“Ebola”/ Virusi vdekjeprurës rrezikon edhe Shqipërinë, mjekët thirrje për kujdes

0
171

ebolaEthet hemorragjike, mjekët: Nuk do të zhduket, jemi te zonat e rrezikshme. Preken më shumë zonat malore dhe sidomos ata njerëz që kanë kontakt të vazhdueshëm me kafshët. Simptomat, hemorragjia dhe skuqja e lëkurës

 Virusi vdekjeprurës Ebola, i cili ka prekur një sërë vendesh në Afrikë dhe që rrezikon të prekë dhe Britaninë e Madhe, mbetet një shqetësim edhe për vendin tonë. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët merren me sëmundjet e rrezikshme, virusi ka shenja të ngjashme me gripin. “Ebola është një sëmundje infektive virale, e cila paraqet fenomene hemorragjike dhe bën pjesë në grupin e etheve hemorragjike virale. Vjen te njeriu si rezultat i kontaktit të tij me lakuriqët e natës. Më pas, sëmundja transmetohet nga njeriu te njeriu. Ebola shfaqet me temperaturë, të sëmurit i rëndohet gjendja shëndetësore nga pikëpamja e temperaturës, lodhjes, djersitjes. Pra, shenjat e para janë shenja jospecifike, të ngjashme me çdo sëmundje tjetër infektive. Ajo që e dallon është rraskapitja e madhe e personit dhe pastaj fillojnë fenomenet hemorragjike. i sëmuri kullon gjak”, – shprehet Silva Bino, eksperte e sëmundjeve të rrezikshme. Sipas Silva Binos, në Shqipëri nuk ka shenjë të këtij virusi, por kujdes duhet pasur, sidomos nga ata që udhëtojnë me avion. “Dua të theksoj se ne nuk kemi qarkullim të Ebolës në Shqipëri dhe nuk kemi pasur, ashtu sikurse as importim. Shqipëria nuk bën pjesë te vendet me rrezikshmëri të lartë, por nuk është e përjashtuar. Ne nuk është se duhet të kemi frikë, të krijojmë panik dhe të mos udhëtojmë, sepse OBSH nuk lëshon një alarm të tillë, por alarmin për të pasur kujdes, pra për të larë duart vazhdimisht dhe për të mos prekur sytë apo mukozat vend e pavend, por për të marrë masat karakteristike të higjienës. Kjo është për popullatën. Në lidhje me sistemin tonë shëndetësor, ne duhet të jemi të përgatitur gjithnjë, dhe ky është një element shumë i rëndësishëm, që nga aeroporti i Rinasit e deri te spitali infektiv”, – përmendi ekspertja e sëmundjeve të rrezikshme.

 

Ethet hemorragjike

Ndërkohë, mjekët janë shprehur të shqetësuar dhe për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga ethet hemorragjike. Pak ditë më parë, një 32-vjeçar u infektua nga kafshimi i miut të kuq. “Këto sëmundje janë vërejtur që nga veriu deri në jug të Shqipërisë. Meqenëse shkaktarët janë të lidhur me situatën ekologjike, niveli dhe koncentrimi i tyre është faktor kryesor për përhapjen e sëmundjes. Në kushtet e përshtatshme ku zhvillohen riknat, mundësia e infektimit të këtyre riknave është e madhe dhe mundësia e përhapjes së sëmundjes është e madhe. “Ethet hemorragjike shkaktohen nga ato që quhen riknat dhe nga kafshët dhe ethet hemorragjike që shkaktohen nga minjtë që transmetojnë virusin që e mbajnë në organizmin e tyre dhe shkaktojnë ato që quhen ethet hemorragjike me sindromën renal apo me shenja të veshkave dhe grupi tjetër me shenja të dëmtimit të mushkërive”, – thotë vitologu Kristaq Bërxolli. Nga ethet hemorragjike preken banorët në zonat malore që janë në kontakt me kafshët, por ashtu edhe familjet e varfra ose ushtarakët në repartet e tyre, ku jo gjithmonë bëhet dezinfektimi për miun e kuq. Mjekët thonë se në rast se një pacient ka skuqje të lëkurës, hemorragji nga hundët, goja apo veshët duhet patjetër të shkojë tek mjeku sepse ethet hemorragjike çojnë në vdekje.

 

Ebola u shfaq në Sierra Leone, rrezikohet Britania e Madhe

Ebola u shfaq për herë të parë në Sierra Leone. Pasi vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, numri i të vdekurve arriti 729. Kjo situatë e rënduar solli që Organizata Botërore e Shëndetësisë të niste një plan ndihme prej 100 milionë dollarësh dhe vazhdon të jetë në bisedime urgjente me donatorët dhe agjencitë ndërkombëtare për të dërguar më shumë staf mjekësor dhe burime në rajonin e infektuar.  Situata paraqitet të jetë kaotike dhe Presidenti i Sierra Leones, Ernest Bai Koroma, ka njoftuar një seri masash emergjente që vendi do të ndërmarrë përfshirë këtu dhe mbylljen e të gjitha shkollave dhe ambienteve të tjera komunitare. Kjo është hera e parë pas gati një dekade që sëmundja u shfaq sërish në Afrikë. Sipas analizës së ekspertëve mjekësore Ebola vret deri në 90% të të infektuarve dhe transmetohet shumë thjesht nga një individ në tjetrin, prandaj disa shtete përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara ndaluan udhëtimin për në Guinea, Liberi dhe Sierra Leone si një përpjekje për të frenuar përhapjen e shpërthimit të virusit. Simptomat fillestare, që u përngjajnë atyre të një gripi, çojnë në hemorragji të jashtme në zona të caktuara, si sytë apo mishrat e dhëmbëve, si dhe gjakrrjedhje të brendshme, gjë që mund të çojë edhe në mosfunksionim të organit të prekur.

 

 Këshilla/ Ekspertët, thirrje nënave: Ushqeni fëmijët me gji, u shmang sëmundjet

Ekspertët gjithnjë e më shumë po i japin rëndësi dhe vëmendje ushqyerjes me gji të fëmijës për efekte nga të dyja palët. Por një studim i fundit tashmë tregon se kjo praktikë frenon rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Sipas ekspertëve, bebet që u është dhënë qumështi i nënës për të paktën tre muaj kanë më pak të ngjarë të vuajnë nga bllokimi i arterieve më vonë në jetë. Duke qenë të ushqyer me gji, që fëmijë mund të jetë më mirë se statina apo medikamente të tjera në zhdukjen e sëmundjeve të zemrës në jetën e më vonshme, tha studimi i ri. Këto bebe kanë një rrezik shumë më të ulët të inflamacionit kronik që mund të çojë në diabet dhe sëmundje të tjera metabolike, thonë hulumtuesit amerikanë. Qumështi i gjirit ul numrin e proteinës C-reaktive në gjak që është i lidhur me bllokimin e arterieve dhe dëmtimin e enëve të gjakut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency