Gëzim Saliu
Kryeministri: Ka shumë pika të përbashkëta mes rezolutës së vendorëve dhe draftit të qeverisë
Pas letrës së dërguar nga shoqatat e bashkive dhe komunave të kryesuara nga kreu i PD-së dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, ka ardhur edhe përgjigjja e Kryeministrit të vendit, Edi Rama. Në letrën e dërguar të martën e kësaj jave, të zbardhur vetëm dje, kreu i qeverisë bëri të ditur se ka konstatuar në rezolutë pika të shumta të përbashkëta me draftin e qeverisë. Në këtë kontekst, ai kërkoi nga lideri i opozitës që ta realizojnë së bashku reformën administrative territoriale e për këtë qëllim Rama bëri të ditur se është i gatshëm të zhvillojë një takim me Bashën. Por në letrën e tij, Kryeministri ka bashkangjitur si përgjigje shpjegimin e ministrit përgjegjës të çështjes, Bledi Çuçi, i cili hedh poshtë propozimet e të djathtëve dhe vendorëve për ta nisur këtë reformë me decentralizimin. Sipas mazhorancës, fillimi i punës me decentralizimin përbën një reformë të nisur së prapthi. “Qeveria me mbështetjen e partnerëve ka përmbushur të gjitha parimet e vëna në dukje në rezolutën e opozitës dhe se decentralizimi është një proces i vazhdueshëm, që do të thotë se duke ndjekur praktikën më të mirë ndërkombëtare, paketa e decentralizmit do të jetë faza tjetër e punës”,- thuhej në letër.
Letra
Në përgjigjen e Kryeministrit Rama ndaj letrës së shoqatave të bashkive dhe komunave, duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i mazhorancës për të përmbyllur reformën deri më 31 korrik, duke mos i lënë shteg opozitës për çështjen e ngritur si parësore nga ajo: decentralizimi dhe autonomia e pushtetit vendor. “E lexova me interes letrën tuaj të datës 3 korrik 2014 dhe dokumentin bashkëlidhur të një rezolute të miratuar prej Jush për Reformën Administrative Territoriale. Në përgjigje të asaj letre, do të gjeni bashkëlidhur edhe sqarimin e përgatitur enkas për dijeninë Tuaj nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z. Bledar Çuçi, i cili koordinon qysh prej ditës së parë, punën e shumicës qeverisës për këtë reformë. Për sa më takon, unë jam i gatshëm që nëse Ju e gjeni me interes të takoheni me ne, të ulemi dhe të gjejmë rrugën më të mirë të bashkimit të forcave për ta miratuar së bashku reformën e shumëpritur administrative-territoriale”, – shkruante Rama në letrën e tij. Më tej ai theksoi se koha ngushtohet pas çdo ftese që, sipas tij, opozita refuzon nga mazhoranca. “Por duke parë se në dokumentin e rezolutës Suaj, gjejmë shumë pika takimi nesh dhe jush, jemi të bindur se periudha e mbetur e sesionit kuvendor është më se e mjaftueshme për ta ndarë së bashku suksesin e kësaj reforme historike. Cilado qoftë përgjigjja juaj lejomëni t’ju falënderoj paraprakisht për letrën që më dërguat”, – përfundon letrën e tij Kryeministri i vendit. Letra e kreut të qeverisë është shkruar ditën e martën e ndërkohë Basha është njohur me të vetëm ditën e enjte, ditë në të cilën situata parlamentare mori tjetër rrjedhë, pasi Partia Demokratike vendosi të ndërpriste pa afat marrëdhëniet me Kuvendit, pas dhunës së ushtruar ndaj deputetit Strazimiri.
Rezoluta e shoqatës së vendorëve dhe PD-së për reformën territoriale
1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.
2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.
3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.
4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.
5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Vendimi
Këshilltarët e PD-së në Korçë bojkotojnë Këshillin e Qarkut, Mano: Kryetari, ilegjitim
Pasi mazhoranca me ndihmën e 4 këshilltarëve të djathtë, të cilët ndërruan kurs politik nga majtas-djathtas mori shumicën në Këshillin e Qarkut Korçë, Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë të gjitha mbledhjet e Këshillit. Kreu i ri i PD-së së Korçës, Andrea Mano, tha se ky Këshill është i paligjshëm dhe se kryetari i Këshillit nuk mund të marrë asnjë vendim, pasi nuk ka një mandat këshilltari në Këshillin e Bashkisë së Korçës. “Gjykata ka vendosur konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit nr. 32, datë 16.4 të Bashkisë Korçë, pra e ka quajtur të pavlefshëm marrjen e mandatit të këshilltarit. Në këtë kuptim moralisht por edhe praktikisht kryetari i Qarkut nuk funksionon, pasi në momentin që ka një vendim gjykate, sigurisht jemi në pritje të formës, së prerë, por moralisht një kryetar qarku që nuk ka mandatin e këshilltarit nuk mund të ndërmarrë veprime të rëndësishme sa i përket administratës apo veprime të tjera në Qark”, – tha ai. Më tej Mano shtoi se për sa kohë që gjykata është shprehur për pavlefshmëri të mandatit të Irena Nikaj dhe deri në një vendim të prerë të gjykatës PD nuk do ta njohë atë si kryetare. “Unë do t’u bëj edhe një herë thirrje gjithë këshilltarëve, pa dallim të majtë apo djathtë, askush nuk mund të bëhet marionetë e pjesë një kryetari të paligjshëm dhe sigurisht e vendimmarrjeve të paligjshme. Çdo vendim i marrë nga Këshilli i Qarkut nga ajo datë do të jetë i paligjshëm”, – theksoi kreu i ri i PD-së në qytetin e Korçës.