Nga llogaritë e kursimit te kreditë, ja çfarë duhet të dimë për ekonominë

0
226

ekonomiDeflacioni, deficiti tregtar, fuqia blerëse e monedhës, indeksi i çmimeve janë vetëm disa nga termat që ne i dëgjojmë nëpër media, por jo gjithmonë i kuptojmë saktë se çfarë do të thotë. Më poshtë gjenden 50 termat ekonomikë që çdo individ duhet të dijë se çfarë janë.

 

BUXHETI, DEFICITI BUXHETOR

Deklarata e pozicionit të planifikuar financiar të qeverisë për një periudhë të caktuar kohe, zakonisht 1 vit, e cila bazohet mbi vlerësimet e bëra nga qeveria në lidhje me shpenzimet që ajo do të kryejë (paga dhe shpërblime mbi to, blerje e mallrave të ndryshëm, pagesa të interesave, investimeve në sistemin rrugor, sistemet ujitëse, në spitale, shkolla etj.) në përputhje me vlerësimet për shumën e të ardhurave (të ardhurat nga tatimet, doganat etj..) që do të realizohen nga burime të ndryshme, që do të jenë të vlefshme për të mbuluar shpenzimet. Një buxhet është i balancuar kur ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave të qeverisë nuk ka ndryshime, pra kur këto grupe të mëdha të buxhetit janë të barabarta. Kur të ardhurat janë më të ulëta /më të larta se sa shpenzimet, jemi në kushtet e një deficiti/suficiti buxhetor. Në mënyrë thelbësore, deficiti/suficiti buxhetor varet nga aktiviteti ekonomik, sepse është ai që krijon bazën reale të vjeljes së të ardhurave.

 

BORD I MONEDHËS

Një mënyrë e të bërit politikë monetare ku banka qendrore merr angazhimin që do të rrisë ofertën e parasë për atë shumë që korrespondon me kundërvleftën e shumës me të cilën shtohet rezerva e saj valutore.

 

BRETTON WOODS

Në muajin korrik të vitit 1994 në hotelin “Mount Washington” në Bretton Woods, të shtetit NeW Hampshire u mbajt Konferenca Monetare dhe Financiare e Kombeve të Bashkuara. Marrëveshja që u arrit në këtë konferencë ishte shumë e rëndësishme, pasi ajo vendosi kuadrin, i cili administroi sistemin ndërkombëtar të pagesave gjatë 25 viteve pas Luftës së Dytë Botërore dhe themeloi dy institucione financiare të rëndësishme: Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, të cilat ekzistojnë dhe sot.

 

CASH FLOW

Një mënyrë e të maturit të shëndetit financiar të kompanisë. Qëllimi i tij është barazimi i të hyrave në formë cash-i me pagesat po në cash, në një periudhë të dhënë kohe.

 

CIKLI I BIZNESIT

Luhatje periodike, të komponentëve të aktivitetit të përgjithshëm ekonomik. Zakonisht ato për kufizohen si devijime të prodhimit (Produktit të Brendshëm Bruto të shprehur me çmime konstante) nga prirja afatgjatë e tij. Në qoftë se cikli është në fazën e gjallërimit, rritja ekonomike pritet të jetë në përputhje me kapacitetet prodhuese disponibël të vendit. Në fazën e kulmimit situata përkon me një rritje ekonomike të shpejtë. Në fazën që vijon, atë të rënies, prodhimi bie dhe kapacitetet prodhuese mbeten të pashfrytëzuara. Për rrjedhim, papunësia rritet dhe ekziston rreziku i deflacionit.

 

ÇMIMI

Raporti i këmbimit midis mallrave të ndryshëm, i matur në njësi monetare (shihni gjithashtu dhe monedhë, nivel çmimesh, interes).

 

DEFICITI TREGTAR

Bilanci tregtar negativ, domethënë diferenca negative ndërmjet eksporteve dhe importeve të regjistruara njihet si deficit tregtar i vendit. E kundërta, domethënë diferenca pozitive ndërmjet eksporteve dhe importeve të regjistruara njihet si suficit në bilancin tregtar të vendit. (shihni gjithashtu dhe bilanci tregtar.

 

DEFLACIONI

Deflacioni i referohet një situate kur niveli i çmimeve të konsumit, demonstron rënie përgjatë një periudhe kohore. Deflacioni është rasti i kundërt i inflacionit. (shihni gjithashtu dhe indeksi i çmimeve të konsumit).

 

DEPOZITA KURSIMI

Fonde që individë apo ndërmarrje depozitojnë pranë një banke, më shpesh në formën e një llogarie kursimi që përfiton interesa.

 

DEPOZITA ME AFAT

Fonde që janë depozituar në një bankë për një periudhë kohe të fiksuar. Zakonisht, investuesi nuk mund të tërheqë shumën e depozituar deri në përfundim të afatit të maturimit. (shihni gjithashtu dhe maturim)

 

DEPOZITA PA AFAT APO LLOGARI RRJEDHËSE

Fonde, që mund të transferohen, në çdo kohë dhe pa kufizim nga një llogari bankare në një tjetër llogari ose të konvertohen me para në dorë.

 

DEPOZITA NJËDITORE

Është një lehtësi e Bankës së Shqipërisë që u mundëson bankave të depozitojnë për një ditë,likuiditetin e tepërt të tyre në para, pranë Bankës së Shqipërisë. Për këtë investim bankat marrin interesa.

 

EURO

Monedhë e përbashkët e 12 vendeve, pjesëmarrëse në bashkimin ekonomik dhe monetar evropian. Një euro është e ndarë apo përbëhet nga 100 cent. Euro është hedhur në përdorim në 1 janar 1999. Që nga kjo datë, përgjegjësia për politikën monetare të Zonës Euro, i është besuar Bankës Qendrore Evropiane. Megjithatë, prania fizike e euros u bë më 1 janar 2002.

 

FITIMI BRUTO I BANKËS QENDRORE

Fitimi bruto, në rastin e Bankës së Shqipërisë, llogaritet duke zbritur nga të ardhurat, shpenzimet e bëra për vitin financiar.

 

FITIMI NETO I BANKËS QENDRORE

Fitimi neto, në rastin e Bankës së Shqipërisë, rezulton pas zbritjes nga fitimi bruto i: borxheve të dyshimta pa shpresë arkëtimi (kthimi); masës së zhvlerësimit të mjeteve në bilancin e Bankës së Shqipërisë;shpenzimeve të tjera rezervë dhe të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, që konsiderohen të nevojshme për Bankën e Shqipërisë.

 

FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR

FMN është një organizatë ndërkombëtare, që ka për synim të zbatojë bashkëpunimin monetar dhe ekonomik midis shteteve anëtare. Shqipëria është anëtare e këtij organizmi të rëndësishëm që nga viti 1991. FMN është themeluar në vitin 1944 në Breton Woods në të njëjtën kohë me Bankën Botërore. Ai ka selinë e tij në Uashington. Në periudha të rregullta kohore, FMN organizon takime në të cilat shqyrtohen politikat monetare dhe ekonomike të ndjekura nga shtetet anëtare të tij. Në varësi të ndjekjes së politikave monetare dhe ekonomike në përputhje me standardet ndërkombëtare, përcaktohen masa dhe burimet e ndihmave financiare për vendet në vështirësi ekonomike.

 

FOREX

Shkurtim i tregut ndërkombëtar të këmbimeve valutore.

 

FUQIA BLERËSE E MONEDHËS

Fuqia blerëse e parasë, tregon sasinë e mallrave, që është e mundur të blihen me një shumë të caktuar parash. Kur niveli i çmimeve rritet, fuqia blerëse e parasë ulet dhe sasia e mallrave që mund të blihet me një shumë të caktuar parash pakësohet (inflacioni). Në rastin e kundërt do të kishim një fuqi blerëse të monedhës që rritet, kur çmimet ulen (deflacion). Qëllimi i politikës monetare është mbajtja e një fuqie blerëse të monedhës sa më të stabilizuar, duke “dozuar” furnizimin me para të ekonomisë.

 

GRUPI I TË SHTATËVE

Grupi i shtatë ekonomive industriale kryesore përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja. Kryeministrat apo ministrat e ekonomisë së këtyre vendeve takohen në mënyrë periodike për të diskutuar marrëdhëniet politike, ekonomike, monetare dhe financiare në planin ndërkombëtar.

 

GJENDJA MONETARE

Është paraqitja e treguesve monetarë, në mënyrë të sintetizuar nga konsolidimi i bilanceve të bankave tregtare dhe bilancit të Bankës së Shqipërisë. Gjendja monetare siguron informacionin e nevojshëm për formulimin, zbatimin dhe monitorimin e politikës monetare. Përpunimi i të dhënave bëhet në bazë të metodikës së hartimit të gjendjes monetare.

 

INDEKSI I ÇMIMEVE TË KONSUMIT

Indeks, që mat ecurinë mesatare të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve që bëjnë pjesë në shportën shqiptare të konsumit. Ajo vlerësohet si përfaqësuesja më e mirë e mënyrës së konsumit të mallrave më të përdorshëm nga një familje mesatare në Shqipëri. Përcaktimi i shportës kalon nëpër një proces të tërë vrojtues dhe vlerësues, të bazuar mbi një metodologji statistikore të plotë sipas standardeve ndërkombëtare. Në Shqipëri, indeksi i çmimeve të konsumit, që shpesh quhet indeks i çmimeve, shërben për të matur inflacionin.

 

INDEKSI I ÇMIMEVE

Treguesi që mat ndryshimin në përqindje të lëvizjes së çmimit të një malli apo të një grupi mallrash dhe shërbimesh, njihet me emërtimin indeks çmimesh. Indeksi i çmimeve të konsumit është një nga treguesit më të ndeshur. Ai luan një rol kryesor në sjelljen dhe zbatimin e politikës monetare të bankave qendrore në përgjithësi, dhe të Bankës së Shqipërisë në veçanti. Banka e Shqipërisë kujdeset për stabilitetin e çmimeve të konsumit. INSTAT llogarit edhe një numër indeksesh të tjera çmimesh, të cilat masin: ecurinë e çmimeve të prodhimit (IÇP), ecurinë e çmimeve në sektorin e ndërtimit apo indeksin e kushtimit në ndërtim (IKN); ecurinë e pagave nëpërmjet indeksit të pagave në sektorin publik.

 

INDEKSIMI

Indeksimi është një mekanizëm që shërben për rregullimin e vlerës së një kontrate në aspektin monetar, me qëllim përshtatjen e saj me lëvizjet e çmimeve. Kryerja e indeksimit, ruan në njëfarë mënyre vlerën reale të kontratës. Kjo është më e shprehur në kontratat e pagave. Kjo do të thotë që ato mund të rriten në mënyrë periodike në përgjigje të shifrave të rritura të inflacionit.

 

INFLACIONI I PRITSHËM

Norma e inflacionit që pritet të jetë në të ardhmen, përbën normën e pritshme të inflacionit. Në një situatë hipotetike, në të cilën norma aktuale e inflacionit është e barabartë me normën e pritshme, thuhet se inflacioni i faktuar ka kapur në mënyrë perfekte vlerat e inflacionit të pritshëm apo të atij që pritej. Në realitet, nuk ndodh kështu, pra rasti perfekt ndeshet rrallë. Debati ekziston në faktin se si të modelohet më mirë mënyra si agjentët ekonomikë formojnë pritjet për inflacionin.

 

INFLACIONI

Në qoftë se niveli i përgjithshëm i çmimeve rritet edhe kur fuqia blerëse e monedhës bie, atëherë thuhet se ka inflacion. Pra me të njëjtën sasi parash, nuk mund të blejmë të njëjtën sasi mallrash, por më pak se sa periudha që i referohemi. E tëra kjo ndodh, sepse çmimet janë rritur. Indeksi i çmimeve të konsumit, mundëson matjen e inflacionit në vend. Inflacioni shpreh rritjen në përqindje të indeksit të çmimeve të konsumit. Rasti i kundërt i inflacionit është deflacioni.

 

INFORMACIONI ASIMETRIK

Informacioni asimetrik ndodh kur palët në treg zotërojnë informacione të ndryshme në lidhje me mallin apo me shërbimin që tregtohet. Tregu i punës është një shembull i mirë i tregut ku dominon informacioni asimetrik. Për shembull, aplikuesit ose ata që kërkojnë një vend pune, kanë më shumë informacion në lidhje me aftësitë e tyre, me ndershmërinë dhe me angazhimin sesa punëmarrësit e tyre të mundshëm. Informacioni asimetrik është një nga arsyet përse firmat mund të ofrojnë paga më të larta, jo vetëm për të tërhequr kandidatët më të mirë apo më produktivë, por gjithashtu dhe për të frenuar largimin e personelit më produktiv dhe më cilësor.

 

INSTITUCION FINANCIAR

Institucioni, i cili grumbullon fonde nga publiku dhe i vendos ato në aktive financiare, të tilla si depozita, kredi, obligacione etj., gjithsesi të ndryshme nga pasuritë e paluajtshme.

 

INSTITUTI I EMETIMIT

Me anë të këtij kuptohet institucioni që gëzon monopolin e emetimit të kartëmonedhës dhe të monedhës metalike. Në shumicën e vendeve ky privilegj i përket bankave qendrore. Edhe në Shqipëri këtë pozicion e gëzon Banka e Shqipërisë.

 

INSTRUMENTET E POLITIKËS MONETARE

Tërësia e transaksioneve me anë të të cilave bankat qendrore influencojnë paranë dhe nivelin e përqindjeve të interesit në tregun e parasë, njihet si instrumente të politikës monetare. Si të tillë, Banka e Shqipërisë përdor, kryesisht repo, kredi njëditore, depozitë njëditore, kredi lombard, operacionet e tregut të hapur, rezervën e detyruar, shitblerjet me të drejta të plota.

 

KARTËMONEDHA NË QARKULLIM

Shuma e të gjitha kartëmonedhave bankare të emetuara nga një bankë qendrore dhe ajo që është në qarkullim për një kohë të caktuar (në një moment të dhënë), përbën kartëmonedhën në qarkullim.

 

KËSHILLI MBIKËQYRËS I BANKËS SË SHQIPËRISË

Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i politikave, i administrimit dhe i operacioneve të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë, si më poshtë: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë që është edhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës; zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë; zëvendësguvernatori i Dytë i Bankës së Shqipërisë; dhe 6 anëtarë. Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

 

KREDIA NJËDITORE

Është një lehtësi e Bankës së Shqipërisë që përdoret për t’u ardhur në ndihmë bankave të nivelit të dytë duke i furnizuar ato me likuiditete, në rastet kur ato për arsye të ndryshme nuk kanë fonde të nevojshme për të përmbushur të gjitha premtimet për pagesa në një ditë pune ndaj klientëve të tyre.

 

KREDIA PËR QEVERINË

Të gjitha letrat me vlerë të qeverisë që zotëron Banka e Shqipërisë në një moment të caktuar njihen si kredi për qeverinë.

 

KREDIA PËR EKONOMINË

Përfshin të gjitha pretendimet e bankave ndaj ndërmarrjeve të sektorit publik, ndaj ndërmarrjeve private, ndaj individëve dhe ndaj institucioneve financiare. Këto pretendime janë të shprehura në formën e kredive të pastra.

 

KREDIA LOMBARD, PËRQINDJA LOMBARD

Kredia lombard është instrument borxhi ose një hua e garantuar me letra me vlerë që banka qendrore, në rastin tonë, Banka e Shqipërisë, u akordon bankave të nivelit të dytë. Ajo ka për qëllim të ndihmojë këto të fundit për kapërcimin e problemeve të përkohshme me likuiditetin. Banka qendrore, e akordon atë mbi bazën e një kolaterali. Ajo përfaqëson mundësinë e fundit kredituese për bankat dhe kjo e bën atë më të shtrenjtë, pra me përqindjen e normës së interesit më të lartë në treg. Përqindja e interesit e kësaj kredie quhet, gjithashtu, përqindje lombard.

 

KRIJIMI I PARASË

Bankat krijojnë para të re duke dhënë kredi. Aftësia e tyre për të krijuar para është e ndikuar nga rezervat e detyruara dhe nga tendenca e politikës monetare (konservatore, neutrale apo zbutëse) në momentin e dhënë të kohës.