Aksidentet rrugore, brenda ditës 4 të plagosur dhe 2 të vdekur

0
202

AksidenteKatër të plagosur dhe dy persona të vdekur është bilanci i aksidenteve rrugore të ndodhura 24 orët e fundit në mbarë vendin. Dy të rinj kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur mëngjesin e djeshëm si pasojë e një aksidenti rrugor në aksin Korçë-Ersekë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Dvoran, kur makina me targë AA 864 GR, me të cilën udhëtonin dy të rinjtë, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 25-vjeçari me inicialet J. A., banues në Korçë, dhe 26-vjeçari me inicialet N. L., banues në Elbasan. Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë që një këmbësor ka mbetur i plagosur, pasi është aksidentuar nga një automjet tip “Volkswagen Golf” në pallatin e sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, ndërsa ende nuk dihet identiteti dhe gjendja shëndetësore e këmbësorit. Nga informacionet paraprake mësohet se ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Dy të plagosur është bilanci i një aksidenti rrugor të regjistruar paraditen e djeshme në segmentin Rrogozhinë–Lushnjë. Në afërsi të rrethrrotullimit të Rrogozhinës, një kamion ka përplasur një veturë tip “Audi” me targa italiane. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur dy personat që ndodheshin në makinë, Maliq Totraku, 22 vjeç, dhe Renato Aliu, 21 vjeç, të dy nga Rrogozhina. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e qytetit të Kavajës, sakaq policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit. Aksidenti i radhës është shënuar rreth orës 20:00 në afërsi të zonës së 9-katsheve, kur një kalimtare është përplasur nga një automjet me ngjyrë të kuqe. Menjëherë ambulanca ka mbërritur duke transportuar kalimtaren për në spital. Por ende nuk bëhet me dije identiteti dhe gjendja e saj shëndetësore.

 

 Tiranë/ Grabiten 7 pllaka bronzi të “Monumentit të Pavarësisë”

Grabiten sërish pllakat prej bronzi të “Monumentit të Pavarësisë”, që është vendosur në parkun “Rinia” në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit. Pas konstatimit të grabitjes së parë të pllakave, policia kishte vendosur agjentë pranë monumentit, por hajdutët kanë arritur të marrin këtë herë 7 pllaka bronzi. Policia ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë për një punonjës të Policisë Bashkiake, i cili duhet të ruante monumentin. Ndërkohë, ekspertë të policisë po punojnë për të identifikuar dhe kapur autorët e grabitjes, ndërsa po kontrollohen edhe pikat e grumbullimit të skrapit, ku mund të jenë shitur pllakat e bronzit. Ky monument u ndërtua i tëri me pllaka bronzi, me një kosto prej rreth 350 mijë eurosh, ku vetëm një nga pllakat e tij kushtoi 400 euro. Monumenti historik u konceptua të kishte edhe Deklaratën e Pavarësisë, së bashku me firmat e 40 delegatëve që ishin në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë. Por, qytetarët që e vizitojnë atë nuk kanë ngurruar të shkruajnë emrat e tyre apo të shkarravitin firmat e mbi 40 delegatëve të Vlorës.

 

Elbasan/ Gjendet i vdekur në hotel shtetasi polak

 Një shtetas i huaj është gjetur i pajetë në një hotel në qytetin e Elbasanit. Mësohet se viktima është Joromir Jerzy, 38 vjeç, nga Polonia. Sipas informacioneve që vijnë nga policia e këtij qyteti, bëhet me dije se shtetasi në fjalë është gjetur i pajetë nga personeli i hotelit. Ndërkohë, sipas ekspertizës, 38-vjeçari ka vdekur për shkaqe natyrale.