Historia / Mashtrimi, dënohet me 2 vjet burg “drejtori” i Ministrisë së Drejtësisë

0
494

Sonila Mesareja

I pandehuri Muço merrte veshje dhe këpucë të shtrenjta nëpër dyqane, punësoi truprojë dhe shofer, duke deklaruar se punonte si drejtues i lartë në këtë institucion

 

1396793396-gjykata-vekkndimNjë 40-vjeçar është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Tiranës pasi u denoncua nga disa persona si mashtrues. Lavdimir Muço nga Fieri kishte gjetur një skemë mashtruese për ta bërë veten të rëndësishëm për disa ditë, pse jo edhe për të pasur veshje të shtrenjta që e justifikonin detyrën funksionale që kishte zgjedhur për t’u prezantuar. Ai nxori njoftim në gazetë dhe punësoi një truprojë, një shofer, mori këpucë dhe kostume të shtrenjta për vete dhe për ta pa paguar nëpër dyqanet e rrugës “Myslym Shyri” dhe më pas u zhduk nga qarkullimi. Tek të gjithë u prezantua si një drejtues i lartë drejtorie në Ministrinë e Drejtësisë, prandaj dhe kjo detyrë i kërkonte të punësonte një truprojë dhe një shofer, duke shfrytëzuar faktin që këta persona ishin të papunë. Si të mos mjaftonin këto mashtrime, ai mori edhe një banesë me qira për disa ditë dhe sërish u largua pa paguar, ashtu sikundër veproi në dyqane, duke detyruar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje t’i drejtohen policisë me kallëzimet përkatëse. Ka qenë takimi rastësor me të punësuarin si shofer, që bëri të mundur edhe arrestimin e tij dhe vënien para drejtësisë. Para akuzës dhe gjykatës, 40-vjeçari ka pranuar mashtrimet me justifikimin se ishte në gjendje të rëndë ekonomike, por pa sqaruar se ç’lidhje kishte punësimi i një truproje apo shoferi dhe blerja e rrobave të shtrenjta për ta dhe për vete me gjendjen ekonomike.

Ngjarja

Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Lavdimir Muço (sipas pretendimit të tij ai njihet edhe me emrin Lavdrim Muço) është banor i qytetit të Fierit dhe ka arritur që me anë të mashtrimit të hedhë në dorë pasurinë e disa shtetasve në qytetin e Tiranës duke u prezantuar si punonjës i Ministrisë së Drejtësisë. Në vendim renditen edhe dinamikat e ngjarjeve që çuan në denoncimin, arrestimin dhe dënimin e 40-vjeçarit nga Fieri. Nga vendimi i gjykatës mësohet se denoncimi i parë është bërë më datën 8.5.2014 në komisariatin e policisë nr. 2, Tiranë, ku është paraqitur shtetasi Pavlin Pervataj. Ky person ka bërë kallëzim penal ndaj një shtetasi, i cili nëpërmjet mashtrimit i kishte marrë tre kostume burrash, në vlerë 40.000 lekë, të cilat ai i kishte në dyqanin e tij, dhe nuk ka paguar. Ky shtetas ka shpjeguar se ka një dyqan veshjesh në rrugën “Myslym Shyri” Tiranë, dhe se në datë 29.4.2014 në dyqanin e tij kanë ardhur tre shtetas, njëri nga të cilët është prezantuar si drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, dhe i ka kërkuar tre kostume burrash, këmisha dhe kollare, për veten e tij si dhe për dy personat me të cilët ishte shoqëruar. Pasi i ka marrë këto veshje, nuk i ka paguar duke i thënë se pagesën do ta bënte nëpërmjet bankës në datë 2.5.2014, pagesë të cilën nuk e ka bërë. Ndërkohë që në datë 7.5.2014 në komisariatin e policisë nr. 2, Tiranë, është paraqitur shtetasi Ibrahim Kosta, i cili ka bërë kallëzim penal ndaj një shtetasi, i cili nëpërmjet mashtrimit i kishte marrë tre palë këpucë për burra, të cilat ai i kishte në dyqanin e tij, dhe nuk i ka paguar. Ky shtetas ka shpjeguar se ka një dyqan këpucësh në rrugën “Myslym Shyri” Tiranë, dhe se në datë 30.4.2014 në dyqanin e tij kanë ardhur tre shtetas, njëri nga të cilët është prezantuar si drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, dhe i ka kërkuar tre palë këpucë në vlerë 12.000 lekë, nuk i ka paguar duke i thënë se pagesën do ta bënte nëpërmjet bankës, në datë 2.5.2014, pagesë të cilën nuk e ka bërë. Si të mos mjaftonin këto mashtrime, i pandehuri Lavdimir Muça në datë 29.4.2014 ka marrë me qira një apartament të shtetases Vera Gjoni, apartament në të cilin ka jetuar për disa ditë, pa e paguar, duke u larguar. Nga shpjegimet e shtetases Vera Gjoni ka rezultuar se i pandehuri është prezantuar si punonjës i Ministrisë së Drejtësisë. Ai i ka kërkuar të blinte disa kostume burrash, për punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë, dhe kjo shtetase e ka adresuar tek dyqani i shtetasit Pavlin Pervataj, pasi në këtë dyqan shiteshin kostume burrash. Shtetasja Vera Gjoni e ka shoqëruar të pandehurin në dyqan dhe aty i pandehuri ka marrë disa kostume burrash, duke i thënë pronarit të dyqanit se lekët do t’ia hidhte nëpërmjet bankës. I pandehuri ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Dashamir Kola dhe A. H.

“Punësimi”

A. H ka shpjeguar edhe mënyrën sesi është njohur me të pandehurin dhe si u bë edhe ai pjesë e skemës mashtruese të ngritur nga fieraku Muço. Sipas dëshmisë, ai kishte nxjerrë një njoftim për të gjetur punë si shofer në gazetën “Çelësi”. Në datë 28.4.2014 ai është telefonuar nga një shtetas i cili i është prezantuar si Hermes Demollari, i cili i ka kërkuar që ta punësonte si shofer, pasi punonte në Ministrinë e Drejtësisë dhe i duhej një shofer. Pasi janë takuar, i pandehuri i ka kërkuar disa dokumente, një pjesë të të cilave A. H ia ka dhënë. I pandehuri e ka prezantuar dhe me një shtetas tjetër, Dashamir Kola, si truprojën e tij. Shtetasi A. H ka shpjeguar se i pandehuri ka shkuar bashkë me të dhe shtetasin Dashamir Kola në dy dyqane tek rruga “Myslym Shyri”, Tiranë, ku në njërin dyqan ka marrë tre kostume burrash dhe në dyqanin tjetër ka marrë tre palë këpucë, pa paguar, duke u prezantuar si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, dhe se pagesën do ta bënte nëpërmjet bankës. I pandehuri i ka dhënë nga një kostum dhe një palë këpucë shtetasve A. H dhe Dashamir Kola, ndërsa pjesën tjetër e ka mbajtur vetë. Pas dy apo tre ditësh, A. H i ka humbur kontaktet me të pandehurin, pasi ai nuk i përgjigjej në telefon ose e kërcënonte se nëse e telefononte më do ta fuste në burg. Në datë 7.5.2014 shtetasi A. H e ka parë rastësisht në rrugë të pandehurin, dhe ka njoftuar policinë, duke bërë të mundur kapjen e tij dhe shoqërimin në komisariatin e policisë. Nga shpjegimet e shtetasit Dashamir Kola ka rezultuar se ai e ka takuar rastësisht në një lokal të pandehurin, i cili i është prezantuar si punonjës në Ministrinë e Drejtësisë, dhe që në këtë funksion i duhej një truprojë. Duke qenë se ai ishte i papunë ka pranuar. Ky shtetas ka shpjeguar se i pandehuri ka shkuar në dy dyqane në Tiranë, ku ka marrë pa paguar kostume burrash si dhe këpucë, duke u prezantuar si punonjës i Ministrisë së Drejtësisë. Shtetasit A. H dhe Dashamir Kola, kanë shpjeguar se pasi i pandehuri është ndaluar nga policia, ata i kanë kthyer tek dyqanet kostumet dhe këpucët, që kishin marrë.