Gëzim Saliu
Ish-kryeministri: Meta duhet të përballet me dosjet e Ramës për të, 19 deputetë të lidhur me vrasje, trafiqe dhe pengmarrje
“Bilanci i mashtrimeve të qeverisë për shëndetësinë, biznesin, pensionet dhe vendet e punës”
Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha zgjodhi dje konferencën me gazetarët për të analizuar bilancin e 300 ditëve të qeverisë së majtë, ku e cilësoi këtë periudhë si dramatike për shqiptarët, pasi sipas tij është rritur në nivele të larta pasiguria e jetës dhe varfëria.
Duke marrë në bilancin e këtyre 300 ditëve të gjitha premtimet kryesore të Partisë Socialistë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, deputeti demokrat pohoi se mazhoranca ka dështuar për legalizimet, shëndetësinë, ekonominë, taksat, vendet e punës, pensionet si edhe rendin publik. “300 ditë më parë kjo qeveri kishte premtuar shëndetësinë falas, sot shërbimi shëndetësor për shqiptarët është më i kushtueshëm, më i korruptuar se kurrë më parë. Kjo qeveri kishte premtuar legalizimet falas, në çdo arenë dhe takim, madje publikisht kreu i saj kishte firmosur kontrata për premtimin e tij për legalizimeve falas. E vërteta është se në 300 ditë janë ndarë gjithsej 65 «Shaban-tapi «, Shabani të më falë, se si njëri nuk mund të krahasohet kurrë më Edvin Kristaq Ramën, por po e përdor këtë term, sepse ai sa herë që ndaheshin tapitë u deklaronte mediave dhe tani nuk ka sesi del prej saj, se këto janë «Shaban-tapi». Sot shqiptarët për të legalizuar banesën e tyre, paguajnë 2 herë më shumë sesa tarifat e më përparme sesa ç’kërkonte çmimi i tokës dhe çmimet e tjera. Ndërsa ata të cilët kanë ndërtuar një lokal për bukën e fëmijëve të tyre, ata do të paguajnë 4 herë më shumë
deri në 5 herë më shumë për legalizimin e tij”, tha Berisha për dy ndër premtimet kryesore të socialistëve.
Ekonomia
Sipas ish-kreut të qeverisë, ekonomia shqiptare është në krizë dhe recesion. Për këtë ai listoi dy të dhëna të cilat vërtetojnë, theksoi Berisha, skenarin grek për Shqipërinë. Duke nënvizuar se nuk kërkon të bëjë as profetin e as kasandrën, ai tha se pasojat e borxhit 74 % mbi shpatullat e shqiptarëve do të fillojnë në vitin që vjen dhe në vazhdim. “Nëse rritja nominale është minus 1 % sipas statistikës së tyre,
rritja reale nuk mund të jetë kurrë nën 2.5 ose 3 % minus. Ka një koracion midis tyre. Po pse ekonomia është në krizë? Oksigjeni. Oksigjeni i çdo ekonomie është krediti. Treguesi më cilësor, lakmusi i performancës së saj është krediti. Krediti për herë të parë me instalimin e kësaj qeverie filloi të bjerë dhe ka qenë në muajin mars 2.5 % më i ulët.Por Konfindustria ka të dhëna, ku në një studim të tyre që kanë bërë tek grosistet kanë vënë re se shitjet e mallrave të shportës, pra ushqimeve bazë dhe artikujve baze te jetes, tregon se ka një rëni sipas tyre 10 deri ne 15%”, pohoi Berisha.
Politika
Përpos të gjitha premtimeve të papambajtura, sipas Berishës, zhvillimi më negativ i këtyre 300 ditëve ka qenë vendosja e mafies dhe krimit në pushtet. Për ish-kreun e qeverisë, sot institucionet shqiptare në një pjesë të mirë të tyre, dominohen kryekëput nga mafia. “Parlamenti shqiptar ka në radhët e mazhorancës 19 deputetë të implikuar në vrasje, ose trafiqe, ose përdhunime, ose pengmarrje, ose kombinime të marra sëbashku. Kryetari i Parlamentit shqiptar është njëkohësisht kryeskllavi i kësaj mazhorance, pasi e mban postin e lartë të shtetit, postin e dytë kushtetues të vendit, edhe pse kryetari i mazhorancës Edvin Kristaq Rama pothuaj publikisht direkt edhe me ndërmjetësa i thotë se pas këtij apo atij udhëtimi ky apo ai kryeministër apo zyrtarë i lartë më kërkoi arrestimin tuaj, dhe ky është një akt i përsëritur”, theksoi ai. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se, “Ilir Meta duhet urgjentisht të kërkojë shqyrtimin e saj nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtar dhe jo të rrijë, të bëjë një lolo në kurriz të një populli të tërë dhe një vendi të tërë. Të pranojë çdo lloj diktati në krye të Parlamentit, të pranojë kurthet e ulta që kreu i meduzës Edi Rama bën ndaj deputetëve vetëm e vetëm se e sulmojnë atë”.
Bilanci i ish-kryeministrit për 300 ditët e qeverisë
-U zotua se do të hiqte TVSH-në, por në fundin e këtyre 300 ditëve, ajo jo vetëm që nuk u hoq, por mallrat e shportës pësuan rritje me 4.2 %
– Premtoi se do të hiqte TVSH-në për për energjinë elektrike, kjo jo vetëm që nuk u hoq, por për 120 mijë familje në fshat paguajnë tre herë më shumë se sa cifti kryeministror.
– U premtua heqja e taksës deh akcizës për fermerët. Kjo jo vetëm nuk u hoq, por u rrit me 120 lekë për litër
– U premtua heqja e taksës së biznesit të vogël. Por ajo që ndodhi në këto 300 ditë ishte fakti se kjo taksë u rivendos 2-3 herë më e lartë sec ishte para 300 ditëve.
-Rama iu premtoi shqiptarëve rrogën e 13-të, kjo jo vetëm që nuk u dha, por u hoq edhe gjeli i detit dhe shëprblimi që i jepej punonjësve në fund të vitit.
– Mashtrim real për rritjen e pensioneve pasi në to nuk ka asnjë rritje, vecse u kompensohet inflacioni
– Premtuan për ish-të përndjekurit, kur ndërkohë kësti është paguar vetëm 237 prej tyre.
-Premtuan krijimin e 350 mijë vendeve të punës. Qeveria në 300 ditë nuk krijoi asnjë vend të ri pune
– Në tregti tha se u punësuan 1260 punonjës, ndërkohë që në statistikat e tyre raportohet shkurtimi i fiks 12600 vendeve të punës.
– Krediti për herë të parë ra, në muajin mars, ku ka qenë 2.5 % më i ulët
-Konfisdustria përmes studimeve të saj ka nxjerrë se shitjet nga grosistët të mallrave të shportës kanë një rënie me 10-15 %
– U rrit borxhi 2.5 herë më shumë se çishte rritur në 8 vite në pushtet
-Pagesat për bizneset, ku në 5 muaj janë shlyer 11 miliardë lekë më pak se në qeverinë e kaluar
-Rendi e siguria- Tritoli ka pasur 87 raste nga 42 që kanë qenë në të njejtën periduëh në qeverinë e djathtë. Vrasjet, kanë qenë 62 janë
63. Ka pasur 310 tentativa vetëvrasje të tilla. Vjedhjet me armë ishin gjithsej 38, ndërkohë që janë gjithsej 279. Vjedhjet e banesave janë rritur me 20%, vjedhjet e automjeteve me 15%. Në kufirin grek nga autoritetet greke në periudhën janar-qershor janë kapur 17 ton e 870 kg drogë.
Berisha për bojkotin e opozitës dhe konfliktin mes qeverisë dhe KLD-së
Në takimin e djeshëm, ish-kryeministri i vendit foli gjithashtu edhe për bojkotin e opozitës si edhe situatën aktule të konfliktit mes qeverisë dhe KLD-së. I pyetur nga “standard” se nëse njeh ndonjë arritje të qeverisë në këto 300 ditë dhe se si do të kontribuojë opozita në procesin e integrimit të vendit kur ka bojkotuar parlamentin, Berisha u përgjigj duke pohuar,: “Unë mendoj se në qoftë se ndaj opozitës organizohen akte të tilla kriminale, opozita në parlament nuk mund të kontribuojë. Opozita do të japë kontributin e vete në reformën e drejtësisë, në reformën territoriale, por është qeveria që nuk do. Qeveria nuk do reforma, qeveria do vetëm gjahun dhe rrënimin e institucioneve. E dini ju çfarë ka kërkuar nga Komisioni i Venecias për Prokurorinë e Përgjithshme. Ka kërkuar mbi emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kjo është reforma. Ka dërguar tjetrën sesi të emërohet dhe shkarkohet drejtori i shkollës së Magjistraturës. Këto janë anti-reformë”. Ndërkaq lidhur me situatën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke pranuar se ky sistem ka probleme, Berisha theksoi se vetëm tre muaj më parë institucioni më kryesor i Europës në luftën kundër korrupsionit, GRECO, tha se në KLD po kryen me korrektesë detyra. “Merrni statistikën dhe cila është statistika e fundit e KLD , cila është statistika e punës ne 10 vite para këtij të marra sëbashku. Sa ka punuar ky këshill, sa ka disiplinuar ky këshill në këto dy vjet”
Batutat e konferencës/ “Prisni kur ILDKP të hetojë Laura Vorpsin e Çiljetën”
“Konstatoni ju që ILDKP-ja, pas ndërrimit, nuk ka cenuar qoftë edhe një deputet nga ata që ka dhjetëra milion euro të vendosura me trafiqe dhe aktivitet kriminal, por ka vënë në shënjestër në target vetëm e vetëm personat të cilët i urren Edi Rama. Prisni ju kur të dëgjoni një ditë për pasuritë e Laura Vorpsit, se të Gjin Gjonit e keni dëgjuar, edhe të Çiljetës, sepse ai është i sëmurë dhe po nuk shkoi pas personalizmit të turpshëm e ka të pamundur. Nxit bandite për të telefonuar. Në kohën kur Çiljeta këndonte me dhuntinë
e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Edi Rama protestonte me portretet e Enver Hoxhës. ”