Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla
Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete politikës e të kulturës. Pas çështjeve politike, të organizimit të partive në emigrim, letrat e Krujës shkojnë edhe në një dimension kulturor, siç është diskutimi me Zef V. Nekajn ku duhet shënuar se ky ishte studiues, dhe personalitet i letrave shqipe, i njohur me botimet e artikuj shkencore, të shkruar në të shumtën e herëve me pseudonime. Polemist mbi të vërtetën, në këtë frymë Nekaj argumenton në histori e gjuhë në letrat e rralla që ka pasur me Mustafa Krujën, të dy në vitet ‘50 në emigrim.
Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Ramleh, 12.I.1954
I dashuni Zef,
“Kuj po i shkruen?” më pyeti tash ime motër kur më pa se un isha tue bâmë gati makinën me nji letër të hapun përpara. “Pelamrrelës” i u përgjegja me ofiqin qi të kam ngjitun tý – do t’a mbajsh mênd – qyshë me të parën a të dytën letër qi pata marrë prej teje. Ofiq qi njohim veç na të dy, motër e vlla, veç, e ti tash i treti. Kam kënduem tash vonë nji artikull në Il Tempo qi t’epte arsye të plotë tý për atë thesën e “pelës mbërrelë”, por në politikë, e në këtë lâmë plehnash s’jam as un larg saj për kê âsht i zoti me e bâmë.
Dje qênkan mbushun plot tre muej prej datës së letrës s’ate. Me i përmbledhun ndër mên e mbrapa me marrë e me u shkruem përgjegjen 11 faqeve s’âsht punë e lehtë. Prandej po i prek argumentat në radhë tue kënduem t’ânden e tue i shkruem përgjegjen secilit nji nga nji. E me numra madje.
Na të dy jemi marrë vesht mirë për letërshkëmbimin t’onë: secili nesh âsht i lirë me u përgjegjun kur të ketë ngê. Kur të kemi punë e punë të ngutshme me shoshoqin – qi s’po na bie me pasun kurrë – po shkruejmë pa pritun përgjegje.
Sa për fufkim, kallzoma nji herë se ç’don me thânë e mbasandej tash flasim.
Prej Ndoit asnji letër s’kam marrë ende. Por as nuk pres. E këtê po e thom jo me idhnim, por me rassegnazione. I kam qênë idhnuem e e kam pasë mundshtuem fort kur kisha shpresë se mund t’a qërtojsha. Por mbasi këtë shpresë tashmâ e kam hjekun, s’ka arsye me u mërzitun. Nuk âsht i vetmi qi priton me shkruem, ka shokë mjaft, edhe ndër dashamirë tjerë të mij. Kam nji t’im kunat, të shoqin e s’ime motër n’Amerikë, qi luen mêndsh për mue: më shkruen për çdo mot të ri! Për sa i përket objektit të këtij bisedimi, dmth. themës së Dukagjinet e Gjomarket, dashtë Zoti e i u dashtë Ndoit me qërtuem ndonji argument t’emin e me gjetun ndonji argument të ri, se qëllimi âsht historija këtu e jo gjâ tjetër.
Përshkrim’i yt për Hasan Kaleshin si “mâ të thellin kritik shqiptar qi gjindet në Jugoslaví”, si “orjentalist qi din persisht, tyrqisht, arabisht, sërbisht, rusisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht” e mbas nja disa muejsh, me si duket, edhe anglisht, mbasi i a paska hŷmë me e studjuem, më lên pak shqeptik. Më lên shqeptik për arsye se qênka tepër i ri për me pasë mbërrîmë me bluem a qoftë edhe me grumbulluem gjithato dituní mbrênda nji numër vjetsh aqë të kufizuem ndër trût’e vet. Ai mundet me qênë nji gjení e, të kishte qênë nji gjení artesh, historija njeh të këtilë qi e kanë filluem veprimtarinë artistike qyshë kalamâj. Por ditunija âsht tjetër gjâ. Lyp nji kohë të gjatë. Nji gjâ po marr si fakt: qi ai djalë paska për t’u bâmë nji ditë me e nderuem Shqipninë a, makar, shqiptarinë. E mjafton ky fakt positiv për me na krenuem të gjith. S’prish punë se s’paska karakter. Ka me e dhânë ndihmesën për gjakun e vet n’at fushë ku karakteri s’âsht elementi themeluer.
Me këtë rasë po të diftoj se Martin Cami po mundohet me hŷmë në të përpjekun korrespondence për çështje letrare e gjuhsore me mue. Deri tash i jam shmângun, se drue mos të bjerë në nji kurthë të rrezikshme. Më duket se ke qênë ti qi më ke pasë shkruem për tê se ka përkthyem shqip Larousse-in. Kurse qênka, jo Larousse-i, por Kristoforidhi. E kjo âsht nji punë tejët mâ e lehtë. Paska ndër mênd me m’a dërguem dorshkrimin qi t’a shikoj un. Kurrë s’do t’i a kshilloj, veçse në pastë dý kopje. Më ka dërguem nji copë të nji libri vjershash të tij e nji tjetër libër qi s’më ka ramë në dorë. Kam marrë nëpër nji tjetër kanal edhe nja 3-4 numra të Jetës së Re. I quej këto sende si prova të nj’atij zelli patrijotik e kulturuer qi më ke përshkruem edhe ti për Shqiptarët e rij të Jugoslavisë e kënaqem fort. Veç po drue mos po e teprojnë ndër kushtet qi i rrethojnë.
A e ke kritikën e Kunorës prej Hasan Kaleshit? N’e paç dërgoma e un t’a kthej me mendimin t’em. Kështu do të kisha nji masë edhe për aftin’e kritikut.
A ke lajme për t’ët vëlla? Shpresoj e uroj me gjithë shpirt qi të jetë liruem. Të gjithë nacjonalistat shqiptarë, por sidomos refugjatët, s’po e kanë punën mirë n’atë vênd. Nji prej ksish, i arratisun së voni atje e i pritun fort mirë, edhe me nji bursë medicine n’universitetin e Beligradit, mbas nji bashkfjalimi njimenji me Dushanin, paska vëndosun t’ikë e kështu ka bâmë me rrezik të madh të jetës. Âsht i biri nji miku t’em të dënuem në Shqipní me burg të përjetshëm. Faleminderës Zotit ka shpëtuem e tash më lajmon se gjindet në nji vênd të botës së lirë e për mâ tepër i systemuem.
Un s’po të rrij pa i a gjetun mënyrën e kontaktit me botën letrare të shqiptarisë kosovare. Por tash për tash vështirsija u dyfishue, se u bâ dykrahash. Por do t’i bie mbrapa kur të jemë liruem nemose në njânin krah.
La Piana m’u ka dukun i thellë në gjuhsinë shqipe me nja dý broshura të tija (Varia e Riecheggiamento…) e po i pres me interesim të madh dý kritikat e tija Kunorës e Fyellit. Kishte me u dashun nji rivistë letrare për ne Shqiptarët e Mërgimit. Por ku na lên politika, edhe ç’farë politike?!
Un, me nj’atë Abetar të përvûtë qi botova, verevërte s’pata për qëllim (në mênden t’eme) me u mësuem fëmije të mërgimtaret shqipen, por kryesisht me hapun në mes të kompetentavet, me kuptimin mâ të gjanin të ksaj fjale, nji shoshitje të disa problemave të gjuhës s’onë. Ç’u bâ? Nji kompetent, Resuli, s’u denjue as me më lajmuem se e muer nji copë qi i dërgova. Koliqi ndoq shêmbullin e tij. Gurakuqi, me gjithë qi e kam ngallitun me nji letër, s’u afrue, deri sot nemose, në nji shoshitje t’atilë. Paluca, mâ i zoti se të tre ata qi përmênda, vuen fort sŷshë i mjeri e s’mund të vazhdonte gjatë me i lodhun me letra të gjata private. Nji tjetër, i nji shkalle shumë mâ t’ulët, ishte lodhun mjaft i shkreti me kritikën e vet; por mbas nji përgjegjeje të parë qi i dhashë, e mbylli tue pranuem, me fjalë, nji për nji pikpamjet e mija, por me shkruem veç vazhdon si përpara. Sido qoftë, qarku i shoshitjevet me letra private âsht e kufizueme gjithmonë në nji rreth tepër të ngushtë. “Shqipnij’e Lirë” s’u denue me dhânë as lajmin e atij botimi deri qi nuk duel dikush (s’dij a ka qênë Gurakuqi a Paluca) me shkruem nji farë recensjoni. E kam ndër mênd me i turbulluem, mâ drejt të thom, me u munduem edhe nji herë me i turbulluem ujnat e gjumin e kompetentavet me nji provë të re, gjithnji për shqipen; e po s’desh me ndiem as ksi shtegu kush me atë vesh, edhe un andej e mbrapa do të flêj i qetë e me bindje qi s’ka njeri nevojë për shqipen t’eme! Un i them kujdo: “Ndiqëm ase bindëm me të ndjekun; asnjâni s’e kemi në dorë me e imtuem tjetrin qi të na ndjekë, por arsyetimin duhet t’a përdorim der aty ke t’ecë, e mbrapa ke të ngecim, po qëndrojmë secili në vênd të vet”.
Me tý kemi biseduem mjaft edhe do të vazhdojmë, por vetëm kur të na dalin para qi e vjyejnë. Në lidhje me orthografin’e posesivavet, e dij fare mirë se ku e ka rrânjën gabimi qi kam dashun të qërtoj. Të gabuemit mâ të parët janë profesorët. Por as ata s’kanë faj: kanë bâmë sa kanë dijtun. Të tânë, pa asnji përjashtim, kemi bâmë e bâjmë e do të bâjmë gabime. Shqipja, në krahasim me motrat e saja, âsht ende krejt nji rrah për t’u çelë, siç e kam thânë edhe parandej ke Abetari. Na shohim diskutime e kritika deri për shumë aspekte të gjuhnavet mâ të përparuemeve të botës, jo se mâ për t’onën. Qëllim’i ynë duhet të jetë me shtruem nji themel të shëndoshë për tê, tue va lânë ndërtimin e zbukurimin e saj brezave t’ardhshëm. Po t’a lâmë kështu si âsht sod, do të kemi lânë për ta nji trashigim të keq, të shtrêmbët e të vështirë.
Zef, tash kam mbërrîmë në nji argument të letrës s’ate qi po më bân me i a falë dreqit të gjitha e-të “pazâne” e “mezâne” e të gjithë theksat e shqipes! E po t’a ap besën se prej këtij çasi e mbrapa s’kam për të rrahun asnji argument tjetër me tý mâ deri qi mos të kemi lidhun në nji farë kûji këtê. Pra ti do të më përgjigjesh sa mâ shpejt se ku ke mbërrîmë me hapat e tuja për mërgim ndër Shtetet e Bashkueme. Po të kujtoj nji ligjë të re t’Eisenhowerit. Ti do t’a dijsh pa dyshim, se un në gazetën Il Tempo e kam pasë kënduem. Në bazë të ksaj ligje, ti, banues në nji prej 14 Pushteteve të Paktit Atlantik, hŷn në kategorin’e 10.000 t’arratisun e politikë e fetarë prej visesh tej gardhit të hekurt qi kanë të drejtë me u mërguem ndër Shtetet e Bashkueme, natyrisht tue pasun edhe të gjitha kushtet e përgjithëshme të ligjet amerikane. Pra, nëse s’e ke bâmë deri sod kërkesën, mos të rrijsh mâ asnji minutë pa e bâmë e bâne në bazë t’asaj ligje qi të thashë, se ndryshe drue se nuk të del. Kur të vijë puna për garantí, madje qyshë tash e porsa të keshë bâmë kërkesën, do të më shkruejsh mue se ku e ke pështetun uzdajën. Un kam me çuem peshë kê njoh e kê s’njoh për me t’a nxjerrë. Ai qi e jep duhet të jetë shtetas amerikan. Por un kam shpresë të madhe qi me anën e të njohune të mij shqiptarë e gjêj edhe Amerikanin. Të lutem, mos ngurro e mos e vono punën, ajo âsht rrug’e jote, atje âsht fat’i yt, atje qetsija shpirtnore e jote, shlirohu gjith’ângthesh e gjithë fantasishë e nisu. Kur të ketë thânë Zoti me u nisun, por ti ke borxh me i a grahun punës nji herë.
Tash pra mbaroi biseda për gjuhë e dokrra tjera nji herë për nji herë. Kur e kam marrë këtë letër e kam kënduem me sŷt’e dashit, se kam qênë me do telashe. E tash porsa rashë disi rahat mora me vu përgjegjun miqet, tue filluem prej Kap. Gjonit. Në letrën e tij ju kam dërguem urime për Kërshëndella edhe tý e tjerët qi e qarkoni. Tash erdh rend’i yt e nisa me t’u përgjegjun rresht për rresht si e kam zakon, tue pasë harruem se ç’kishte mâ me rândsí letra. E tash qi hasa në tê, mjaft me përralla!
Me gjithë këtê, të falem nderës qi më paske bâmë të njohun si duhet edhe Gjonin e Vogël (kështu tashmâ ka për t’i mbetun emni atij, edhe kur të plaket). Un në çdo të Gjomarkaj shoh si nji kushrî a nip t’emin qyshse m’âsht premë udha me bâmë krushqí me ta. Por ashtu mirë njoh veç të parin e familjen e tij, me tjerët – janë edhe shumë të bekuemit – s’kam pasë rasë me u njohun veçse tek-tuk. Deri në ç’klasë ka studjuem Gjoni?
E paske pasë mbaruem letrën me do fjalë qi un i thashë s’ime motër kur më pyeti në fillim të ksaj s’emes se kuj po përvishesha me i shkruem: “Të kisha pasun Zefin sekretar do të më kishte lehtuem gjymsën e punës”. Ti paske pa’ thânë: “Po të Ju ishem afër do t’epshem ndihmën t’eme…”. Diç kam pasë shkruem nji herë në nisje të nji studimi historik qi âsht botuem në Shqipnin’e Lirë, n’e mbajsh mênd: “Të më kishte pasë bâmë Zoti miljonar” et. Por Zoti s’ndëgjon kso prrallash. Ai miljonarë bân ata qi dijnë t’i hanë miljonat e jo hora qi mendojnë për letra, store e dokrra hînit!
Biletën njimijë liretash këtu e ke, amanet e ke për t’a marrë kur të na pjekë Zoti ndonjiherë në Romë, n’Amerikë, në Shqipní a ku të ketë thânë Ai vetë.
Atë “ja që hë” e kam kënduem së pari në nji letër të Tahir Kolgjinit e jam shkyem gazit si i marrë vete me vete. Ti po e plotsueke edhe me “…Zoti gjykatës” e pra do t’i a dijsh mâ mirë e të m’a kallzojsh historin’e saj. Po a din se âsht nji shul i mrekullueshëm për me mbyllun çdo derë? Kam me e përhapun sa të mundem.
Kur të më shkruejsh, e shpejt, ke me më diftuem edhe për Dr. Hamdi Oruçin e në mujsh me e pamë thueji se kam pyetun: “A âsht gjallë a ka dekun?”.
Me kaqë pra e tue mirë mbetsh.