Vrasje e pesëfishtë/ Sherri për fejesën e mbesës, ekzekuton familjen dhe vetëflijohet

0
155

 Anxhela Tato

vrasja fierKrimi i 5-fishtë, autori u revoltua nga indiferenca e vëllait për vendimin e fejesës së 17-vjeçarit, “molla e sherrit” për vëllezërit prej disa muajsh

Dëshmia e fqinjëve: Bajrami e kishte rritur mbesën dhe ishte shumë i lidhur me të, u ndie keq që nuk iu dëgjua fjala

 Masakër në familje, sherri për fejesën e mbesës përfundon me ekzekutimin e pesë personave, duke u shndërruar në një tragjedi. Krimi tronditës, i motivuar nga mentaliteti i marrosur i 73-vjeçarit Bajram Vrapi, të cilët nuk iu dëgjua fjala, ka hapur mortin dhe vajin për familjen Vrapi. Autori i ngjarjes makabre pas vrasjes së dy vëllezërve, kunatës dhe mbesës, ka zgjedhur të vetëflijohet. Nën presionin e realitetit të hidhur, pas përballjes me katër kufomat, autori nuk ka mundur të përballojë dot ngarkesën psikologjike. Ndërsa është arratisur për në fushën e misrit, nën rrethimin e policisë ai ka qëlluar veten në kohë me armën e krimit. Fjalët e fundit të Bajram Vrapit kanë qenë: “Më keqtrajtuan, i vrara të gjithë”. Ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për në morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, e cila do të jetë një provë shtesë për policinë. Nga ana tjetër arma e krimit ndodhet në laborator, ku nga rezultatet e para konstatohet se autori ka qëlluar në fillim Besim Vrapin, më pas kunatën, mbesën dhe të fundit ka lënë vëllanë tjetër, Xhemal Vrapin, i cili i injoroi mendimin. Nën ethen e gjakut autori ka dashur të vrasë edhe bashkëshorten e tij Afërditën, e cila pas dëgjimit të të shtënave është fshehur tek fqinjët. Të shokuar asnjë nga familjarët nuk ka qenë në gjendje për të rrëfyer ndonjë detaj për blutë. Nga të dhënat e para dyshohet se motivi i krimit është mospërfillja e kundërshtimit të 73-vjeçarit për fejesën e mbesës. Mësohet se Bajram Vrapi nuk ishte dakord që mbesa e tij të fejohej me familjen e zgjedhur. 73-vjeçari është ndjerë i ofenduar nga refuzimi dhe mos marrja parasysh e mendimit të tij nga i vëllai. Me mentalitetin e marrjes së vendimit nga më i madhi i fisit, autori nuk ka duruar dot indiferencën duke kapërcyer nga konflikti në vrasje.

 

Policia

 Vetëvrasja ka mbyllur çështjen për policinë, ndërsa hetimet janë përqendruar në motivin që u bë shkak për këtë masakër në familjen Vrapi. Burimet policore thanë se ngjarja lidhet me fejesën e Merushes, për të cilën xhaxhai i saj Bajrami nuk ishte dakord, ndërsa mësohet se dreka e fejesës mes dy familjeve në krushqi, do të hahej dje. Sipas uniformave të policisë autori ka vajtur në banesën e vëllait dhe aty kanë nisur të debatojnë. Gjakrat janë nxehur dhe i ofenduar nga indiferenca e vëllait ai e ka qëlluar me çifte. Dyshimet janë që Bajrami nuk ka mundur dot të pranojë neglizhencën e vëllait ndaj fjalëve të tij, si më i madhi në fis dhe si personi, fjala e të cilit duhet të zëri vend. Nga dëshmitë e fqinjëve dhe të afërmve ngjarja lidhet pikërisht me kundërshtimin e autorit për fejesën e mbesës së tij. Sipas fqinjëve autori ka qenë shumë i lidhur me mbesën, të cilën e ka rritur vetë. Kjo ka qenë edhe arsye pse është ndjerë i ofenduar për mospyetjen e tij për fejesën. Nga ana tjetër dy vëllezërit prej muajsh ishin në konflikt me njëri-tjetrin. Të dy grindeshin për këtë çështje, pasi Bajrami ishte kundër dhe donte që mendimi i tij të zbatohej, por vëllait nuk i interesonte dhe e kishte ndarë mendjen për të fejuarën vajzën. Autori përshkruhet si një person mjaft i respektueshëm, që punonte me djersë për të mbajtur familjen e tij. Por që mentaliteti e ka bërë të debatonte me vëllanë dhe situata të degradonte në vrasje. Ndërsa pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje familjarët e afërt, të cilët janë ende të tronditur për çka ka ndodhur. Dy vëllezërit Vrapi kanë marrë plagë në trup, të cilat i kanë shkaktuar hemorragji duke i marrë jetën. Ndërsa dy gratë e kanë plagën tejshpuese në kokë, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Vetë autori është vetëvrarë me plumb poshtë mjekrës.

 

Ngjarja

 Krimi i rëndë shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur familja e Xhemal Vrapit po përgatitej për të festuar fejesën e vajzës. Gratë ishin zhvendosur në kuzhinë duke nisur nga gatimet për drekën që do të zhvillohej. Por harmonia në familje nuk ka zgjatur shumë, deri në momentin kur kanë nisur debatet mes Xhemalit dhe vëllait të tij të madh Bajramit, i cili vijonte të kundërshtonte fejesën e mbesës. Në debat e sipër Bajram Vrapi ka vrarë me armë gjahu (çifte) mbesën e tij minorene, dy vëllezërit e tij, kunatën dhe pas këtij akti tragjik, i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të së martës, në fshatin Suk 2 të komunës Strum të Fierit. Duhej të ishte ditë gëzimi në familjen e Xhemal Vrapit të fshatin Suk 2 të komunës Strumë në Fier, pasi fejonte vajzën Merushe që në dhjetor mbushte 18 vjeçe. Por, është kthyer në ditë morti, pasi Bajrami, 73 vjeç, i ka shkuar në banesë vëllait që fejonte vajzën dhe ka vrarë Xhemalin 69-vjeçar, mbesën e tij Merushen, të ëmën e vajzës që ishte dhe bashkëshortja e Xhemalit, Dritën 43 vjeçe, si edhe vëllanë tjetër, Besimin, 60 vjeç, i cili kishte edhe vetë një vajzë në moshën e Merushes, dhe që kishte ndërhyrë për të shmangur gjakderdhjen në banesën e Xhemalit. Bajrami në të njëjtën kohë është nisur drejt banesës tij me qëllim për të ekzekutuar bashkëshorten, Afërdita Vrapi, 56 vjeçe, të cilën nuk e ka gjetur në banesë. Kjo e fundit pak momente pas krimit shprehet e shokuar për ngjarjen e rëndë, teksa ngurron të ndalet tek arsyet. Pas krimit, Bajrami është larguar në drejtim të një are me misër, ku i rrethuar nga policia, ka vrarë veten me të njëjtën çifte gjahu që kishte vrarë 4 pjesëtarët e tjerë të familjes.

 

Kushëriri: Më tha që vrau vëllezërit, i kërkova të dorëzohej

 Kushëriri tregon skenën e rëndë të vetëvrasjes së Bajram Vrapit para syve të tij. Vetëm pak sekonda pas krimit Bajrami i ka rrëfyer Samet Toskës vrasjet duke kërkuar një celular për t’u lidhur me vajzën në Greqi. Ndërsa kushëriri ka dashur ta ndalojë, Bajram Vrapi është drejtuar për në fushën e misrit. Zona ishte rrethuar nga ana e policisë. Bajrami ka shkrepur armën e gjahut poshtë mjekrës, duke i dhënë fund jetës. “E takova Bajramin menjëherë pas krimit me armën në dorë. Refuzoi të dorëzohej dhe vrau veten. Më rrëfeu se kishte vrarë dy vëllezërit, kunatën dhe mbesën vetëm 17-vjeçare, ishte me armën e krimit në dorë. I kërkova të dorëzohej në polici pas këtij krimi që kishte kryer, por ai refuzoi me ngulm. Nuk munda të bëja asgjë, ai me armë në dorë u drejtua tek një arë më misër, aty më pas dëgjova të shtëna, ai kishte vrarë vetën. Njoftova menjëherë dhe djalin e tij për këtë krim makabër, që tronditi gjithë fshatin”, – rrëfen Toska.

 

Bashkëshortja: Dëgjova të shtëna dhe u fsheha te fqinjët

 Pas masakrës autori ka dashur të vrasë gruan e tij. Ai është drejtuar për në banesë, por aty nuk ka gjetur bashkëshorten, e cila ndodhej në banesën e Xhemal Vrapit për të ndihmuar në gatime për fejesën e 17-vjeçares Merushe Vrapi. “Po gatuaja, pasi ne sot kishim fejesë dhe do bënim drekë. Ishim mbledhur në banesë, kur unë dëgjova britma dhe ulërima. Më pas të shtëna. U tmerrova dhe ika me vrap. U fsheha te fqinjët dhe aty mora vesh se çfarë kishte ndodhur. Nuk di çfarë të them për motivin, jam e tronditur”, – është shprehur Afërdita Vrapi.

 

Kunati: Jemi të tronditur, i vrau se nuk i morën mendim për fejesën

 Një ndër dëshmitarët e ngjarjes është edhe kunati i familjes Vrapi, i cili rrëfen se çdo gjë ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Xhemali dhe Bajrami ishin zënë shpesh gjatë këtyre muajve të fundit për çështjen e fejesës së 17-vjeçarit. Ditën e djeshme konflikti ka degraduar dhe të dy janë ofenduar, kur autori ka marrë armën duke hapur zjarr. “Bajrami ishte i ofenduar që nuk e pyesnin për fejesën, pasi ai ishte kundër. Nuk pranonte dhe donte që vendimi i tij të merrej parasysh. Janë zënë edhe herë të tjera dhe është çështje mentaliteti. Atij nuk iu mor parasysh mendimi dhe në gjaknxehtësi vrau një familje”.

 

Si ndodhi krimi makabër

 Bajrami shkoi në banesën e vëllait të tij, Xhemalit, qëlloi me çifte 4 pjesëtarët e familjes, kundër fejesës së mbesës. Bajram Vrapi, 73 vjeç, ka hyrë në banesën e vëllait të tij dhe pas konfliktit ka qëlluar me armë gjahu ndaj pjesëtarëve të familjes, duke lënë të vdekur në vend dy vëllezërit, Xhemal dhe Besim Vrapi, 69 dhe 60 vjeç, kunatën e tij Drita Vrapi 43 vjeç dhe mbesën minorene Merushe Vrapi, vetëm 17 vjeç (vajza e Xhemal Vrapit). Sipas informacioneve paraprake në lidhje me këtë ngjarje tragjike, dyshohet se autori të ketë qenë kundër fejesës së mbesës së tij 17-vjeçare, ku dreka e fejesës do të hahej dje nga dy familjet në krushqi. Autori ka qëlluar dy vëllezërit në trup, ndërsa gratë me plumb në kokë.