Vendimi i gjykatës/ Vërtetimet false për gjakmarrje, dënohet 8 muaj burg kreu i Pajtimit të Gjaqeve

0
174

Sonila Mesareja

gjykata durresDënohen edhe dy bashkëpunëtorë të Prengës me 11 muaj burg. Përpilonin dokumente të falsifikuara në këmbim të parave për personat që synon azil në vendet e BE-së

Tre persona janë dënuar nga Gjykata e Durrësit me 19 muaj burg në total për lëshim të dokumentave të falsifikuara në këmbim të parave. Por, një prej tyre nuk është një person kushdo, por vetë kreu i Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve, Ndrecë Prenga, i cili ka lëshuar një mori vërtetimesh flasë për gjakmarrje për persona që synonin statusin e azilantit në vendet e BE-së. Të pandehurit akuzohen për “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit, këta persona kanë pajisur me dokumenta false si të përfshirë në gjakmarrje qytetarë shqiptarë rezidentë jashtë vendit, me qëllim përfitimin e azilit në shtete të ndryshme europiane. Dokumentet e falsifikuara, këta shtetas i përpilonin në këmbim të parave, në vlera të ndryshme. Konkretisht, në fund të gjykimit, togat e zeza dënuan me 8 muaj të pandehurin Ndrecë Prenga (Krytar i Asamblesë së Misionarëve…), 6 muaj burg të pandehurin Tom Marena dhe 5 muaj burg të pandehurin Petrit Ndoj, këta dy të fundit si bashkëpunëtorë.

 

Hetimi                                                          

Sipas akuzës, nga aktet e administruara është provuar se shtetasi Ndrecë Prenga, në cilësinë e Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe Kryetar i Komitetit të Pajtimit për Qarkun e Durrësit, dyshohej se formulonte dokumente fiktive kundrejt përfitimit të paligjshëm për shtetas të ndryshëm, të cilat përdoreshin në vendet e Shengenit për të përfituar azil. Në funksion të hetimit me vendimin nr. 709, datë 27.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është lejuar dhe zgjatur përgjimi i numrit të tij telefonik. Ndërkohë nga prokurori është autorizuar me datë13.12.2013, dhe më pas është zgjatur dhe disa herë vëzhgimi në ambiente publike i shtetasit Ndrecë Prenga. Nga hetimi ka rezultuar se në datë 16.01.2014 i pandehuri Ndrecë Prenga ka përpiluar dhe lëshuar një dokument në emër të shtetasit Gazmend Marku, duke përshkruar të dhëna të rreme sikur familja e këtij shtetasi ishte në konflikt për gjakmarrje me familjen “Markaj”. Në vërtetimin e lëshuar prej tij është përshkruar sikur ngjarja ka ndodhur më datë 10.12.2012. Sipas hetimit rezulton se nuk është plotësuar asnjë dosje konkrete për pajtimin midis familjeve dhe se kjo datë e vendosur në dokument është tërësisht e rreme dhe se ky dokument duhej për t’u përdorur në shtetin Belg me qëllim për të përfituar azil. Ndërkohë që, sipas të dhënave të sistemit “TIMS”, rezultoi se shtetasi Gazmend Marku është shpallur në kërkim me kartelë “Rozë” pasi me date 02.10.2012, rreth orës 15.00, në vendin e quajtur “fshati Xhafzotaj Fermë” Durrës, ka qëlluar me arme zjarri për motive të dobëta shtetasin Musa Markaj, duke i shkaktuar plagë në trup. Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në funksion të këtij fakti është sekuestruar me procesverbal e datës 18.02.2014, nga shtetasi Xhelil Marku, i cili në tërësinë e tij përmban të dhëna të rreme si për datën dhe rrethanat e tjera që kanë të bëjnë me ngjarjen, motivet dhe pajtimin midis familjeve.

 

Analiza/ Ministria e Drejtësië prezanton 300 ditët e saj

Një raport publik për punën 300- ditore të qeverisjes në sistemin e drejtësisë është mbajtur dje në Ministrinë e Drejtësisë, në praninë e aktorëve kryesorë dhe drejtorive të varësisë nga ky institucion. Me pjesëmarrjen e Zv/Kryeministrit të vendit, z. Niko Peleshi, Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, Zv/Ministrave z. Arben Isaraj dhe z. Idlir Peçi, si dhe disa nga drejtuesit e institucioneve kryesore në një panel teknik, mbledhja e 300 ditëve përçoi jo vetëm shifra dhe arritje, por edhe një frymë optimizmi për punën e nisur dhe vazhdimësinë e saj me ritme edhe më të larta.Për zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, problemet me  drejtësinë janë shqetësimi më i madh i të gjithëve, ndaj reformat për të duhet të jenë gjithëpërfshirëse. “Gjendja ku ndodhet sistemi i drejtësisë sot është problemi ynë më i madh. Nuk është problem i qeverisë shqiptare, por i shoqërisë shqiptare. Perceptimi i qytetarëve për performancën e sistemit të drejtësisë ka prekur fundin. Të gjitha sondazhet tregojnë një mungesë të theksuar besimi te ky sistem dhe një perceptim të tij si të kapur nga korrupsioni, klientelizmi, politizimi dhe një frymë korporative”, theksoi zoti Peleshi. Për këtë arsye lufta ndaj korrupsionit do të nisë nga gjyqësori, tha gjatë analizës së ministri Nasip Naço: “Lufta kundër korrupsionit do të ketë në fokusin e saj ndërgjegjësimin e opinionit publik në luftën ndaj korrupsionit gjyqësor, parandalimin e korrupsionit duke reformuar e modernizuar të gjithë sistemin e drejtësisë, dekurajimin pa kompromis të këtij fenomeni nëpërmjet zbatimit të ligjit anti-mafia duke filluar me sekuestrimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarë dhe prokurorë. Është e papranueshme që aktorë kyç të sistemit të drejtësisë me veprimet apo mosveprimet e tyre e kanë kthyer veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë në një sagë të pafundme, në një telenovelë që çdo seri e saj na surprizon me guximin e shkeljes së ligjit, mungesën e eficencës dhe papërgjegjshmërinë e vendimmarrjes.” Më pas, njëri pas tjetrit, drejtuesit e institucioneve në varësi kanë prezantuar arritjet dhe sfidat për të ardhmen.