Ministria e Bujqësisë ka ngritur task-forcën për verifikimin e licencave të peshkimit detar, ujërave të brendshme dhe akuakulturës dhe kontratat e tokave bujqësore.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Bujqësisë bën të ditur se ka nisur procedurat për anulimin e 22 licencave të peshkimit dhe 45 kontratave për tokat bujqësore.
Pas urdhrit të firmosur nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave është ngritur një grup task-force për verifikimin e procedurave që janë ndjekur për dhënien e licencave të peshkimit si dhe për verifikimin e procedurave për lidhjen e kontratave për tokat bujqësore në të gjithë territorin e vendit.
Një tjetër detyrë e grupit task-forcë ka qenë edhe verifikimi i zbatueshmërisë së kushteve që përmbajnë licencat e peshkimit dhe kontratat e tokave bujqësore. Pas verifikimeve, janë konstatuar se ka pasur probleme si me procedurat e dhënies së licencave të peshkimit dhe lidhjes së kontratave për tokat bujqësore, ashtu edhe me zbatueshmërinë e tyre.
Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka urdhëruar fillimin e procedurave për anulimin e 22 licencave të peshkimit detar dhe ujërat e brendshme dhe akuakulturës, si dhe anulimin e 45 kontratave për tokat bujqësore.