Driçim Çaka
Vazhdon kontrolli i dosjeve që kanë përfituar kredi të buta, kush s’ka plotësuar të gjitha kriteret kalon me interesat e tregut
Pas rreth 8 muaj bllokim, qeveria do të rihapë procesin e dhënies së kredive të buta për të pastrehët. Enti Kombëtar i Banesave pritet ti propozojë qeverisë rihapjen e dhënies së kredive për të pastrehët por me kushte dhe kritere të tjera. Pavarsisht se aplikimet për kredi të buta vazhdojnë në çdo bashki, Këshillat Bashkiak nuk mund të miratojnë dhënien e këtyre kredive pa një vendim të dytë të qeverisë. Burime pranë Entit Kombëtar të Banesave shprehen për gazetën se kreditë për të pastrehët do të rihapen gjatë muajit shtator, por aplikimet do të pësojnë një sërë ndryshimesh. Për ato familje që kanë përfituar vitet e fundit kredi si i pastrehë, Enti i banesave po bën verifikimet e dosjeve. Për ato dosje që kanë përfituar padrejtësisht kredi të butë, enti do të marrë vendim që shumat e marra të kalojnë me interesat e tregut, ndërsa për dosjet e rregullta procesi do të vazhdojë rregullisht.
Si aplikohet në Tiranë
Aplikimi në Kryeqytet kryhet nëpërmjet një formulari që tërhiqet në Njësinë Bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular plotësohet me vërtetësi dhe më pas noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Menaxhimi të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën e të dhënave elektronike të drejtorisë. “Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës ka mundësuar lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar qytetarëve të Tiranës, me anën e të cilit mund të menaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ. Në veçanti, programi bën të mundur arkivimin e të dhënave duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximin individual dhe të përbashkët të të dhënave, menaxhimin e dokumenteve plotësuese, aplikimin e sistemit të pikëzimit, formimin e listave të përfituesve”, – shprehet Bashkia e Tiranës.
Kush favorizohet për kredi të butë
-Familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga Ligji nr. 7652 datë 23.12.1992, “ Për privatizimin e banesave shtetërore”
-Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar
-Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë
-Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror
-Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare
-Familjet me shumë fëmijë
-Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç
-Familjet që kanë ndryshuar vend banim për efekt punësimi
-Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret, ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.
Dokumentet që duhen
-Çertifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992
-Çertifikatë aktuale të përbërjes familjare
-Çertifikatë lindjeje personale të aplikuesit
-Vërtetim banimi nga njësia bashkiake ku kërkon strehim, ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit
-Vërtetim të ardhurash (neto të familjes)
-Vërtetim page për aplikuesin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune
-Dokumentacion nga Organet Tatimore dhe Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njeri nga anëtarët është i vetëpunësuar
-Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga njësia bashkiake, nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike
-Vërtetim nga Zyra e Punës, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë
-Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore, për personat e dalë në pension
-Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit
-Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi
-Dokument zyrtar të celebrimit dhe çertifikatën personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja
-Vendimin Gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara
-Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status
-Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës d, neni 5 i Ligjit Nr. 9232, datë 13.5.2004
-Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga Ligji Nr. 7501, “Për tokën”, për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes
-Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave nëse është ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar, për të gjithë anëtarët e familjes
-Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe Hipotekës nëse ka blerë ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes
-Deklaratë personale e noterizuar, ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.
-Kontratë qiraje të banesës ku jetoni.