1953/Letra për Mustafa Krujën, urdhri i Enver Hoxhës për të dërguar dokumente historike për t’u djegur në Serbi

0
189

enverKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga botuesi ekskluziv “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit çdo ditë, të disa letrave të rralla që ndjekin historinë e Shqipërisë që nga instalimi i sistemit komunist

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga botuesi ekskluziv “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit çdo ditë, të disa letrave të rralla që ndjekin historinë e Shqipërisë që nga instalimi i sistemit komunist, në ’45, e në vazhdim përgjatë instalimit, duke zbuluar e dhënë informacione jo vetëm politike, po duke shpalosur njëkohësisht kulturën dhe mendimin e Mustafa Krujës përballë personaliteteve shpesh të panjohur në historinë tonë. Një pjesë e kësaj historie është në letrën e mëposhtme me Zef V. Nekajn, një studiues i panjohur, ashtu si me Krujën, por që befason në argumentin e tij me studimin e historisë, në letrën e mëposhtme është fragment nga pasqyra e situatës mbi dokumentet dhe librat shqiptarë, në kuadrin e letërkëmbimit si do të shkruhej historia.

 

***

I ndershmi Zotni Mustafë,

Nuk dyshojshem se nuk do të merrshem përgjegjen e Z. Suej, por kur Z. Kapidani më pat njoftue se ndodheshit të sëmundë, diqysh m’erdh me e munshtue vetin sepse U paskam sjellë trazim me plotkuptimin e fjalës. Sidoqoftë Ju me të gjitha barrët e edhe atê të sëmundjes, për të cilën uroj T’U ketë kalue, e kryet tuejën dhe u gjegjët, për shka Ju falënderoj thellë nga zemra, gjithnji tue U kërkuem ndjesë.

Si çdo i ri qi nuk e mban menden harû, edhe un kam nevojë për dashtuni atnore, jo pse nuk kam át – pse atê e kam 70 vjeçar tue u dergjun në burgun e Shkodrës q’prej Gushtit të 1949 e pra tue më dhanë mësim vazhdimisht-, por pse át atdheu e dije âsht bukur zor me gjetë.

E dij mirfilli, se edhe Ju do të keni, e keni pasë të drejtë, me pritë përgjegjen prej meje; por, qe, ndonse pa kohë, prej Tetorit e deri tash, jam shtrue tri herë në spitale e klinika dhe ditën mbassi mora letrën Tuej, m’u desht me u shtrue rishtas e befasisht. Dola mù natën e vjetit të rí 1953 dhe tash gjindem ma mirë e do të përdori barnat e ndjeki këshillat e mjekut. Këso here prandej po Ju shkruej pak, aq sa me U sigurue se do të mundohem me iu përgjegjë letravet Tueja, përsa do të më lejojnë mundësit e mija, pa pikën e pritesës.

Guximi i em apo trimnija e marrë U ka dhanë shkas e shtî thartim Jú, por m’anë tjetër për mue âsht nji ndriçim i vlefshëm e mësim qi mbahet mend mâ mirë se çdo tjetër, pse ai më drejtohet mâ së pari e pikërisht mue. Pasqyra mësimtare, jo ex cathedra, por njiherit me urtín e dashtunin klasike, më paqson e ngushllon, por edhe më shtrëngon të hapi syt e veshët e të ndigjoj sikur t’U kishem këtu përpara.

Ua kam çekë qysh heret ngalësin teme e pra nuk kam se shka mundohem me i nxjerrë vojit új, por më duhet me e përdorë atê me mëlmye haen me tê. Sidoqoftë Ju si përfundim të së vërtetës shkencore historike, në mos u gabofsha, vini aty sa të bini e të pushoni n’atê qi dikur Branko Merxhani në Përpjekja Shqiptare e ka pasë quejtë “FORCA E NDRITUN”. Ju këtê nuk e keni përmendun në letrën Tuej, se ndoshta nuk i ka ardhë rendi e un po kaloj si karkaleci (Mr. kaçikrra), pse dishka s’po më rrihet. E mbasi mue, si e keni zgjedhë me kokërr, më djeg mâ fort problemi i jetës o i përdarjes së ngadalëshme kombtare se sa çoroditja e idevet, pshtym’e lpimja e mbrapakthesat, do të vijshe në këte përfundim: “Punët e mëdha i ka krye, po gjithmonë dora e fortë në bashkëpunim me menden e ndritun. Këto kanë diktue edhe drejtësin, e cila âsht e pazbatueshme tanësisht e mbetet si çdo gjâ relative.” Por na, sado ndriçim e mirëkuptim për të vërtetën të kemi mbasi për natyrë të numrit tonë nuk mund të sajojmë forcë vetëm për përballimin e forcës së madhe, madje as edhe forcë shpirtnore intelektuale sa me mujtë UN-in vehtjak për hir t’UN-it kombtar, nuk mund t’a kapim të drejtën tonë me këtê mashë. Të tjerët dalin te zbatimi i forcës nën çdo mësallë qi të shtiren. Ky zbatim kënaqë epshin e tyne, pa kqyrë për të dobtit (nê). Na vetë forcën tonë, qoftë edhe t’un-it, e përdorim drejt për qëllime vehtjake e pra në dam t’unjisis kombtare. Pushteti i dorës së fortë e ka hijen e randë e shkenca e historís nuk ia kursen vëllimet; por un m’anë tjetër vê rê se, sadoqi p.sh., Skenderbeu i ynë âsht pranue tashmâ thuejse zyrtarisht për shkencën historike si nji ndër mâ luftarët e kohës së vet, qi mprojti njiherit kombin shqiptar me të drejtat e tij, kristjanizmin e qytetnimin prendimuer, përsëri Europa e kristjanizmi e prendimi për hir e mirënjoftësi të tij sod nuk ban e as nuk do të bante asgjâ, po të mos duem na vetë me jetue si komb, qoftë nën forcën e ndritun, ose nën rrymën e ides rrethsjellse shumherë të çoroditun, si e queni Ju. Në rast se Ju këtu më thoni se këto janë gabimet e shtrembnimet e njerzvet, atëherë do të marr guximin me iu pyetë se a e krijojnë historin të bamet e njerzvet?

Un mendoj se në rast se na mbështetemi në ndonji forcë, kishem me thanë se ajo forcë nuk âsht e jona, sadoqi krahët e gishtat për me vrá njani tjetrin janë, po, tonët. (Na jemi si nji nanë mamtushë me dy – tre binakë, qi e ruptojnë pa ia da). Për natyrë numri e vendimi gjeografik jemi të vogjël. E kur kanë tregue ndonjiherë forcë të vogjlit, posë shpurdhjevet e cingrimavet? Për këto e në bâftë me e marrë punën pupahajt, (i vogli) kah s’ia ka kërçikun, të tjerët e miratojnë e e ulin kambkryq me pikën e zorit. Prandej shtrëngohet q’mâ përpara mos me bâ zâ. Shkandullimi i ynë dje edhe sod âsht diktimi. Mbasi âsht fjala për të vërtetën historike tonën, Ju lutem më lejoni t’U pyes a âsht kjo historija e jonë dhe a mund të lakojë historjani pa e shkrue? Apo nuk do të shkruhet? Këte të vërtetë qi po e regjistrueka barometri meteorologjik i shkencës së historís, a e suell mâ fort e drejta e njohtjes së popullit shqiptar si komb, apo kryqzimi i interesavet të hamësavet gojëhapët? E vërteta e sodshme historike a âsht kjo qi na po përjetojmë e shofim me sy, apo ndonji tjetër qi duhej t’ishte? Rrethi Platonik i sistemevet qeveritare a nuk âsht provue tashmâ në mos krejt prej nji vendi, pak këtu e pak aty, në tanësi? Qe, edhe utopija komuniste e sodshme!… A âsht e tillë? Un nuk jam në gjendje të thom asgjâ për tê, posë kësaj qi me krahin e njerzvet nën çfardo trajte, po ban punë të mëdha për kërçikun tonë! Gati gjymsa e shtypit të botës shkruen se ata puntorë fatzez e ndiejnë vetin të kënaqun kur kthehen prej pune e ashtu të lodhun iu duhet me lëshue të grahmet e fundit të ditës në lavdim e përjetsim të rregulltarvet komunista. Gjymsa tjetër e shtypit botnuer vërteton se ata njerz janë në punë përdhunuese e nuk ndijnë kurrfarë kënaqsije. E vërteta âsht se punët, qoftë edhe me eshtna e gjak, kryhen e shtatore e pllaka e përmendore ngrihen. Se kuj, po dihet. Dashtë e pa dashtë analfabetizmi paksohet. Posë atyne qi urdhënojnë, thuejse krejt punët bâhen me përdhunë. Nji pjesë e madhe zhduket përgjithmonë. Ndër ta jemi të kërcnuem edhe na, së pakti. Ne rast se na jemi vërtetë ata qi do t’i sjellshim popullit prapsín, qofshim bâ flija për të mirën e të mbarën e tij! Po a nuk âsht ndonji arsye tjetër pse na jemi shtjelmue? I kuj âsht faji? A mund t’a zhbâjshim na, sado vullnetmirë qi t’ishim?

Pa dyshim se e kam kapërcye kapërcyellin e Ju do të më lëshoni në hullí dalëkadalë, por mue gjithnji, pa kqyrë lajthitje, rrëshqitje e marrina të rastevet e të njerzvet, m’intereson vetëm jeta e jonë e historija e jonë. Këtu, prandej po vê një kllapë gjarpnore e më falni pashi besën, pse un nuk kam qëllim polemizimi, mbasi edhe s’ia kam kohën e zotsín, por vetëm vajtimi: Nëpër piskut më kanë bâ veshët (po nuk mundem me dhanë hollësina, pse e dij qi s’duhet me prekë shumsend me krande) se âsht në përgatitje e sipër nji dokumentar i rrasët italisht i drugzave shulevekore italoshqiptare, ku u theksueka se N. t. Mbreti Zog, porsa kishte pasë marrë “tirq e xhurdî” haxhet në Beligrad për me shkue krushk te e bija e vet, dhanë n’Itali, njiherit kishte pasë qenë pajtue me nji shpërblim nderi për të paditë botnisht ata qi ia kishin shqye tlindat së bís para se të bâhej nuse dhe Ai, tue dashtë me ia ruejtë nderin me heshtje,

s’paska pasë bzâjtë. Tash, edhe pse të flasi bija âsht plakë e në rrudhat nuk duket fort skuqja; prandej ajo prej burrit zeshkan, ka kalue te burreci kuqlosh.

Un besoj se këso përmbledhjesh s’do të sajojnë historín tonë kombtare, por, me lirín e dashamirit të çeltë U pyes Jú se sa gishta, pllambë e pash do të jetë ndryshe prej kësaj? E dij, prap do të më thoni se kam ngatrrue politikën me historí, por un do t’U pyes se ata qi ndikojnë në shkrimin e historis me të madhet, a nuk janë prîsat e popujvet? Ju më gozhdoni kur shkrueni të vërtetën e idhtë të shkencës: “Shkenca do t’i shërbejë njerzisë vetëm atje ku mundet me i sherbye ashtu siç âsht përnjimend.” Tash në rast se puna e historís sonë kombtare do të merrej si rasti i Pitagorës me ushtarin, atëherë shkencërisht do t’ishte mirë, pse na do të kishim kënaqsín morale të pitagorizmës; po kur na të mos jemi mâ në numër materjalisht (kujtoj mbasardhësat tonë), a thoni Ju se do të lâje aq përshtypje në botën e ardhshme shkencore qenja e jonë e dikurshme sa ka lanë puna e kujtimi i Pitagorës? Pa marrë parasysh asnjisend tjetër, kishem me ngulë kambë si materjalist i keq qi edhe në mos e shtofsha, së paku ta ruej numrin, pse ai âsht shkencëtari i pagabueshëm i të gjitha kohnavet, dredhavet e zhdredhavet. Në kuptimin kombtar, qi ai për hire e çfardo të mire të këtij shekulli mohon numrin, historija do t’i fali mbiemnin qi meriton shkencërisht: hjekës.

Tue u reshtë aty ku më thoni qëllimin e përpjekjevet Tueja, un nuk kam dyshim në shërbimin qi i bani historís së vërtetë si shkencë, shka edhe mâ parë e kam pranue e nuk duhet t’i luej, por kah m’u kujtue vendimi i marrun prej Ministris s’Arsimit të Serbis (Seksjoni kulturuer e historik) përsa i takon mësimevet të historís në shkollat e mesme e fillore shqipe të Republikës së Serbis, Malit të Zi e të Maqedonis, më kapi si njilloj ankthi e kah lexova shkrimet Tueja, deshta me thanë me atë letrën e parë se kurkund ku mësohet shqip, s’duen me dijtë për të vërteta shqiptare, por e paraqesin punën, historin e shkencën njashtu sikur të duket se kombi ynë ka lê me luftën nacjonal – shlirimtare. Un nuk jam prap i bindun se kjo do të jetë vula e historís, por më bâhet se njifarë gjurme âsht tue e lanë, sidomos në rast se nuk ndryshojnë pipat. Asht e vërtetë se të tjerët nuk hanë bar, përkundrazi nê na japin e na, tue e përtypë, mbetemi në gjumë çuet. Për të qenë mâ i qartë për këtê thanje po bije nji shembull: më 1946, atëherë kur marrëdhanjet me Jugosllavin ishin ende “bark’e shpinë”, intelektualeshat e Shqipnís u kanë dhurue intelektualvet të Jugosllavís posë tjerash edhe shumicën e libravet shqipe (sidomos ato të vjetrat qi nuk gjindeshin lehtë dhe ato me frymë nacjonaliste të teprueme) e un jam ma se i sigurtë se sod ka mâ shum dokumenta shqiptarê në bibliotekën e universitetit të Beligradit, përlá prej Vojisllav Dancětoviqit – tash profesor i albanologjís, se sa në bibliotekën e Institutit të Naltë në Tiranë. Sod qi janë prishë, kuqalashët do të dishrojshin shum nga botimet qi i kanë falë, u kanë thanë hiqnani qafet e i kanë djegë botnisht! Ku âsht personaliteti i intelektualizmës ndër ta?  Këtu vërtetohet thanje e Juej se të tjerët nuk hanë bar, porse ndër nê janë të pakët ata qi rrijnë sogje e së drejtës kombtare. e tash tue e marrë peshën e atyne shkrimtarvet shqiptarë e të huej qi me pendën e tyne rrijnë roje e kësaj së drejte e vërtete dhe tue e krahasue me randësín e sferavet t’interesavet, të tëhiqeshtymjeve, të matrapazve e të kallokotrumkosureve “të të pangishëmvet mbi Shqipnín, a thue cila do të tëheki në peshojë? Pa fjalë se Ju do të thoni: “E vërteta!” Un do të thojshem ashtu qoftë! Por shtoj se ashtu nuk âsht me sa kam mujtë me pa, ose nuk dij ende me pa e mù prandej kam nevojë për sŷza.