Anxhela Tato
I prangosuri S. L., i dënuar për të njëjtin rast nga Gjykata, nuk pranoi dot vendimin e M. K. për ndërprerje të raportit shoqëror
Dëshmia e 54-vjeçarit: Jam penduar, u ndikova nga afeksioni i M. K. dhe kur u distancua, e përndiqja që të rilidheshim
Fiksimi për një femër nuk e ka ndaluar 54-vjeçarin që ta përndiqte, ndonëse i dënuar nga Gjykata. Për herët të dytë S. L. do të përballet me drejtësinë për të njëjtën vepër penale, por këtë herë në rrethana më rënduese si përsëritës dhe shkelës i masës së rehabilitimit pranë Shërbimit të Provës për dy vjet. Lajmi bëhet me dije nga ana e forcave të policisë, të cilët kanë prangosur 54-vjeçarin pas denoncimit së “shënjestrës” së tij, shtetases M. K. Nga të dhënat e bluve mësohet se autori dhe kallëzuesja kanë pasur njohje dhe raport shoqëror, i cili është zbehur me kalimin e kohës pa ndonjë motiv specifikim. Por largimi i M. K. nuk është pritur mirë nga S. L., i cili ka filluar ta ndjekë nga pas, duke e ofenduar, kërcënuar në prani të familjarëve dhe miqve të saj. Sipas dëshmisë, 54-vjeçari është shndërruar në një makth psikologjik për shtetasen M. K., e cila kishte frikë që të lëvizte e vetme apo të dilte nëpër ambiente të hapura, pasi kudo pas saj do të gjente 54-vjeçarin, të gatshëm për ta sulmuar. Sjellja e S. L. i ka shkaktuar shtetases M. K. ndjesi frike dhe ankthi, duke i kufizuar jetën dhe hapësirat e saj vetjake. E ndodhur në rrethana të tilla, M. K. ka parë si zgjidhje denoncimin në polici të 54-vjeçarit, i cili vetëm para pak muajsh ishte ndëshkuar nga Gjykata. Por asgjë nuk e ka ndaluar 54-vjeçarin nga përndjekja dhe ofendimet e M. K. Për herë të dytë shtetasja është paraqitur në polici, ku ka treguar historinë e saj me 54-vjeçarin. Ajo ka sqaruar momentet e para të njohjes deri tek vendimi i Gjykatës, që nuk e ka kufizuar 54-vjeçarin të vihet sërish në ndjekje të shënjestrës së tij. Pas verifikimeve të dokumenteve dhe fakteve të denoncues, policia ka arrestuar në kushtet e flagrancës S. L. “Më datë 15.7.2014, rreth orës 12:00, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit në kërkim policor S. L., 54 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar për vjedhje, sepse në vazhdimësi dyshohet se ka përndjekur dhe më datë 11.7.2014, ora 21:10, ka fyer, kanosur dhe shqetësuar përpara banesës, shtetasen M. K”, – thuhet në njoftimin e bluve.
Dosja
“Kështu, në datën 19.4.2013 është paraqitur pranë shërbimeve policore të komisariatit nr. 2 shtetasja M. K., banuese ne Tiranë, e cila ka kallëzuar se me të pandehurin S. L. ajo është njohur përpara disa kohësh në rrethana rastësore, me të cilin ka krijuar edhe marrëdhënie miqësore të afërta, marrëdhënie këto që para pak kohësh janë ndërprerë. Për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve me të pandehurin, ky i fundit, sipas kallëzueses, në mënyrë të vazhdueshme e kërcënon dhe e ofendon atë, duke i shkuar asaj në vendim e banimit, si edhe në prani të njerëzve të tjerë, madje edhe të familjarëve të afërt të saj, duke e fyer dhe sharë, si edhe duke i bërë presion në forma të ndryshme të dhunimit psikologjik dhe fizik, me synimin që ata të dy të rilidhen përsëri. Po kështu, kallëzuesja ka pohuar se, përveç sa sipër, ajo është ndier e kërcënuar edhe nëpërmjet thirrjeve dhe sms telefonike me përmbajtje fyese, të cilat kallëzuesja i vuri në dispozicion të organit të akuzës. Përveç sa sipër, Gjykata administroi edhe qëndrimin e të pandehurit S. L., i cili ka pranuar i penduar autorësinë e tij, duke pohuar vlerën e akteve të sipërcituara. I pandehuri pohon njëkohësisht edhe faktin se në veprimet e tij kanë ndikuar fillimisht edhe sjelljet e qëndrimet tejet afektive të të dëmtuarës, të bëra prezent kësaj Gjykate edhe nga zbardhja e sms-ve, dërguar prej saj të pandehurit S. L.”
Vendimi
“Në këtë konkluzion Gjykata arrin pasi janë pikërisht veprimet e të pandehurit S. L. ndaj të dëmtuarës M. K., të tilla që në përmbajtjen e tyre kanë elementë të dhunës, psikike dhe fizike, të kërcënimit dhe presionit, veprime këto të cilat tek ajo shfaqen në gjendjen e ankthit, frikës dhe të pasigurisë, duke bërë në këtë mënyrë që në rastin në gjykim, të konstatohen elementet përbërës të figurës së veprës penale të “Përndjekjes”, të cilën në përmbajtjen e saj ligjvënësi në mënyrë të shprehur e përcakton si: “Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anë të veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike, për sigurinë vetjake të një të afërmi, ose të një personi me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës”. Gjykata vendos deklarimin fajtor të të pandehurit S.L. për kryerjen e veprës penale të “Përndjekjes” dhe e dënon atë me 1 vit burgim. Pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri S.L. dënohet me një dënim përfundimtar prej 8 muaj burgim. Në zbatim të Nenit 59 të Kodit Penal gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhe kohe prej 2 vjet me kusht që ai të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe brenda kësaj periudhe të mos kryej vepër tjetër penale”.