Trafiku i bombave celular/ Tritoli vinte nga Mali i ZI, shitej në Greqi e Shqipëri deri në 2.5 mijë euro

0
183

Anxhela Tato

bomba celular Hetimet e Prokurorisë, C4 vinte nga Mali i Zi dhe shiteshin në Greqi dhe Shqipëri, çmimi nga 1800-2500 euro. Ushtarët profesionistë të repartit të Vaut të Dejës prej 3 muajsh nën mbikëqyrje të bluve, u kapën me 7 mina të telekomanduara

Zbulohet rrjeti i trafikut ndërkombëtar të eksploziv të telekomanduar të drejtuar nga tre ushtarë profesionistë të repartit të Vaut të Dejës. Operacioni “Profesionisti” është finalizuar ditën e djeshme me prangosjen e tre ushtarëve, të cilat janë evidentuar nga përgjimet ambientale të bluve. Të prangosurve i janë gjetur 7 mina të telekomanduar, të cilët ishin bërë gati për tu trafikuar, por ende nuk dihet
identiteti i porositësit. Nga burimet e policisë mësohet se ushtarët pasi siguronin lëndën plasëse C4 në Mal të Zi, i montonin ato në aparatet celular dhe më pas i tregtonin në Shqipëri apo Greqi, me çmime që varionin nga 1800 deri ne 2500 euro. Gjatë operacionit të policisë së Durrësit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë sekuestruar 7 mina të telekomanduara me anë të telefonave celular, përbërës të të cilave janë: 7 eksplozive të llojit C4; 7 telefona celular të lidhura me eksplozivat me material sinjal përcjellës dhe 7
mekanizma shpërthyes detonator. Në pranga të policisë kanë rënë: Kleo Gjinkola 22 vjeç lindur dhe banues në Shëngjin, me detyrë ushtar profesionist me pagesë pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës në Shkodër; Alban Dodaj 22 vjeç lindur dhe banues në fshatin Laim i
Ri, Lezhë me detyrë ushtar profesionist me pagesë pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës në Shkodër si dhe Fran Kola 25 vjeç lindur dhe banues në Balldren të Lezhës me detyrë ushtar profesionist pranë repartit ushtarak 1010, Vau i Dejës në Shkodër.
Policia
Hetimet mbi këtë grup kriminal kanë nisur para tre muajve, pasi policia e Durrësit u sinjalizua mbi një linjë të trafikimit të minave me celular nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkaq, tre të arrestuarit do të dalin sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjatë hetimeve të zhvilluara mbi këtë grup kriminal, u arrit të zbulohej i gjithë mekanizimi i kryerjes së këtij aktiviteti kriminal, ku secili prej të arrestuarve kishte rol kyç në këtë trafik, që nga sigurimi i lëndës plasëse C4 në Mal të Zi, e deri tek montimi i tyre me aparatet  telefonike celular, dhe më tej tregtimin e tyre si brenda vendit por edhe drejt shtetit grek. Nga hetimet rezultoi se këta shtetas kishin arritur të tregtonin mina me telekomandë me një çmim që varionte nga 1800 deri ne 2500 euro. Mësohet se nga ana e policisë ka pasur gjithmonë dyshime për funksionin e një linje trafiku me Malin e Zi, nga vjen kryesisht lënda plasëse që përdoret për atentatet e telekomanduara. Njëri nga ushtarët e arrestuar kishte vendosur ura lidhëse me Malin e Zi, nga ku merrte eksplozivin që do të përgatitej në saj të porosive. Por ka dyshime se ushtarët duhet të kenë bashkëpunëtorë që i ndihmojnë për kalimin e eksplozivit në doganë, marrjen e porosive dhe dërgimin e eksplozivit në destinacion. Nga verifikimet e para pritet që të zbulohen hyrje-daljet e ushtarëve në pikat doganore me Malin e Zi dhe Greqinë, si dhe zbulimi i emrave të bashkëpunëtorëve apo porositësve, të cilët në pjesën më të madhe të ratave mbeten anonimë.

 

Korçë 

Nga Komisariati i Policisë Pogradec u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Potgozhani”. Në kuadër të operacionit “Potgozhani” Policia e Korçës ka arritur të axsekuestrojë në cilësinë e provës materiale 4 kallëpe tritoli, 1m fitil ndezës dhe 720 fishek model 56, kalibër 7.62 mm. Bëhet me dije gjithashtu se blutë e Korçës mundën të vënë në pranga edhe personin që mbante në lokalin e tij sasinë e municioneve. Ai është shtetasit Marius Gegprifti,18 vjeç, banues në fshatin Potgozhan, Pogradec.

 

Sarandë/ Sherr për përdorimin e ujit, hidrauliku i Komunës plagos 3 persona
Një sherr banal për përdorimin e ujit ka përfunduar me tre persona të plagosur ditën e djeshme në fshatin Piqeras ne Sarande. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se hidrauliku i Komunës Lukovë Albert Veliu 40 vjeç ka plagosur me sende të forta Latif Latifin 63 vjeç, Vilson Latifin 31 vjeç dhe Dashnor Arapin 45 vjeç. Të njëjtat burime bëjnë me dije se sherri ka nisur për përdorimin e ujit. Personat e përfshirë në grindje ishin duke punuar në një banesë në fshat. Sipas informacioneve të fundit i plagosuri Dashnor Arapi ndodhet në gjendje të rëndë, pasi ka marrë goditje në kokë. Ai pritet të niset me helikopter drejt Tiranës. Policia bën me dije se vuri në pranga autorin e ngjarjes, Albert Veliun dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Konflikti/ I sulet fqinjit me thikë, raportohet nga familjarët si pengmarrje

Konflikti mes dy familjeve të një pallati në Tiranë ka alarmuar policinë, e cila fillimisht u njoftua për një situatë pengmarrje. Kjo pasi
nëna e njërës nga familjet kishte njoftuar policinë dhe kishte raportuar se familjari i saj ishte marrë peng nga komshinjtë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në katin e 5 të një pallati pranë ish-fushës së Aviacionit, ku dy familje janë konfliktuar për motive të dobëta. Efektivët blu të mbërritur në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe pas verifikimeve paraprake ka ndërhyrë në banesë, duke qartësuar kështu edhe situatën. Si rezultat janë shoqëruar për në polici edhe shtetasit Erald Kofsha 26 vjeç dhe Ismail Gjineci 23 vjeç, ndërsa është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një thikë, e cila ishte në pronësinë të 26-vjeçarit gjatë momentit të krimit.

 

Tiranë/ Vidhnin dyqanet me aparate celularë, pranga 5 personave

Pesë persona janë arrestuar/ nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë vjedhur disa dyqane në kryeqytet. Gjatë operacionit të koduar “Thyerja” janë arrestuar S.Sulaj, 19 vjeç, Donald Ahmetaj, 24 vjeç, Klaudjo Bufi, 23 vjeç, B. Kateshi,19 vjeç, R. H., 18 vjeç. Nga hetimet e kryera deri më tani nga strukturat e hetimit të krimit është bërë e mundur dokumentimi ligjor në 7 raste të implikimit të të arrestuarve të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohë e vende të ndryshme në qytetin e Tiranës, realizonin vjedhje me thyerje të njësive tregtare, të dyqaneve të kompanive të ndryshme celulare, butik e markete në Tiranë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre, u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura si : (ora dore, aparate celulare dhe syze dielli si dhe 20 cope fishek model 56, kalibri 7.62 mm etj).