Korçë/ Vrasja e katërfishtë në Gjonomadh, përfundon hetimi për dosjen “Latollari”

0
225

Sonila Mesareja

 bashkim latollariProkuroria: Vrau ish-të dashurën për prishje të lidhjes jashtëmartesore, i pandehuri i aftë mendërisht në momentin e krimit. Dinamika e ngjarjes, vrasja e çiftit Meçollari, në prani të fëmijëve të mitur

Përfundon hetimi dhe dërgohet për gjykim vrasja e katërfishtë e ndodhur në fshatin Gjonomadh të Korçës, për të cilën akuzohet Bashkim Latollari, i cili vrau për pasion 2 çifte, mes të cilëve ish-të dashurën. Akuzat për të cilat do të përgjigjet para togave të zeza Latollari janë “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e 4 personave, për shkak të prishjes së një lidhjeje jashtëmartesore. Ngjarja ka ndodhur në 7 Janar 2014, në fshatin Gjonomadh të Korçës, ndërsa shkak ka qenë prishja e lidhjes jashtëmartesore mes autorit dhe njërës prej viktimave gra, ndërsa tjetra u vra me pretendimin se ishte shkaktare e prishjes së kësaj lidhjeje.

 

Ngjarja

Gjatë hetimeve 7-mujore, akuza ndërtoi dinamikën e ngjarjes së tronditi jo vetëm fshatin Gjonomadh ku ndodhi krimi i katërfishtë, por edhe gjithë rrethin e Korçës. Sipas akuzës, më datë 7 janar 2014, rreth pasdites, në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës, i pandehuri Bashkim Latollari ka kryer një krim shumë të rëndë. Ai me një armë zjarri që mbante pa leje të organeve shtetërore kompetente ka vrarë për motive të dobëta shtetasit Beliman Meçollari, Manjola Meçollari, Rexhep Metellari dhe Valentina Metellari. Prokuroria shpjegon edhe lidhjet që kanë viktimat mes tyre, si dhe çfarë e shtyu të qëllonte ndaj tyre. Viktima Beliman Meçollari ishte bashkëshorti i viktimës Manjola Meçollari, kurse viktima Rexhep Metellari ishte bashkëshorti i viktimës Valentina Metellari. Shtetasi Beliman Meçollari ishte nipi i Rexhep Metellarit, djali i motrës së tij. Konkretisht, i pandehuri Bashkim Latollari kishte shkuar fillimisht në banesën e viktimës Beliman Meçollari, brenda ambienteve të kuzhinës së saj, dhe kishte qëlluar me armë atë dhe bashkëshorten e tij Manjola, në prezencë të fëmijëve të tyre të mitur, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, i pandehuri kishte shkuar edhe në kasollen ku banonin viktimat Rexhep Metollari dhe Valentina Metollari dhe kishte qëlluar edhe mbi ta me armë, duke u shkaktuar po ashtu vdekjen e menjëhershme. Nga goditja me armë viktimat Manjola Meçollari dhe Valentina Metellari kishin marrë nga tre plagë tejshpuese, kurse viktimat Beliman Meçollari dhe Rexhep Metellari kishin marrë nga një plagë tejshpuese.

 

Motivi

Prokuroria ka bërë me dije edhe motivin që çoi në vrasjen e katërfishtë. Sipas akuzës së Korçës, vrasja e katër viktimave kishte ardhur për shkak të prishjes së lidhjes jashtëmartesore që i pandehuri Bashkim Latollari kishte pasur prej disa vitesh me viktimën Manjola Meçollari, për të cilën (prishjen e lidhjes) autori dyshonte se kishte pasur ndikim viktima Valentina Metellari. Pas kësaj ngjarjeje u gjetën dhe u administruan me cilësinë e provës materiale arma e krimit, shtatë gëzhoja të qitura nga kjo armë, një predhë dhe disa fishekë. Katër gëzhoja dhe një predhë u gjetën gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes në banesën e viktimës Beliman Meçollari, kurse tre gëzhoja u gjetën gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes në kasollen e shtetasit Rexhep Metellari. Të shtatë gëzhojat dhe predha janë qitur nga arma e krimit që ju morr me cilësinë e provës materiale shtetasit Bashkim Latollari. Nga kontrolli i vendeve në posedim të autorit të ngjarjes, Bashkim Latollari, u gjetën në një kasolle prej dërrase, të ndodhur brenda oborrit të banesës së tij, një arkë me fishekësh, të cilat u administruan me cilësinë e provës materiale.

 

Ekspertiza psikike

Pas ngjarjes dhe gjatë hetimeve, Prokuroria i bëri edhe ekspertizën psikike të pandehurit, për të parë se mos vuante nga ndonjë çrregullim që e çoi në kryerjen e këtij krimi makabër. Nga ekspertimi psikiatrik ligjor i autorit Bashkim Latollari, eksperti ka dalë konkluzioni se ky shtetas nuk vuante nga ndonjë sëmundje mendore; nuk kishte vuajtur nga ndonjë çrregullim psikik; kishte qenë në gjendje të kontrollonte veprimet dhe mosveprimet e tij; si dhe ishte i përgjegjshëm para ligjit për veprat penale të kryera.

 

Vendimi/ Vjen nga Hasi për të vjedhur në Tiranë, dënohet 2 vjet e 8 muaj burg

 Një 19-vjeçar është dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet për vjedhje të një dyqani. Nga gjykimi mësohet se i riu ka ardhur nga Kruma e Hasit për të vjedhur në Tiranë, ndërkohë që rezulton se ka qenë bashkë me një person tjetër, ende të paidentifikuar. Sipas Gjykatës, e cila e ka dënuar Imer Jupën përfundimisht me 2.8 vjet burg, për shkak se është aplikuar ndaj tij edhe gjykimi i shkurtuar, i pandehuri është me banim në Krume të rrethit Has. Më datë 21 nëntor të vitit të kaluar, në orët e para të mëngjesit, është njoftuar në komisariatin e policisë nr. 2 Tiranë se në rrugën “Sali Butka”, në pallatin 13 në qytetin e Tiranës, është vjedhur nga persona të paidentifikuar dyqani i shtetasit Petrit Velaj. Pas marrjes së kallëzimit, policia gjyqësore ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku është konstatuar se autorët e vjedhjes kishin hyrë në lokal pasi kishin shqyer qepenin dhe kishin thyer xhamin e derës dhe kane marrë prej andej një sasi paketash, cigare të llojeve të ndryshme, me vlerë rreth 50.000 lekë, shumën prej 18.500 lekë, si dhe 7 pako kafe. Nga ekspertiza e gjurmëve të gishtave lënë në vendngjarje, rezultoi se njëri nga autorët ishte Imer Jupa, ndërsa mbetet i paidentifikuar bashkëpunëtori. I pandehuri nuk e ka pranuar akuzën e “Vjedhjes në bashkëpunim”, ndërsa Prokuroria kërkoi deklarimin e tij fajtor dhe dënimin me 4 vjet e 6 muaj burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Jupa u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency