Tri gojëdhënat/ Cubat e Dukagjinit,  Si vodhën thesaret e Skënderbeut

0
485

Zef_Kolombi_Skënderbeu_në_luftë_me_persët_1927Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla; në numrin e sotëm lidhet me letrën e një prej personaliteteve të panjohur si Zef Nekaj që sjell teza të reja për armiqësinë e vjetër mes Kastriotëve dhe Dukagjinasve

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Kemi veçuar letrën e mëposhtme që Zef V. Nekaj i dërgon Krujës, në përgjigje të një artikulli të botuar prej tij në lidhje me dyndjen e prejardhjen e Kastriotëve. Nekaj siç do ta shikoni në letër, mbështetet në tri gojëdhëna që rihapin cështjen e prejardhjes por dhe arsyen e dyndjes së Kastriotëve duke zbuluar njëkohësisht për herë të parë pse ishte armiqësia e madhe mes tyre dhe Dukagjinasve.

 

                                                                                      ***

  Romë, 14 Shtatuer 1952

            I ndershmi Z. Mustafa,

Nuk muj pa Ju kërkue ndjesë për lodhje e kohë të humbun me këto faqe të përcipta, mbasi mjerisht më mungojnë deri diku edhe gjuhët e ma fort se gjuhët gjuni e truni për këso punësh; vetëm ia bana si ai që hjedhë gurin në pus e zbardhë dhambët përskajesh kah të shofi të tjerët, në mos tue u mundue me e nxjerrë, së paku tue kqyrë se shka ra.

Lutemi edhe mos të ma merrni se jam shtî prej kapidanash me Ju shkrue, pse Ju i keni shum mâ miq se un, dhe mandej un e dij se ata nuk bajnë shum “hajr”, pse e kanë marrë truellin e tyne, Oroshin, me “hile” e si thonë ke na, të parët e tyne i ka nemë Gjergj Kastrioti tue u thanë: “Me hup, mos hupshin e “hajr” mos bafshin!”

Tue marrë lejen me u paraqitë së largu pa qenë njoftë, Ju uroj shëndet e jetë të gjatë për të mbarë në punën e studimevet t′Ueja të paçmueshme.

  Rraportues i gjendjes së Kosovës e Metohis n′Asemblen e B.K.I me 26 Fruer k.v; nën emnin “Laci”

 Nderime:

 Zef Vorf Nekaj

 

                                                                 ***

I ndershmi Zotni Mustafa Merlika (Kruja),

Kureshta e dishira për t′u njoftë e pasë punë me disa njerëz shfaqet gjithnduerësh, por ato të shumtën e herëvet nuk mvaren prej vullnetit tonë. Shka bjen koha e rasti, thonë kah na, nuk e bjen mendja as parja. Po kurr njeri nuk e din se në ç′brigje do ta përplasi trapi i fatit, sado të kujtojë se asht “ndjet” e vullnetmirë, pse shka u mendueka se asht e mirë dhe e drejtë, shpesh herë dalka aq e keqe e e shtrembët, sidomos ke na, sa me rrezikue gjith zbatuesat; vetëm se në këtê lak kryq tfillohen udhët. Disa ethëzohen me iu hŷ kalorësvet nën setulla, sidomos kur ata turren termaleve e kjo në praktikën e jetës materjale asht pika vetë, “testja”; përkundrazi ndokuj i kandet me ndigjue kangën në heshtje dhe i shkon vaji parë me të gjith ata që qajnë e ankojnë, qoftë edhe me ata që kënduen nji ditë ma parë. Kahdo të sillet bota, prap e ze nata. E, në rast se këtu shkita e iu rrasa breshtës së pashtek, prap po marr vetin e rrij zgriptas, që të dijë me u kthye në ksollën teme të vorfën, por të dashtun.

Veçse m’anë tjetër më nguci njifarë kërcuq zekthi kur pashë artikullin t’Uej të fundit, shtypë këto ditë e po më duhet me Ua vra sŷt, për shka qysh tash Ju kërkoj ndjesë.

               * * *

Si gjithkund në botë, edhe në malsinat tona brén e mundon sëmundja që të kqijat e bame me i mohue e me ua lëshue të tjervet me përbuzje dhe të mirat e bame e të pabame me i përvetsue me krení; ashtu ndodhë edhe për njerzit: për të mirët rrifet parzem, për të kqijt mshifet dora. Do t′ishin bâ blej bukur të rrastë, vërtè hokatarë a humoristikë sa me përlotë e shkoklue së qeshuni sikur ndokush t′ia kishte hy me përshkrue se shka thotë ndër né njani bark për tjetrin, katundi për katundin, krahina për krahinën, malsori për fusharin, qytetasi për katundarin dhe anasjelltas pa zanë gojesh emna vendesh; por m′anë tjetër kjo mbledhje njiherit do të grumbullonte edhe municjon e mitroloza në duert e Vllada Gjorgjeviqit me shokë për të sharrue shtyllat, mbi të cilat qindron kombsija e jonë dhe domethanja e qenjes së saj; kështu do të tërmhazte tue grumbullue muranë e gërmadhë mbi lirín tonë, aq fort të dishrueme pa dijtë me e mprojtë.

Nuk po synoj prandej me thye ndonji harasan të çimentuem e me prishë punë, pse edhe artikujt e Z. S′Uej mbi emnin e vërtetë shqiptar – larg qoftë – nuk e kanë atë qëllim; por rrekin me zdritë të vërtetên shkencore e pra të pamohueshme që edhe na si komb i vjetér me historí të përdjerrun me e ndër rrymat e popujvet të tjerë fqij e pushtues kemi historín tonë, gjuhën tonë, njerzit e prijsat tonë e pra edhe vendin tonë; por, me pasë me e vû vetin në vendin e mbrojtsavet të të drejtavet të shovenizmit sllavo – greko – madh, duhet pranue se ata kanë të drejtë -shka nuk e kursejnë se nuk iu kushton gjâ e madje u shkon për lajlesh-, të thonë: “Ç′janë e ç′liri kërkojnë këta farë shqiptarësh, të cilët ende sod nuk e dijnë si duhet as emnin e tyne?” Po ashtu mund të thonë edhe për emnin e rrjedhën e Kastriotve, që shkoqitni n′artikullin Tuej të fundit.

Si arsimtar kam pasë rastin fatkeq e fatlum njiherit – për shka ndiej njifarë lehtsimi në ndërgjegjen teme – të jetoj mâ se katër vjet në burgjet e Jugosllavis q′prej 1945 deri në fillim të 1950 e atë gjuhë që e urrejshe mâ parë me aq pezëm e fanatizëm trashanik, m′u desht me e nxanë përdhuni e m′u thanë “molim lepo” kur plotsojshem normën e zbatuesavet të të vet′ e pavetdijshëmvet sllavokomunista, por ashtu mrrijta edhe me kuptue të grahmet e qejvet mbi lkurë t′ukut, ushtima e të cilëvet po më cingron në vesh e brén në zemër edhe tash këtu në Romë.

Prej gojës së tyne, prej botimeve e shkrimeve, pak të kalueme e mâ fort të tashme të jetueme mësova në përgjithsí e u binda se parimi i tyne ishte; “me e bâ mrrelën pelë e mandej me shkue pezull mbi tê tue bërtitë pa dijtë me u lodhë – Pelë! Pelë! Pelë! – tue i bâ edhe të tjerët deri sa të mërziten e të binden aq sa me mësue gojën nji herë me thanë edhe ata Pelë mrrelës e mandej shkon goja vetë. “Mbi ligjin e tmershëm përbîs të sugjestionimit e konvinkcjonit të turmës gjithmonë brumë – tue i lanë m′anash interesë e forcë- e kanë bazue ata pjesën mâ të madhe të veprimtarís, ndërmarrjen e historis së tyne, shka iu çelikon traditat e ndërgjegjen kombtare dhe u gdhen ligjin e shejtë, qe na s′dij a e kemi?! Po me atë tufan mbushamendjeje çajnë edhe sod rrugë udhëheqsat e tyne, dalin të zotët për të mprojtë me ngulmim çdo tezë për të cilën kapen, pse të gjitha i pshtjellin në lamshin e dredhës ellastike misterjoze të matjes së kufinit të tyne dhe të gjitha bahen pompa për të frŷ kamerdaren e shukut, që shkon e vjen për bukuri si shuku i Don Ndre Mjedës n′abetaren e Z. Ndue Palucës.

E këtu, jo pse jam krejt fyzë sa mos me kuptue randësin e hulmëtimit e të bubrrimit shkencuer, për shka hyjnisht e pa kurrfarë përlkurje e interese Ju adhuroj – pse tekembramja tash nuk jeni kaluer -, por pse për me u ndie rropama e zdatkut prej atyne që i qesin veshët në lesh, do të duheshin cupila nyjorë e dhajçorë dhe do të duhej me gjetë njaso vegzash, sa me i skajue shtërnguetas skundijt e shgunit t′endun prej ne shqiptarëve. Mos ma zeni pra për të madhe në thansha se rruga ma e thjeshtë asht ajo që kuptohet ma shpejt, që mbush mênden e nuk e lodh profanin, që bje në sy se mund të jetë e vërtetë pa stërhollime lodhëse teorinash e teoremash shkencore, pse për ate që asht në terr, mjafton edhe nji qiri me pa e kush asht në dielli, s′ka nevojë për qiri; dhe se ma në fund ajo që pranohet prej të gjithvet, ose po thom shumicës – e kjo përsa i përket historís -, bahet edhe shkencë, se ma dogmë po se po; animâ shkencë ballkanike!…

Tue u mbështetë në shka këtu fatalisht përfundova për anën shkencore, do të bijshe në kundërthanje të pafalëshme me vetin tue Ju dërgue pjesën gojdhanore, qe do të vijojë ma poshtë, por qëllimi i em këtu asht që mbasi Ju keni fatin me qenë me e ndër gurrat e dijes e të historis, do të mundeni me e shkritue letë, ose me e lëshue lmuq ku të ketë vendin. Ai do të jetë peshimi i Juej e un, edhe në paça birue n′ujë, anishka se jam shpuprishë.

Shtoj se këtu nuk synoj ndonji gja që ndoshta nuk Ju ka ra në vesh a në sŷ, as paraqes ndonji vërtetim historik për të kërkue me ethëzim shqyrtimin t′Uej, as asht ba kjo për shkak cytjeje nga dikush, as asht edhe ndonji trillim vegues i emi a hamêndje, por, tue pasë fitue bindjen – e më qortoni se kam nevojë në mos paça dijtë me marrë vesht – se nji pjesë thalbore e artikullit t′Uej të fundit bazohet në vërtetime afër të vërtetavet, por që nuk e kanë marrë ende lejen e thadrimit në pllakën përkujtimore, jo për tjetër, po prej periudhës së shkurtë të jetës sonë kombtare – mu njashtu si thoni edhe Ju -, tue iu zgërdhî kompleksit t′inferioritetit tem, mora guximin t′U shkruej gojdhanën që përflitet në Mirditë për emnin e rrjedhën e Kastriotvet, kunorës e nderës sonë kombtare.

              * * *

E pyeta Z. Kapidan Gjonin se si e në se dinte ai ndonji gojdhanë mbi këte çâshtje, por nuk m′u zotue me më kthjellue gja ashtu si e kam ndie e po e parashtroj para Jush. Gilxue për këte çashtje, pyeta Z. Kap. Nduen, i cili tha se çdo tezë përsa i përket prejardhjes s′emnit të Kastriotvet e rrjedhjes së tyne në lidhje me katundin Kastër të Mirditës e me Kastratin e Malsís së Mbishkodrës, âsht shkartue si hipotezë e zbetë. Un përkundrazi jam në kundërshtim me te e me Z. t′Uej, që as nuk e keni përmendë si gjodhanë n′artikullin e fundit që shënon Hammer-i e që Ju e keni përmendë; ndonse teza e Z. Kaloshit dhe e Z. Kolgjinit që duket se janë përputhë, u paskan dhanë aq landë se me ju bindë. Tue qenë kureshtarë për këtê, pamë bashkë me z. Kapidan Nduen historín e Athanas Gegës, e cila ndoshta pse Ju ka mungue gjatë hartimit t′artikullit, ka ba që të mos e çekshit aspak këte tezë, jo në mënyrën që mtoj un, por së paku si e ka çekë ai. Shtoj se kurr ma parë historija e Z. Gegës nuk më ka pasë ra në dorë, mbassi mjerisht frangjishten nuk e njifshe. Dijshe vetëm se Z. A. Gega ka shkrue nji histori për shqiptarët, por jo se të çfarë periudhe. Tue e lidhë shka pashë në librin e tij prej faqes 31 – 34, ku flet për temën që kemi para në shqyrtim me atê që do të shënoj, u krepatova e mora zemër me Ju shkrue. Prandej edhe po Ju shënoj adresën e librit, të cilin ndoshta jeni në gjendje me e porositë: “L′ALBANIE ET L′INVASION TURQUE AU XV siécle – ATHANAS GEGA – Paris 1937- Librairie orièntaliste PAUL GETHNER 12 Rue 12 Paris”. Prej vargut të shënimevet që jep poshtë pasqyrohet mirë se âsht bazue në mjaft burime, për shka e lavdoni edhe Ju. Shënon edhe se për këte çashtje shkruhet në “Hylli i Dritës′ vj. 1931-1934, të cilët besoj se i keni. Për t′ardhë n′atê që mton gojdhana e Mirditës mu mbi këte çashtje, për hir të gjetjes së të vërtetës kishem me thanë se do t′ishte mirë, sikur ta kishit edhe Ju atë libër, mbasi mendoj se krahasimi e ballafaqimi janë mbulimi i të vërtetavet.

Urdhnoni pra këtu mâ poshtë të lexoni shka kam ndie e shënue (natyrisht tash shënime nuk kam këtu, pse kam dalë prej vendlindjes q′prej 1942, por mbajtë mend) prej plakut 89 vjeçar të katundit tem Domgjon i Fandit të Mirditës, Pal Gjikës; prej gojës së Tuc Përkolës nga katundi Lum i Bardhë i Qafës së Malit edhe ai plak 80 vjeçar e deri në nji shej vendi vërtetue edhe prej 95 vjeçarit Ndue Dod Marka Kolës së Grykës s′Oroshit:

“Heret dera mâ e madhe e Shqipnês s′Epër paska pa qân Dera e Prêncit Dukagjin, si e kapte prí ujit t′Matit Mjé m′uj t′Llapit si bje m′Kosovë. Si gjithnjeri t′zot e si e ka nêm Zoti njerin, ene ajo derë ka qân ngrânë me krent qera t′vokla e t′mdhoa; veqsi ka pas pushtet e urtojke gjithkâ i merrke mênja m′thue. Qahû u bâ ene me t′parin e Kastrës, si ka qân gjytet′i vjetër i Mêrditës e si e kan pa shem tërmetet qyshse s′mahet mên. Fërkêmet e tíj jan në sod m′Vigj t′Dibrrit, ku bregju i zallit t′Xhadrit. I Zoti i Kastrës si i thojshin Kastri s′i diti ví veti prí ni gatrrese a gjaku me bark t′Dukagjinve ene m′nifar shej veni u que e duel ene e lá. Miq e dashamêr vón ke i pari Dukagjin m′u hî nërmjet ene e lún tu i thânë: “Tei si jë Prênci in Dukafjin, ene Kastri âsht joni, ene na jimi t′ut: n′na desh nè, ene aj asht joti, asht Kastri-joti1)” Po asi shteku Dukagjinit s′ju theie mênja m′u nreq me Kastrin. Ki, tu ju tut sherrit t′prêncit, la gjiqa pat mas shpeinti ene shtoj e u ________________

1) Si sod e mbaj mend kur, si me dashtë me ma shtî në krye me zort, Lal Pali (se ashtu e thirrte gati krejt katundi), m’u gërmush: “Ma men biro: Kastri – joti.”

kap për kepa t′Krûs, nepse atohere Kastra paska pa qan me t′tana t′mêrat e Zotit. Si hiku Kastri aqe, sun lipi mâ cucë knej ka Shqipnêja.

Po ni gjâ se Kastrijotit i shkoi már me fushakët, se ata i ngjuen mâ mêr se malcakët. Aj vét nuk mêjt m′fúsh, po m′Krû ene kur erdh Turku me zaptue Shqipnên, aj i duel përbáll mâ fort se Prênci Lek Dukagjin. Po Turku hini me urdina t′mdhoa ene atohere Kastrijoti i qoi fjál Lek Dukagjinit: “tei si je Prênc Dukagjini po t′qoj t′falmeshndet un si jam Kastrijoti si ka ardh Turku me na pushtue dhén e me na nrrue fén, pratâ duhet me lidh bes e em e luftue m′njâ”. Ene Leka tu ju tút Turkut t′húej dau me luftue mnjâ. Qysh at′here ka met ene m′Kanu si gjaksort besatohen e luftójn mnjâ anmêkun e húj. Po kur itte Kastrijoti pa bés, ka pas mâ freik Lekën se turkun, pratâ gjithhér i ka pa nej gjati m′i lip bés Lekës; po ki u mërzeit me bés tash e bés mastashi ene i dha bés t′pacak e t′gjat mjé ke ta treisshin Turkun. Pratâ ka met fjala e moqme: “Me lidh bés si Leka me Kastrijotin1)”.

E shkrova kështu në dialektin Mirditçe, fjalë për fjalë si m′a kanë pasë rrëfye pleqt qe përmenda parez, pse kujtoj se kësisoji bje në vesh mâ mirë. U pëlqen edhe Jú.

Sa për vendin e kshtjellin e Kastrës po Ju lëshoj në dorë disa shënime që dij un me sa kam pae që m′i kthjelloi z. Kapidan Gjoni.

Kastra ndodhet në Bajrakun e Dibrrit, mu kundruell gojës që sajon lumi Giadër (Merditçe: Xhadri) me Vomën që âsht deg′e tij, e cila vjen prej Kalivaçit. Fushës që, si do ______________

1) At’here pa o tregon se asht dishka mâ ngiat nesh, ose, shka mund të jetë mâ me vend: kur ndajfoljes së kohës atohere i prinë ndonji fjalë me rroken e fundit ë zgjatueme, o-ja bjen, pse dialekti i Mirditës, si kujtoj un âsht mâ lakoniku; prandej na thotë me kuptimin e dyfishët: “Merditasit i hanë fjalët”, që këtu do me thanë germat.

të diftojmë ma poshtë tash âsht zallinë, i thojshin deri vonë “Fusha e Kastrit” e mâ vonë “Fusha e gjytetës”, kuptohet gjytetës, kalas së Kastrit a të Kastrës. Disa te na i thonë vetëm “Gjyteta”, shka tregon se aty ka qenë qytet, si do të shofim mâ poshtë.

Më dimnin e vjetit 1937, atëhere kur u bâ përmbytja e Myzeqès, e Fushës së Matit dhe e Zadrimës prej vërshimevet të lumejve përkatës edhe Giadri pat qenë tërbue e pat çue në hall të qenit katundin Mnelë, Kalivaç, Vig e krejt Dibrrin e Ulët. Mbasi lumi në fjalë i përbini me rrëmbim tokët e buta e të plleshme, i përplasi shkulmat përlás edhe mbi kalán e Kastrës tue rrëmbye përpara nji pjesë të madhe të saj me naltsí 4-5 metrash e me gjansi mâ se 30 metrash, tue lanë tullac pjesën tjetër gati me aq naltsí e rrethsjellës. Asht interesant me përmendë se gurët e pjesës s′epërme nuk bâjshin ndonji përshtypje të jashtzakonshme, por kur u zbulue pjesa e mesme (ndoshta brezi i mesëm i kështjellës), ajo duel e ndërtueme prej tullash shum të pjekuna e të forta si guri me përmasat afër 15-25-35 cm. Mbi to, si asht zakon në krejt vendet tona me iu rá më qafë kuajve të coftë, porsá flejti lumi n′amë të vet prej grafullimit, rranën sekush ma para shoqit e me shka mujtën shkapën e bajtën deri ke s′mujtën mâ. N′at valë ethesh, tue kujtue se mos gjejnë ndonji vjetërsinë, disa katundarë ia hynë me grrye, por kërçiku i vocërr, shpresa e vokët, si edhe lakmija e smira i nguci dhe hyni grindja midis Vigasve, Mnelasve e Kashnjetasve, të cilët i mtuen dy katundet e para me u dhanë pjesën e gjithatyne qe do të gjejshin rreth kalas e në nëntokë. Atëhere shtikan peng e pleqni dhe z. Kapidan Gjoni i paska pasë nda së keq me këto fjalë; “Xhadri e ka dá vétë pleqnên e as un as ju nuk kimi qa dájmë”.

                               * * *

Mandej; në rranzen e kvatundit Vig të Dibrrit duken edhe sod e kësaj dite murana e rrenore, shejet e njij qyteti të dikurshëm, qe simbas Z. (tash shokut) Prof. Petraq Peppo prej Korçe, të cilin besoj se e njifni edhe Ju si zelltar të çashtjeve historike, dikur paska qenë qyteti Kastra.

Në shqyrtimin e ekspozès (mâ fort pëshkrim fizik) që i pata dorëzue profesorit në fjalë për vendlindjen t′eme Mirditën me 1938, nji vjetë para se të mbarojshe Shkollën Normale t′Elbasanit, Z. Peppo ilustroi për atë vend se paska pasë qenë burim i pasun xehesh, sidomos në serm. Ky fakt arsyeton zejen e vendasve të parë, që kanë qenë argjentarë. Kështu Kastra, tue pasë qenë burim pasunije shum mâ me vleftë se Drishti e Zadeja e vonëshme, ka pasë nevojë m′u mprojtë e mprojtsi e rojtsi i saj e ka ruejtë thesarin në kasat1) e trasha “kastrasha” ashtu si do të ketë qenë sajue së pari kjo fjalë prej të parësh sonë. Rojtsi i kastrashës u thirr Kastri e kshtjella e tij Kastra2).

___________________

1) Fjala duhet përligjë me ndikimin e gjuhës latine, folsat e së cilës Rromakët duket se kanë hapë edhe xehen e ndërtue kshtjellën e mprojtjes s’arkës së thesarit. Në se merret që fjala “kastër” vjen prej castrum – castro – kështjellë, ku kanë dimnue e janë shqutue kuartjeret ushtarake, atëhere kishem me thanë se duhet kthjellue se kur i asht dorzue Kastrijotit kështjella për ruejtje e mprojtje, i kanë thanë: “qe, Kastra jote, ose si ngatrrohen gjinít, qe Kastri (i) joti, kështjelli yt.

2) Mbrapashtesa “joti” në mos qoftë sajue si puna e fjalës “ha, mer e ikë” Amerikë prej shqiptarësh, mbasi malsorët do t’i spjegojnë fjalët me gjuhën e vet që dijnë, atëhere duhet dyshue se mos asht ndonji mbrapashtesë e huej, mundësisht greqisht, si te fjalët Himarë – himar – jot – i, Pano – Pana – joti etj. Ndikim që mund të ketë mbetë prej kolonive greke, ose mâ drejt prej tregtís me tregtarët grekë edhe në viset bregdetare të Shqipnis së Veriut. Kështu me këtê shqiptarët kanë dashtë me nderue ndonji të parë, si puna e Kastri – jotve?

Me shkeljet sllave xehet e Kastrës u shfrytzuen e u shterrën aq fort, sa rojtsi i kastrës mbet vetëm zot i kshtjellës e zejtarët, mbasi nuk patën shka me punue mâ aty, shkuen e zunë vend në Prizren, ku ruejnë edhe sod e kesaj dite artin e argjentaris1), gati mâ të përmendun në Ballkan.

Z. Peppo pat qenë kënaqë tejet për gojdhanën që i kallxova e ai e lidhi ngjarjen kështu; tue kujtue Princët Dukagjin se mos Kastri kishte ende pare në Kastërashë (Kastër), lejuen cubat e tyne me rrëmbye thesaret që dyshojshin se ruen ende Kastri. Mirpo ky duket se vrau nji prej t′afërmvet të Dukagjinve dhe kështu del anmiqsija midis Dukagjinve e Kastrijotve, që simbas gojdhanës së Mirditës e bani Kastrin me u dyndë, fill e fill grindjesh për të cilin shkruen edhe historija, por që nuk merr para sysh gojdhanën tonë, porse shtimin e namit e të dhanavet, si edhe zilín e sundimit nga të dy palët.

 

Përmbledhje jetëshkrimi e Zef V. Nekajt

Leu më 14 mars 1919 në katundin Domgjon të Mirditës nga nji familje e vorfën.

Shkollën fillore e mbaroi në Konviktin e Mirditës, Orosh më 1930 dhe Shkollën Normale në Elbasan më 1939.

Më 1964 mori një BA në gjuhën e letërsisë ruse nga Instituti i Gjuhëve të Huaja, Monterey, Kaliforni (tash Instituti i Studimeve Ndërkombëtare të Monterey-t, Kaliforni), dhe më 1975 mori MA-n në edukatë e linguistikë nga Universiteti Berkeley i Kalifornisë.

 

Ka shërbye si:

1940-44 mësues e kryemësues në shkollat fillore Gojan, Mirditë; Kërçisht, Peshkopi; Popolan, Prizren; Irsniq, e Gjakovë.

1944-45 mësimdhanës e Zv. Drejtor i Shkollës Normale, Gjakovë.

1945-49 u dënue me 4 vjet burg (e pak mâ tepër) sepse u thye burgu e doli në mal) për arsye se kishte mbjellë mëní ndërmjet popujve vllazën të Jugosllavis. Kështu shkruente akuza.

1950-51 editor e përkthyes i “Komisjonit Pedagogjik”, Prishtinë nën kryesín e Prof. Zekeria Rexhës, i cili ndërhyni për punsimin e tij.

1951-56 Kryeeditor kultural i gazetës “L’Albanie Libre” e përkthyes vullnetar i emigrantave shqiptarë në zyrat e emigrimit të SH.B.A., Kanadas e Australis.

1956 për 3 muaj këshilltar për riorganizimin e Komitetit Shqipnija e Lirë nën përkujdesjen e Europës së Lirë, N.Y. nga ku dhetë këshilltarë zgjodhën: kryetar Dr. Rexhep Krasniqin me 4 antarë: Kapidan Ndue Gjomarkajn, Dr. Sotir Avramin, Ingj. Vasil Germenjin e Prof. Nexhat Peshkëpín.

1957-58 puntuer në nji fabrikë thikash në N.Y., dhe në nji fabrikë leshi në Ransselaer, N.Y., ku përdrodhi keqas kurrizin. Aty punonte natën e ditën vazhdonte studimet në Siena Kolegjë e n’Universitetin N.Y. të kryeqytetit Albany.

1958-74 instructor i shqipes, bashkëpunues i teksteve të gjuhës shqipe e specialist i kulturës e gjuhës shqipe n’Institutin e Gjuhëve të hueja për Mprojtje, Monterey, Kaliforní. Në shtatuer 1974 humbi punën për mungesë studentash.

1982 Me kontratë private nga Universiteti i Kalifornís aftësoi në gjuhën shqipe studenta kandidatë për doktorata, të cilët do të shkruejshin tezat e tyne mbi Shqipnín mbas luftës së dytë botnore.

1984 doli në pensjon, por më 1988-89 mësoi prap shqip me kontratë nji klasë t’Institutit të gjuhëve të Hueja për Mprojtje, Monterey, Kaliforní.

 

Përkthime nga Serbo-Kroatishtja ndërsa punonte në Komisjonin Pedagogjik, Prishtinë: 1950-1980

1950 Gjeli i Artë i Pushkinit, poezi, me Dr. Esad Mekulin,

1951 Përrallat Krillovit, poezi, me E. Mekulin,

1951 Ditët Gazmore e M. Aleçkoviqit, poezi, vetëm,.

1951 Kunora e Maleve e P. P. Njegoshit, poezi, me E. Mekulin privatisht me kontratë mbasi

e pat humbë punën në K. Pedagogjik.

1950 Antologjija e Shkrimtarëve Shqiptarë, bashkëpunim me shokët e punës,

1951 Historija e Shkencave Natyrore për Shkollat e Mesme, bashkëpunim.

1951 Shoqnija e Pjetër Macallungës, prozë, me Sulejman Drinin,

1950 Ledina e Lavrueme e Shollohovit, përkthye nga Vehap Shita e editue nga Nekaj privatisht.

 

          * * *

Nga Anglishtja:

1958 Vjersha për Ilirin prej Harry T. Fultz, pjesa e parë, botue në “Shêjzat”, poezi,

1960 Fustanella piktoreske shqiptare nga Faik Konica, prozë në “Shêjzat”.

 

Ka bashkëpunue me këto revista:

1950-51 “Jeta e Re”, Prishtinë

1951 “Buletini Pedagogjik; Prishtinë,

1957-75 “Shêjzat” e Prof. Ernest Koliqit, Romë,

1957-70 “Jeta Katholike Shqiptare” e Msgr. Zef Oroshit, Bronx, N.Y.

1981-94 “Buletini Katolik Shqiptar” Universiteti i San Franciscos, San Francisco, Kaliforni, editor: Gjon Sinishta. Bashkpuntori mâ i ngushtë i tij ka qenë Zef Nekaj nga botimi i parë deri sa vdiq editori. Këtu duhet theksue se n’asnji revistë në mërgim nuk âsht shkrue mâ shum për Kosovën, e Shqiptarët e Malit të Zi e të Maqedonís nga autorë shqiptarë dhe të huej – ma shumë anglisht se shqip.

 

Ka bashkëpunue në këto gazeta të mërgimit:

1952-56 “L’Albanie Libre’ (Shqipnija e Lirë) me drejtor Prof. Ernest Koliqin e editor Dr. Eduard Liçon deri 1985, kur Liço u largue vetë.

1953-54 “Vardari” botue nga Shemsedin Vendresha, Stambollë,

1953-56 “Shqiptari i Lirë” e “Komitetit Shqipëria e Lirë”, N.Y.

1971-80 “Lidhja e Prizrenit” e Organizatës “Lidhja e Prizrenit”*) N.Y.

1957-80 “Shqiptari i Lirë” e “Komitetit Shqipëria e Lirë”, N. Y. (i riorganizuem)

 

                * * *

*) Nekaj ka qenë bashkeditor i Lidhjes së Prizrenit për tri vjet gjatë 1980-ve. Kjo gazetë u botonte me ndihmat e përpjekjet e palodhshme të patriotit kosovar, Ingj. Xhafer Deva e shtypej nën kujdesin e Dr. Rexhep Krasniqit e Idriz Lamajt. Në funeralin e Ingj. Devës më 26 maj 1978 në Palo Alto, Kaliforní i bani një eulogji të shkurtë patriotit të pazavendsueshëm kosovar dhe bashkpunoi në redaktimin e librit përkujtimuer Xhafer Deva “Jeta dhe veprimtarija” me Dr. Rexhep Krasniqin, Ingj. Ago Agajn e Idriz Lamajn e Zef V. Nekajn.

            * * *

Këtu duhet shenue se Zef V. Nekaj të shumtën e artikujve të tij i ka shkrue me pseudonime, gjithsejt nja 12 psd, të cilat do t’i nxjerri në shesh kur e nëse do të mundet me i përmbledhë në nji ase dy vëllime.