Igli Tare në tension, mendohet dorëheqja

0
153

igli tareIsh-lojtari i kombëtares ka deklaruar se nëse në fund të sezonit nuk plotësohen kushtet, edhe mund të dorëhiqet nga pozicioni i tij

Tare dhe Lacio duken në krizë. Kjo, për shkak të rrëmbimit në momentin e fundit nga rivalët e Romës të objektivit Astori në merkato. Mirëpo kjo ka sjellë irritimin e ultrasve, që i janë drejtuar Igli Tares. Një çështje ku ka rol prej protagonisti dhe drejtori sportiv i klubit bardhekaltër, i cili sipas “Gazzetta Dello Sport”, gjatë një takimi me tifozët e irrituar u ka deklaruar atyre se është gati të japë dorëheqjen. Por për një tablo më të qartë ia vlen që zhvillimet të ndiqen në rendin kronologjik, gjithmonë duke iu referuar asaj që sjell e përditshmja italiane. Pas protestës së tifozëve për largimin e Astorit drejt Romës, Tare provoi të rihapte një tratativë që dukej se ishte mbyllur me mbrojtësin e Kaljarit që nxitonte të bëhej një lojtar i Romës. Në zemër të natës, rreth orës 1:30, Tare la hotelin ku ndodhej Lacio në Auronco për të shkuar në vendgrumbullimin e Kaljarit, ku takoi drejtorin sportiv të klubit sard, Marroku për të kuptuar nëse kishte ende vend për rihapjen e tratrativës me Kaljarin që kishte arritur akordin me Romën për ta transferuar me fanellën verdhekuqe Astorin. Pasi u kthye në mëngjes në Romë, Tare la të kuptohej se ende nuk ishte vendosur asgjë dhe Lacio shpresonte ende ta rifitonte mbrojtësin me deklaratën: “Me Kaljarin bëmë atë që duhej të bënim, tani i takon lojtarit të vendosë”. Më herët, gjatë mesnatës, drejtorit sportiv te Lacios i ishte dashur të kryente një përballje paqësore me një grup tifozësh, rreth 50 të tillë, që ishin grumbulluar para hotelit ku akomodohet Lacio. Tare kishte provuar t’i qetësonte duke u shpjeguar motivet e asaj që kishte ndodhur duke u premtuar se pavarësisht se si shkon çështja “Astori”, Lacio do të përforcohet. “Nëse deri në fund të merkatos gjërat nuk do të shkojnë mirë, atëherë do të jap dorëheqjen”, – ka deklaruar ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, sipas “Gazzetta Dello Sport”, në fund të takimit. Klima gjithsesi mbetet e tensionuar te Lacio, pasi raportet mes pjesës më të madhe të tifozerisë dhe presidentit Lotito është në minimumin historik dhe me këtë çështje rrezikojnë të precipitojnë në mënyrë përfundimtare. Kujtojmë se Tare ka oferta edhe nga ekipe të tjera. Në periudhën kur Interi po rinovohej, u mendua si një opsion i mirë, ndërkohë që ka pasur oferta edhe nga klube të tjera. Ish-lojtari i kombëtares ka bërë një punë shumë të mirë edhe me moshat, ku ka arritur të krijojë një ekip mjaft solid, që është edhe kampion i Italisë. Ndërkohë, ka arritur të sjellë pranë romanëve edhe tre shqiptarë. Bëhet fjalë për Canën, Berishën dhe Thoma Strakoshën. Një lëvizje kjo pozitive për lojtarët e vendit tonë, që e kanë parë si një mundësi shumë të mirë afirmimin te lacialët. Ndërsa tashmë gjërat mund të ndryshojnë rrymë. Nëse tekniku jep dorëheqjen, ka disa ekipe që mund të jenë të interesuara për shërbimet e tij, mirëpo duhet pritur fundi i merkatos për të parë rezultatet.

 

Suarezit mund t’i ulet dënimi

Pas transferimit te Barcelona vjen një shkëndijë shprese për uruguajanin Suarez dhe tifozët e skuadrës blaugrana. Klubi katalanas mund të ketë në dispozicion Luis Suarezin, të cilin e bleu për 81 milionë euro nga Liverpuli për fillimin e sezonit të ri, siç bën të ditur e përditshmja “El Mundo Deportivo”. Suarez u dënua me një pezullim prej 4 muajsh nga FIFA për gjestin e tij ndaj Kielinit, por siç bën të ditur e përditshmja katalanase, ndëshkimi i tij mund të rishikohet nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, pasi është apeluar në instancën më të lartë ankimore për sa i përket sportit nga klubi i Barcelonës. Sipas “Mundo”-s, mund të arrihet në një formulim të ri të ndëshkimit për Suarezin, uruguajani do të mbetet i skualifikuar për ndeshjet me përfaqësuesin e vendit të tij, por mund të përdoret nga klubi që për momentin nuk ka mundur as ta prezantojë.

 

Guardiola: Riberi është gati

Trajneri i bavarezëve, Pep Guardiola, ka thënë se anësori i skuadrës së tij, Frank Riberi, ndihet shumë mirë dhe është i gatshëm për lojë. Riberi nuk ishte pjesë e skuadrës së Francës për Botërorin 2014 në Brazil, për shkak të një lëndimi, mirëpo tani duket si ai ndihet i gatshëm për lojë. “Riberi është stërvitur shumë mirë me skuadrën gjatë kësaj jave. Unë mendoj se ai mund të luajë disa minuta në ndeshjen kundër Hamburgut”, – tha Guardiola në konferencë për shtyp. Bajerni do të luajë ndeshjen e parë zyrtare për këtë sezon më 13 gusht, kundër Borusias së Dortmundit për Superkupën e Gjermanisë.

 

 Vidiç: Chicharito te Interi, perfekt

Serbi Nemanja Vidiç ka kërkuar nga klubi që të transferohet Havier Hernandez. Meksikani nuk është më në planet e Junajtidit dhe ai rrezikon të tretet, andaj Vidiç e ka propozuar sulmuesin ekstrem te Interi. “Këto gjëra janë në duar të klubit. Sigurisht se Chicharito do të ishte transfertë shumë e mirë për secilin klub dhe ne do të ishim të ngazëllyer ta kishim atë në ekip. Tani ne duhet të fokusohemi që të kualifikohemi në Europa League. Nuk është Liga e Kampioneve, por është një kompeticion shumë i mirë me shumë ekipe të mëdha evropiane”, – ka thënë Vidiç.

 

 Prandeli: Shnajderi i nevojitet Gallatasarajit

Trajneri i ri i Gallatasarajit, Çezare Prandeli, është shprehur se do që Uesli Shnajder të vazhdojë me turqit edhe sezonin e ri. Holandezi është lidhur me një largim nga Turk Telekom Arena këtë verë, ndërsa shefat e klubit kanë thënë se nëse marrin ndonjë ofertë të madhe nuk do të mund ta refuzonin. Mançester Junajtid dhe Monako janë të interesuar për shërbimet e 30-vjeçarit, por trajneri i ri i klubit turk nuk mendon ta lejojë largimin e tij. “Shnajder është lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, – ka deklaruar Prandeli. Mesfushori po luan në Stamboll që nga janari i vitit 2013, kur u transferua nga Interi.

 

Fabregas: Spanjollët çojnë Çelsin përpara

Ish-lojtari i Barcelonës, Çesk Fabregas, ka deklaruar se lojtarët spanjollë do të kenë ndikim të madh te blutë në këtë edicion. 27-vjeçari është i bindur se ai, së bashku me Fernando Torresin dhe Diego Kostën, do ta çojnë skuadrën përpara. “Kam filluar të luaj me Fernandon kur isha 18 vjeç, në debutimin tim për ekipin kombëtar të Spanjës. Kemi fituar dy Kampionate Evropiane dhe një Kampionat Botëror së bashku. Më pëlqen shumë të luaj me të. Është i fortë, ai shkon prapa mbrojtësve dhe lëvizjet e tij me top janë mahnitëse. Jam i sigurt se do të kemi partneritet të mirë. Diego ka përparuar jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit. Ai është rrezik i vërtetë në secilën ndeshje”, – ka deklaruar mesfushori.