Gëzim Saliu
“Pa autoritetin e një ambasadori ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e niveleve më të larta”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin për disa vende strategjike, përfshi edhe Shqipërinë, duke theksuar se mungesa e autoritetit të një ambasadori e bën të paplotë angazhimin e Uashingtonit me nivelet e larta zyrtare në këto vende, ku vlerat e përbashkëta demokratike janë të kërcënuara. Ky qëndrim u bë publik dje nga kryediplomati i SHBA-së, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili theksoi se vendit që ai përfaqëson po i shkaktohet një dëm shumë i madh nga kjo mungesë ambasadorësh. “Pa ambasadorë janë dhe vende strategjike evropiane si Hungaria, Turqia, Republika Çeke, Moldavia dhe Shqipëria. Pa autoritetin e një ambasadori, ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e niveleve më të larta, në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë të kërcënuara”, – tha përfaqësuesi më i lartë i diplomacisë së SHBA-së.
Mesazhet e SHBA-së
Ndërkaq, mesazhi shqetësues i shprehur dje nga Sekretari amerikan i Shtetit nuk është i pari, pasi vetëm pak kohë më parë kryediplomati i SHBA-së theksoi se vende të Evropës Juglindore, Qendrore si dhe Ballkani po hasen me probleme të rënda të korrupsionit. Në Konferencën e Mynihut për Sigurinë të zhvilluar pak muaj më parë, Kerry pohoi: “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarke, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”. Ndërkaq problematika e bllokimit të ambasadorëve nga ana e senatit amerikan është kthyer në një shqetësim për SHBA-në, kryesisht në ato vende të cilat i cilëson si partnere strategjike. Një përplasje në senatin amerikan para thuajse 1 viti mes senatorëve republikanë dhe atyre demokratë ka sjellë dhe bllokimin e emërimit të ambasadorit të ri të SHBA në Shqipëri Donald Lu. Bashkë me ambasadorin Lu, për këto probleme të brendshme në senatin amerikan janë bllokuar dhe 23 emërime të tjera ambasadorësh të SHBA në shumë vende të tjera të botës. Zgjatja përtej limiteve i emërimit në senat të ambasadorit Lu, ka sjellë dhe shtyrjen e largimit nga detyra të ambasadorit aktual, Alexander Arvizu, i cili ndonëse duhej të linte detyrën, në mungesë të zëvendësuesit të tij, vijon të ushtrojë funksionet e diplomatit të SHBA-së në Shqipëri. Republikanët kanë pohuar se do të bllokojnë të gjitha emërimet e reja të Presidentit Obama, për t’i bërë trysni administratës të jetë më transparente për ngjarjen e ndodhura më parë në Bengazi, ku nga sulmi ndaj konsullatës amerikanë në Libi u vranë 4 persona, mes tyre edhe ambasadori amerikan. Emërimet e kandidaturave të ambasadorëve, ku bën pjesë edhe ajo e Donald Lu, zakonisht miratohen në senat me konsensus unanim, pa qenë nevoja e një votë të regjistruar. Kandidatura e Lu është miratuar më parë nga komisioni i marrëdhënieve me jashtë të Senatit dhe s’ka asnjë pengesë tjetër përpos problemeve në senat.
Ndihmëssekretarja e SHBA-së/ Nuland viziton Shqipërinë, takime me përfaqësues të lartë të shtetit dhe partive politike
Ndihmëssekretarja e SHBA-së për Çështjet e Evropës dhe Euro-Azisë, Viktoria Nuland, viziton sot Shqipërinë. Vizita e konfirmuar dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit përfshin takime me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe partive kryesore politike në Shqipëri. Në qendër të kësaj vizite do të vendosen çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë dhe integrimin euro-atlantik të vendit në Bashkimin Evropian. Vizita e Nulandit në Shqipëri do të bëhet në kuadër të një turi disaditor në Ballkan e më gjerë. Zyrtarja e DASH do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në 13 korrik, ku do të diskutojë për dialogun mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Ndalesa e parë ishte dje në Kroaci ku mori pjesë në Forumin e 9-vjetorit të Kroacisë, ku do mbajë një fjalim edhe mbi Ballkanin Perëndimor. Nuland do të takohet me qeveritarë kroatë dhe liderë të rajonit që do jenë në konferencën për sigurinë rajonale e energjinë. Në kuadër të takimeve, përfshihen vizita në Maqedoni, Serbi, Belgjikë dhe Britaninë e Madhe. Sakaq, në 14 korrik, Nuland do të udhëtojë drejt Shkupit, ku do të takohet me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe krerët e partive. Takimet përfshijnë diskutimin për rrugën euroatlantike të vendit dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët. Zyrtarja e DASH, Nuland, më pas do të vijojë vizitën në Londër, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të qeverisë britanike, ku do të diskutojë për çështjet globale dhe përgatitjet për samitin e NATO-s për ngjarjet e fundit në Ukrainë.