Nis me Korçën/ Rama: Brenda këtij mandati, transformojmë sheshet kryesore të 70 qyteteve

0
150

Gëzim Saliu

Rama tek punimet e sheshit kryesor“Do të bëjmë për këto komunitete dhe zona urbane, çfarë nuk është  bërë 20 vjet me radhë”

Kryeministri i vendit Edi Rama u angazhua dje se do të transformojë qendrat urbane të 70 qyteteve të vendit brenda këtij mandati qeverisës. Nga qytetit i Korçës ku mori jetë dje ai që është cilësuar nga qeveria si plani kombëtar për rilindjen urbane, Rama tha se këto sheshe të do të kthehen në vende të bashkëjetesës komunitare, duke lënë pas sipas tij imazhin e shesheve të braktisura të kohës së regjimit komunist. “Ne kemi vendosmërinë që brenda këtij mandati t’i sjellim qyteteve të vendit atë rilindje të madhe urbane, që u ka munguar për vite të tëra dhe t’i transformojmë këto sheshe të braktisura komuniste në sheshe të bashkëjetesës komunitare, në sheshe që i japin qyteteve tona atë sens bashkësie që kanë qytetet e Europës ku ne duam të integrohemi dhe në rrugë e në infrastrukturë urbane, që i jep qyteteve tona atë dritë të madhe shprese për të cilën kanë nevojë të stimulojnë më shumë punësim, të stimulojnë pjesëmarrje të rinisë në jetën e qytetit, të stimulojnë edhe më shumë qëndrimin e familjeve të reja në këto qytete që po plaken”, u shpreh kryeministri.

 

Transformimi

Për kreun e qeverisë shqiptare, me projektin kombëtar të transformimit urban do të bëhet që komunitetet e 70 zonave të përfitojnë më shumë se çfarë kanë përfituar për 20 vite. Në këtë kontekst, Rama tha se ky investim është vetëm fillimi i një zinxhiri investimesh jo vetëm për Korçën, por për gjithë vendin. “Duke nisur këtu në Korçë, një model të qëndrueshëm i një zhvillimi të qëndrueshëm urban, ku vetëm me financimet e këtij viti, ne praktikisht kapërcejmë financimet e një periudhe të gjatë, vitesh të tëra, ku ky qytet me një histori të bukur dhe me një trashëgimi të bukur u la tërësisht në harresë dhe mbijetoi vetëm falë fuqisë së  idesë dhe këmbënguljes së kryetari të baskisë Ne do të shohim nesër paradite, bashkë me ju, këtu, edhe projektin përfundimtar për transformimin e pazarit të vjetër të Korçës, ku unë ju siguroj se nga një ishull i rrënimit dhe i braktisjes, ne do ta bëjmë këtë zonë, një ishull të turizmit në gjithë rajonin këtu”, deklaroi Rama. Ndërkaq, kreu i Bashkisë së Korçës bëri të ditur detaje të transformimit të sheshti kryesore, duke theksuar se krahas rikonstruksionit të plotë të elementeve ekzistues të sheshit si infrastruktura dhe fasadat, ky projekt përfshin edhe sjelljen e elementeve të reja si shatërvani, pista e patinazhit dhe një obelisk. “Është një projekt shumë i rëndësishëm, me vlerë financimi rreth 240 milionë lekë. Janë dy investime të rëndësishme që së bashku me parkun janë 5 milionë dollarë, që janë financuar nga qeveria shqiptare”, u shpreh ai. Nga ana e tij Zv.kryeministri Peleshi u shpreh se me këtë rikonstruksion përmbyllet projekti i filluar prej disa vitesh, për modernizimin të qendrës së qytetit të Korçës.“Me rikonstruksionin e sheshit të Teatrit shtohet pedonaliteti, pasi ky shesh do t’i bashkohet zonës së bukur pedonale të qytetit Korçës, hijeshohet qyteti, sepse zemra e qytetit, me komponentin e rikonstruksionit dhe restaurimin e fasadave, merr një vlerë të madhe. Ky nuk është projekti i vetëm as i bashkisë së Korçës, por edhe bashkia e Korçës nuk është e vetmja që po përfiton, po e them pa frikë, një bum investimesh, të barabartë me investimet e 20 viteve të fundit në këtë qytet dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Janë më shumë se 70 qytete që në ditët në vazhdim, besoj, do të fillojnë punën. Është një program që në dy-tre vjet do të transformojë qytetet tona”, deklaroi ai.

 

 Firmosen kontratat për investuesit/ Rama: Mbështetje për bujqësinë, do orientojmë financimet drejt rajonalizimit

Kryeministri i vendit Edi Rama i shoqëruar nga zv.kryeministri Peleshi si edhe ministri i Bujqësisë , Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti vazhdoi dje në qytetin e Korçës procesin e firmosje së kontratave për investuesit e biznesmenët që kanë përfituar nga skemat e mbështetjes financiare në bujqësi e blegtori. Në këtë takim, kreu i qeverisë i inkurajoi investuesit që të fokusohen në realizimin e sa më shumë projekteve si mënyra e duhur sipas Ramës për të siguruar mbështetje financiare dhe sukses në këtë fushë. “Sot është momenti kur duhet bërë një zgjedhje shumë e qartë; Ose vazhdimi në rrugën e vjetër, që fondet e shtetit të thërrmohen dhe të shpërndahen si lëmosha partiake tek disa qindra duar, për të garantuar një mbijetesë minimale, pa asnjë vazhdimësi, asnjë vend të ri pune, asnjë rritje reale e prodhimit, asnjë rritje reale e eksportit; Ose të fokusohemi tek shembujt e suksesit, për t’i bërë edhe më të suksesshëm, duke rritur vendet e punës, duke rritur prodhimin, duke shtuar zinxhirin e vlerës dhe në fund, duke rritur edhe eksportet. E, faktikisht, ne këtë do të bëjmë”, u shpreh ai.  Ndërsa deklaroi se  ka pasur një rritje inkurajuese, vetëm në 300 ditë, të eksportit të produkteve bujqësore shqiptaresh, kryeministri prehu bindjen se me përgjegjshmërinë që ka rifituar shteti dhe potencialin që bujqësia ka, ekzistojnë të gjitha mundësitë për shumëfishimin e tyre. Gjithashtu Rama vlerësoi rajonalizimin e kulturave bujqësore, çka do të forconte avantazhet konkurruese të çdo rajoni. “Do të orientojmë financimet drejt rajonalizimit, për të nxitur dhe mbështetur rajonalizimin dhe për të nxitur dhe mbështetur rajonet dhe fermerët në çdo rajon, që të fokusohen tek ato kultura që janë më të përshtatshme për rajonin. Në këtë mënyrë të kemi një hartë të prodhimit bujqësor, të jetë një hartë e harmonizuar jo më me diktat nga lart, si dikur, por me imponimin që bën gjeografia, imponimin që bën klima, me imponimin që bën domosdoshmëria që ne të jemi konkurrues”, pohoi kreu i qeverisë shqiptare.

 

Reklamat në rrugë/ PD: Qeveria po abuzon, do të mbulojë me taksat e shqiptarëve dështimet e 300 ditëve

Partia Demokratike denoncoi dje atë që e cilësoi si abuzim të qeverisë me reklamat në rrugët e ndryshme të vendit. Sipas zëdhënëses së selisë blu, kreu i qeverisë duke shfrytëzuar taksat e qytetarëve shqiptarë, ka mbushur rrugët me reklama që, theksoi ajo, flasin vetëm për sukses imagjinare të qeverisë së majtë. “Duke abuzuar me taksat e qytetarëve, Edi Rama po synon të shtrembërojë realitetin që është krejt e kundërta e propagandës së tij. As tabelat, as reklamat, as regjia qendrore nuk e ndihmojnë Edi Ramën të fshehë mashtrimet e tij për 300 mijë vende pune, legalizim falas, shëndetësi falas, e dhjetëra gënjeshtra të tjera të fushatës së tij. Reklamat që i paguajnë qytetarët shqiptarë nuk krijojnë asnjë vend të ri pune, nuk sjellin asnjë përmirësim e mirëqenie”, u shpreh Vorpsi. Më tej ajo shtoi se fushata irracionale dhe e kushtueshme e qeverisë nuk mund të fshehë dot humbjen e mbi 30 mijë vendeve të punës në këto 300 ditë,: “përkeqësimin e të gjithë treguesve të rendit e sigurisë, rënien e ekonomisë, mungesën e investimeve dhe goditjen e rëndë që ka marrë shpresa dhe besimi tek e ardhmja me Edi Ramën dhe ekipin e tij të propagandës boshe e punës zero”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency