Sonila Mesareja
Tenton të kalojë 150 kg kanabis drejt Italisë, arrestohet Hazizaj në portin e Vlorës. Asgjësohen disa parcela me kanabis në disa zona të vendit
Vazhdimësia e operacionit antikanabis në Lazarat ka sjellë edhe zbulimin e një sasie tjetër të madhe marijuanë, e cila u gjet e fshehur në një bodrum dhe një rifuxho. Bëhet fjalë për rreth 1 ton e 820 kg marijuanë, e cila u gjet në një bodrum të lagjes Gjokaj në këtë fshat. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se në ditën e 21-të të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e Lazaratit, policia në lagjen Gjokaj ka zbuluar sasi të madhe droge të presuar rreth 1.2 ton, e fshehur në bodrumin e një banese të vjetër, si dhe 620 kg ishte rifuxho, e papaketuar. Droga e presuar u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa droga rifuxho u asgjësua në vend me anë të djegies. Ndërkaq, policia po vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Operacioni
Dy tonët e kapur dje dhe 3 tonët e kapur dy ditë më parë përbëjnë një tjetër sasi të madhe droge të gjetur në banesat apo brenda territorit të fshatit Lazarat. Një pjesë e drogës së gjetur dy ditë më parë ishte e fshehur në një cisternë metalike që shërbente për transport uji. Informacionet apo dhe dyshimet se në fshat ka ende drogë të fshehur po e detyron policinë të vijojë aksionin për zbulimin dhe asgjësimin e drogës, në sasi të mëdha apo të vogla. Policia bën të ditur zyrtarisht se pas kapjes së sasive të mëdha të drogës, të armëve të zjarrit e sendeve të tjera të kundërligjshme, si dhe mënyra e fshehjes së tyre, bën të domosdoshme vazhdimin e operacionit edhe në ditët në vijim.
Shkodër
Ndërhyrja e policisë në Lazarat është pasur edhe në zona të tjera të vendit ku është konstatuar se kultivohet kanabis. Vetëm gjatë ditës së djeshme, policia ka bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e 34 parcelave me 2324 rrënjë kanabis sativa në rrethet të ndryshme si Shkodër, Vlorë, Krujë e Malësi e Madhe. Aksionet antikanabis do të vijojnë në të gjithë vendin me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Kështu, dje, policia e Shkodrës gjatë kontrolleve të ushtruara në territore të thella të Shkodrës e Malësisë së Madhe, ka bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e 14 parcelave me 999 bimë narkotike kanabis sativa. Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshati Palajn të Komunës Shllak janë gjetur dhe asgjësuar 6 miniparcela me 380 rrënjë kanabis sativa. Po ashtu, në fshatin Vjerdhë të Vaut të Dejës u gjetën dhe asgjësuan 6 miniparcela me 499 rrënjë marijuanë. Edhe në fshatin Shkrelë të Malësisë së Madhe u gjetën dhe u asgjësuan 2 parcela me 120 rrënjë kanabis sativa. Ndërkohë policia po punon për zbulimin dhe kapjen e autorëve.
Vlorë
Policia e Vlorës, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative ka bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e 702 rrënjëve kanabis sativa në Komunën Vllahinë të Vlorës. Kështu nga kontrollet e ushtruara në territorin e fshatit Penkovë të komunës Vllahinë, në vendin e quajtur Përroi i Penkovës, u zbuluan dhe u asgjësuan 4 parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa. Në këto parcela u gjendën 302 bimë narkotike me lartësi nga 1 m – 1.5 m. Gjithashtu po në komunën Vllahinë, në fshatin Gorrisht në vendin e quajtur “Përroi i Mërtiraj”, u zbuluan dhe u asgjësuan 9 parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa, të cilat kishin 400 bimë narkotike me lartësi nga 80 cm – 1.80 c m. Ndërkohë, nga verifikimet e para te kryera nga ana e policisë ka rezultuar se toka ku është kultivuar lënda narkotike ka qenë tokë publike. Po ashtu po punohet për zbulimin e autorëve përgjegjës, ndërsa materialet e sekuestruara i kanë kaluar Prokurorisë për procedime të mëtejshme penale.
Krujë
Policia e Krujës në kuadër të aksioneve antikanabis të ndërmarra për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike ka bërë të mundur zbulimin dhe asgjësimin e 623 rrënjëve kanabis sativa. Kështu gjatë ditës së djeshme u zbulua dhe u asgjësuan 4 parcela me 263 bimë kanabis sativa, në vendin e quajtur Droje, në afërsi të banesës së shtetasit Besnik Droja. Ndërkohë materialet në ngarkim të shtetasit Droja i kanë kaluar Prokurorisë për procedime të mëtejshme penale. Po ashtu, në fshatin Verjon gjatë kontrolleve të ushtruara u zbuluan e asgjësuan me anë të djegies 3 parcela të ndryshme pa pronarë me 360 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Vlorë
Trafiku i drogës drejt Italisë, kapen 150 kg kanabis në port
Forcat e policisë së Vlorës, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë arritur të zbulojnë dhe sekuestrojnë 150 kg kanabis sativa, të fshehura në një kamion tip “Volvo” në portin e Vlorës dhe kishte si destinacion shtetin fqinj të Italisë. Në pranga ka rënë edhe drejtuesi i mjetit. Mësohet se droga u gjet e fshehur në paletat e drurit të kamionit me targa VL 4123 C, dhe kishte si destinacion Italinë. Policia arrestoi edhe drejtuesin e kamionit, Valter Hazizaj, 40 vjeç. Deri më tani nuk dihet ende se nga ishte marrë sasia e lëndës narkotike, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrjetit të trafikut.