Një tjetër avion i kompanisë “Malaysia Airlines” është rrëzuar dje në Ukrainën Lindore. Avioni tip “Boeing 777” ishte nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit me 295 persona në bord, 280 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit.
Avioni u zhduk nga radarët kur ishte në kuotën e 10 mijë metrave. Në të njëjtën kohë kompania “Malaysia Airlines” njoftoi se kishte humbur kontaktet me ekuipazhin e avionit. Pak minuta më vonë u konfirmua se “Boeing 777” ishte rrëzuar në rajonin Shiaktiorsk, 40 km në lindje të Donetskut, zonë luftimesh në Ukrainën Lindore.
Sipas të dhënave të para, avioni është goditur nga një raketë, ndërsa të gjithë pasagjerët kanë humbur jetën.
Një këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase tha se avioni u godit nga një raketë tokë-ajër, tip “Buk”, të cilat fabrikohen në Rusi.
Separatistët prorusë nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për rrëzimin e avionit në Ukrainën Lindore. Ata theksojnë se nuk kanë në dispozicion armë të tilla që të mund të qëllojnë avionë në lartësinë e 10 mijë metrave.
Ky mund të konsiderohet si një vit tragjik për kompaninë “Malaysia Airlines”. Në muajin mars, fluturimi MH370 u zhduk me 239 persona në bord dhe ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.
Kievi konfirmon: Kanë vdekur 295 personat që ishin në bord.
Autoritetet në Kiev kanë konfirmuar se të gjithë pasagjerët që udhëtonin me avionin “Boeing 777” kanë humbur jetën.
Poroshenko: Nuk përjashtohet mundësia që të jetë qëlluar
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se nuk përjashtohet mundësia që avioni i “Malaysia Airlines” të jetë qëlluar me raketa, por sipas tij, forcat ukrainase nuk lëshuar raketa në ajër. “Bëhet fjalë për rastin e tretë tragjik brenda pak ditësh, pas rrëzimit të avionëve An-26 dhe Su-25 të forcave ukrainase që janë sulmuar e më pas rrëzuar në territorin rus”, – deklaroi Presidenti ukrainas.
Reagime/ Separatistët prorusë: Nuk jemi ne përgjegjësit
Separatistët prorusë nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për rrëzimin e avionit në Ukrainën lindore. Ata theksojnë se nuk kanë në dispozicion armë të tilla që të mund të qëllojnë avionë në lartësinë e 10 mijë metrave. “Kemi vetëm kundërajrorë që janë në gjendje të godasin deri në 5 km”, – deklaroi Andrei Purghin, zv.kryeministër i Republikës së vetëshpallur të Donetskut.
Kievi: Avioni u qëllua gabimisht nga separatistët
Ministria e Brendshme e Ukrainës deklaron se avioni mund të jetë qëlluar gabimisht nga separatistët prorusë, në tentativë për të goditur një avion transporti ukrainas, i cili ndodhej pak pas avionit të “Malaysia Airlines”.
Kryeministri malajzian: Hetime të menjëhershme
Kryeministri malajzian Najib Razak bëri të ditur se Malajzia do të nisë menjëherë hetimet lidhur me rrëzimin e avionit të “Malaysia Airlines” në lindje të Ukrainës.