtë në padituri, ndërsa preokupohej për diçka që s’kishte aspak vlerë për përditshmëritë e tyre. Pak më vonë, u befasuam kur mësuam se fenomeni i ‘virgjineshave’ vazhdonte të ekzistonte, ku shumica e këtyre burrneshave, jetonte në veri dhe shumë më pak në jug, madje u tronditëm kur morëm vesh se ky fenomen vetëm 150 km larg nga kryeqyteti i Shqipërisë, ishte krejt i padëgjuar. Kjo shpjegonte, nga njëra anë, një shpërfillje ndaj qytetërimit, që i nxiste shqiptarët të pranonin mbijetesën e zakoneve, dokeve, nga anën tjetër, se fenomeni jetonte pa u shfaqur fare dhe se kjo pjesë e Evropës po i nënshtrohej një ndryshimi të thellë dhe të shpejtë, që dukej se me shumë gjasa do t’i transformonte të dyja, kontekstin dhe ekzistencën e qartë të këtij fenomenit që përshkruhet në këtë studim.

 

***

Qëllimi i këtij libri është ta memorizojë fenomenin unik të ‘burrneshave’ shqiptare. Të këtyre njerëzve të ndershëm që mbijetojnë më së shumti në zona të shkreta të Shqipërisë Veriore, mu në brendësi të kontekstit kulturor dhe të vetë shoqërisë shqiptare. Në vijim të studimit, do të përpiqem të sjell shkurtimisht disa përshkrime të këtyre grave (që prej vitit 1989) e të krahasoj disa shpjegime antropologjike e etnografike, me një analizë për to, dhe gjendjen e tyre. Shpjegimi i disa kushteve historike, unike për Shqipërinë, do të na ndihmojë për të dhënë evoluimin në këto kushte të fenomenit dhe se si ka mbetur ende pjesë e kësaj shoqërie. Së fundmi, duke i shtuar fakte e reja nga lëmi i studimit tim të pavarur dhe nga intervistat e hollësishme të disave prej tyre në Shqipërinë e Veriut gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, gjykoj se mënyra e të veshurit bën ndarjen e gjinive në një shoqëri thellësisht patriarkale. Veshjet luajnë një rol të rëndësishëm në formimin shoqëror mes gjinive, të dallueshme në ngjarjet e rëndësishme të jetës, si martesa apo ndryshimi i banimit, por shënojnë edhe kufijtë mes gjinive në familje. Zgjedhja e veshjes pasqyron natyrën e një sistemi të veçantë social-ekonomik në Malësinë e Shqipërisë apo në disa zona të tjera të Ballkanit, por edhe këtë tipar të veçantë se, në kushtet e vështira mjedisore, shpesh veshja dhe nderi lidhen drejtpërdrejt me nevojat ekonomike. Faktori ekonomik është shumë i rëndësishëm në këtë shoqëri patriarkale që, mes detyrave të grave, të jetë edhe marrja e rolit të burrave për drejtimin e familjes në rastet kur këta mungojnë. Këto gra, sikurse burrat, janë të gatshme të marrin armët nëse i thërret nevoja, me qëllim ruajtjen e nderit të familjes nga gjakmarrja.

Të veshurit e veçantë me rrobat e gjinisë tjetër, gjë që për teorinë gjinore është me interes sot në perëndim, mënyra se si këto ‘gra kthehen në burra’, duke marrë rolin e burrit dhe përfaqësimin e tyre mashkullor, në krahasim me veshjet tradicionale të grave (siç tregohet në kapitullin 9), do të jetë pjesë e këtij hulumtimi. Për shumë ‘virgjinesha’, të vishesh me rrobat e burrave, është një akt qartësisht emancipues. Veshja e gruas shqiptare, ndryshe nga ajo e ‘burrneshave’, veçanërisht në zonat rurale, cakton kufijtë jo vetëm gjinorë, por dhe statusin e tyre, dhe shpjegon veçmas pozitën gjinore. Me ndryshimin e veshjes, fillon të ndihet një presion i tmerrshëm, që ka lidhje tradicionalisht me rolin gjinor, e parapërcaktuar nga kjo kulturë. Ende identiteti gjinor lidhet jo domosdoshmërisht me preferencat seksuale. Roli i veshjes në Shqipëri po ndryshon me shpejtësi dhe po shfaqen forma të reja të identitetit personal dhe kolektiv.

Ndikimi i shoqërive perëndimore shpejt do të jetë një rrezik për perspektivën gjinore në të tilla kultura. Fenomeni i ‘virgjineshave’ ngjall shumë pak interes brenda Shqipërisë. Pjesa më e madje e shqiptarëve duan ‘përparim’ drejt mënyrës së jetesës perëndimore, të cilës ata përpiqen t’i përngjajnë. Kur e nisa hulumtimin, shumë njerëz, jo nga veriu i Shqipërisë, nuk kishin dëgjuar kurrë për traditën e ‘virgjineshave’, ndërsa ata që kishin dëgjuar, mendonin se tashmë ky fenomen nuk ekzistonte më, të tjerë e mohonin me forcë mundësinë e ekzistencës së këtij fenomeni. Në Tiranë, mes atyre që e quanin veten të shkëputur nga traditat, ndesha me burra shqiptarë që tmerroheshin nga ideja se një gjë e tillë mund të ekzistonte, ndërsa kishte edhe vajza që ndjenin neveri duke i cilësuar si ‘anormale’. Një tjetër reagim qe përcaktimi me ngulm se ky fenomen më shumë ngjante me homoseksualizmin femëror.

Ky studim ka për qëllim të jetë krahasues, duke vërejtur ndryshimet mes vendeve, moshave, periudhave historike, besimeve fetare dhe pozitave social-ekonomike. A ka ndryshim mes ‘virgjineshave’ dhe ligjeve tradicionale (Kanuni dhe dhënia e besës), i ndeshur në disa zona të veçanta të Shqipërisë dhe gjerësisht në disa pjesë të tjera të Ballkanit? A ka një zgjidhje tjetër veç kësaj që shohim te ‘burrneshat’, për të gjetur një kryefamiljar që të mund ta marrë këtë rol, në rastet kur familjes i mungon burri? Ose, a ka variante të tjera të mundshme me trashëgimi që të mund ta shmangë këtë lloj dukurie? Si është zhvilluar në kohë fenomeni i ‘burrneshave’? Si janë pyetur disa prej këtyre ‘virgjinesha’ rreth jetesës së tyre të veçantë e të ndryshme, për të rrëfyer mbi çështje si seksualiteti dhe riprodhimi, familja dhe farefisi në krahasim me këto shoqëri bajraktare, dhe rreth këtyre çështjeve brenda vetë kulturës së tyre individuale? A mundet që një burrneshë shqiptare të ndryshojë vendbanim drejt një qendre urbane, duke e riparë identitetin e saj tradicional dhe të nderuar? Vetë unë gjatë këtij studimi (shih Lulen në fq. 70-74 dhe Diloren fq. 74-76) këto çështje i debatova dhe i diskutova shumë. Mos ndoshta veshjet dhe sjellja e këtyre njerëzve, ka ndonjë lidhje me lesbizmin, transeksualitetin apo me transvestizmin që njihet në vendet e tjera? Si mund të jemi të sigurt për vetëkontrollin e tyre absolut ndaj veprimeve seksuale për të cilën ato betohen? Po çfarë ndodhi së fundmi me ‘burrneshat’ gjatë komunizmit dhe si është sot gjendja e tyre? A mundet që fenomeni të mbijetojë sot, kur ai mund të studiohet kaq hapur? Duke iu afruar një Evrope më moderne dhe më homogjene, padyshim që shoqëria shqiptare po ndryshon. Por, a do të vazhdojë të ekzistojë ky fenomen edhe në mijëvjeçarin e ri, duke marrë parasysh presionin e pamasë të ndryshimeve perëndimore, ndryshimin e pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare dhe qindra e mijërat e refugjatëve kosovarë të detyruar përkohësisht të shpërnguleshin në Shqipërinë e Veriut?

 

Keqkuptimi kulturor

Qysh kur temat e ndryshimeve të gjinisë dhe të seksualitetit kanë zgjuar interes te lexuesi i zakonshëm, për këto tema është shkruar gjithmonë e më shumë. Një përvojë të tillë kam tek shkruajta një artikull në revistën Cosmopolitan. Artikulli, për fat të keq, pësoi ndryshime të mëdha në redaktim, gjë që e mësova vetëm pas publikimit. I shkova deri në fund çështjes me shkrimin “Keqkuptimet dhe keqinterpretimet rreth ‘virgjineshave shqiptare’ numrin e dhjetorit të revistës Cosmopolitan”, por botuesi nuk u tregua i gatshëm ta publikonte, qoftë edhe ndonjë pjesë të saj. Botuesi vuri dorë dhe shtoi fjalë të veçanta, që janë të papërshtatshme kur diskutohet për këtë fenomen. Botuesve ua kisha sqaruar në krye se përse doja të shmangeshin fjalët si ‘bizarre’ ose ‘sakrificë’. Të dyja këto terma, për dreq, u përdorën nga vetë botuesit, për ta bërë shkrimin etnocentrik, me hamendje kulturore rreth rolit të gjinisë në këtë komunitet.

Redaktorët e Cosmopolitan-it ndoshta zgjodhën të nxisnin interes në publik me idenë e sakrifikimit, sepse shitja e seksit në vitet 1990 dhe ideja se këto gra duhej të hiqnin dorë nga seksualiteti i tyre, u interpretua nga ata si një sakrificë e madhe personale.

Në të vërtetë, marrja e rolit mashkullor nga femrat, në të tilla kushte specifike për vendin e tyre, që shpesh ndërmerret vullnetarisht prej tyre, jo vetëm që është e mirëpritur dhe tejet e lavdërueshme, por është edhe një zgjidhje për një jetë më të mirë. Edhe pse në disa raste betimi shihet si një sakrificë, domethënia e vetë fjalës është krejt gjë tjetër në një shoqëri, ku, të sjellurit ndryshe nga ç’je në të mirë të shoqërisë, konsiderohet një veprim pozitiv, ndaj, nëse ka ndonjë sakrifikim në rastin kur femra kthehet në burrë, kjo gjë në vetvete ia rrit nderimin ndaj vetes. Mbi këtë argument ka folur etnografi rus M. Bajraktarović, i cili vetë vjen nga një vend me të kaluar komuniste, ku vetësakrifikimi për të mirën e përgjithshme nuk ka kuptimin e një sakrifice të mirëfilltë, ashtu siç e njohim ne: ‘Në shoqëritë tradicionale fisnore, të sakrifikosh veten nuk konsiderohet vetëm një nevojë, por një veprim i nderuar dhe njerëzor’. Ndaj ‘burrneshat’ në betimin e tyre për beqari të përjetshme, bëjnë një sakrificë pozitive për lumturinë e tyre, për lumturinë e familjes dhe për lumturinë e gjithë fisit.

Shembulli tjetër, bën fjalë përsëri për artikullin e botuar në Cosmopolitan, se si shprehja ime u ndryshua nga ‘ato i shkurtonin flokët’ në ‘ato e rruanin kokën tullë’, duke u dhënë lexuesve një panoramë krejt të kundërt nga ajo që kisha dhënë. Edhe theksi që vura mbi rëndësinë e nderit, gjithashtu u keqinterpretua. U përdorën fjalë jo të përshtatshme me shkrimin tim, si etiketimi i Kanunit të Lek Dukagjinit si ‘kaotik’ dhe ‘anarkik’. Të tilla keqkuptime tregojnë padijen rreth këtij kodi të thjeshtë ligjor, i cili ka fituar një respekt të madh anembanë, si një bazë nga e cila nisemi të studiojmë më hollësisht rregullat e përcaktuara të shoqërisë, se si ka jetuar dhe është drejtuar kjo shoqëri prej shekujsh.

Ky perceptim ndryshoi me kohën dhe qartësisht mund ta shohim kur lexojmë vlerësimet e dekadës së kaluar. Një rast i tillë është mënyra e hulumtimit të Bernard Newman rreth gjinisë së saktë të udhërrëfyesit të tij ‘burrnor’, kjo nuk do t’i fyente lexuesit e vitit 1936, siç do të ndodhte me ata të sotmit, kur ta lexonin:

I riu që na kishte shoqëruar dhe mbrojtur gjatë kthimit tonë, kishte ardhur aty një natë më parë që të na takonte. Jashtë në oborr mendova se ndoshta do të më duhej emri i tij për librin tim.

‘Pyete çik djalin për emrin’, i thashë Sabriut.

‘Djalin?’ ma ktheu gjithë habi. ‘E ç’djalë or, ai është vajzë!’

‘Broçkulla!’ i thashë.

‘Ai është vajzë!’, dhe iu kthye të riut: ‘Je apo s’je vajzë, or ti?’, e pyeti Sabriu.

I riu iu gjegj: ‘Po’.

Sabriu, duke e vërejtur dyshimin tim të vazhdueshëm, ia shqeu fare këmishën dhe fët e fët zbuloi jashtë një gjoks femrash.

 

Zbulimi i ‘virgjineshave’

Pasi kisha lexuar për ‘burrneshat’ e fillimit të shekullit XX, vendosa me padurim të zbuloj nëse fenomeni vazhdonte të jetonte dhe dëgjova se madje njëra prej tyre ende jetonte në veri të Shqipërisë. Gjatë 1990-ës u ktheva shpesh në Shqipëri dhe zura miq shumë të mirë atje. Një kohë të gjatë ndenja në familjen Naraçi në Shkodër, ata jo vetëm që më ofruan mikpritjen tradicionale, por u përpoqën shumë të më ndihmonin në zgjidhjen e çështjes sime. Falë Marita Naraçit, një mësueseje nga Shkodra, munda të mbledh shumë të dhëna nëpër fshatrat e veriut të Shqipërisë dhe e çova deri në fund studimin tim. Familja Naraçi (si dhe plot të tjera) ishte e internuar me punë të detyruar kohës së komunizmit nëpër fshatra, shumë larg shtëpisë së tyre, si ndëshkim ndaj akuzës se vinin nga një familje borgjeze dhe me edukim katolik.

Nga kërkimet që bëri Marita Naraçi dhe nga lidhjet e saj, vërtetova fillimisht se kjo traditë ende jetonte në Shqipëri. Fqinja e saj, Meri, ishte martuar në një familje që kishte në mes saj një të tillë. Meri ishte befasuar në krye, por shumë shpejt kishte krijuar respekt për të, tek shihte se si e kishin pranuar gjithë të afërmit në fshat.

Në vitin 1993 pata mundësinë të takoja për herë të parë një ‘virgjineshë’. U nisa vetëm nga Shkodra (qyteti i dytë më i madh në Shqipëri) dhe gjatë udhëtimit ndërrova disa kamionë, në pjesën e prapme fare të hapur të të cilëve mbanin deri në 60 pasagjerë më këmbë. Edhe pse nga Shkodra ishin vetëm 50 milje, udhëtimi im zgjati për më shumë se gjysmë dite. Disa milje nëpër një rrugë makinash të shtruar me gurë përmes një lugine në perëndim të Thethit, i bëra më këmbë, edhe pse ishte një ditë korriku dhe dielli përvëlonte. Ca fëmijë kureshtarë u mblodhën rreth meje; aty pranë ca kullosnin dhitë me zilet që u tringëllinin, të tjera zile kumbonin nëpër shpatet e malit. Kaluam nëpër një urë të vjetër druri mbi një përrua (një shtrat i tharë lumi), duke shmangur vrimat e krijuara nga kalbja e drurit dhe menjëherë hymë në një fshat fare të vogël. Duke kërkuar Pashkën, më drejtuan në një dhomë të vogël përplot me njerëz, ku Pashka po bënte e gëzuar rolin social të burrit në një pritje dasme (figura lart). E veshur me këmishë dhe pantallona elegante burrash, ajo rrinte ulur e qeshur, në dorë mbante një gotë me verë dhe mbi vesh kishte vendosur një cigare. Më përshëndeti përzemërsisht duke hapur një vend ku të mund të ulesha pranë saj dhe kërkoi të më sillnin edhe mua një pjatë me ushqim.

Sipas traditës, nusja me veshje të zbukuruara, rrinte ngrysur, sytë e ulur poshtë mishëronin përulësi, ndërkohë njëra prej dhomave të shtëpisë ishte e mbushur me dasmorë që hanin e pinin nga ushqimi i tepërt (bollëku i dasmës dukej nga pjatat e të ftuarve, të cilët kishin ngrënë gjysmën e mishrave dhe nga ushqimet e tjera). Ndërkohë vera dhe birra derdheshin lumë, ujë kishte vetëm në një bucelë të madhe plastike që i shërbehej me potir cilitdo që kërkonte. Dhoma ishte e vogël dhe e ndërtuar rishtazi, me mure të pasuvatuar dhe dysheme të pashtruar. Përpara se të ftuarit t’i shtroheshin së ngrënës; nusja, gratë dhe fëmijët u larguan nga dhoma. Pashka qëndroi. Si një e ftuar që patjetër duhej nderuar (në Shqipëri të gjithë të ftuarit që vijnë nga larg respektohen), ata ngulmuan që edhe unë të qëndroja me burrat e të pija për mbarësinë e dasmës, që çifti i ri të trashëgohej me djem trima!

Më vonë, aty zbulova se në veriun e Shqipërisë atë kohë jetojnë disa gra si burra dhe m’u dha rasti që të kaloja kohë me disa prej tyre, ndoshta mund të kem takuar edhe të tjera, por pa e kuptuar që ishin të tilla. Jo gjithmonë burrneshat dallohen. Dikur, prindërit e tyre, ose edhe ato vetë, zakonisht kur janë ende fëmijë ose adoleshente, bëjnë betimin për t’u bërë burra dhe vishen e sillen tërësisht si të tilla. Pas disa vitesh, duke jetuar si burra, ato marrin një pamje tmerrësisht burrërore, jo vetëm sesi vishen, por edhe në lëvizjet e trupit.

Të dhënat e hershme tregojnë se për të shpëtuar nderin e të gjithë të përfshirëve, ky ndryshim i gjinisë ka qenë zgjidhja e vetme e pranueshme që të mos martoheshin me burrin me të cilin qenë fejuar dikur. Lidhur me nderin, refuzimi i vajzës për t’u martuar me aksh djalë, është një shkak i fortë (edhe sot) për t’i futur familjet në gjakmarrje. Por edhe një martesë e lidhur mes dy familjeve në gjak, mund të shihet si një pajtim gjaku. Mirëpo, nga shumë kontakte që pata, dola në përfundimin se arsyeja kryesore, është nevoja për një trashëgimtar dhe kryefamiljar, në rastet kur mashkulli i familjes nuk është i gatshëm për këtë status. Në këtë kuptim, këtu përfshihet edhe gatishmëria për të vepruar në rastin e një gjakmarrjeje.

*Titulli është redaksional