Umberto Eco
E ç’lloji ishte dhuntia e gjuhëve që iu blatua apostujve? Nga leximi i Shën Palit (Korintasit 1,12-13) mund të hamendësohet që bëhej fjalë për një glosolali (pra dhuntia e të shprehurit në një gjuhë ekstatike, që të gjithë e kuptonin sikur të ishte gjuha e gjithsecilit). Por tek Veprat e Apostujve 2 rrëfehet se në Ditën e Rrëshajave nga qielli zbriti një gjëmim, mbi secilin apostull u vendosën gjuhë të zjarrta dhe ata filluan të flisnin gjuhë të tjera – pra ata morën dhuntinë, në mos të ksenoglosisë (ose të poliglotizmit), të paktën të një shërbimi mistik të përkthimit të njëkohshëm (simultan). Nuk po bëjmë shaka: ndryshimi nuk është pa rëndësi. Në rastin e parë apostujve do t’u ishte rikthyer mundësia për të folur gjuhën e shenjtë parababelike. Në rastin e dytë atyre do t’u ishte dhënë hiri që të gjenin tek Babeli jo shenjën e një humbjeje dhe një plagë që duhej shëruar, por çelësin e një aleance dhe mirëkuptimi të ri.
Nuk do të përpiqem ta epim Shkrimin e Shenjtë sipas qëllimit tonë, siç kanë bërë shkujdesur shumë protagonistë të kësaj historie. Historia jonë është historia e një miti dhe e një shprese. Por çdo mit ka të kundërtin e vet, i cili përvijon një shpresë të ndryshme. Nëse historia jonë nuk do të ishte mjaftuar me Evropën, por do të kishte mundur të endej edhe nëpër qytetërime të tjera, do të kishim zbuluar – në kufijtë e qytetërimit evropian, ndërmjet shekujve X dhe XI – një mit tjetër, të rrëfyer nga arabi Ibn Hazm (khs. Arnaldez 1981, Khassaf 1992a,1992b).
Ekzistonte, sipas këtij miti, një gjuhë e dhënë nga Zoti, falë së cilës Adami njihte thelbin (quidditasa) e sendeve dhe ajo ishte një gjuhë që i jepte nga një emër çdo gjëje. Por duket se në një pikë Ibn Hazmi bie në kundërshtim, sikur dykuptimësia lindte natyrshëm nga prania e homonimeve në një gjuhë, por një gjuhë mund të ishte e përkryer, edhe nëse do të përmbante sinonime të pafundme, veçse me kushtin që, duke emërtuar një send në mënyra të ndryshme, ta bënte këtë gjithmonë në mënyrë të përshtatshme.
Gjuhët nuk mund të kenë lindur me marrëveshje, duke qenë se për t’u marrë vesh për rregullat e gjuhës së re, njerëzve do t’u nevojitej një gjuhë e mëparshme; por nëse kjo ekzistonte, përse njerëzit do t’i hynin mundimit për të ndërtuar gjuhë të tjera, mundim i lodhshëm dhe i papërligjur? Për Ibn Hazmin mbetet një shpjegim i vetëm: gjuha parake përfshinte të gjitha gjuhët.
Ndarja e mëpasme (të cilën, duhet thënë, Kurani e shikonte si një ndodhi të natyrshme dhe jo si mallkim, khs. Borst 1957-1963, I:325), nuk ndodhi prej shpikjes së gjuhëve të tjera, por nga thërrmimi i gjuhës së vetme që ekzistonte që nga fillimi (ab initio), e cila përmbante të gjitha gjuhët e tjera. Për këtë arsye njerëzit janë në gjendje ta kuptojnë zbulesën e Kuranit në çdo gjuhë që ajo të shprehet. Zoti e zbriti Kuranin nga qielli në arabisht vetëm për t’ia bërë të kuptueshëm popullit të vet dhe jo sepse kjo gjuhë gëzonte ndonjë të drejtë të veçantë. Në çdo gjuhë njerëzit mund të zbulojnë shpirtin, frymën, aromën, gjurmët e shumëgjuhësisë parake.
Le të përpiqemi ta pranojmë këtë mendim që na vjen nga larg. Gjuha mëmë nuk ishte një gjuhë e vetme, por tërësia e të gjitha gjuhëve. Ndoshta Adamit nuk iu blatua kjo dhunti, vetëm iu premtua, dhe mëkati parak e ndërpreu nxënien e ngadaltë të saj. Por mbetet trashëgimi e bijve të tij detyra për të rifituar zotërimin e plotë dhe të paqtë të Kullës së Babelit.
Fragment nga “Në kërkim të gjuhës së përkryer”, përkthyer nga Genc Lafe, botimet “Dituria”