Shembja e dashurisë…

0
233

Barbara Pogačnik – Slloveni

balthus the roomBarbara Pogačnik është fituesja e bursës së dytë (qershor/korrik 2014) mes 43 kandidatësh për në Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë, nismë që vjen rishtazi vjen si pjesë e projektit “TIRANA in BETWEEN”, organizuar nga POETEKA dhe mbështetur nga TRADUKI & Ministria e Kulturës. Barbara Pogačnik (Slloveni, 1973), është poete, përkthyese dhe kritike letrare. Ajo ka kryer studimet në Universitetin Katolik të Louvain-it, Belgjikë, në degën gjuhë letërsi ndërsa studimet master i përfundoi me sukses pranë Universitetit të Sorbonës në Paris, Francë.

 

                       LEJLEKËT E PËRFLAKUR

Kur u ktheva në shtëpi, apartamenti psherëtiu,

si një kalë i lodhur nga pesha e vet.

Dhoma që sapo kisha lënë kishte ngelur

e hapur pakëz si këmishë e zbërthyer,

si frymëmarrje e ngadaltë,

një frymëmarrje prej kohësh e penguar.

Ballkoni varej mbi ne si mëngjes këmbëgjatë

mbushur plot me vinça të hekurt lëvizës.

U përpoqa ta çaj rrugën përmes nyjes gri

që më ish mbledhur në grykë,

Palma e sapo larë pikoi për një çast.

 

Vinçat mund ta kthejnë botën përmbys,

apo ta ngrenë lart: ata ndërtojnë sa mijëra kuaj bashkë.

Shembja e dashurisë është një proces i qëndrueshëm.

Herë ngjason me shkuljen e vetullave,

e herë me operacionin pa anestezi.

Frigoriferi gumëzhin, tubat e gazit shigjetojnë

shkëndija drite dhe moti shfryn.

Një pikë uji derdhet në skaj të enëve të palara.

Dukej sikur dikush kishte rrëmuar në apartament

nën shumicën e shtrojeve të mija ndërkohë që udhëtoja dhe

teksa ai priste me durim kthimin tim.

 

Tani këtu gjendet një fole zogu, dhe zjarri e përpin: flaka e mirë,

rrahje të forta flatrash i ndajnë nga uji shpëtimtar,

lejlekë të zjarrtë, lejlekë të përflakur.

 

  PEMËT

Nuk kam pushtet mbi pemët brenda meje.

Mbi pemët pa dhé

me fara imcake ndër gishtat e tyre

me kurorat të qethura gjethesh në zemra,

në mushkëritë e veta. Pa thënë asnjë fjalë, gëlltisin gjithë

kuptimin e fjalëve. Madje edhe kur fle,

përse dridhem prej frikës se sytë e tyre

do të zhduken? Është si të shohësh shtresa

mbi shtresa ujërash të panumërt që nuk përgjigjen.

Pemët përhapen si avujt, si bomba atomike. Krahët

e tyre më largojnë. Pemët e ruajnë heshtjen mbi gjuhë,

një siluetë e të rënëve ngritur pavetëdijshëm prej një guri rruge.

Papritmas, kjo qartësi lëndine përreth, qëndron:

a mund të ketë nisur mbi një fjalë?

Heshtje për momentin, e pafundme, e përjetshme

heshtje: prani e një trupi në një ditë çfarëdo, përmbi

shtresa ujërash të panumërt.

 

Pemët: ato kanë përpirë largësitë tek preheshin

në brigje të qeta liqenesh. Duke i hyrë në hak

anës së padukshme të hënës, fijeve si koka heshte të barit

premtimeve që vetë nuk i mbajmë dot.

Ato i kanë ende në vesh

se kush përshkoi largësi kaq të mëdha.

Askund nuk duken krahë pemësh, e megjithatë

gjethet bien pa mëshirë përdhe

çaste, si pika që kalojnë nëpër horizont.

Pemët: ato dridhen me padurim, por pesha e tyre

shkel mbi to, se janë të parat, me radhën

që i vjen përpara zemrave. Qafë lejlekësh dalin prej liqenit

përpara syve të pemëve, dhe,

duke vizatuar një kub në vijën e horizontit,

veniten pa bërë zë.

 

Kjo tokë, fustan i rrudhur prej pafundësie

e prej guaskash të vdekura, në gjurmën e një rrethi mijëvjeçar.

Duke lejuar duart e shndritshme të dallgëve vigane që t’a përlajnë

si një lloj kafshe të therur.

Asnjë kufi, asnjë vijë bregdetare – të paktën pemët

s’mund ta kuptojnë. Duke besuar secilin

në rritjen e tyre: erërat dhe fjalët

e shpërndara në qepjet e shqyera të arsyetimeve racionale

Pemët, vrapojnë të forcuara në rrozullin e ngushtë

të njerëzve të rrethuar nëpër shekullin e tyre.

Ku janë sytë tuaj prej peme,

që një spërkatje mirësie të mund të derdhet mbi to?

Përse të presësh cepat e guaskave, të qepësh pëlhurën e tokës?

Përse të dridhesh prej frikës se mos sytë humbasin,

kur pemët munden të shohin?

Përktheu nga anglishtja Julian Qineti në bashkëpunim me autoren

 

                      Profil

Vëllimi i saj i parë me poezi, i titulluar Poplave, u botua në vitin 2007 nga shtëpia kryesore botuese sllovene, Mladinska knjiga. Ky vëllim u nominua për çmimin e librit më të mirë debutues si dhe për çmimin Jenko (çmimi për librin më të mirë poetik të vitit që akordohet në Slloveni).

Libri i saj i dytë me poezi, të titulluar V množici izgubljeni papir (Fletë letre të humbura mes turmës), u botua në 2008 nga shtëpia botuese LUD Literatura dhe u prit nga kritika me vlerësime tejet pozitive. Libri pasardhës, i titulluar Stopinje po rižu (Gjurmë në oriz) është në proces botimi, së bashku me përmbledhjen tjetër poetike të autores, të titulluar Jed z oblaki iz konzerve (Një pjatë me re konserve).

Poezia e Barbara Pogačnik dallon për intensitet dhe ndjeshmëri të lartë. Në të gjen një bashkim të mrekullueshëm të asaj që trashëgojmë si kujtesë vetjake dhe si kujtesë e të tjerëve që rron te ne, kujtesën e kulturave dhe gjurmën që sistemet politike lanë.

Por veç këtyre, poezia e Barbara Pogačnikështë edhe poezi e kthesave të befasishme, që di ta shndërrojë të përditshmen, socialen në teksturë poetike afatgjatë, në të njëjtën mënyrë sa di që edhe motivet biblike apo simbolikat e tjera urbane, detare apo tokësore, t’u japë kuptime të së përditshmes, kuptime të cilat na vlejnë e na mbeten në gjatë ndër mend, herë si imazhe e herë si tinguj, pa mëtuar të jenë as udhërrëfyes, as mësues, as kod etik apo një estetikë e mbyllur në ndonjë rrymë a zhanër të caktuar. Thjesht dhe qartësisht poezi.

Aktualisht, autorja është duke vijuar punimin mbi një sërë projektesh eseistike dhe tematike si dhe boton krijimet e saj në faqet e revistave letrare të mirënjohura të Sllovenisë si Sodobnost, Literatura, Nova Revija, Apokalipsa, Poetikon etj….

Poezitë e Barbara Pogačnik janë përkthyer në disa gjuhë dhe botuar në një sërë antologjish si p.sh., Le fleuve les regarde dans les yeux (në frëngjisht, 2011), In Unfriendly Weather (në anglisht, 2011), Szesnaście poetek słoëeńskich: antologia (në Polonisht, 2012), ואינייכוללהשיגאתהשקט (Ve eini yachol lehasig et hasheket; (në Hebraisht, 2013) et Onze poètes slovènes (Paris / Meksiko, në frëngjisht dhe spanjisht, 2013), si dhe janë përkthyer gjithashtu në italisht, finlandisht, serbisht, hungarisht, gjuhën katalane, sllovakisht, rumanisht, suedisht, kroatisht, gjuhën uellsiane, bullgarisht, turqisht dhe së fundmi edhe shqip. Kjo krijimtari do të botohet gjatë muajit gusht në revistën POETEKA.

Barbara Pogačnik është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve sllovenë si dhe anëtare e Shoqatës së Përkthyesve Letrarë të Sllovenisë. Përkthimet e saj nga frëngjishtja përfshijnë autorë si mjaft të njohur nga letërsia franceze, të tillë si Pierre Reverdy, Maurice Blanchot, Henri Michaux, O.V.de L. Miłosz, Michel Deguy, Paul Ricoeur, Roland Barthes, Jacques Derrida, Hélène Cixous, Jacques Lacan, Jean Baudrillard, Jean-Luc Nancy, J.M.G. Le Clezio, Raymond Roussel, Jean-Luc Marion, Michel Leiris, Marguerite Duras dhe shumë të tjerë.

Autorja ka kontribuar gjithashtu me përkthime nga gjuha angleze, italiane, serbe dhe kroate. Që nga viti 2001, është anëtare e redaksisë së revistës letrare sllovene Literatura si dhe redaktore kryesore e revistës Litterae slovenicae, botuar prej Shoqatës së Shkrimtarëve Sllovenë. Në vitet 2002-2004 ka mbajtur një post drejtues në Departamentin e Studimeve të Përkthimit në Universitetin e Ljubljanës si dhe anëtarësinë në Bordin Administrativ të Shoqatës për të Drejtat e Autorit të Sllovenisë.