1953/ Letra e Mustafa Krujës,  pse dyshohet për Lekë Dukagjinin si autor i Kanunit?!

0
211

Vijon nga numri i kaluar

leke dukagjiniKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn për origjinën e Kastriotëve, Skënderbeut si dhe një nga debatet që si duket mbetën në letërkëmbim, që lidhet me origjinalitetin e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Më poshtë dhe në ditën në vijim, është letra e gjatë e Mustafa Krujës drejtuar Ndue Mark Gjonit, mbi këtë debat ku shpjegon prejardhjen dhe disa teza për legjendën e Kastriotëve.

 

                                                                                   ***

Un mik i juej, Ndue, por tue u rrekun me qênë edhe objektiv, sikur m’a ka ânda me qênë gjithmonë në kso rasash, në këtë përfundim kam mbërrîmë për Gjomarkajt me aqë lândë gjykimi sa kam në dorë. Po të dalin elementa të rij mund edhe t’a ndryshojnë bindjen t’eme. Ndër këta eelementa njeh edhe nji gjykim të ndryshëm tándin ase të Zefit.

Për Markolajt të kam bâmë disa pyetje. Por edhe me aqë sa më ke shkruem ti deri tash për ta m’a merr mêndja se mund të bâhet nji hypothesë. Nuk mund të jenë barku i Mar’Kolë Markut, mbasi ky ka qênë nji pinjuell i Gjomarkut e prandej edhe barku i tij âsht drejtpërdrejt Gjomark. Atëherë mund të na vejë mëndja qi Mar’Kolë Pali të ketë pasun nji djalë të dytë, vlla të Gjonit, prej të cilit të kenë zdrypun Markolajt e sodshëm me emnin e gjyshit, paralelisht me Gjomarkajt. Por pse me emnin e gjyshit e jo të babës ? Athue s’bâhet qi emn’i këtij babe, i cili, si thashë, ka qênë i vllai Gjonit I, të ketë humbun për nji shkak a nji tjetër ? Athue s’bâhet qi të ketë lemë mbas deke të t’ett e të jetë quejtun edhe ai Mark si i ati ?

E këtu po më duhet me tfilluem edhe nji mendim qi paskam lânë mângut mâ nalt pa mbaruem themën e Gjomarkajvet. Mbas thesës s’eme, tre brezat e parë, Pali – Kola-Marku s’përfaqsojnë kurrfarë personaliteti të jashtazakonshëm, posë qi kanë pasun fatin me qênë parlindsat e Gjonit I. E shi prej këtij fakti kishte me rrjedhun edhe besim’i popullit të Mirditës (apo t’Oroshit) qi Markolajt s’janë të Gjomarkaj, por “të ngjitun” me ta e tallja relative “të ngjitun si q…. për kulle” (por un s’mujta me e decifruem q…. -n se ç’fjalë âsht). Pra edhe mbas mendimit t’em do t’ishte e drejtë hypothes’e jote qi Markolajt mund të jenë barku i Marka Kolë Palit, veçse mungon ura qi i lidh me Gjomarkajt e kjo urë s’mund të jetë tjetër posë nji vllai të panjohun të Gjonit.

Ky kuvênd mund të quhet i shkurruem (esaurito, Kristoforidhi ; na në Krujë thomi u shkurrye hambar’i miellit – nuk mbet mâ asnji fije në tê ; ndryshimi pra âsht vetëm te – rrue e – rrye ; e në Merditë ?) pa nji sqyrtim kritik edhe të lândës qi më ke vûmë përpara ti

1. Atanas Gega e pështet origjinën e Gjomarkajve prej Pal Dukagjinit në nji gojdhânë familjare. Prandej rândsij’e pohimit të tij kufizohet me këtë gojdhânë e s’vè mâ përtej.

2. Sinqeriteti i ksaj gojdhâne familjare nuk vêhet në dyshim. Veçse gojdhânat për historinë kanë nji vlerë krejt relative, siç dihet. Fantasij’e njeriut s’ka frê, shpejt e bân mizën buell e njeriun drangue a kulçedër. Po bie nji shêmbull, jo mithologjike, por prej Krujës s’eme. Na kemi nji katund nën qafë të Shtamës qi e quejnë Cudhî. Gojdhân’e jonë pretendon se banorët e këtij katundi s’bâjnë propkopí, se i ka mallkuem Skënderbegu, sepse e paskan pasë tradhtuem, e janë gjind të pabesë. Un e kam vramë shumë mênden me këtë gojdhânë dhe kujtoj qi i a kam gjetun rrânjën, e cila âsht njikohsisht fetare e historike. Cudhî emn’i katundit, Gjudhî po e dijmë se cilit komb i thonë Shqiptarët. Gjudhîjt kanë tradhtuem Krishtin e Krishti prandej i ka mallkuem. Qyshë prej këtij mallkimi e tektej gjithë bota e krishtênë e din se ç’fat e ka ndjekun atë popull e në ç’konsideratë e ka mbajtun njerzija. Por i lumi Krisht s’e ka menduem kurrë qi emn’i tij do të bâhej dikur në fantasí të Krutanvet, sod të tânë myslimanë, Skënderbeg e Gjudhîjt banorë të qafës së Shtamës veç pse atje u gjind nji katund me emnin Cudhî! Ndoshta edhe ky ndërpretim i im âsht nji fantasí, por s’kemi asnji hije fakti historik qi t’a ligjojë gojdhânën e Krujës e prandej nji rrugë shum’a pak të gjashme duhet me i a gjetun.

3. Simbas D. Nikoll Kimzës, katundet e Hasit i paskan pasë lamë Gjomarkajvet pashtrakun e kullotës e të staneve të tyne në bjeshkë të Bishtrikut, qi ka qênë pronë e Dukagjinajvet. Ergo, Gjomarkajt e paskan pasë trashiguem atë pronë si paslindsa të Dukagjinajvet. Nji konkludim i këtilë mue më duket tepër i guximshëm. E pse nji Gjomark i fortë, ndoshta shi vetë Gjoni I, mos të ketë mundun me e grabitun atë bjeshkë me forcën qi ka pasun ? E pse mos të ketë pasë mundun me e blemë ?

4. Për mue s’ka asnji dyshim qi fantasí asht edhe gojdhâna, mbas së cilës Mirditas e Gjomarkaj paskan pasun për troje të vjetra zonën e Bishtrikut e i paskan dëbuem andej vllaznit e tyne renegatë! Ka edhe gojdhâna tjera qi duen t’i tregojnë Mirditasit ardhacakë të vonë ndër malet e tyne. E s’e kam marrë vesht kurrë se nga kanë mundun me lemë këto gojdhâna. Jam, veç, krejt i bindun qi Mirditasit janë autokthonë të viseve të banueme sod prej tyne e se për typ, djalekt e doke e zakone janë të njâjtë me Lumë, Mat, Dibër e Krujë e, sido qoftë, shumë mâ t’afër me popullsít’e ktyne viseve se me banorët e Hasit, madje deri me Shal’e Shosh me të cilët quhen vllazní e s’bâjnë krushqí. Qe deri ku mbërrîn absurditet’i gojdhânavet: Orosh, Spaç, e Kushnê mâ parë vllazën me Shal’e Shosh se me dy bajrakët tjerë të Mirditës!

5. Nji tjetër pohim i D. Nikollit më ka interesuem mjaft : nji Gegë Nikoll Lekë Dukagjini qi paska jetuem e dekun në Zejmen “gati 200 vjet” mbas pushtimit othoman e testament’i tij. Auktori do të na kishte dhânë nji lândë të bukur për studim sikur mos t’i kishte lânë këto pohime kaqë konkrete vetëm fjalë të thata. Ku e paska gjetun Auktor’i ynë këtë testament kaqë të rândsishëm ? Çë shkrueka ky ? Mbasi paska rrue në Shqipní deri 200 vjet

nën zotnimin tyrk nji Gegë Kolë Lekë (cili Lekë? I biri Palit ndoshta?) Dukagjin, pse Gjomarkajt, qi aso kohe ishin sigurisht gjallë e të njohun, pse ata s’u quejshin Dukagjin? Qi s’kanë pasun arsye me e ndërruem kët’emën e kam thânë mâ nalt.

6. “Der’e Gjomarkut âsht oxhak mâ i vjetër se oxhaku i Toptanit.” Po, s’ka dyshim qi âsht, me gjithë se Toptanvet, simbas Refik Beut, u thonte gojdhâna se rridhshin prej derës së Topisë. Porse, tue u dijtun se i par’i Toptanvet, qi e ka edhe sod – n’e paçin lânë komunistat pa i a shkulë themelat – vorrin në kalá të Krujës me datë e me ditë të shkrueme, ka pasë ardhun prej Rahice, me qênë Gjomarkajt mâ të vjetër n’Órosh se këta në Krujë âsht nji gjâ dhe me qênë a mos me qênë njâna lagje paslindës të Dukagjinit e tjetra të Topisë, âsht krejt nji tjetër. Të kishte thânë prift’i ynë se para Toptanvet s’ka pasun në Mirditë oxhak mâ të vjetër se Gjomarkajt do të kishte pohuem nji të vërtetë, por tue thânë se s’ka pasun oxhak mâ të vjetër se Dukagjinajt ka pohuem nji gjâ arbitrare, deri sa s’âsht provuem qi ata dý oxhaqe s’janë veçse nji i vetëm.

7. Kryqja: ajo kryqe ka qênë jo veç symboli i fesë katholike qi Gjomarku ishte betuem me veten e tij edhe me popullin e Mirditës për me e adhuruem, me e ruejtun e pruejtun me gjak n’atë krahinë, por edhe nji shênj i zotnivet të mâparshëm, pushtetin e të cilvet, mutatis mutandis, e kishin trashiguem Gjomarkajt. Asnji çudi pra qi këta t’i kenë dalë zot e t’a kenë bâmë të veten. E këtu le të shtojmë se nuk âsht edhe fort larg mêndes qi prej trashigimit të pushtetit të ketë lemë aqëzâni (equivoco), e

sajova e jam tue e përdorë për herë të parë) i trashëgimit të  gjakut.

Çeshtjen e rrugës Lesh – Prizren në lidhje me pushtetin e Gjon Kastrijotit kam ndër mênd t’a bâj subjekt të nji artikulli për Shqipnin’e Lirë, prandej s’po e kuvês mâ këtu.

Këtu, përkundras, do të kisha dashun mjaft me shtruem nji bisedim me Zefin e kështu me mbaruem edhe përgjegjen e letrës së parë të tij qi kam lânë mângut mbi themën e origjinës së Kastrijotvet. Por si thashë edhe mâ parë, më mëngon vepr’e Gegës e natyrisht edhe numrat e Hyllit të Dritës të vjetvet 1931 – 34 qi Gega paska përdorë ndër burimet e tija. “ Të cilët besoj se i keni” shkruen ingenuamente Zefi. E ku me i gjetun un i mjeri kolekcionet e revistavet shqiptare këtu n? Egjypt ? E kush pat mênd me menduem libra e shkrola kur kemi hikun prej Shqipnije ? Por mbasi qênkan vetëm nja tri faqe të veprës së A. Gegës qi flitkan mbi këtë themë (31 – 34), me pasun kush mundsinë e mirsinë me i kopjuem e me m’i dërguem, mund t’i a shtoj studimit të botuem në Shqipnin’e Lirë edhe atë pjesë qi mund të nxjerrë prej atij këndimi e ndonji burimi tjetër n’u gjindtë. Me këtë rasë kisha me folë edhe për gojdhânën e Mirditës qi Zefi m’a ka përshkruem aqë bukur. Duhet, veç t’a dijë Zefi qi un, tue e bâmë objekt diskutimi origjinën hasnjane të Kastrijotvet, nuk jam pështetun mbi nji gojdhânë, por mbi nji t’ashtuquejtun dokument historik mbi të cilin na flet Fan Noli dhe ka qênë shi ky dokument qi jam përpjekun me nxjerrë pa themel me deshmí njerzish qi njohin mirë Hasin e pohojnë se n’atë krahinë s’ka asnji fshat me emën Kastrijot siç na dëshmueka ai dokument. Më vjen keq qi s’e kam pasun atëherë as Gegën as gojdhânën e Mirditës për t’i analyzuem.

Tue pritun pra me durim për me pasun në dorë Gegën a nemose ato tri faqe të tij e mundsisht edhe ndonji send tjetër të botuem për me i shtuem gjâ kapitullit të Kastrijotvet, po cek tash për tash vetëm në sa pika të letrës së Zefit.

Në studimin t’em të botuem e pata quejtun të tepër nji analyzim etimologjik t’emnit. Shkruen historjani Konstandin Jireček – u në Vëzhgimet iliro – shqiptare : “…. Prej fillimesh të vocrra leu pushtet’i Kastrijotvet, kështu me kët emën grek : kastrijotis = qytetar, nga kastron = qytet (prej latinishtes castrum = qytezë, kështjell, kalá ; sepse polis = qytet, për Grekët ishte vetëm Kostandinopoli, kreqytet’i perëndorisë). Ç’ka lânë mângut këtu auktori çek po e plotsoj un. Sikurse dihet mirfilli, âsht nji zakon shum’i përhapun ndër ne Shqiptarët me marrë për mbiemën emnin e vêndit të lindjes, sidomos kur jemi dyndun prej atij vêndi në nji tjetër. Ky zakon zbatohet dý mënyrësh : mâ të shumtën tue e marrë emnin e vêndit të thjeshtë, ashtu si âsht, Kruja b.f. ; por nga nji herë edhe tue i ngjitun atij mbrapashtesën e vêndasit, p.sh. Krutani. Kështu qi mbiemni Kastrijot theorisht mund të jetë marrë, me mâ të fortën gjasë, prej nji vêndi të quejtun Kastër me mbrapashtesën greke të vêndasit – jotis. Kjo mbrapashtesë greke âsht mjaft e përdorun në Jugë, por në Veri mue s’më kujtohet t’a kemë ndëgjuem askund. Duhet pra logjikisht me besuem qi s’ka mujtun me bâmë nji përjashtim as familja e Kastrijotvet. Kështu qi vênd’i tyne s’duhet të ketë qênë nji Kastër, por nji Kastrijot. Do të thoni :”E po qe si mbrapashtesa greke i qênka ngjitun nji katundi të Gegnisë, pse mos t’i jetë ngjitun atbotë edhe nji familjeje?” Arsyeja âsht kjo, qi emnat e vêndevet mâ të shumtën s’i kanë ngjitun vetë Shqiptarët, por të huejt qi kanë zotnuem mbi Shqipninë: Latinë, Byzantinë e Sërbjanë. Kaqë besoj se mjafton. Po patët objekcjone e pyetje për të bâmë mbi këtë pikë, un jam gjithmonë këtu e shihni se me kê e shoh qi mund të merrem vesht s’përtoj as me folë as me shkruem.

Zefi e quen Lekë Dukagjinin vëlla të Palit, ndërsa Fan Noli e ka shënuem për të birin. Shikoni te Gega e ndonji burim tjetër, se këtê mâ duhet t’a dijmë me nji farë sigurije. Un këtu i kam fare të pakta burimet. Në qoftë se e keni gjenealogjín e Dukagjinvet prej De Grandit, Gegës e ndonji tjetri, ju lutem me m’a çue.

Jirečeku, po në veprën e citueme, shkruen se “paslindës Dukagjinaj ka pasun në Venedik e n’Ankonë deri në të XVII qv.” Shumë interesant pohim’i De Grandit për internimin e nji të biri të Lekë Dukagjinit në Liban. Sepse edhe në këtë vênd ka nji gojdhânë, simbas së cilës Mirditasit paskan pasë qênë dyndun prej Libani e shkuem në Shqipní e prandej qênkan…. prej origjine arabe! Qe edhe nji shêmbull i bukur e kuptimtar për vlerën historike qi kanë gojdhânat. Sihurisht, kisha me thânë un, i biri i Lekës s’do të ketë qênë internuem vetëm në Liban, por me shumë parí tjetër të shtëpisë së vet a farefis ase miq e ndjekës të tij. Këta kanë krijuem në Liban nji fis të vetin me kohë t’arabosun. Pa dyshim këta t’internuem në mes t’arabvet, tue qênë relativisht të pakë e pa gra me vete, prandej të shtrënguem me përziem shpejt gjakun e tyne me atê të vêndasvet, mbas nja dý faqesh (nji faqe njeriu = nji brez : fjala e parë âsht e përgjithëshme, i përket vetëm kohës së nji brezi njerzuer, ndërsa e dyta, brez, posë kohës përfshin edhe kuptimin e gjakut) e harruen krejt gjuhën e atdheut të vjetër. Por kujtimet e shumë zakone vazhduen me u ruejtun, ata flitshin atje për Mirditë e ky emën mbet i gjallë në gojë të tyne brez mbas brezi. Tekembramja, edhe kujtim’i Mirditës si atdhe origjinar i tyne u zbe aqë tepër sa qi mbërrînë me besuem qi s’ishin ata vetë gjind të shpërngulun atje prej Mirdite, por gjind prej sish ishin mërguem atje! Aqë më ka interesuem kjo gojdhânë kur e kam ndëgjuem, qi sikur të kisha pasun mundsí s’do të kisha lânë pa shkuem me e studjuem në vent. Se më kanë thânë madje qi ka edhe asish qi pohojnë versjonin e vërtetë. Do të hetoj nëse rron përnjimênd ende në Halep, si shkruen Zefi, ndonji Dukagjinzade.

Po pyes Zefin qi e thotë : nga e dijmë qi “të bijtë e Pal Dukagjinit mbetën në vent”?

Çeshtjen e Oroshit si pronë e Dukagjinvet apo e Kastrijotvet kam për t’a kuvêndun kur të kemë rend me folë mbi pronat e Gjon Kastrijotit siç e kam thânë mâ nalt. Zefi bân disa pyetje qi deri diku e gjêjnë përgjegjen në shoshitjen e origjinës së Gjomarkajve qi kam bâmë. Por tash qi jam tue përtrimë këndimin e tekstit t’atyne pyetjeve, po e shoh se aty – këtu paskan nevojë ndoshta për ndonji tfillim mâ t’imët. Madje po i a nis fill me leximin e fjalve të P. Valentinit, të cilavet po vu pështetka edhe vetë Zefi, mbasi për fat të mirë e kam librin “Studime e tekste”.

I lexova, e sinqerisht po më vjen keq me thânë qi s’m’a mbushën mênden asnji grimë. Po më vjen keq, po thom, sepse tue u njohun P. Valentini me të drejtë për nji studjues i zellshëm e i zgjuetë, po drue se jam tue u dukun ndër sŷ të juej nji kryeneç i keq qi don me pasun arsye me çdo kusht, edhe në të shtrêmbët! P. Valentini po pyetka tekstualisht : “Mbandej si spjegohet ai auktoritet në të premë të gjyqevet a n’interpretim të kanunit qi Gjomarkajt, pinjojt e Dukagjinvet, kanë pasë jo vetëm në Mirditë, por edhe ndër fise e bajraqe mâ të largta, mos të kishte lé kanuni në dorë të tyne?” Bre! Duket nji shqipe e kthiellët ky tekst, e me gjithë këtê, sidomos tue u kënduem mbarë artikulli, del tepër i ngatrruem, i errët e plot me kundërthâna. Auktori i a nis qyshë prej titullit me historin’e kanunit, me krahasime erudite vêhet me provuem vjetërsin’e tij me rrânjë të thella deri te Ilirët, Romakët, Gotët e Lombardët. Mbasandej kujtohet se këtij kanuni aqë të vjetër populli i thotë diku “kanun’i Lekë Dukagjinit” e diku “i Skënderbegut”, me do ndryshime të vogla ndërmjet të dyve. E lên Skënderbegun mbë nj’anë dhe merret me Lekën. Pohon nji herë qi nuk gjindet kund asnji dokument, asnji provë qi Lekë Dukagjini të ketë pasun ndonji farë gishti a nemose në kodifikimin e kanunit qi i vishet emnit të tij. Posë qi s’ka ndonji dokument e provë të këtilë, shton mandej, krejt fryma, “thalbi” i “kanunit të malevet” âsht “rranjësisht e pandërrueshmë-nisht republikan, ndërsa përkundrazi pushtet’i Dukagjinvet ka qênë autokratik”. Mirpo, s’kuptohet mirë se përse, Auktorit i pëlqen me besuem të kundërtën e thesës qi âsht përpjekun e bitse i a ka mbërrîmë me provuem deri këtu! E atëherë po, âsht e vërtetë se prej krahasimesh me ligjë e zakone të vjetra romake e tjera kanunit të “Lekës” a të “Skënderbegut” a të “malevet” i a gjêjmë rrânjët tepër thellë n’errsinën e kohës, âsht e vërtetë edhe se s’kemi asnji provë qi Lekë Dukagjini të ketë bâmë për këtë kanun as sa bán miza mbë fletët e se për mâ tepër frym’e këtij kanuni asht republikane kurse pushtet’i Dukagjinvet ka qênë autokratik; por… me të tâna këto të vërteta, na e dijmë mb’anë tjetër qi ka pasun në mesjetë edhe princa shqiptarë, e ndër këta kanë qênë edhe të Dukagjinit, të cilët edhe në kanë qênë autokratë, autokratij’e tyne ishte e kufizueme, “së paku ligjorisht”. Dhe kështu duhet të besojmë se Lekë Dukagjini âsht, po, auktor’i kanunit. Sepse, pa shiko nji herë, përndryshe “si kishte me u spjeguem…”? (Këndo mâ nalt). Amen!

Ju lutem, ndiqni me kujdes arsyetimin e P. Valentinit : Se ç’farë pushteti gjyqsuer kanë gzuem Gjomarkajt ndër malet t’ona të gjithë po e dijmë. Nji pushtet të këtilë për zbatimin e ndërpretimit të kanunit, ata nuk mund t’a kishin pasun sikur kanuni mos të “kishte lé në dorë të tyne”, dmth. të Lekë Dukagjinit, të nji stërgjyshi të tyne. Ergo baba i kanunit âsht vërte Lekë Dukagjini, siç e quen goj’e popullit. E pra kështu po na marrkan të keqen të gjitha krahasimet juridike të tija bashkë me të tânë socjologjinë qi s’na lânë me dyshuem asnji ças qi kanuni âsht nja njimijë vjet e përtej mâ i motshëm se Leka.

Për me provuem, në kundrështim flagrant me vetveten, se Lekë Dukagjini âsht auktor’i kanunit, P.Valentini na vên përpara … nji aksjomë më të thjeshtë : Gjomarkajt janë pinjojt e dukagjinvet! Por nji ças mbasi na e jep këtë aksjomë, vjen e thotë : “Pikë së pari, edhe un, në mos me argumenta të sigurtë në dorë, së paku simbas shênjesh qi ende s’kam mujtun me i përmbledhun e vûmë për fije bashkë, kisha me prjerrë kah ana e atyne qi i njohin Gjomarkajt për paslindës të Dukagjindvet mâ fort se kah ana e kundërt….” Sepse “po të mos ishin paslindës të Dukagjinvet, do të bâhej i vështirë kuptimi i atij pushteti qi u njohin atyne në punë të kanunit ato fise malesh qi këtê i a veshin Lekë Dukagjinit.”

Ȃsht e pamundun me i dhânë dum ksaj logjike: nga nji anë pushtet’i Gjomarkajvet në punë të kanunit i vjyen Auktorit për me pretenduem qi kanuni u ka lemë bash në derë, e tue qênë ata a priori pinjojt e Dukagjinvet,

legjislatori âsht Lekë Dukagjini; dhe nga ana tjetër âsht e vërtetë e kundërta : Lekë Dukagjini a priori âsht hartues’i kanunit, mbasi kështu e din populli, e pra mbasi Gjomarkajt kanë nji pushtet aqë të madh në punë t’atij kanuni nuk munden me qênë veçse Dukagjinë edhe ata!

Shkova tepër gjatë me kritikën e shkrimit të Valentinit. Por fajin e ka Zefi. Se për nji kalibër të tilë, si P. Valentini, nuk âsht pun’e lehtë me i a mbushun mênden as vetvetes se ka gabuem. Tash urtija e lyp qi mbasi të shêmbë njeriu duhet edhe me ndërtuem. Pra po përpiqem tash me ju bindun tý e Zefin se ku qëndron, mbas mendimit t’em sekret’i pushtetit gjyqsuer në Mirditë e përtej Mirditës për Gjomarkajt. Jo sigurisht në gjak e gjiní me Dukagjinajt, edhe sikur të provohej nji ditë se kjo lidhní âsht nji fakt historik. Çudí e madhe! Po athue se Mbëkâmbsi i Krishtit, për me u nderuem e ndëgjuem si i tilë prej të krishtênvet u dashka të jetë prej skotës së Tij?! Mos më thoni se feja âsht fé e kanuni kanun. Se, qe besa, për malet t’ona kanuni i ka rrânjët në shpirtin e popullit mâ të thella edhe se feja, qoftë e Krishtit apo e Muhamedit. Këtê e dijni shumë mirë edhe ju e mund t’a provojmë me nji varg shêmbuj. Gjomarku u bâ Gjomark jo pse i zdrypun prej Lekë Dukagjinit, qi s’qe; jo pse Lekë Dukagjini qe legjislator’i kanunit, qi s’qe; por vetëm e vetëm pse i duel zot e dijti me ruejtun e pruejtun atë relike të shênjtë mijvjeçare të popullit të vet. E, nota bene, s’e muer mbi vete e s’e kreu me faqe të bardhë këtë barrë për lakmí politike a tjetër natyre, por soll pse e ndiente e e ka ndiem gjithmonë deri në fund të shpirtit njipërnji si e ka ndiem edhe popull’i tij. Pushtet ushtarak për me i dalë zot kanunit? Paj si s’e ka pasun Gjomarku këtë pushtet ushtarak? Sa pare bân ushtrija me uniformë kur ke popullin të madh e të vogël, burra e gra me vete e me armë në dorë për nji çeshtje të shênjtë qi âsht e tija?

(vijon numrin e ardhshëm)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency