Skuadra katalanase ka arritur të shpenzojë më shumë nga klubet e tjera, ndërkohë që mbrapa nuk mbeten as Reali apo Liverpuli
Këtë vit nga të gjithë pritet që të jetë një sezon shumë i bukur futbollistik. Kjo, pasi gjithmonë pas Botërorit zbulohen lojtarë të rinj apo të tjerë që shpërthejnë dhe më pas bashkohen me klube të mëdha për të dhuruar edhe aty magji. Një turne ky që më pas sjell edhe një merkato të zjarrtë dhe me shumë emra interesantë. Skuadrat më aktive janë ato që dihen. Ka vite që La Liga po luan me ritme të larta edhe në merkato. Barcelona dhe Reali janë senatorët, ndërsa pas sezonit sensacional këtë vit është shtuar edhe Atletiko Madrid. Ndërsa në krahun tjetër nuk mbetet mbrapa as kampionati anglez. Premier Liga është edhe kampionati me më shumë fuqi ekonomike dhe kanë arritur të bëjnë lëvizjet e tyre ku të tjera priten në vazhdim. Por edhe PSG dhe Monako nuk qëndrojnë mbrapa, duke pasur parasysh se këto vite kanë pasur një potencial të mjaftueshëm ekonomik dhe kanë arritur të afrojnë lojtarë cilësorë. Ndërsa pak më tutje mbetet Italia. Kriza që ka kapur futbollin apenin ka ndikuar edhe në shitblerjet e lojtarëve. Roma dhe Juventusi me Napolin janë ato më aktivet. Kurse nga mbrapa qëndrojnë Milani dhe Interi me Fiorentinën, që gjuajnë emra të vegjël dhe pa shumë vlerë në treg. Në një kah qëndrojnë edhe gjermanët që nuk bëjnë shumë shpenzime, por po mundohen të bëjnë merkato me emra të rinj që mund të vlejnë shumë në të ardhmen. Dy gjigantët spanjollë kryesojnë listën e transferimeve me çmime, që në futbollin italian, francez apo edhe gjerman thjesht mund të ëndërrohen. Kështu, Barcelona kryeson në majën e listës me 143 milionë euro të shpenzuara, e ndjekur nga Reali i Madridit me 110 milionë dhe Liverpuli në shkallën më të ulët të podiumit me 98 milionë. Duhet theksuar se arkëtimet e katalanasve janë më të mëdha, pasi shkojnë deri në 80 milionë, ndërsa kushërinjtë e tyre kanë arritur të fusin në xhep vetëm 28.5 milionë, çka do të thotë se deficiti i shoqërisë kryeqytetase është më i madh. Gjithsesi, Reali ka ende mundësi të rikuperojë terren, pasi në radhët e tij ka dy lojtarë si Khedira e Di Maria, shitja e të cilëve mund të mbushë arkën me rreth 80 milionë euro. Bilanc negativ edhe për Liverpulin, që ka përfituar vetëm 81 milionë nga shitja e Suarezit, ndërsa në vendin e katërt dhe të pestë të skuadrave që kanë shpenzuar më shumë renditen Çelsi me 93 dhe Atletiko Madrid me 88 milionë euro. Nëse vazhdojmë me klasifikimin, janë Arsenali, Mançester Junajtid, ndërsa shpenzuesit e mëdhenj të Mançester Sitit kanë vendosur të mos trazojnë ujërat e merkatos, duke u renditur në vendin e 17-të, pasi Pelegrini duket i kënaqur me grupin që ka në dispozicion. Për të gjetur një italiane duhet të shkojmë deri në vendin e dhjetë, ku figuron Roma me 42 milionë euro të shpenzuara. Kështu, klubet po presin të bëjnë edhe goditjet e fundit për të nisur sezonin e ri, i cili premton shumë spektakël dhe luftë sportive. Duhet të presim akoma zhvillime, pasi duhet edhe një muaj nga mbyllja zyrtare e merkatos verore.
Kuadrado vlen 50 mln euro
Drejtori i Fiorentinës, Daniele Prade, e ka bërë të qartë se klubi nga Seria A nuk do ta lejojë largimin e Huan Kuadrados për më pak se 50 milionë euro. Kolumbiani është shënjestër e shumë klubeve, mes tyre, Barcelona, Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtid, pas një sezoni mbresëlënës. “Nëse vjen një ofertë në vlerë prej 50 milionë eurosh, atëherë do të ishim të gatshëm të fillonim bisedimet, mirëpo akoma nuk ka arritur një ofertë e tillë. Shpresojmë që Kuadrado të vazhdojë të luajë për Fiorentinën. Nuk kemi marrë kurrfarë oferte zyrtare për të”, – ka deklaruar drejtuesi i vjollcëve.
Alegri: Vidal do të qëndrojë
Tekniku i ri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka deklaruar se Arturo Vidal do të qëndrojë te Juventusi, pavarësisht prej ofertës së madhe të Mançester Junajtidit për transferimin e tij. Menaxheri i përgjithshëm i bardhezinjve deklaroi të hënën se kiliani mund të largohet vetëm nëse shpreh dëshirë për t’u larguar. Ndërsa tani edhe trajneri ka theksuar se 27-vjeçari dëshiron të qëndrojë. “Arturo do të qëndrojë. Ai është shumë i lumtur këtu, sikur të gjithë bashkëlojtarët e tij. Edhe unë kam biseduar me të për të kontrolluar gjendjen e tij fizike. Jemi shumë të lumtur që ai po qëndron me ne, është një lojtar shumë i rëndësishëm”, – ka deklaruar Alegri. Sipas mediave, mesfushori 27-vjeçar është pajtuar t’i bashkohet Junajtidit, ku do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare dhe do të përfitojë 120.000 paund në javë.
Ronaldo: Këtë vit synojmë 6 tituj
Ylli galaktik Kristiano Ronaldo e ka bërë të qartë se dëshiron akoma trofe me Realin e Madridit. Në edicionin e kaluar “Los Blancos” fituan ‘La Deciman’ dhe Kupën e Mbretit, por dështuan në La Liga. Mbretërit kanë bërë dy supertransferime, Xhejms Rodrigez dhe Toni Kros, ndërsa pa dyshim që skuadra do të jetë akoma më e fuqishme në sezonin e ri. “Objektivat e mi para sezonit të ri janë si zakonisht, lufta për të gjitha trofetë dhe angazhimi maksimal në çdo seancë stërvitore. Dëshira ime është që Reali ta fitojë çdo trofe për të cilin do të garojë. Klubi ynë, trajneri dhe stafi, bashkëlojtarët e mi të shkëlqyer dhe unë do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që ditë pas dite, javë pas jave, t’u sjellim gëzim tifozëve tanë”, – ka thënë portugezi.
Rumenige: Borusia, vështirë të mbajë Rojshin
Drejtori i Bajernit të Mynihut, Karl-Hajnc Rumenige, beson se Borusia e Dortmundit do ta ketë shumë të vështirë që ta mbajë Marko Rojshin në skuadër. 25-vjeçari po kërkohet nga shumë klube evropiane, ndërsa “Bild” ka raportuar se ai e ka refuzuar vazhdimin e kontratës. Mesfushori gjerman ka një klauzolë në vlerë prej 35 milionë eurosh, ndërsa Bajern i Mynihut, Mançester Junajtid dhe Barcelona janë klube të interesuara për të. “Mendoj se është shumë vështirë për Borusian e Dortmundit”, – është shprehur Rumenige. “Klubet më të mira evropiane do të jenë shumë të interesuara që ta paguajnë klauzolën e Rojshit, meqenëse lojtari po kërkohet nga shumë klube të tjera të mëdha krahas Bajernit të Mynihut”, – ka deklaruar bavarezi.