Një version i ri i shqipërimit të kryeveprës “Korbi”, të Edgar Allan Poe-s dhe poezi nga poetë anglosaksonë, për herë të parë në publikimin e “Logos&Art”, në një propozim estetik të përkthyesit Granit Zela
Edgar Allan Poe (1809-1849)
Një mesnate tejet të zymtë i përhumbur me terr në shpirt
Po lëçisja ndër shkrime të lashta fatin që më ra për short
Një trokitje e mezindier, mu përhi me puhi t’erës
Sikur t’ishte dikush pas derës që me drojë po përgjon-
“Ndoshta është shtegtar i vonë”, mu pas derës po përgjon;-
Mëpastaj, ra heshtje mort
Ah, unë rroj veç të tregoj, ish’ dhjetor i ftohtë kallkan
Dhe çdocila urë n’ prushanë, hijet kobshëm i lëshonte
Fort gjakoja agu t’agonte;-n’agonì shpirti t’shëlbohej
Malli shkrimesh s’po lehtohej-malli për të bekuarën Lenorë
Vashëz e vyer dhe e shtrenjtë, engjëjt e pagëzuan “Lenorë”
Por pa emër për kurorë
Perde t’purpurta, hijerënda, posi gjëmat fshiknin xhamat
Angështonin, ankthëronin, si asnjë herë tash sa mot;
Zemra brofte për t’vërtetën, përnjëherë po bindja veten
“Një shtegtar i ngratë në natë ma zu derën e odës zezonë –
Një shtegtar i natës vonë mu pas derës së odës zezonë;-
Ja kjo është e kurrgjë n’botë.”
Do t’ia them veç natës së varrit si desh vdiqa për së gjalli
“Siç t’ka hije mik a mike, të lyp ndjesë s’të prita dot
Thashë me zërin që u tret n’erë, siç u shua trokitja n’derë
Ra aq lehtë-lehtë për besë, n’derë të odës që sterron
Hapa derën hapakrah me durimin që m’u sos
Pas kësaj, terr gjithkahmos
Kur në terr kredhur kundroja, sakaq beftë po shestoja
Aso ëndrrash ku morti mundet, fundit fundi i vjen prore
Mes hamendjesh e vramendjesh, krejt po çmendesha i çmeritur
Porse terri s’kish të sosur, tejendanë kishte pllakosur
Plot me drojë u belbëzua u end pezull emri “Lenorë”
Sikur doli prej kraharori, e jehoi emri “Lenorë”
Pas kësaj heshtje mizore
Ikur territ, në odë ardhur, shpirt e mendje m’ishin trandur
Porse ja! ja tek dëgjohet!, ai “tak-tak” që nuk harrohet!
“S’ka se si të jetë gjë tjetër” thashë “n’dritare vërtitet pezull;
Tash po vete, më s’durohet, kjo enigmë duhet t’zbulohet
Sall një grimë zemër duro, ja enigma tash po soset
Përpos erës kurrgjë jo!”
Në dritare hapa kanatat, kur sakaq doli nga nata
Hyri brenda korb i rrallë fort, që s’është parë qyshkahmot
Jo nuk dha aspak të njohur, jo asfare s’kuvendoi
Si zotëri a zonjë e rëndë, mbi derë t’odës një vend zgjodhi
Flatëroi mbi bust Palade, mu mbi derë të odës shkon
E zë vend sikur t’ish zot
Sa u qas ky zog në çast, seç ma ktheu zinë në gaz
Ish i marrë a bënte vetë kapardisej si trim me fletë
“je hiçaskushi pa kurrkënd” thashë “por krenar për sojin tënd”
Ikanak natës pa anë, fillikat në tramundanë, anës territ Plutonian
Hijezymtë qe veç zymton, thuajmë emrin që t’pagëzon
Krrokon korbi “Kurrë më jo!”
Mbeta shtang, kur shpendi foli, fare qartë fjalën e nxori
As këtu e as gjetiu as s’është parë as s’është dëgjuar
S’ka dalë zog a shtazë mbi tokë, asisoj fjalës t’ia thotë,
Mbi derë t’odës t’nis e kumtojë, si të paskësh shpendi gojë
Rreket të flasë, jep e merr, përmbi bust derdhur n’mermer
Emërkobi “Kurrë më jo!”
Porse korbi vetmitar, përsërit të njëjtat fjalë
Gjithësaherë e nyjëtonte, pesh e pezull sërish e çonte
Mëpastaj fare s’bëzajti, për një çast frymën e mbajti
S’është i pari as i fundit” thashë “do shkojë tek të shumtit
Edhe ky do t’ik askundit dhe pse shpresa vdes e fundit”
Krrokon korbi “Kurrë më jo”
Kur dëgjova fjalët e tij, në gjoks zemra më ka ngri
Por të paktën çka ai thotë, është e vetmja fjalë në botë
Nxënë prej të zot të patënzonë, pasi fati e kish fundosur
Nëpër kobe helme e vrere, kur e çmendën nga marazi
Dhe në zgrip të shpresës së sosur, veç ofshante i marrosur
Në zezonën e “Kurrë më jo”
Dhe ja korbi sërish në çast, prap ma kthen makthin në gaz
Në kolltuk u terezita, ballas zogut mbi bust n’derë t’odës
Shumëçka kisha për të shkoqitur një përgjigje të mezipritur
Nga ato veç njëra sosh, më shkretonte e më kthente në bosh
Zog ogurzi ç’kumt e ç’kob rrekej t’kumtonte krejt ndjellamort
Kur krrokonte “Kurrë më jo”
Ja për k’to mendjen e vrisja, prej kurrkujt përgjigje s’prisja
Shpendit zjarr sytë i flakëronin, ma shkrumbonin kraharorin
Mbi nënkresën e stolisur prej shandanit llamburisur
Pak u preha prej asaj ploje të kujtimit të kahershëm
Ajme prehje për të s’do ketë, as për mallin e asojetshëm
Në jetë të jetëve “kurrë më jo”
Tejendanë me temjan mbushën, Serafinët që lart bëjnë rojë
Çap i tyre ndihej n’odë shtronin hapin mbi fundshtrojë
“Jepi fund” thashë “mënisë ndaj Zotit, robi i tij është rob i mortit
Ai t’çon helmin e kujtimit, Ai t’çon melhem t’harrimit
Pi nepenthë, pi fatgjorë, në këtë botë s’ka më Lenorë”
Krrokon korbi “Kurrë më jo”
“Profet” thirra “krijesë e tmerrit, në mos pjellë e territ të ferrit
I mënxyrtë sikur mandata, të shtrëngoi t’ vish këtu shtrëngata
Në mos Qoftlargu këtu të flaku, të kallësh datën e të tmerrosh
Dynden hijet në shtëpi yshten- tregomë, tregomë ogurkob
A ka n’Galaadë balsam për mort- tregomë, tregomë ogurkob
Krrokon korbi “Kurrë më jo”
“Profet” thirra “krijesë e territ, në mos qofsh pjellë e ferrit
Pash kët’ qiell që mbulon botë-Pash vetë Zotin lëvdu qoftë
A do mundem Lenorën e mjerë, në Eden ta shoh një herë
A do mund të bëhemi tok, mu në gji sërish ta rrok
A në vrer do rroj i mbytur, për Lenorën shpirtëndritur
Krrokon korbi “Kurrë më jo”
O ti korb kam një fjalë të fundit, zog orëlig i hiçmoskundit
Përjetë mbetsh n’atë natë verban, thellë në terrin Plutonian
Me gjithë ç’ke e gjithë çka the, u rropososh shtatë pashë nën dhè
Lërmë t’vetmoj vetmi të shenjtë-sprapsu bustit të mermertë
Largomë kobin se m’ rëndon, në zezonën që s’mbaron
Krrokon korbi “Kurrë më jo”
Por jo korbi hiç nuk tutet, s’tundet vendit, vendit s’tundet
Mu mbi bust Palade truhet, bash në derë të odës-o
Sytë e tij janë të mosqofshëm, ndjellin terr e tmerr të kobshëm
Shkimet dritas që mbi të bie, hije e korbit s’e ndal turrin
Shpirti im çlirim prej hijes, gjen veç Ditën e Moskurrit!
Sall atë ditë e “kurrë më jo”
Robert Burns (1759-1796)
Një herë e një kohë, miku im
Jo mos më thuaj se malli s’të merr
Për ato kohë të vjetra herët e vonë?
A thua vallë ke mall përnjëmend
Për një herë e një kohë?
KORI
Ah një herë e një kohë, miku im
Ta kremtojmë atë çast atë koh’ të shenjtë
Miqësia me ty margaritar i shtrenjtë
Si me tatëpjeta apo kopsht plot me lule
Rruga që bëmë bashkë qe bekim hyjnor
Ngrijë një dolli për një herë e një kohë
KORI
Sa detra kaptuam si shokë dorë për dore
Prej agu gjer në mbrëmje tok e të pandarë
Por detrat u bënë oqean që na ndan
Qysh prej një herë e një kohe
KORI
Ja një dorë që zgjatet miku im për besë
Ajo të jep thesar, kape atë dorë!
Ajo shoqëri e rrallë qoftë e tillë përherë
Si një herë e një kohë
William Butler Yeats (1865-1939)
Ujdhesa në gji të liqenit
Po nisem për udhë, dua të rroj në Inisfri
Prej balte e thuprash të njoma kasollja ime e thjeshtë
Togje bishtajash në derë, koshere bletësh përmbi
Zukam’ e luadhe të qeta ku do të çoj plot një jetë
Veç atje prehja-puhi shpërhapet pak e nga pak
Paqtuese nëpër ag, kur bulkthi këngës ia merr;
Mesnatës së ëndërrt qiellin përflak
Përplot flatrime zogjsh mbrëmjes në terr
Po nisem për udhë, ngase s’më shqitet kurrë
Paqëtimi i asaj ujnaje me ujdhesën në gji
Hem kur endem udhëve, hem në qytete-qivur
Më pushton dalëngadalë të gjithin trup e shpirt
Robert Frost (1874-1963)
Një mbrëmje me borë u ndala ndanë korijes
Një grimë gjeta prehje ndanë asaj korije
I zoti diku larg në strehën e tij flinte
S’kishte frymë njeriu veç unë i shtanguar
Kundroja bornajën që bie e bie
Kali nuk trokon, turfullon pa kuptuar
Liqeni kallkan-ngrirë, vis krejt i shkretuar
Më sheh sikur thotë “Çfarë kundron Imzot
Ndanë korijes me borë tejendanë mbuluar?”
Shkund krifën, rreh thundrat kali im më kot
Pyetja që s’bën dot po e mundon fort
As han as bujtinë në mugëtirën e qetë
Puhia leht’ fryn bornaja zbardhon
Seç më grish korija më prehjen që jep
Por udhën e nisur s’e lë dot në mes
Kam një amanet që dheu s’e tret
Kam një amanet që dheu s’e tret
Udha e pashkelur
Dy udhë para meje prisnin pyllit të të blertë,
O Zot kë të merrja e kë të duhej të lija?
Ishte një vendim që kurrë nuk kishte kthim
Ato ishin dy udhë, unë kisha veç një jetë
E një jetë s’ mjaftonte të shkoja në të dyja
U nisa në njërën udhë, pa më të voglën drojë
Qe udhë e shkelur rrallë, tjetra më e lehtë ish
Donte mijëra mundime që s’rrëfehen dot me gojë
E udha që s’mora qe më e lehtë njëqindfish
E ja! sikur i kam të dyja udhët përpara
Sikur sot më duhet të zgjedh si atëherë
Oh, e di fort mirë se nuk ka kthim prapa
Ndër të gjitha zgjedhjet s’heq dorë kurrë nga e para
Edhe sikur të zgjidhja sërish një mijë herë!
Në fund fare, do t’kem çfarë të rrëfejë në jetë
Për atë udhëtim jo të lehtë me të cilën jeta m’u mbush
Dy udhë më prisnin pyllit të të blertë-e unë
Mora njërën udhë-atë që zgjidhte rrallëkush
Ajo udhë miqtë e mi m’i dha jetës kuptim
Shqipëroi: Granit Zela