Ervin Kaduku
– Edhe deputetë të mazhorancës kanë kërkuar të shtyhet në kohë vendosja e TVSH-së për makineritë, pajisjet dhe lëndën e parë nga importi që përdoret për investime në infrastrukturë dhe energjetikë
– Heqja e TVSH-së ishte vendosur nga qeveria “Berisha”, Rama kërkoi ta rivendoste, pas sugjerimeve të FMN-së
Presioni që kanë bërë bizneset ka sjellë tërheqjen e qeverisë Rama lidhur me një pikë kyç të ndryshimit të ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ka qenë një masë e mirëpritur heqja e kësaj takse për biznesin, që u ndërmor vitin e kaluar nga ana e qeverisë Berisha, por FMN dhe ministri i ri i Financave nuk e patën për gjë ta sakrifikojnë këtë. Por duket se presioni ka bërë punën e vet.
Ndryshimet në projektligjin e TVSH, janë prezantuar dje nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Deri tani, administrata tatimore dhe biznesi operonin me një kuadër ligjor të hartuar para 20 viteve, në kushtet kur tregu dhe ekonomia kishin evoluar, ndërsa interpretimi dhe zbatimi në praktikë po krijonte gjithnjë e më shumë terren për abuzime dhe klimë frenuese për investitorët. “Ligji është bërë nga e para, ka ndryshuar i gjithi. Është hartuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Financave Publike të Francës. Gjithashtu është punuar dhe janë konsultuar gjerësisht me Direktivat e Bashkimit Evropian. Me biznesin është diskutuar gjatë, pasi edhe kuadri është teknik. Ndaj për këtë ‘produkt’ që po prezantojmë sot, kemi marrë nga shoqatat e biznesit vlerësime. Jemi konsultuar ngushtë edhe me strukturat e posaçme të Fondit Monetar”, – u shpreh në fillim të fjalës, ministri Cani.
Disa nga pikat e diskutimeve në Komision kishin të bënin me sektorë të caktuar. Fermerët shqiptarë do të rimbursohen me 20% të vlerës për çdo produkt që shesin në treg. Në ligjin e ri për tatimin mbi vlerën e shtuar, qeveria ka vendosur të korrigjojë skemën ekzistuese të kësaj takse për sektorin e bujqësisë, e cila diskriminonte prodhimin vendas. “Norma e kompensimit nga 6% bëhet 20%. E gjithë bujqësia, kundrejt faturimit, rimerr TVSH-në me 20%”, – tha Cani.
Në projektin fillestar të draftit, kjo ministri kishte parashikuar të rikthente TVSH-në për makineritë dhe pajisjet, por siç la të kuptohet zoti Cani, neni do të rrëzohet. “Nuk është në kohë marrja e një mase të tillë që nga përjashtimet të përjashtojmë çështjen e makinerive dhe pajisjeve”, – tha deputeti i PS-së, Anastas Angjeli. Ndërsa Cani theksoi: “Kemi pasur debat shumë të madh për këtë çështje në qeveri. Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë janë për heqjen e TVSH-së dhe Ministria e Financave e ka këtë një betejë të humbur”.
Një tjetër ndryshim është ai i cili i mundëson biznesit që në raste të caktuara të shesë edhe nën kosto, një masë që deri më tani nuk pranohej nga Tatimet.
Prezantimi me pika i projektligjit
Qëllimi
Ligji i ri synon që me përcaktimet e tij, të ofrojë një mjedis të përshtatshëm dhe tërheqës, qëndrueshmëri ligjore dhe fiskale, siguri si për biznesin vendas edhe për investitorët e huaj, me rregulla të mirë përcaktuara, të cilat sigurojnë:
• Njëtrajtshmëri në aplikimin e TVSH-së duke e unifikuar kështu sistemin e taksimit shqiptar me atë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian;
• Konkurrencë të drejtë dhe kushte të barabarta, duke eliminuar sa është e mundur faktorët që cenojnë këto kushte;
• Stimulimin e qarkullimit të mallrave dhe të shërbimeve duke e bërë biznesin shqiptar konkurrues midis vendeve të zhvilluara.
Ky projekt ligj synon të sigurojë një sistem taksimi që:
• eliminon taksimin e dyfishtë të TVSH-së për transaksionet midis bizneseve në Shqipëri dhe atyre të vendosura në çdonjërin vend anëtar të BE-së (parimi i destinacionit);
• ndryshon imazhin e administratës tatimore për t’i shërbyer me dinjitet çdo tatimpaguesi të vogël apo të madh, vendas apo të huaj, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë;
• ndryshon mënyrën e të tatuarit: nga ajo me anë të një ligji të ndryshuar më shumë se 30 herë, nga mënyra të tatuari me udhëzime apo urdhra për shkak të hapësirave /mungesës së parashikimeve ligjore, në një ligj gjithëpërfshirës që paraqet qëndrueshmëri e siguri për biznesin.
Ligji ekzistues ka gjithsej: 7 kapituj dhe 56 nene
Ligji i Ri ka gjithsej: 12 kapituj, 31 seksione, 4 nën seksione dhe 160 nene
Ligji i ri:
• Përkufizon dhe trajton në mënyrë të detajuar dhe të pasuruar konceptet mbi furnizimin e mallrave dhe shërbimeve mbi të cilat zbatohet TVSH-ja, duke shmangur konfuzionin dhe paqartësitë;
• Vlera e tatueshme përcaktohet sipas “vlerës së tregut” si për mallrat edhe për shërbimet, ndërsa aktualisht çdo mall duhet të shitet “sikur qëllimi të ishte fitimi”;
• Shmang keqkuptimet dhe paqartësitë lidhur me furnizimin e një aseti mjaft të rëndësishëm, siç është pasuria e patrupëzuar, duke e përkufizuar atë si një furnizim shërbimi;
• Trajton jo si objekt i aplikimit të TVSH-së mallrat e dhuruara deri në një vlerë maksimale, e cila do të përcaktohet me një akt nënligjor, përfshirë dhe kur ato dhurohen për qëllime të nxitjes së biznesit, ndryshe nga sa trajtohet aktualisht, ku çdo mall i dhuruar, pavarësisht vlerës së tij, tatohet me TVSH.
• Redukton kostot e biznesit për fushatat e publicitetit dhe promocionit, pasi me këtë projektligj nuk kufizohet e drejta për të zbritur TVSH e paguar në blerje nga biznesi për artikujt promocionale dhe publicitare të nevojshëm për të nxitur dhe zhvilluar biznesin, ndryshe nga kufizimet e ligjit aktual.
• Ligji i ri jep përcaktime mjaft të qarta dhe të munguara aktualisht, lidhur me vendin e furnizimit të shërbimit, koncept ky shumë i rëndësishëm për TVSH-në.
• Është shprehur qartë në ligj fakti që një organizatë jofitimprurëse nuk konsiderohet person i tatueshëm për pagesa të përfituara nga kuotizacionet, nëse kanë të tilla, ose fonde, grante, donacione të përfituara për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës në përputhje me Ligjin “Për Organizatat Jofitimprurëse”, përveç kur kjo organizatë përfiton pagesa si rezultat i veprimtarisë ekonomike.
Përjashtimet nga TVSH në këtë projekt-ligj janë konceptuar si:
• Përjashtim nga TVSH i veprimtarive në interes të përgjithshëm (si shërbimi postar publik; shërbimi shëndetësor dhe barnat; shërbimi arsimor; furnizime nga OJF për qëllime kulturore, sportive, fetare, për kujdesin ndaj fëmijëve, të rinjve, të moshuarve, etj.).
• Përjashtim nga TVSH për mallrat dhe shërbimet e tjera, si sigurimet dhe risigurimet, shërbimet financiare, pullat postare e të ngjashme, lojërat e fatit, ndërtesa, toka, qiradhënia, etj.
• Furnizime me TVSH zero për eksporte mallrash dhe shërbimet ndërkombëtare e të ngjashme me eksportet, furnizimet për organizatat ndërkombëtare, diplomatët, NATO-n, etj.
• Për të siguruar një taksim të drejtë të TVSH-së, ndryshe nga sa aplikohet aktualisht, është parashikuar të përjashtohen nga TVSH në shitje mallrat që:
janë përdorur për një veprimtari të përjashtuar dhe, për këtë qëllim, nuk e kanë kredituar TVSH-në që kanë paguar më parë.
ato mallra për të cilat TVSH nuk është e lejuar të kreditohet për shkak të kufizimeve ligjore.
Me ligjin ekzistues për këto mallra, për të cilat TVSH është paguar njëherë dhe nuk është kredituar, paguhet sërish kur këto mallra shiten.
• Aplikohet për herë të parë dhe konsiderohet si eksport furnizimi i mallrave të destinuara për t’u transportuar në bagazhin personal të udhëtarëve;
• Nuk kufizohet më e drejta e kreditimit të TVSH-së për furnizimet e marra nga nënkontraktorët e fasonëve. Kjo TVSH do të jetë e kreditueshme dhe e rimbursueshme brenda 30 ditëve për eksportuesit.
• Përfitojnë të drejtën e zbritjes (kreditimit) të TVSH-së operacionet hidrokarbure, për sa nuk do të trajtohen më si të përjashtuara pa të drejtë kreditimi të TVSH-së.
• E drejta e zbritjes /kreditimit të TVSH:
• Zgjerohet e drejta e kreditimit të TVSH-së në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Përveç se për eksportet, transportin ndërkombëtar, furnizimeve për diplomatët, organizmat ndërkombëtar, NATO, etj, lind gjithashtu edhe për shërbime ndërkombëtare, të cilat, kur kryhen në vend, i japin personit të tatueshëm këtë të drejtë.
Shërbimet ndërkombëtare në ligjin aktual trajtohen si të përjashtuara pa të drejtë kreditimi të TVSH;
• Në ligjin e ri, rregullimi i kreditimit, nëse ndryshon përdorimi i aktivit, shtrihet:
Për mallrat kapitale të luajtshme, përgjatë 5 vitesh;
Për mallrat kapitale të paluajtshme, përgjatë 10 vitesh
Në ligjin ekzistues ky afat ka qene 5 vjet për çdo lloj aktivi.
Në dispozitat kalimtare të ligjit të ri sqarohet që rregulli i ri do të aplikohet për aktivet që u lind kjo e drejtë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Risi të tjera të projekt-ligjit:
• Nuk do të konsiderohen furnizim në kuptim të këtij ligji dhe nuk do të cenohet kreditimi i TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave apo aktiveve.
• Nuk do të kërkohet përfaqësues tatimor në Shqipëri për personat jorezident, jo vetën ne rastin kur kanë regjistruar degë në Shqipëri, por edhe nëse shërbimi është përfituar nga një person i regjistruar në Shqipëri.
• Parashikohet mundësia e njohjes së kreditimit të TVSH-së, kur tatimpaguesit kalojnë nga subjekte pa TVSH në subjekte me TVSH, dhe anasjelltas, duke pasur parasysh kriteret për mos diskriminimin edhe privilegjimin e pamerituar.
Regjimet e veçanta:
• Regjimi i ndërmarrjeve të vogla. Në këtë seksion trajtohen rregullimet për qëllime të TVSH-së, si p.sh. cili konsiderohet qarkullim, etj, për biznesin e vogël qe nuk është i regjistruar për TVSH-në si dhe kushtet për të kaluar nga regjimi normal, pra me TVSH 20%, në regjimin e ndërmarrjeve të vogla pa TVSH në bazë të qarkullimit vjetor (pragut të regjistrimit të TVSH-së).
• Regjimi i veçantë i kompensimit të prodhuesve bujqësor, për të cilët norma e kompensimit nga 6 % është bërë 20% .
• Përcaktohen për herë të parë skemat e reja të aplikimit të TVSH-së mbi marzhin, për regjimin e mallrave të përdorura, agjentëve të udhëtimit dhe ankandeve.
• Regjimi i veçantë mbi arin për investim. Përjashtohet nga TVSH furnizimi dhe importimi i arit për investim, përfshirë arin për investim të përfaqësuar nga certifikata ari, etj.
Ramazani boshatis Durrësin…
Muaji i Ramazanit “boshatis” plazhin e Durrësit. Operatorët turistikë deklaruan se hotelet dhe lokalet punojnë me 20 për qind të kapacitetit të tyre. Gjatë 10-ditëshit të parë të korrikut ka një ulje drastike të frekuentuesve të plazhit më të madh në vend, i cili prej vitesh është bërë destinacioni edhe i pushuesve nga Kosova e shqiptarët e Maqedonisë.
Në pikun e këtij sezoni “patriotët” e Durrësit kanë preferuar të agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, i cili sipas kalendarit mbyllet në fund të këtij muaji, me festën e Bajramit të madh. Edhe banesat private” u shprehën menaxherët e këtyre subjekteve që i takuam në rrugë, në përpjekje për të gjetur qoftë edhe një pushues për klientelë.
Kjo situatë ka sjellë edhe uljen drastike të çmimeve në restorante dhe hotele si dhe banesat që jepen me qira. Nga ana tjetër, plazhi është më i pastër në krahasim me vitet e tjera për shkak të uljes së numrit të pushuesve.
Rinis qarkullimi në Tiranë – Elbasan, por një korsi
Qarkullimi i automjeteve në autostradën Tiranë – Elbasan rinisi pasditen e djeshme. Burime zyrtare nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës bënë të ditur se tuneli i Elbasanit u hap pasdite. “Prej orëve të pasdites qarkullimi i mjeteve do të bëhet nëpërmjet tunelit”, – thanë burimet. Por do të kryhet vetëm në njº korsi, pasi punimet ende nuk kanë përfunduar.
Nga data 1 gusht do të kenë përfunduar plotësisht punimet në segmentin rrugor nr 3 (nga dalja e Tunelit të Kërrabës deri tek rrethrrotullimi Bradashesh), që solli bllokimin e autostradës, ndërsa deri në fund të vitit pritet që të kenë përfunduar punimet në autostradë.
Rruga e re Tiranë – Elbasan u bllokua në 25 qershor për shkak të punimeve në segmentin Bradashesh – Tunel. Si rezultat i punimeve që po kryheshin lëvizja e mjeteve është bërë në rrugën e vjetër që kalon nga Qafë-Kërraba.