Miti gjerman zëvendëson atë spanjoll, tashmë në krye të botës

0
145

gjermania kupaEkipi i pancerave u shpall ditën e diel kampion dhe kjo duket si një ëndërr, e cila është bërë realitet, e gjitha falë punës së palodhur të skuadrës

 Botërori më i madh në histori. Ky ka qenë komenti i kritikëve pas mbarimit të finales së Botërorit të Brazil 2014 midis Argjentinës dhe Gjermanisë. Një kompeticion i cili dhuroi shumë, si në aspektin sportiv, edhe të spektaklit. Një maratonë e palodhur golash, emocionesh, lotësh dhe surprizash që për një muaj arritën të pushtonin vëmendjen e mbarë botës. Surprizat e para ishin eliminimet e ekipeve të mëdha të këtij turneu. Spanja, kampionia e botës në Afrikë 2010, Italia e Balotelit dhe Anglia që gjithmonë niset si favorite, por nuk arriti të shkonte larg. Kafshimi i Suarezit do të bënte zhurmë të madhe në rrjetet sociale dhe në media. Më pas portierët, me në krye Oçoan, magjepsën me pritjet e tyre, duke u kthyer si rrallëherë në një faktor mjaft të rëndësishëm për triumfet e skuadrave. Xhejms Rodrigez do të ishte sensacioni që do të mahniste me performancën e tij, duke u kthyer në një yll të ri të futbollit botëror. Ndërsa gjysmëfinalja do të sillte edhe rrënimin e madh të Brazilit që ishte deri para ndeshjes me Gjermaninë ekipi që duhej mundur. Mirëpo pancerat i shtypën lehtë, duke i poshtëruar me rezultatin 7-1. Finalja ishte mjaft emocionuese dhe transmetoi shumë magji brenda harkut të 120 minutave. Nga sfida Gjermania është kampionia më e re e botës në futboll, pasi ka mposhtur Argjentinën me rezultatin 1-0 në stadiumin “Maracana” të Rios. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Gëtze në minutën e 113-të. Në pjesën e parë pati një dominim të gjermanëve ku loja e albiçelestëve ishte e bazuar tek kundërsulmet. Hëvedes ishte shumë pranë golit ku goditi shtyllën për gjermanët, ndërsa Higuain humbi një rast vetëm për vetëm me Nojerin, duke e nxjerrë topin jashtë. Rrezikshëm u shfaq edhe Shyrle, por Romero ia mohoi golin. Higuain arriti që të shënonte, por goli u anulua për pozicion të parregullt. Pjesa e dytë nisi më mirë për Argjentinën, por pa kaluar shumë minuta evropianët e morën lojën në dorë. Kështu, 90 minutat përfunduan me rezultatin e bardhë 0-0. Koha shtesë ishte shumë emocionuese, ku Palasio për argjentinasit dhe Shyrle për pancerat patën rastet më të mira për të shënuar, por nuk ia arritën. Në pjesën e dytë të shtesës Shyrle jep një kros fantastik për Gëtzen, i cili shënon golin që përkthehet në trofeun e katërt në historinë e evropianëve. Në minutat në vazhdim amerikano-latinët nuk arritën që të barazonin rezultatin. Në fund atmosfera ishte shumë ekzaltuese, teksa Nojer dhe Mesi u kurorëzuan me tituj personalë. Gardiani gjerman u kurorëzua si portieri më i mirë, ndërsa “Pleshti” si lojtari më i mirë i kompeticionit. Katër herë fituesi i Topit të Artë nuk festoi duke shprehur trishtimin e tij që nuk arriti të ishte pjesë e këtij suksesi të madh. Gjermanët kështu shpallen mbretërit me kurorë, duke e sjellë suksesin e katërt që barazon atë italian dhe mbetet një mbrapa brazilianëve. Lëv është arkitekti i gjithë këtij suksesi që ka arritur të instalojë një model loje mjaft efektive dhe që gjithmonë arrin të shënojë. Mustafi ishte i pari shqiptar që arriti të shpallej kampion bote në futboll, ndërsa për femra kishte triumfuar më parë dhe Fatmire Bajramaj, e cila madje dy vjet më parë ishe dhe në garë për “Topin e Artë” si futbollistja më e mirë e vitit. “Falënderoj të gjithë shqiptarët për mbështetjen, ky trofe shkon edhe për ata që janë fansat e mi. Jam i lumtur që në Shqipëri dhe Maqedoni, edhe në Kosovë janë gëzuar për mua. Unë e kam fituar këtë trofe edhe si gjerman, edhe si shqiptar. Është një ëndërr për mua”, – deklaroi mbrojtësi që e pret një e ardhme e artë.

 

 PSG, e gatshme të paguajë për Di Marian

Paris Sent-Zhermeni po i afrohet një marrëveshjeje për transferimin e anësorit të Real Madridit, Angel di Maria. Sipas “AS”, të premten janë takuar dy presidentët, Florentino Perez dhe Naser Al-Kelaifi, të cilët kanë diskutuar rreth argjentinasit. Mançester Junajtid ka arritur marrëveshje personale me lojtarin, mirëpo nuk mund të paguajë shifrën e kërkuar nga “Los Blancos”. Ndërkaq, PSG është gati të shpenzojë 60 milionë euro, aq sa kërkon Perezi, për nënshkrimin e 26-vjeçarit. Largimi i Di Marias do t’i hapë rrugë Xhejms Rodrigezit që të kalojë në “Bernabeu”.

 

 Misioni “Rodrigez” kushton 85 milionë euro

Bos i Monakos, Dmitri Ribolovlev, ka filluar bisedimet me homologun e tij të Realit të Madridit, Florentino Perez, për transferimin e Xhejms Rodrigezit. Mesfushori Kolumbian ishte i jashtëzakonshëm këtë botëror ku shënoi gjashtë gola dhe u shpall golashënues. Rodrigez ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar Realit dhe madrilenët janë hedhur në sulm. Mirëpo, duket se ata nuk do ta kenë të lehtë për t’ia arritur qëllimit, pasi klubi francez kërkon 85 milionë, njofton “L’Equipe”. Xhejms kaloi te Monakoja në verën e kaluar nga Portoja për 45 milionë euro, mirëpo ai ka dëshirë të madhe që të luajë në Madrid. Reali është duke planifikuar ta shesë Angel di Marian dhe me paratë e tij ta blejë 23-vjeçarin.

Guardiola: Gjermania e meritoi fitoren

Pep Guardiola deklaroi se gjermanët janë fitues me plotë meritë të Kampionatit Botëror, duke u bazuar në paraqitjet e tyre në Brazil. Të zgjedhurit e Hoakim Lëvit e mposhtën Argjentinën në finale (1-0), ndërsa ishte skuadra më e mirë gjatë gjithë turneut. “Është mahnitëse për Gjermaninë. Dua t’i uroj të gjithë lojtarët e mi dhe trajnerin Hoakim Lëv. Le ta shijojnë këtë triumf të jashtëzakonshëm të Kupës së Botës. Gjermania e meritoi plotësisht”, – ka thënë Pep për faqen zyrtare të Bajernit.

 

Maradona: Mesi nuk e meritonte Topin e Artë

Diego Maradona mendon se Lionel Mesi nuk e meritoi ta fitonte Topin e Artë si futbollisti më i mirë në Kampionatin Botëror. Superylli i Barcelonës mposhti konkurrentë, si Tomas Myler, Arjen Roben e Xhejms Rodrigez, për ta fituar çmimin prestigjioz. Mirëpo, njeriu që e ka mbështetur gjatë gjithë kohës, mendon se ai çmim nuk i takoi atij. “Mesi? Do t’ia jepja parajsën po të mundja. Mirëpo, mendoj se nuk është e drejtë që dikush të fitojë diçka që nuk e meriton vetëm për shkak të ndonjë plani marketingu”, – ka thënë Maradona në një emision televiziv. Ai ka shprehur zhgënjimin pas humbjes së Argjentinës nga Gjermania në finale, ndërsa ka thënë se Alehandro Sabeja gaboi kur e largoi Ezekiel Lavexin nga loja dhe e inkuadroi Serxho Agueron, pasi ky i fundit ishte në formë të dobët.

Skolari jep dorëheqjen

Luiz Felipe Skolari ia ka paraqitur dorëheqjen e tij Federatës Braziliane të Futbollit, pas përfundimit zhgënjyes të Kampionatit Botëror. Seleçao konsiderohej favorit për ta fituar turneun, mirëpo ata u turpëruan në gjysmëfinale 7-1 nga Gjermania dhe pësuan në ndeshjen për vendin e tretë 3-0 nga Holanda. 65-vjeçari fillimisht refuzoi të dorëhiqej duke thënë se kishte edhe shumë për t’i dhënë përfaqësueses, duke ia lënë në dorë Federatës që të vendoste. Megjithatë, ai e ka kuptuar se ishte koha të tërhiqej. Në angazhimin e dytë si trajner e Brazilit, Skolari e udhëhoqi skuadrën drejt 19 fitoreve në 29 ndeshje dhe fitoi Kupën e Konfederatave në vitin 2013.