Përplasje në KLD/ Mazhoranca: Shkarkimi i gjyqëtarëve, në kuvend. Opozita: Doni të kontrolloni drejtësinë

0
114

Gëzim Saliu

kld2 PS: Të ndërhyjë Parlamenti. PD: Doni kontrollin e drejtësisë. LSI: KLD, 100% e korruptuar

 Klosi: Të skandalizuar nga vendimmarrjet e KLD-së. Halimi: Keni hall mos hetohen krimet ku jeni zhytur

 Pas përplasjeve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku ky i fundit nuk pranoi propozimet e ministrit të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të disa gjyqtarëve, debati është përshkallëzuar dje mes palëve politike në vend. Nga njëra anë PS-LSI janë vendosur në krah të ministrit, i cili kërkoi ndërhyrjen e Parlamentit për të zgjidhur këtë çështje e ndërsa Partia Demokratike i ka cilësuar aktet e mazhorancës qeverisëse si tentativë për të marrë në kontroll sistemin e drejtësisë. Nga ana e saj shumica nuk ka nguruar të shprehë edhe akuza të forta ndaj KLD-së duke pohuar se përbën një sekt korruptim që po përpiqet të mbrojë zullumet e gjyqtarëve të korruptuar. Por në tjetër aspekt e shohin situatën demokratët, të cilët nënvizuan se me këto përpjekje mazhoranca po synon të mbulojë hetimin e zyrtarëve të qeverisë që janë përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.

 

Reagimet

Partia Socialiste reagoi dje ndaj vendimmarrjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) duke shprehur mbështetje për deklaratën e Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare, që kërkon ndërhyrjen e Parlamentit. “ Përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në KLD-së që janë zgjedhur aty nga parlamenti për të përfaqësuar parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit”, – tha sekretari organizativ në PS-së, deputeti Blendi Klosi, duke theksuar se PS dhe grupi i saj parlamentar, janë të skandalizuar nga vendimmarrja e njëpasnjëshme e KLD-së. Por sipas Partisë Demokratike qeveria dhe të gjithë ata që janë rreshtuar në të njëjtën llogore me të i kanë hyrë fushatës së sulmit ndaj drejtësisë dhe kërkojnë ta fusin sistemin nën kontroll. Kjo bëhet sipas nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat Eduard Halimi për shkak se zyrtarët e qeverisë dhe mazhorancës janë përfshirë kokë e këmbë në korrupsion dhe se janë pjesë e krimit të organizuar dhe bandave kriminale.  “E do qeveria drejtësinë nën kontroll, se do ta bëjë gjumin e qetë për emërimet kriminale të bëra në administratën e vendit, ku banditët e dalë nga burgu i veshën me kollaren e pushtetit dhe i emëruan në postet drejtuese që qeverisin vendin. Qeveria e do drejtësinë nën hyqmin e saj që të mos ketë problem me korrupsionin ekonomik të tenderëve me taksat e qytetareve, ku 90% e tyre bëhen me prokurim të drejtpërdrejtë me klientët e pushtetit. Edi Rama dhe Ilir Meta e duan drejtësinë nën sqetull që të mos përgjigjen para ligjit për vjedhjen e serverit të tatimeve dhe bllokimit që po i bëhet në parlament transparencës së këtij krimi”, – tha deputeti demokrat. Më tej Halimi theksoi se kjo qeveri, që mban rekordin si qeveria e korrupsionit politik dhe ekonomik, para se të drejtojë sipas tij gishtin në problemet e drejtësisë, duhet të japë llogari para qytetareve dhe para drejtësisë për problemet e rënda që ka me korrupsionin politik dhe ekonomik. “Partia Demokratike e nxit Prokurorinë e vendit dhe sistemin gjyqësor si autoritetet e vetme që kanë atributin kushtetues për të hetuar, gjykuar dhe dënuar në mënyrë të shpejtë dhe efikase çdo zyrtar të vendit në ekzekutiv dhe në sistemin e drejtësisë, që është i përfshirë në korrupsion, në çdo kohë dhe kudo qoftë ai”, – bëri thirrje ligjvënësi demokrat. Një tjetër reagim për këtë çështje erdhi dje edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim e cila theksoi përmes Ylli Manjanit se KLD është jashtë funksionimit normal dhe me vendimet e saj tregon se është 100% e korruptuar. “KLD është jashtë çdo lloj standardi qeverisës që një institucion kushtetues të rreshtohet pro reformës dhe kundër korrupsionit, ndërsa KLD bën të kundërtën. Sot KLD është 100% e rreshtuar në favor të korrupsionit dhe paaftësisë. Ka nisur një kurs antireforme”, – tha ai.

 

Qëndrimet

Partia Socialiste – PS dhe grupi i saj parlamentar, janë të skandalizuar nga vendimmarrja e njëpasnjëshme e KLD-së. Përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në KLD-së që janë zgjedhur aty nga parlamenti për të përfaqësuar parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit.

Partia Demokratike- E do qeveria drejtësinë nën kontroll, se do ta bëjë gjumin e qetë për emërimet kriminale të bëra në administratën e vendit, ku banditët e dalë nga burgu i veshën me kollaren e pushtetit dhe i emëruan në postet drejtuese që qeverisin vendin. Qeveria e do drejtësinë nën hyqmin e saj që të mos ketë problem me korrupsionin ekonomik të tenderëve me taksat e qytetareve. Edi Rama dhe Ilir Meta e duan drejtësinë nën sqetull që të mos përgjigjen para ligjit për vjedhjen e serverit të tatimeve dhe bllokimit që po i bëhet në parlament transparencës së këtij krimi.

Lëvizja Socialiste për Integrim-KLD është jashtë çdo lloj standardi qeverisës që një institucion kushtetues të rreshtohet pro reformës dhe kundër korrupsionit, ndërsa KLD bën të kundërtën. Sot KLD është 100% e rreshtuar në favor të korrupsionit dhe paaftësisë. Ka nisur një kurs antireforme.

 

Rama-Basha përballen në FB. Kryeministri: Dëshirë për ndryshim. Kreu i PD: “Harraq” me dashje

Kryeministri i vendit, Edi Rama, dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, janë “përballur”dje mes tyre në rrjetin social FB, ku në qendër të debatit ishte çështja e rikonstruksionit të godinave apo objekteve publike. Ka qenë fillimisht kreu i qeverisë, i cili ka publikuar disa foto nga Kryeministria, duke bërë dallimin sipas tij në gjendjen që ka qenë kjo godinë e ndryshimin që është bërë në të pas 10 muajsh. “Me lutjen që askush mos mërzitet nga krahasimi, hidhini një sy këtyre fotografive jo për të parë se ku ishim po për të imagjinuar se ku mund të na çojë dëshira për ndryshimin, dashuria për të bukurën, puna pa hile për vendin”, – shkruante Rama në rrjetin social. Ndaj këtij qëndrimi nuk ka munguar reagimi i kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili përmes një komenti të titulluar “një kujtesë e vogël për ndonjë “harraq” me dashje”, publikoi disa foto të gjendjes së mëparshme të lulishtes pas Pallatit të Kulturës me aktualitetin e sotëm. Debatit për fotot e gjendjes së godinave u hap fillimisht sapo Rama mori postin e kryeministrit, ku publikoi disa foto që tregonin sipas tij gjendjen e mjerueshme në të cilën ishte lënë kjo godinë. Ndaj atyre fotove nuk mungoi reagimi i ish-kryeministrit të vendit Berisha, i cili theksoi se gjendja nuk ishte aspak ashtu siç e paraqiti kryeministri Rama, por se ato u kthyen në ato kushte vetëm në saj të punimeve të bëra në godinë.