Vendimi/ Vrasja e 2-fishtë, dënohen me burgime përjetë Anton e Sokol Permakaj

0
167

Sonila Mesareja

drejtesi Gjykata e Pukës/ Konflikti mes familjeve për një sipërfaqe toke, dënohen me 48 vjet burg Bardhok e Fran Permakajn

 Gjykata e Pukës ka dhënë dje verdiktin përfundimtar për masakrën e ndodhur në një fshat të Pukës, duke dhënë dy burgime përjetë dhe dy dënime në total prej 48 vitesh burg. Katër të pandehurit, 3 vëllezër dhe një kushëri i tyre akuzohen për vrasjen e 2 personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, mes të cilëve gra dhe fëmijë. Togat e zeza dënuan me burgim përjetë dy vëllezërit Anton dhe Sokol Permakaj, të cilët janë ende në kërkim si dhe 25 vite burg për vëllanë e tyre Bardhok Permakaj. Ndërsa djali i xhaxhait të tyre, Fran Permakaj, u dënua me 23 vite burg. Ata akuzohen se u kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të furgonit me të cilin udhëtonin anëtarë të familjes Markaj. Nga goditjet e të pandehurve kanë mbetur të vdekur shtetasit Paulin dhe Hilë Markaj, si edhe të plagosur shtetasit Tone Markaj, Angjelina Markaj dhe Alfons Markaj. Në vendngjarje kanë qenë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes Markaj, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime. Sipas të dhënave të para mësohet se gjithçka ndodhi për një përplasje mes dy familjeve për një sipërfaqe toke në përdorim nga familja e të pandehurve.

 

Ngjarja

Më datë 28.6.2012, me rastin e festës së zonës, në familjen Permarkaj janë mbledhur së bashku vëllezërit Anton, Bardhok e Sokol Permarkaj, të cilët kanë vendosur që të nesërmen në mëngjes të dilnin përpara autobusit të Paulin Markajt, i cili bënte linjën Qelëz – Pukë, në lidhje me konfliktet në fjalë me familjen Markaj. Ata ishin në dijeni se Paulini dhe familjarët e tij ishin të bashkuar për festë në fshatin Marrdhnaq, Komuna Qelëz. Nga hetimet ka rezultuar se më datë 29.6.2012, rreth orës 06:00, shtetasi Paulin Markaj ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, tip mikrobus, me targa TR 6739 C, nga fshati Mardhnaq, lagjja “Markaj” në drejtim të qytetit të Pukës, së bashku me bashkëshorten e tij, Tone Markaj, e cila është ulur ne sediljen pas shoferit dhe pas saj shtetasi Amarildo Markaj. Në sediljen e parë të pasagjerit është ulur nipi i tij, shtetasi Alfons Markaj, së bashku me vajzën 10-vjeçare të Paulinit, Albana Markaj. Pasi kanë lëvizur rreth 100 metra, janë ndaluar për të marrë edhe djalin e Paulinit, shtetasin Andrea Markaj. Mjeti i drejtuar nga viktima Paulin ka filluar përsëri lëvizjen dhe në një distancë rreth 40 metra, ka dalluar në rrugë një mjet fuoristradë, tip “Mitsubishi”, me karroceri ngjyrë të zezë, të shtetasit Anton Permarkaj, e cila kishte bllokuar rrugën. Nga fuoristrada kanë dalë vëllezërit Anton, Bardhok e Sokol Permarkaj, si dhe djali i xhaxhait të tyre Fran Permarkaj, të cilët kanë qenë të armatosur, përkatësisht: Antoni e Bardhoku me armë zjarri automatike, Sokoli me pistoletë dhe Frani (Seferini) me një leve hekuri në dorë. Në këtë moment, drejtuesi i mikrobusit, viktima Paulin, i ka thënë djalit të tij Andrea të largohej për në shtëpi dhe ka tentuar të ecë mbrapa (indietro) me mjetin e tij, por për shkak të lagështirës në rruge dhe terrenit malor, nuk ka qenë e mundur dhe ka lëvizur përpara. Në moment, pa komunikuar asnjë fjalë ndërmjet dy palëve, duke parë që mjeti nuk po ndalej, i pandehuri Sokol Permarkaj ka qëlluar me pistoletë në drejtim të shoferit Paulin Markaj. Gjithashtu, nga krahu i majtë i mikrobusit dhe veçanërisht në drejtim të drejtuesit të mjetit, kanë filluar të qëllojnë me automatikë edhe shtetasit Anton e Bardhok Permarkaj, ku i pandehuri Bardhok ka qenë gati përballë mjetit, ndërsa Antoni rreth 7-8 metra më majtas Bardhokut. Ka rezultuar se viktima Paulin është plagosur nga të shtënat, dhe duke u ndodhur në këto rrethana dhe në sulmin e të pandehurve, ka reaguar duke zbritur nga mikrobusi dhe ka qëlluar me një armë zjarri, në drejtim të pandehurit Bardhok duke e plagosur atë. Në këtë moment, i pandehuri Bardhok ka kërkuar ndihme nga vëllai i tij Sokoli, ku ky i fundit ka filluar ta tërheqë Bardhokun e plagosur. Në momentin që viktima Paulin ka hapur derën e mjetit dhe ka zbritur në tokë, në drejtim të tij është qëlluar përsëri me automatikë nga të pandehurit Anton dhe Fran (Seferin), ku ky i fundit ka marrë automatikun që kishte lënë në tokë i pandehuri Bardhok, pas plagosjes. Viktima Paulin ka bërë disa hapa dhe menjëherë është rrëzuar në tokë dhe të pandehurit kanë vazhduar të qëllojnë në drejtim të tij. Të pandehurit Anton dhe Fran i janë afruar dhe Antoni e ka qëlluar edhe nga afër në ballë, për t’u siguruar se ai kishte vdekur. Të shtëna këto që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, më pas të pandehurit kanë vazhduar të qëllojnë edhe në drejtim të mjetit mikrobus, ku janë plagosur shtetasit Alfons Markaj dhe Tone Markaj. Autobuzi, pas daljes së viktimës Paulin ka lëvizur i pa komanduar në rruge duke u përplasur me fuoristradën, e cila ishte në rrugë dhe përsëri ka vazhduar të lëvizë deri sa është ndaluar nga një pengesë natyrore, buzë një gremine. Në momentin që është ndaluar mjeti, shtetasit Alfons dhe Amarildo kanë dalë nga mikrobusi dhe kanë lëvizur në drejtim të shtëpisë së tyre dhe në mikrobus ka mbetur e plagosur rëndë bashkëshortja e Paulinit, shtetasja Tone Markaj dhe vajza Albana.

 

Reagimi i familjarëve

Në momentin që kanë dëgjuar krisma armësh, kanë dalë nga shtëpia e tyre, e cila ndodhet afër me vendin e ngjarjes, vëllai i Paulinit, shtetasi Hil Markaj së bashku me bashkëshorten e tij Angjelinën, të cilët janë afruar në vend dhe kanë parë të vrarë Paulinin dhe në një pozicion tjetër ndodhej Bardhok Permarkaj, i plagosur dhe kanë goditur me gurë në drejtim të tij. I pandehuri Anton, duke qenë në afërsi të tyre dhe në një pozicion pas tyre, ka qëlluar me automatik në drejtim të Hil e Angjelina Markaj, ku si rezultat i plagëve vdekjeprurëse ka gjetur vdekjen e menjëhershme Hila dhe është plagosur bashkëshortja e tij, Angjelina Markaj. Më pas, i pandehuri Anton, pasi është ndaluar mikrobusi ka hyrë brenda dhe ka pyetur Tonen se ku ishte Amarildo, duke i deklaruar se donte që të vriste edhe atë. Më pas, aty ka hyre Sokoli dhe ka kontrolluar nëse Amarildo ishte fshehur poshtë sediljeve dhe në këtë moment i kanë rënë gëzhojat e fishekëve të pistoletës së tij dhe ai ka mbledhur ato duke i mbetur një gëzhoje në autobus. Pas këtij momenti, të pandehurit kanë hipur në mjetin e tyre fuoristradë dhe janë larguar nga vendngjarja, për në banesën e tyre. Pas arrestimit të dy prej të akuzuarve, Bardhok dhe Fran Permakaj, ata kanë mohuar të kenë marrë pjesë në ngjarje, duke shmangur përgjegjësinë e tyre për këtë krim.

 

Akuzat

“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy personave, në bashkëpunim”

“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë, në bashkëpunim”

“Mbajtje pa leje të armëve luftarake”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency