Gëzim Saliu
Rastet në Gjirokastër, PD: Shkarkimet e padrejta nga puna marrin jetën e dy kryefamiljarëve
Partia Demokratike akuzoi dje Kryeministrin e vendit se pas heshtjes së tij për kërcënimin ndaj zëdhënëses së selisë blu, Laura Vorpsi, nga deputeti socialist qëndron fakti se ky akt u krye me porosi të vetë Ramës. “Sot është dita e tretë e heshtjes së Edi Ramës, pas kërcënimit banditesk që ai i bëri zëdhënëses së Partisë Demokratike Laura Vorpsi me anë të deputetit Arben Ndoka. E gjithë shoqëria e dënon aktin e shantazhit mafioz që po kryhet me frymëzim dhe porosi të Edi Ramës. Kërcënimi me jetë i zëdhënëses dhe familjes së saj, janë një kërcënim për fjalën e lirë, për demokracinë në vend. Vetëm Edi Rama hesht, bën të paditurin. Ai flet për orë të tëra për propagandën e tij bajate të shportës bosh, por nuk thotë asnjë fjalë për kërcënimin me bekimin e tij, rrugaçëror e banditesk të zëdhënëses së Partisë Demokratike”, – deklaroi nga selia e PD-së deputetja Albina Deda. Për demokratët, kreu i qeverisë bën propagandë për të drejtat e grave, pasi në realitet theksoi deputetja e PD-së, ishte ai që hoqi dy gra kandidate për të marrë postin e deputetit, “vetëm për ti hapur rrugën hyrjes në parlament të një personi të dënuar për shfrytëzim prostitucioni”. Sipas Dedës, me oligarkinë kriminale dhe strukturën e dhunës që ka instaluar kreu i qeverisë në parlament, çdokush po merr mesazhin se është nën kërcënim nëse denoncon dhe nëse flet. “Edi Rama po synon të krijojë një shoqëri të mbyllur dhe kërkon të kontrollojë fjalën e lirë, me para e pushtet nga njëra anë, me dhunë e kërcënim për jetën nga ana tjetër. Partia Demokratike thekson se Edi Rama do të mbajë përgjegjësi personale, politike, ligjore dhe të gjithanshme për çdo akt dhune e kërcënimi ndaj përfaqësuesve të opozitës. PD së bashku me qytetarët e vendit, nuk do të reshtin asnjë ditë në misionin e denoncimit dhe përballjes me lidhjet kriminale të Edi Ramës. Ne nuk do të lejojmë konvertimin e demokracisë në një oligarki kriminale të Edi Ramës”, – deklaroi deputetja e PD-së.
Vetëvrasjet
Ndërkaq, nga selia blu, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, ka denoncuar dje vetëvrasjen e dy kryefamiljarëve në Gjirokastër, për shkak të largimit nga puna në mënyrë të padrejtë. “Dy kryefamiljarë kanë vrarë veten dy ditë më parë në Gjirokastër, pas pushimit të padrejtë nga puna. Arroganca e qeveritarëve mori jetën e 54-vjeçarit Piro Njocko, babai i dy fëmijëve. Arroganca e qeveritarëve, mori edhe jetën e 47-vjeçarit Muharrem Mejko, i cili shërbente si infermier prej më shumë se 24 vitesh në urgjencën e qytetit. Familjarët dhe të afërmit tregojnë se dy të vetëvrarët kanë kaluar një periudhë të vështirë ekonomike pas largimit nga puna dhe kjo i ka çuar në dëshpërim, deri në vetëvrasje. Dy të vetëvrarët janë viktima të qeverisë, të arrogancës së saj të pashoqe. Arroganca që është bërë fytyra zyrtarëve nga Tiranë në Gjirokastër e kudo në Shqipëri”, – tha Vorpsi. Më tej në emër të PD-së, zëdhënësja e selisë blu i shprehu ngushëllimet të afërmve të viktimave duke “dënuar aktet antinjerëzore të qeverisë që po nxjerr në rrugë punonjës të përkushtuar e me vite të tëra pune, duke mos marrë në konsideratë krizën që shkakton tek ata dhe familjet e tyre”.
Takimi me kreun e LDK-së/ Basha, Mustafës: Kosova ka kornizën ligjore për të konsoliduar demokracinë e mirëqeverisjen
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim miqësor një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i saj, Isa Mustafa. Duke i uruar mirëseardhjen miqve, kryedemokrati vlerësoi marrëdhëniet PD-LDK, mes të cilave, bashkëpunimi lindi që herët nën drejtimin e Presidentit Rugova dhe liderit historik të PD-së, Sali Berisha, por tashmë edhe si parti simotra, anëtare të Partisë Popullore Evropiane. Sipas Bashës, këto parti së bashku do të ngrenë zërin dhe punojnë për interesat e shqiptarëve dhe perspektivën evropiane e euroatlantike të kombit tonë. Po ashtu gjatë takimit u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë dhe situata post-elektorale, ku pasi shprehu konsideratat pozitive për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë, Basha përgëzoi LDK-në për rezultatin e arritur. Në këtë kontekst kreu i demokratëve theksoi se Kosova ka të gjithë kornizën ligjore dhe institucionale për të siguruar konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe përparimin e mëtejshëm në të gjitha fushat e mirëqeverisjes dhe shërbimit ndaj qytetareve të Kosovës. Gjithashtu pjesë e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi i mëtejshëm mes dy partive, në kuadrin e forcimit dhe zhvillimit të demokratizimit të tyre, në mënyrë që t’i shërbejnë më mirë interesave të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe shqiptareve kudo që janë.
Urimi për Presidentin e ri të KE-së Basha: Juncker, mbështetës i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar dje zyrtarizimin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker. Sipas kryeopozitarit, Evropa ka sot nevojë për përvojën e madhe politike të një europianisti të palëkundur dhe një politikani konsensual, që konsensusin, theksoi ai, e ka në themel të vendimmarrjes së tij politike. “Platforma e Junckerit është e qartë, është ajo që i duhet çdo europiansti sot, një ekonomi sociale tregu në të cilën përfshihet edhe një paketë investimesh me një vlerë prej 300 miliardë euro, për të nxitur zhvillimin, punësimin dhe konkurrencën. Jam veçanërisht i gëzuar që Presidenti i ri i Komisionit Evropian është një mbështetës i fuqishëm i integrimit evropian të Shqipërisë. Jam i bindur se me Juncker, Evropa do të jetë më e njëzëshme dhe më e hapur për demokracitë e reja që aspirojnë ti bashkohen familjes evropiane”, – shkruante Basha në rrjetin social FB. Nga ana tjetër, lideri i demokratëve theksoi se dita e djeshme ishte e veçantë për Evropën, pasi theksoi ai, “për herë të parë në historinë e BE-së, Parlamenti Evropian ka zgjedhur – dhe jo thjesht miratuar Presidentin e Komisionit Evropian me propozim të Këshillit Evropian, çka e bën BE dhe më demokratike”.