Florenc Drizari
Zbardhen debatet e plota jashtë mikrofonit, si nisën incidentet mes deputetëve jashtë sallës
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përfshihen sërish në incidente fizike mes njëri-tjetrit edhe pas atij të ndodhur disa javë më parë në Komisionin e Ligjeve. Shkak për fillimin e debateve u bënë diskutimet në seancën plenare për paketën ligjore të qeverisë, lidhur me sigurinë fizike dhe përdorimin e armëve. Pas akuzave të deputetit Gent Strazimiri në drejtim të homologëve të tij të majtë për lidhje me krimin, në korridorin e Kuvendit u dëgjuan sharje e fyerje mes deputetëve, duke bërë që kryesuesi i seancës, Vangjel Dule, të ndërpriste punimet. Me rifillimin e seancës, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, akuzoi krerët e qeverisë për dhunë verbale e fizike ndaj pakicës parlamentare dhe paralajmëroi se deputetët e djathtë nuk mund të qëndronin më në sallën e Parlamentit.
Akuzat
Fillimisht ishte deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, i cili hodhi akuza të ashpra në drejtim të disa prej deputetëve të mazhorancës, duke aluduar për lidhje të tyre me krimin. Edhe pse nuk foli për emra konkret, Strazimiri tha: “Nuk e bën opozita inkurajimin e krimit. Atë e bën futja e kriminelëve në Parlament. Duke futur oficerë policie të shkarkuar nga ministrat tuaj për përfshirje në krim. Në krye të policisë së shtetit duke hequr profesionistët”. Pas fjalës së Strazimirit reagoi jashtë mikrofonit (në sallën e Kuvendit) deputeti Socialist Pjerin Dreu, i cili i rikujtoi atij incidentin e ndodhur pak javë më parë në Komisionin e Ligjeve me deputetët e PS-së. Më pas fjalën e mori deputetja Olta Xhaçka, e cila i kërkoi publikisht Strazimirit që të fliste me emra konkret, kur akuzonte për lidhje të deputetëve në sallë me krimin. “Zoti Strazimiri doli me një zell të tepruar të tregonte këta njerëzit e inkriminuar dhe që qenkan në kërkim. A mund të na i thoni meqë nuk i ditka ministri dhe që nuk i ditkemi ne të tjerët që ta dimë e të mos shoqërohemi edhe ne, se ndoshta mund të jetë në grupin tuaj”, – deklaroi Xhaçka. Në replikë, Strazimiri, tha se disa prej emrave janë bërë publike nga opozita dhe se në ditët ne vijim do të dalin edhe të tjerë. “Kemi bllokuar seancë Parlamenti këtu ne, për shkak se kalon radha pikërisht për të futur ca persona që nuk meritojnë të jenë këtu. Sigurisht që do të flasim edhe më vonë”, – tha ai.
Incidenti në korridorin e Kuvendit
Pas shkëmbimit të akuzave në sallën e seancave plenare mes deputetit të PD-së, Gent Strazimiri dhe deputetëve të PS-së, Pjerin Ndreu dhe Olta Xhaçka, vëmendja u zhvendos në korridoret e Kuvendit. Me mbarimin e fjalës në Kuvend, deputeti Strazimiri doli nga salla duke folur në telefon në hollin e këtij institucioni, ndërsa pas tij është parë të dilte edhe deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu nga tjetër e sallës. Disa deputete të PS-së që ndodheshin në korridoret e Kuvendit u bënë dëshmitaret e para të asaj se çfarë ndodhi mes kolegëve të tyre. Kjo për faktin se edhe në seancën e kaluar parlamentare, ato braktisën punimet kur po fliste ish-kryeministri dhe në kohën kur ndodhi incidenti i djeshëm në Kuvend, ishte duke folur Berisha. Fillimisht deputetja e PS-së, Lediana Aliolli, u pa të futej e tronditur në sallën e Kuvendit, duke paralajmëruar një incident në korridore. Më pas dolën deputetët e opozitës dhe të pozitës për të parë se ç’kishte ndodhur, ndërkohë që nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule, deklaroi ndërprerjen e përkohshme të punimeve. Mediat u detyruan të dilnin jashtë mbledhjes nga garda, ndërkohë që sipas burimeve nga Kuvendi, deputetët Strazimiri dhe Ndreu kanë shkëmbyer akuza dhe fyerje mes tyre në korridor. Në këtë moment ka ndërhyrë garda për të ndarë deputetët. Një konfrontim i mundshëm fizik mes deputetëve nuk pohohet në reagimet e vetë këtyre të fundit që dhanë më pas për median, ndërsa deputetë të opozitës thanë se kolegu i tyre, Strazimiri, u sulmua në korridoret e Kuvendit. Pas kësaj ngjarjeje deputetët e PS-së, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, u panë duke dalë nga Kuvendi, ndërsa pas tyre reagoi për mediat edhe ish-kryeministri Berisha. Pak minuta më pas doli nga seanca plenare edhe deputeti Strazimiri, i shoqëruar nga ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila në një deklaratë të shkurtër dënoi incidentin e ndodhur. Kuvendi rifilloi punimet pas një ndërprerje prej rreth 15 minutash, ndërsa fjalën e hapjes e mbajti kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, i cili u shpreh edhe për vendimin e marrë për bojkotit të Kuvendit, duke kërkuar në të njëjtën kohë edhe dënimin e ngjarjes.
Debatet në Kuvend para fillimit të incidentit mes deputetëve
Strazimiri: Nuk e bën opozita inkurajimin e krimit. Atë e bën futja e kriminelëve në Parlament. Duke futur oficerë policie të shkarkuar nga ministrat tuaj për përfshirje në krim. Në krye të policisë së shtetit duke hequr profesionistët… Të mos bëjmë më ligje për të mashtruar popullin apo broçkulla dhe retorika siç flasim këta këtu, sepse qytetar jemi edhe ne. Nesër, pasnesër, paralizimi që bëjmë forcave të policisë së shtetit, paralizimi që i bëjmë gjykatës, prokurorisë, forcave ta armatosura, SHISH, instrumenteve, kërcellit të këtij shteti, do të bjerë edhe mbi kokat tona se rotacionet politike në demokraci ndodhin. 46 vjet nuk e mbani dot më. Ju faleminderit!
(Duartrokitje nga deputetët e PD-së)
Ndreu: Të ka lënë rripi me pasoja. Ke nevojë për një tjetër krefje. (jashtë mikrofonit)
Strazimiri: Rregullo rripin e gojës. (jashtë mikrofonit)
Ndreu: Ik ore ordiner. (jashtë mikrofonit)
Strazimiri: Ordiner je ti. (jashtë mikrofonit)
Ndreu: Ik ore ordiner. (jashtë mikrofonit)
Strazimiri: Ordiner je ti. (jashtë mikrofonit)
Ndreu: Ti njoh turinjt unë ty, por rri rehat aty. (jashtë mikrofonit)
Strazimiri: Hajde, hajde. (jashtë mikrofonit)
Dule: Ju lutem, teknika. Zonja Xhaçka ka fjalën.
Xhaçka: Zoti Strazimiri doli me një zell të tepruar të tregonte këta njerëzit e inkriminuar dhe që qenkan në kërkim. A mund të na i thoni meqë nuk i ditka ministri dhe që nuk i ditkemi ne të tjerët që ta dimë e të mos shoqërohemi edhe ne, se ndoshta mund të jetë në grupin tuaj.
Dule: Zoti Strazimiri për replikë.
Strazimiri: Jufaleminderit zoti kryetar. Keni të gjithë mirëkuptimin tim e nderuar zonjë, ju ka ardh me sms kjo kërkesë. Nuk do të merrem me ju. I kemi bërë publike emër për emër. Kemi bllokuar seancë parlamenti këtu ne, për shkak se kalon radha pikërisht për të futur ca persona që nuk meritojnë të jenë këtu. sigurisht që do të flasim edhe më vonë.
Berisha: Kur një deputet kërcënon një deputet të opozitës, kreu i ekzekutivit zverdh dhëmbët sikur të ishte jo një qëndrimtar, por një bandit ordiner, nuk do të bënte atë që bëri. Në këtë mënyrë siç e keni nis dua t’ju them se po bëni gjithçka drejtë një destabilizimi të plotë dhe total të këtij vendi.
Strazimiri: Tani do fillojnë me eliminime fizike
Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, ka reaguar pas incidentit në Kuvend, ku u konfliktua me deputetët e PS-së. Strazimiri akuzoi mazhorancën për dhunë fizike, ndërsa shtoi se tashmë iu ka mbetur vetëm përplasja fizike mes kundërshtarëve.
“Së shpejti do të fillojnë me likuidim fizik të kundërshtarëve politikë! Me votë erdhi në pushtet edhe Musolini edhe Hitleri… Vazhduan me dhunë fizike ndaj kundërshtarëve politikë… dhe përfundimin e dimë të gjithë!! Reagim sot! Nesër do të jetë vonë”, – shkruan ai në “Facebook”.
Ndreu: Strazimiri provokator, asnjë nuk është e vërtetë
“Strazimiri është një deputet provokator i vazhdueshëm. Unë i kam kërkuar hesap pse, ka reaguar shumë keq me fjalë fyese. Normalisht kemi pasur shkëmbim fjalësh por kanë qenë shumë njerëz aty dhe nuk është zgjatur historia saç bëhet. Atij ka kohë që i pëlqen pozita e njeriut që goditet, se ka marrë përsipër të dëgjojë zëra që opinioni publik nuk i di i di vetëm ai. I them Strazimirit dhe atyre që janë pas Strazimirit, se unë jam krenar për gjithë karrierën time policore dhe as Strazimiri dhe askush nuk mund ta njollosë atë karrierë. Këtë histori me mua e ka bërë edhe në Komisionin e Sigurisë dhe i kam dhënë përgjigjen që do. Jam larguar me kërkesën time nga policia. Vetë Sali Berisha më ka mbrojtur personalisht me emër ndaj akuzave politike që ranë ndaj meje në atë kohë. Nëse më denoncojnë me fakte në Prokurori dhe nëse vërtetojnë akuzat jam gati të dal përgjithmonë nga Parlamenti”, – deklaroi Ndreu për mediat.