Sonila Mesareja
I pandehuri Frroku kërcënon prokurorin: E ke personale me mua
Reagon prokurori: S’kam asgjë personale me ty, po zbatoj ligjin. S’të kam borxh
Shfaqen në Gjykatën e Krimeve të Rënda pamjet filmike që tregojnë momentin e ekzekutimit të kryekomisarit Dritan Lamaj. Në një monitor të vogël të vendosur përballë togave të zeza, por me pamje më se të dukshme nga ana e të pandehurit dhe avokatëve të tij mbrojtës, disi më e vështirë për pjesëmarrësit e tjerë në gjyq, prokurori Anton Martini shpjegoi moment pas moment çdo filmim. Këto filmime janë përfituar falë kamerave të sigurisë që ndodheshin në tre nga bizneset pranë vendit ku ndodhi ekzekutimi. Në pamjet e shfaqura duket qartë makina tip “BMW” që lëvizte pranë shtëpisë së familjes Lamaj mbrëmjen e 24 shkurtit. Më pas, në video duket kryekomisari teksa parkon makinën e tij pranë “BMW”-së dhe në këtë moment qëllohet me breshëri automatiku në drejtim të tij. Nën breshërinë e plumbave, ai del nga makina dhe vrapon për disa metra drejt një lokali përballë. Më pas rrëzohet si pasojë e plagëve të shumta. Në pamje duken edhe banorët që ikin me vrap dhe makina që largohet me shpejtësi. Prokurori tregoi vendin ku ndodhej dëshmitari që pritet të identifikojë Arben Frrokun, si autor të këtij krimi. Përmes këtyre pamjeve, prokurori Martini shpjegoi vendin ku ndodhej dëshmitari A. Ndoka, që pritet të vijë shumë shpejt për të dëshmuar në Gjykatë, vendi i vrasjes, makina e përdorur dhe dëshmitë si lidhen me njëra-tjetrën pas shfaqjes se këtyre pamjeve.
Reagimi
Para, gjatë dhe pas shfaqjes së këtyre pamjeve, ka reaguar i pandehuri Arben Frroku, i cili ka ripërsëritur për të disatën herë se pamjet që po jepeshin nuk e përfshinin në këtë krim. Në kohën e vrasjes, në orën 18:24 minuta, ai tha se kishte qenë në Librazhd, në rrugën drejt Greqisë. “Kokat e krimit janë jashtë”, – tha Frroku, ndërsa shtoi se “biznesmenët dhe politikanët janë në burg”. Më herët i pandehuri nuk ngurroi ta quajë dëshmitarin bashkëpunëtor të drejtësisë një Ufo, për sa kohë, sipas tij, për katër muaj nuk është shfaqur asnjëherë, ndërsa Prokuroria e mban të fshehtë dhe nuk e sjell para gjykatës edhe pse e ka kërkuar shpesh. Në sallë, përveç familjarëve të të pandehurit, për herë të parë kishin ardhur edhe familjarët e të ndjerit Lamaj, të cilët ndodheshin në anën tjetër të sallës. Madje, këtë fakt e përmendi edhe vetë i pandehuri Frroku ndërsa u drejtohej atyre dhe gjykatës me fjalët: “Të hetojnë dhe të gjejnë kriminelin apo kriminelët. Kërkoni llogari për veprimet e prokurorisë. I kuptoj palën e dëmtuar, pasi edhe mua më ka vdekur vëllai 32 vjeç”. I pandehuri iu drejtua togave të zeza me fjalët: “Dua drejtësi, jam në dorë të ligjit!”
Kërcënimi
Prokurori Anton Martini i ka kërkuar Gjykatës t’i tërheqë vëmendjen të pandehurit, pasi po ndihet i kërcënuar prej tij. Reagimi i prokurorit ka ardhur pas deklarimit të të pandehurit se prokurori e ka personale me të. Frroku i drejtohet prokurorit me fjalët: “E vështirë me e fitu gjyqin, pasi do përballemi deri në fund e do e shohim kush do fitoj unë apo ti”. Prokurori Martini i është përgjigjur të pandehurit duke i thënë se ai nuk fiton gjyqe. “Në gjyq, edhe po je i pafajshëm do shpallesh i tillë”, – iu kthye prokurori. Por, pavarësisht të ndërhyrjes së Gjykatës për qetësi, i pandehuri ka vijuar: “Me m’pru edhe gjakun të shpija, me ke cënu me gjithë familjen. Nuk bën vaki në këto rrethana. Vetëm këtu ndodh, se s’ka drejtësi. Po do të përballemi me drejtësinë deri në fund, e do ta shohim kush do të fitoj unë apo ti? E ke kap personale me mua. Do përballemi me drejtësinë se më ke kalbur nëpër burgje”. Ndërsa në përgjigje, prokurori Martini tha: “S’kam asgjë me ty dhe unë po respektoj ligjin, s’të kam borxh!” Më herët, Frroku ku akuzuar Prokurorinë se e ka futur padrejtësisht në burg prej 17 muajsh për një krim që nuk e ka kryer. “Ky është vendi i çudirave, në dokumente shënohet se me vendim gjykate 24.2.2013, thuhet të përgjohen numrat e Arben Frrokut, Mark Frrokut, dhe këta me kanë pas në përgjim 2 orë para se të kaloj kufirin. Unë kam 17 muaj në burg për faj të prokurorit ose të Ministrisë së Brendshme”, – ka thënë Frroku. Lidhur me këtë pretendim ka reaguar një nga prokurorët e çështjes Anton Martini, i cili ka hedhur poshtë fjalët e Frrokut dhe ka theksuar se nuk është bërë asnjë shkelje ligjore. “Prokuroria s’ka lidhje me datat që thotë i pandehuri, s’ka lidhje as me partinë apo lidhjet e ndarjet e zotërisë, këto janë aludime. Përgjimet ndaj Frokut kanë nisur pas orës 22:00 më datë 24 e më pas ai fiku telefonin. U arrit të përgjohej vetëm një telefonatë”, – tha Martini.
Dëshmia e Kushovës: Pashë dy persona në makinë që qëlluan Lamajn
Para se të shfaqeshin pamjet filmike të vrasjes së kryekomisarit Lamaj, prokurori Eneid Nakuçi lexoi deklarimet e dhënë para hetuesit nga njëri prej dëshmitarëve që për shkak të largimit nga Shqipëria, nuk paraqitej në gjyq. “Punoj në një supermarket si truprojë. Isha te dera kur dëgjova të shtëna që vinin nga shumë afër. Pashë një makinë tip “BMW” që kaloi me shpejtësi para supermarketit. Brenda saj ishin dy persona me maska në kokë. Njëri prej tyre rrinte i përkulur. Kaluan shumë shpejt. Ikën drejt tunelit nga lagjja e gabelëve”, – përfundonte dëshmia e R. Kushovës.
Apel/ Lihen në burg grupi i drogës dhe i zjarrit të Lazaratit
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk pranoi lirimin nga burgu të 4 të arrestuarve në Lazarat, si të dyshuar për tentim vrasjen e punonjësve të policisë gjatë mësymjes për të shkatërruar kultivimin e bimëve narkotike. Me kërkesë të avokatëve, dje gjykata shqyrtoi katër kërkesat për lirim ndaj Razip Mahmutaj dhe djalit të tij Vandamit, si dhe të dyshuarve Emiliano Aliko dhe Matijas Boci. Për të 4 të dyshuarit, avokatët kërkuan lirimin e tyre, me arsyetimi e mungesës së provave që përfshijnë ata në vrasjen e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë. Prokurori kundërshtoi këto pretendime, duke renditur disa prova ndaj të dyshuarve, mes tyre edhe përgjime telefonik. Gjykata, pasi dëgjoi palët vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë për të dyshuarit, avokatët e të cilëve thanë se do të apelojnë vendimin duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Apel/ Ndryshon masa në “Detyrim paraqitjeje” për kreun e INUV, Florenc Hoxha
Gjykata e Apelit ndryshoi dje masën e sigurisë nga “Arrest shtëpiak” në “Detyrim paraqitjeje” për kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, Florenc Hoxha. Masa e marrë më herët ishte “Arrest shtëpie” duke e liruar nga masa “Arrest me burg” marrë në mungesë, ndërsa pas apelimit Hoxha mori u lirua për t’u hetuar në gjendje të lirë. Florenc Hoxha u akuzua nga prokuroria për shpërdorim detyre.