Raporti/ Mjekësia, artet dhe sportet, procedurat për pranimin e studentëve, strukturë e re për universitetet

0
195

Universiteti i Arteve

univ-arteve Universiteti i Arteve është universitet publik me karakter akademik, artistik dhe shkencor. UART funksionon përmes Ligjit të Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë. UART funksionon mbi bazën e tri fakulteteve: Fakulteti i Arteve të Bukura; Fakulteti i Artit Skenik dhe Fakulteti i Muzikës. Forma e studimit në UART është me kohë të plotë. Pranimi i studentëve në UART realizohet me konkurs. Kuotat e pranimit caktohen nga MAS-i. Modeli i përzgjedhjes së studentëve është një ndërthurje e rezultateve akademike të shkollës së mesme me rezultatet e arritura në konkursin në një fushë specifike të artit. Procesi i mësimdhënies realizohet në kushte specifike. Ai kushtëzohet nga natyra e punës mësimore në shkollën e artit, ku mësimdhënia realizohet kryesisht në formë individuale ose me grupe prej 3 – 4 studentësh. Pranimi i studentëve në UART duhet të realizohet me konkurs përpara një jurie profesionistësh të fushës. Pranimi i studentëve në UART duhet t`I nënshtrohet uljes së barrierës së notës mesatare. Procedura e realizmit të konkursit të pranimit të studentëve dhe i numrit të studentëve fitues në UART duhet të jetë kompetencë e vetë IAL-së. Departamentet e ndryshme të UART-së, duke marrë parasysh specifikat që shpreh procesi i mësimdhënies në fushat e tyre të studimit, të përcaktojnë vetë raportin pedagog/student. Financimi nga shteti i UART-së me grante për mësimdhënien e kërkimin shkencor duhet të marrë parasysh numrin e vogël të studentëve në këtë institucion. Koeficientët e përdorur për shpërndarjen e granteve, për studentët e UART-së duhet të jenë më të mëdha se koeficientët për IAL-të e tjera. Financimi i UART-së me grant për mbulimin e shpenzimeve për sigurimin e logjistikës dhe teknologjisë në shërbim të procesit mësimor dhe krijues, duhet të ofrohet prej grantit të zhvillimit nga MAS-i, por dhe prej Ministrisë së Kulturës. UART duhet të lejohet të vendosë tarifa të diferencuara mbi pagesat e shkollimit të studentëve, të ndryshme nga tarifat e tjera të shkollimit të studentëve në IAL-të publike shqiptare. UART-së, duke vendosur tarifa të diferencuara për shkollimin e studentëve, t`i krijohet mundësia që shteti të rimbursojë pjesërisht tarifat e shkollimit të studentëve.

 

Universiteti i Sporteve (UST)

Universiteti i Sporteve është IAL publik me karakter akademik, sportiv dhe shkencor. UST ka tri njësi themelore: Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes, Fakulteti i Veprimtarive Fizike dhe Rekreacionit dhe Institutin e Kërkimeve Shkencore të Sportit, i krijuar mbi bazën e Qendrës Kërkimore Shkencore te Sportit. UST ka ndërmarrë një proces të thellë ristrukturimi e riformatimi të drejtuar dhe të koordinuar nga konsorciumi kryesor i Rrjetit EU të Universiteteve të Sportit, ku përfshihen: Universiteti i Sportit Romë, Universiteti i Vjenës, Universiteti i Danimarkës së Jugut, Odense e të tjera. Universiteti i Sportit, si institucion unik i fushës së veprimtarisë fizike dhe sportit, ofron programe studimi për të tri ciklet, në kuadër të dy fakulteteve. Diplomat janë të orientuara sipas kërkesave të tregut dhe standardeve të Rrjetit Evropian të Universiteteve të Sportit. Pranimi i studentëve në UST realizohet me anë të testeve sportive, që përbëjnë 50% të pikëve dhe pjesa tjetër (50%) është nota mesatare. Për programe të ndryshme aplikohen teste të ndryshme. Në ciklin e dytë të studimeve pranohen vetëm studentët që kanë rezultate 80% e lart. Pranimi i studentëve në UST duhet të realizohet me konkurs përpara specialistëve të fushës. Nota mesatare e aplikimit për të studiuar në UST duhet të jetë më e ulët se në IAL-të e tjera dhe të marrë parasysh edhe arritjet sportive të kandidatëve.

 

Universiteti i Mjekësisë

 Universiteti i Mjekësisë Tiranë është universitet publik me karakter akademik, mjekësor dhe shkencor. UMT funksionon përmes Ligjit të Arsimit të Lartë, statutit dhe rregullores së UMT-së. UMT ka në përbërjen e vet 5 fakultete: Fakulteti i Mjekësisë (FM), Fakulteti i Mjekësisë Dentare (FMD), Fakulteti i Farmacisë (FF), Fakulteti i Shëndetit Publik dhe (FSHP), Fakulteti i Shkencave Mjekësore dhe Teknike (FSHMT). Në Universitetin e Mjekësisë ndjekin studimet rreth 10.000 studentë. Kuotat e pranimit të studentëve caktohen nga MAS-i. Konkursi i Pranimit. Specifika e punës së mjekut me njerëzit dhe me teknologjinë e bën të domosdoshme, si në të gjithë botën, një sistem konkursi me pyetje specifike në interesin e tyre për mjekësinë, si dhe me një intervistë me gojë, pse jo dhe pamore. Natyrisht, ponderimi në pike i këtij konkursi do të përcaktohet nga UMT-ja dhe do të jetë një përqindje e ponderuar e vlerës së pikëve të marra nga matura shtetërore. Mbarimi i studimeve universitare nuk përkthehet në të drejtë licencimi të mjekut të ri. Në këto kushte, deri në marrjen e një licence përfundimtare që vjen pas një stazhi 2-vjeçar, sugjerojmë dhënien e licencave të përkohshme me afat të kufizuar kohor.

 

Akademia Ushtarake

Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) është institucioni më i lartë i Arsimit Ushtarak. Aktualisht përbëhet nga Fakulteti i Arsimit të Përgjithshëm (FAP), i cili përgjigjet për organizimin dhe zhvillimin e programeve të studimit të ciklit të parë “Bachelor”, si dhe nga Fakulteti i Sigurisë dhe i Mbrojtjes (FSM), që zhvillon programe studimi për ciklin e dytë dhe të tretë. Kandidatët që përzgjidhen në akademitë ushtarake vijnë kryesisht nga arsimi i mesëm pas disa testimeve specifike, karakteristike për natyrën e arsimit ushtarak. Gjithashtu, afrohen edhe kandidatë nga universitetet e tjera, nëpërmjet transferimit të krediteve. Numri i kandidatëve që përzgjidhen për të vazhduar këtë program studimi, varet nga politikat e arsimimit dhe nevojat e Forcave të Armatosura. Skema e pranimeve të studentëve në programet e studimit të ciklit të dytë, mban parasysh Standardet Shtetërore të Arsimit të Lartë. Ajo ka ngjashmëri me praktikën e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik të vendit dhe të disa akademive ushtarake homologe duke pasur parasysh veçoritë për të rekrutuar kontingjente cilësore.

 

Akademia e Policisë

Sistemit të arsimit policor, në kushte gjithnjë e në rritje të kërkesave që ka komuniteti për një polici profesionale dhe korrekte në shërbim të tyre, duhet t’i krijohen kushte ligjore për dhënien e një statusi institucional më të lartë.

 

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare (brenda UBT-së)

Fakulteti Mjekësisë Veterinare duhet të ketë kuota pranimi të përcaktuara nga vetë fakulteti. Pranimi i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të realizohet nëpërmjet ndërthurjes së rezultateve të maturës shtetërore me konkurrimin në fakultet. Krijimi i strukturave të plota për trajnimin e studentëve në klinikat bazë veterinare të financohet me një fond shtesë për inovacionin ose kërkimin shkencor, nga granti i zhvillimit. Ndërtimi i infrastrukturës spitalore për kafshët e shoqërimit dhe atyre të fermës. Të realizohet me financim nga ministria përkatëse. Duke qenë degë me natyrë të veçantë, vetë departamentet të përcaktojnë numrin e studentëve në grupet mësimore, bazuar në kriteret e edukimit veterinar. Sugjerimi për një numër të vogël të studentëve për grup të bazohet në parimin që çdo student duhet të marrë pjesë në mënyrë të pavarur në praktikat laboratorike dhe klinike, bazuar në parimin e edukimit veterinar “Day–one–Skills”. Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, si degë me nevoja të veçanta, sugjeron instalimin e një autonomie financiare për përballimin e kërkesave që garantojnë cilësinë e mësimdhënies dhe realizimin e standardeve të kërkimit shkencor.

 

Universiteti Bujqësor i Tiranës

Universiteti Bujqësor i Tiranës me degët parësore duhet të jetë promotori i mbështetjes dhe i zhvillimit të politikave kombëtare dhe rajonale, duke ndikuar sidomos në fushat e bujqësisë, blegtorisë dhe fondit gjenetik të farërave. UBT-ja duhet të promovojë prirjet e reja të zhvillimit në fushat me rëndësi strategjike parësore për përparimin e vendit. UBT-ja duhet të shërbejë si një hallkë lidhëse midis politikave të zhvillimit, ekspertizave të kërkimeve shkencore dhe përgatitjes së kuadrove në shërbim të fushave, që mbulon për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit, si dhe në drejtim të agrobiznesit, agroturizmit, agroindustrisë etj. UBT-ja duhet të ndikojë përmes veprimtarisë së saj në zhvillimin e qëndrueshëm në zonat bujqësore e blegtorale, pyjore dhe ato malore. Financimi i këtij institucioni të arsimit të lartë mbetet i njëjtë si për të gjitha IAL-të e tjera publike. Duhet të theksohet se për degët parësore të zhvillimit, ku nuk ka konkurrencë në treg, shteti duhet të ketë financim të veçantë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency