Gëzim Saliu
“Regjistrimi i çdo IMEI të celularëve bën që qeveria të ketë akses në të gjithë telefonat e shqiptarëve”
Partia Demokratike dorëzoi dje në Gjykatën Kushtetuese ankimimin kundër ligjit të qeverisë, që parashikon regjistrimin e çdo IMEI të telefonave celularë të qytetarëve shqiptarë. Në kërkesën dërguar Gjykatës, opozita thekson se me këtë vendim, qeveria i jep të drejt vetes të ketë akses në telefonat celularë të çdokujt që i përdor ata, duke ndërhyrë në çdo gjë personale që është e përfshirë në to. Sipas vendimit të qeverisë, çdo qytetar duhet të deklarojë IMEI-n, numrin personal identifikues të celularit të vet, pranë kompanisë përkatëse celulare dhe të gjitha këto të dhëna do të ruhen në një server që do të menaxhohet nga Ministria e Financave. Nëse qytetari nuk e regjistron IMEI-n pranë kompanisë celulare, atëherë vendimi i qeverisë detyron shkëputjen e shërbimit. Sipas Partisë Demokratike, ky vendim shkel disa nene të Kushtetutës, Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe rikthen standardin e kontrollit të jetës private të qytetarit nga qeveria.
Ankimimi
Në ankesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike shpjegon gjerësisht bazën ligjore për antikushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë, duke theksuar se nëpërmjet pasjes së IMEI-t dhe ruajtjes së të dhënave në një server të Ministrisë së Financave, qeveria ka akses të plotë, të pakufizuar dhe të pakontrolluar në çdo veprim të qytetarëve me celularin, mesazhe, biseda telefonike, “FB”, “Whatsapp”, “Viber” dhe çdo aplikacion tjetër komunikues. “Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”, – citohet neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në ankimin e PD-së. Po ashtu në kërkesën e saj, opozita sjell si shembull të ngjashëm vendimin e Gjykatës së Drejtësisë në Luksemburg, e cila hodhi poshtë si të pavlefshëm Direktivën e Bashkimit Evropian që u kërkonte kompanive celulare të ruanin të dhënat e IMEI-t. Përveçse kërkon shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë, Partia Demokratike i kërkon Gjykatës Kushtetuese pezullimin e menjëhershëm të çdo veprimi të qeverisë për zbatimin e vendimit të saj, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen në asnjë moment të deklarojnë IMEI-n e telefonit të tyre tek kompanitë celulare. “Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese: Deklarimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të vendimit nr. 354, datë 4.6.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme. Pezullimin e vendimit nr. 354, datë 4.6.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”.
Ç’është IMEI?
Numri IMEI, përkatësisht është Identiteti Ndërkombëtar Stacionar Celular i Pajisjes (The International Mobile Station Equipment Identity), i cili është numri unik 15-shifror, që shërben për të identifikuar aparatet celulare. Ky numër, zakonisht, gjendet i shtypur në çdo kuti paketuese, si dhe në brendësi të aparatit, poshtë vendit ku vendoset bateria ose gjenerohet automatikisht (*#06#).
Si do të kontrollohen celularët me vendimin e ri
Nëpërmjet disponimit të numrit IMEI, si dhe pajisjeve të posaçme elektronike, arrihet të sigurohet informacion i gjithanshëm, mbi çdo të dhënë apo fakt që gjendet në aparatin celular të një individi. Konkretisht, disponimi i numrit IMEI siguron akses të pakufizuar lidhur me vendndodhjen e individit, sms, bisedat dhe thirrjet telefonike, “Viber”, “Facebook”, “Whatsapp”, “Bbm”, numër telefoni të regjistruar, foto, pra gjithçka private që ndodhet në aparatin celular të një individi.
Çfarë parashikon vendimi
– “Baza e të Dhënave për numrat IMEI, ngrihet, administrohet dhe përditësohet pranë Ministrisë së Financave. Kjo bazë do të përmbajë numrat IMEI, markën dhe tipin e aparateve celulare, shoqëruar me një nga të dhënat e mëposhtme: NIPT-in e importuesit në rast se aparati celular është në pronësi të importuesit; NIPT-in e tregtarit, person fizik ose juridik, në rast se aparati celular është në pronësi të personit tregtar; Numrin personal të identifikimit për aparatet në përdorim të individëve; Shënimin në lidhje me identifikimin e numrit, si dhe të mungesës së elementeve identifikuese për pronësinë”.
– “Operatorët e telefonisë celulare ndërpresin ofrimin e shërbimit për çdo kartë të vendosur në një aparat, numri IMEI i të cilit rezulton në listën e zezë të Bazës së të Dhënave”
Halimi: Urdhri i Ramës për të përgjuar telefonat, antievropian, tendencë oligarkike
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, bëri të ditur dorëzimin e padisë së PD-së në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimi të qeverisë që ka urdhëruar të gjitha kompanitë celularë të dorëzojnë IMEI-n e çdo abonenti në Shqipëri. “Urdhri i Ramës për të përgjuar komunikimet elektronike dhe korrespodencën personale të gjithkujt, është antievropian, dhe shkon në drejtim të vendeve me tendenca oligarkike, ku çdo gjë private, përfshirë edhe të dhënat rreth personit, konsiderohen shtetërore, dhe mund të përdoren pa kurrfarë kufizimi. Urdhri i Ramës është antikushtetues, pasi cenimi i të drejtës për jetë private dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, jashtë çdo standardi kushtetues për kufizimin e të drejtave të njeriut, cenon nenet 4, 17, 35, 36, dhe 118 të Kushtetutës, nenin 8 të KEDNJ-së, si dhe jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, – shkruante në rrjetin social “FB” ligjvënësi demokrat. Sipas Halimit, ky urdhër do të duhej të pezullohej sa më parë nga Gjykata, në mënyrë që të mos sjellë pasoja të pariparueshme për funksionimin normal të shtetit të së drejtë si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve.