Letra/ Deputetët grekë, ministrave: Ç’po bëhet me ekstradimin e Ilir Kupës?

0
152

Ilir KupaDimaras dhe Avramidis kërkojnë llogari për procedurat e deritanishme për ekstradimin e Kupës. Mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi mes dy shteteve, shkak për tërheqjen e palës greke

 

Greqi

Greqia kërkon me çdo kusht që Ilir Kupa të ekstradohet. Kësaj radhe nisma nuk është e organit të akuzës së këtij shteti, por e dy deputetëve të Parlamentit grek, të cilët u janë drejtuar dy ministrave me një letër, ku u kërkohet llogari për ecurinë e procedurave për ekstradimin e Kupës drejt shtetit fqinj. Dy deputetët e Parlamentit grek i kanë dërguar një letër më 25 korrik ministrit të Jashtëm, Evanglos Venizelos, dhe atij të Drejtësisë, Charalampos Athanasiou, ku kërkojnë llogari se ku janë procedurat për ekstradimin e Kupës në shtetin helen. Deputetët John Dimaras dhe Gabriel Avramidis u bëjnë pyetje dy ministrave se sa kanë ecur procedurat për ekstradimin e Ilir Kupës në Greqi. Në letër ata shkruajnë se Athina nuk po bën asgjë për ekstradimin, ndërsa sipas tyre Ilir Kupa është marrë dhe në mbrojtje nga drejtësia shqiptare. “Kriminelët shqiptarë që kanë kryer krime në vendin tonë, gëzojnë imunitet nga autoritetet e vendit të tyre të origjinës për shkak të kombësisë”, – u janë drejtuar dy ministrave, deputetët John Dimaras dhe Gabriel Avramidis. Në letrën e deputetëve Dimaras dhe Avramidis theksohet se si mundet që qeveria në Athinë ka mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE, kur ky shtet nuk arrin të dënojë kriminelët. Mirëpo, pengesa reale është mungesa e një marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila ka detyruar drejtësinë e këtij shteti të mbyllë përpjekjet për ekstradimin e shtetasit më të kërkuar në Greqi, Ilir Kupa.

 

Letra

Në letrën drejtuar dy ministrave më 25 korrik të këtij viti dhe bërë publike nga disa media greke online, dy deputetët u kujtojnë dy drejtuesve të këtyre institucioneve vrasjen e padrejtë të rreshterit, George Andritsopoulou nga të arratisurit e burgut të Trikallasë, të cilët i cilësojnë gangsterë shqiptarë. Më pas rendisin faktin e ndjekjes së suksesshme dhe neutralizimin e shumë prej tyre nga policia greke, si dhe faktin që Ilir Fatmir Kupa arriti të arratisej në Shqipëri. Më pas ata thonë se ai u arrestua kohët e fundit nga autoritetet shqiptare për krimet e kryera në vendin e tij. Më pas shtrojnë pyetjen mbi këta kriminelë shqiptarë që kryejnë krime në vendin e tyre, të cilët janë edhe të shpallur në kërkim nga drejtësia greke. Me frikën e lirimit të Kupës nga autoritetet e drejtësisë shqiptare, dy deputetët sqarojnë edhe përgjigjen që kanë marrë lidhur me përgjigjen që Interpol Athina ka dhënë për Prokurorinë e Apelit Athinë lidhur me lirimin e Kupës. Ata shprehen se kanë mësuar se autoritetet shqiptare nuk e ekstradojnë Kupën për shkak të mungesës së një marrëveshje mes dy shteteve. Nisur nga kjo përgjigje, deputetët pyesin se “si ka mundësi që kriminelët shqiptarë të kryejnë krime në vendin e tyre dhe të gjejnë strehë në vendin e tyre të origjinës? Si mundet që fqinji ynë, të cilin qeveria greke e ka mbështetur në përpjekjet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndalon autoritetet e drejtësisë greke të veprojnë ndaj një personi që ka kryer krime në vendin tonë? Çfarë masash do të marrë Ministria e Punëve të Jashtme për këtë rast të shtetit shqiptar dhe jo vetëm kaq?”

 

Kërkesa

Pala greke i ka sjellë drejtësisë shqiptare një nga vendimet e dënimit të Ilir Kupës me burg, ku sipas prokurorisë së Tiranës bëhet fjalë për një vendim, ku Kupa është dënuar me 10 muaj burg për akuzën e kontrabandës dhe mospagimit të taksave. Në fakt, 27 vjeçari Ilir Kupa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet greke si pjesëtar i një organizate kriminale dhe i arratisur nga burgu në Greqi, në mars 2013. Më 22 mars 2013, Ilir Kupa, së bashku me 7 shqiptarë të tjerë arriti të arratisej nga burgu i Trikallasë në Greqi. Gjatë arratisë së tij ai ishte nën shoqërinë e të arratisurit tjetër Marian Kola, deri të dielën e 21 korrikut, kur Kola u vra në përleshje me policinë, ndërsa Kupa arriti të largohet. Policia greke vazhdoi ndjekjen e tij, deri në 6 gusht kur njoftoi se 27-vjeçari mund të ketë kaluar kufirin dhe të ketë hyrë në Shqipëri.

 

Procesi

Ilir Kupa është duke u gjykuar në vendin tonë për veprat penale të “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”. Aktualisht, procesi gjyqësor është në fazën e konkluzioneve përfundimtare të avokatit Marash Ibraj, ndërsa seanca është shtyrë për në muajin shtator për shkak të mungesës në disa seanca të këtij të fundit. Dosja është sjellë për gjykim në prill të këtij viti, ndërsa është duke u proceduar me gjykim të shkurtuar. Nga prilli deri tani janë zhvilluar tetë seanca, të cilat para ose pas dhënies së pretencës nga akuza janë shtyrë herë për mungesë të prokurorit dhe herë për mungesë të avokatit. Pritet që në mes të muajit shtator të paraqitet mbrojtja e të pandehurit dhe të jepet fjala e fundit e gjykatës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency