Fier/ Gjobat abuzive ndaj qytetarëve, dy drejtues të Bashkisë në gjyq

0
164

Sonila Mesareja

gjoba fierProkuroria: Në gjyq edhe vetë Bashkia, shoqëria private, katër punonjës dhe administratori i kësaj shoqërie. Gjobat e pajustifikuara në parkim u sollën dëme të mëdha ekonomike qytetarëve

Dy drejtues të lartë të Bashkisë Fier, administratori i një shoqërie private dhe katër punonjës të kësaj shoqërie janë dërguar në gjyq, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “mashtrim”. Sipas akuzës së qytetit të Fierit, përmes abuzimeve me gjobat në parkim, Bashkia dhe shoqëria private, të cilat si persona juridikë janë pjesë e këtij gjykimi, u kanë shkaktuar qytetarëve dëme të mëdha ekonomike për gjoba të pajustifikuara që kapnin vlerën e mbi 10 mijë lekëve të reja. Pas hetimeve disa mujore, nisur edhe nga denoncimet e shumta të qytetarëve, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier dërgoi për gjykim kërkesën ndaj dy zyrtarëve të lartë të Bashkisë Fier, të akuzuar për “shpërdorim detyre”; personin juridik “Bashkia Fier” për “shpërdorim detyre”, administratorin e një shoqërie private dhe 4 punonjës të kësaj shoqërie, si edhe vetë personin juridik “International Parking 2011”, të akuzuar për “Mashtrim”. “Këta shtetas dhe persona juridik akuzohen se, në mënyrë flagrante, kanë lejuar dhe kanë kryer veprime që u kanë sjellë dëme të mëdha ekonomike qytetarëve të shumtë, duke u vendosur gjoba të pajustifikuara drejtuesve të automjeteve për parkim në zona të ndryshme të qytetit të Fierit” bëjnë me dije burime zyrtare nga akuza. Hetimi për këtë çështje ka nisur nga kallëzimet që kanë dorëzuar një numër i madh shtetasish, kryesisht nga qytete të ndryshme jashtë Fierit, të cilët pretendojnë se kanë qenë të detyruar të paguajnë gjoba mbi 10.000 lekë të reja për “parkim të gabuar”, sipas arsyetimit që iu është dhënë atyre nga përfaqësuesit e kompanisë “International Parking 2011”, e cila ka një kontratë me Bashkinë Fier për parkingjet në qytet. Nga hetimi ka rezultuar se, si nga ana e përfaqësuesve të Bashkisë Fier, të ngarkuar me monitorimin e kësaj kontrate, ashtu edhe nga ana e përfaqësuesve të kompanisë private, është abuzuar në mënyrë të dukshme me qytetarët.

 

Shkeljet

Vëzhgimet në vende publike të autorizuara nga prokurori provojnë qartë jo vetëm deklarimet e personave për rastet e kallëzuara por të gjithë mekanizmin e funksionimit abuzues të shërbimit të parkimit me pagesë. Qëllimi i abuzimit ndaj shtetasve shqiptarë është realizimi i përvetësimit të shumave monetare. Konkretisht, vjedhja realizohet nën petkun e agjentit tatimor, i cili ka kontratë me Bashkinë Fier për të realizuar shërbimin me pagesë në disa rrugë të qytetit Fier, por duke përvetësuar paratë e qytetarëve nëpërmjet veprimeve në kundërshtim të plotë me ligjin dhe marrëdhëniet kontraktuale me Bashkine Fier. Për të bërë të mundur përvetësimin e kundërligjshëm të parave të qytetarëve, përfaqësuesit e shoqërisë së parkimit kryejnë këto veprime të qëllimshme; nuk është vendosur asnjë makineri automat ku qytetarët mund të vetë-paguajnë vlerën e biletës (një nga kushtet e specifikimeve të tenderit). Mos-vënia e automateve (aktualisht 2 vjet e gjysëm pas nënshkrimit të kontratës) është plotësisht e qëllimshme që qytetarët që nuk janë banorë të Fierit të mos kenë idenë dhe mundësinë praktike që të dinë se në pjesë të caktuara të rrugëve të qytetit, parkimi është me pagesë dhe se ku mund të kryhet pagesa në rast të tillë. Shoqëria ka punësuar për të gjithë rrugët e qytetit vetëm gjashtë punëtorë që presin bileta parkimi, plotësisht e pamundur për të kryer funksionimin normal të shërbimit (1 punëtor mbulon rreth 500-1000 metra rrugë), veprim i qëllimshëm që qytetarët të mos kenë mundësi që të dinë se në pjesë të caktuara të rrugëve të qytetit parkimi është me pagesë dhe se ku mund të kryhet pagesa në rast të tillë. Punonjësit e shoqërisë së parkimit brenda 10-15 minutash, me veprime totalisht kriminale për të vjedhur paratë e qytetarëve, realizojnë marrjen e automjeteve me karrotrec, me qëllim përfitimin e vlerave prej rreth 10.000 lekësh për çdo drejtues automjeti. Duke u fshehur nën petkun e kontratës së lidhur me Bashkinë Fier dhe vendimeve të Këshillit të Bashkisë për miratimin e masave administrative, krijojnë përshtypjen te qytetarët se veprimet kryhen në zbatim të këtyre akteve të miratuara. Në realitet, përfitimi i vlerave monetare është plotësisht në kundërshtim me ligjin dhe kontratën e lidhur. Në asnjë pikë të kontratës së lidhur me Bashkinë Fier, si Ent që administron rrugët publike, nuk është parashikuar përdorimi i karrotrecit në vendet ku është lejuar parkimi me pagesë. Gjithashtu rezulton se në asnjë nen të Kodit Rrugor (referohu kryesisht neneve 155, 156, 157) nuk është parashikuar heqja e mjeteve në vendet ku lejohet parkimi, por përkundrazi në çdo rast përcaktohet bllokimi dhe heqja e mjeteve kryhet në rast NDALIM QËNDRIMI ose parkim i kufizuar. Në shumë raste të evidentuara në aktet e fashikullit hetimor, vjedhja e parave realizohet nëpërmjet plotësimit të masave administrative (përdorim karroatreci), ndërkohë që ka rezultuar se drejtuesit e mjeteve e çojnë personalisht vetë mjetin në pikën e parkimit ose karroatreci përdoret abuzivisht në periudha kohore prej jo më shumë se 15 minuta nga momenti i parkimit të mjetit. Në çdo rast qëllimi i agjentit tatimor është plotësimi i masave administrative në vlera sa më të larta për të përfituar padrejtësisht shuma monetare në favor të shoqërisë. Përvetësimi i kundërligjshëm i vlerave monetare realizohet jo vetëm nga veprimet aktive të qëllimshme nga punonjësit e parkimit privat por edhe nga mosveprimet me dashje të punonjësve të Bashkisë Fier. Pavarësisht se të ardhurat në vlerën 30% të masave administrative kalojnë në buxhetin e Bashkisë Fier, përfitimi i këtyre vlerave përsa i përket rasteve të shumta të përdorimit të karrotrecit, është i kundërligjshëm. Bashkia Fier, si Ent që administron rrugët e qytetit, nëpërmjet personave të autorizuar duhej të monitoronte dhe të mos lejonte abuzimet dhe vjedhjet në dëm të qytetarëve. Mos kryerja e këtij funksioni nga përfaqësuesit e Drejtorisë së Transportit dhe Drejtorisë Financiare si dhe drejtuesit e institucionit, ka lejuar vjedhjen në vazhdimësi të parave të qytetarëve.

 

Kontrata dhe shkeljet

Nga hetimi ka rezultuar se Bashkia Fier ka nënshkruar një kontratë shërbimi, datë 27.12.2011, me shoqërinë « International Parking 2011 » përfaqësuar nga administratori Florim Kajolli. Nëpërmjet nënshkrimit të kontratës, shoqëria kontraktuese ka fituar të drejtën e administrimit të shërbimit të parkimit mbitokësor dhe të drejtën e instalimit të pajisjeve dhe makinerive të parkimeve me pagesë në rrugë. Qëllimi i nënshkrimit të kontratës është rritja e cilësisë së shërbimit të parkimit mbitokësor për qytetarët,  institucionet shtetërore dhe ente private. Në nenin V të kontratës është parashikuar monitorimi i detyrueshëm nga përfaqësuesit e Bashkisë për ecurinë e zbatimit të kontratës, konkretisht drejtuesit e dy drejtorive ajo e Transportit dhe Ekonomike. Nga hetimi ka rezultuar se Drejtoria  e Transportit dhe Liçensave Profesionale në Bashkinë e Fierit, e cila është përgjegjëse për zbatimin në terren të kontratës së shërbimit, nuk e ka kryer funksionin e saj, drejtuesit e kësaj Drejtorie nuk kanë mbajtur asnjë procesverbal  shkresor për monitorimin e kontratës dhe nuk rezulton të ketë relatuar me shkrim për problematikat e zbatimit të kontratës siç janë vendosja e automateve, sinjalistika, procedurat e vendosjes së masave administrative, funksionimi në terren i shërbimit të parkimit, vendosjes së gomave dhe përdorimi i karrotrecit, etj. Rezulton se Drejtoria  e Transportit dhe Liçensave Profesionale në Bashkinë e Fierit nuk disponon asnjë të dhënë shkresore për faktet e konstatuara gjatë hetimit apo problematika të tjera gjatë zbatimit të kontratës. Moskryerja e detyrës funksionale nga drejtuesit e kësaj Drejtorie, i ka krijuar lehtësira veprimi përfaqësuesve të shoqërisë kontraktuese në realizimin e qëllimit kriminal për përvetësimin e kundërligjshëm të pasurisë monetare të qytetarëve të ndryshëm. Moskryerja e detyrës ka sjellë jo vetëm dëm ekonomik të drejtpërdrejtë pasurisë monetare të shtetasve shqiptarë por gjithashtu ka krijuar një opinion tejet negativ dhe shqetësues në territorin e Bashkisë Fier. Edhe Drejtoria e Financës nuk ka kryer asnjë veprim konkret për monitorimin e zbatimit të rregullt të kontratës. Bashkia Fier, si ent pronar i rrugëve të qytetit, nuk ka patur asnjë lloj kontrolli financiar mbi aktivitetin tregtar të agjentit tatimor. Pavarësisht se blloqet e biletave dhe masave administrative mbajnë logon dhe serviren para shtetasve të mashtruar, si akte shkresore të Bashkisë Fier, ky institucion nuk ka emetuar akte të tilla duke i lënë dorë të lirë agjentit tatimor që të veprojë në mënyrë plotësisht të pakontrolluar, përsa i përket aktivitetit të deklaruar në organet tatimore dhe Bashkinë Fier. Pas lidhjes së kontratës, në asnjë rast nuk rezulton që kjo problematikë të jetë evidentuar nga këto kjo Drejtori e rëndësishme në Bashkinë Fier. Të ardhurat financiare të përfituara nga Bashkia janë plotësisht të varura nga dëshira e agjentit tatimor, dhe në mjaft raste të evidentuara në hetim edhe të kundërligjshme dhe në dëm të shtetasve. Nuk rezulton të ketë mekanizëm të pranimit dhe shqyrtimit të ankesave të qytetarëve ndaj gjobave të marra, fakt i cili praktikisht i ka dhënën vlerën e titullit ekzekutiv të pa-ankimueshëm gjobave të agjentit tatimor. Nga hetimet e kryera rezulton se zbatimi i kontratës jo vetëm nuk ka sjellë rritje të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve por është kthyer në mekanizëm për vjedhjen e parave të tyre dhe krijim të një situatë terrori psikologjik në qytet. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se përfaqësues ligjor dhe ortak i vetëm i shoqërisë « International Parking 2011 «  sh.p.k, është i pandehuri Florim Kajolli, i cili rezulton të jetë personi përgjegjës që nëpërmjet instruktimeve të punonjësve të shoqërisë dhe abuzimit me marrëdhëniet kontraktuale më Bashkinë Fier, përvetëson në mënyrë të kundërligjshme paratë e qytetarëve të ndryshëm. Veprimet aktive në terren kryhen nga shtetasit e punësuar në shoqërinë “International Parking 2011”, të cilët paguhen, marrin udhëzime dhe veprojnë në terren në emër dhe për dobi të personit juridik.

 

Raste denoncuese nga qytetarët

Qytetarët, të gjobitur padrejtësisht duke u bllokuar makinën ndërsa ishin pranë saj, u është dashur shpesh të konfrontohen fizikisht me punonjësit por në fund të paguajnë edhe gjobën mbi 10 mijë lekë. Në datën 03.10.2013, shtetasi B. Llangozi ka parkuar mjetin e tij pranë bashkisë Fier së bashku me dy shtetas shokë të tij. Kallzuesi së bashku më njërin prej tyre qëndruan në makinë ndërkohë që personi tjetër është futur në bankë për të tërhequr kartmonedha.  Në ato momente kanë ardhur dy punonjës të shoqërisë së parkimit privat “International Parking 2011”, të veshur me uniformë me ngjyrë të verdhë. Kallëzuesi u ka thënë se nuk do të qëndronte shumë por nëse duhej, mund të priste edhe biletë parkimi. Ndërkohë njëri prej tyre vendosi një bllokues gome të goma e parë te krahu i shoferit. Pas debateve të zhvilluara njëri prej punonjësve i ka thënë se duhej të shkonin te parku i automjeteve. Kallëzuesi është nisur me mjetin e tij, SEAT me targa greke KMP xxxxx, së bashku me njërin prej punonjësve të parkimit privat dhe kanë mbërritur te sheshi i parkimit. Pasi ka kontaktuar me punonjësin Mikel Shani, i është thënë se duhej të paguante shumën prej 10.500 lekë. Pas debateve për shumën e gjobës, kallëzuesi është konfrontuar edhe fizikisht me punonjësin Mikel Shani dhe më pas edhe me punonjës të tjerë që kanë ardhur në zyrën e pagesës së gjobave. Pasi i kanë dërguar shumën e parave, kallzuesi B. Llangozi ka paguar shumën e gjobës prej 10.500 lekë dhe është larguar duke marrë mjetin e tij. Një tjetër rast ka qenë ai i një banori nga Durrësi, shtetasit A.Ndoj. Në datën 10.08.2013, ky shtetas  ka qenë në qytetin e Fierit dhe ka parkuar për një moment të shkurtër kohe automjetin e tij Benz me targa DR xxxx F buzë rrugës te një vend i quajtur “Rinia”. Sapo ka zbritur dhe ka vajtur te një dyqan, janë afruar punonjësit e shoqërisë private “International Parking 2011” të cilët kanë dashur të bllokojnë rrotën e automjetit. Ata i kanë thënë se nuk ishte paguar bileta e parkimit dhe se duhej të shkonte bashkë me ta për te shefi i tyre. Pavarësisht thënieve të kallëzuesit se sapo zbriti nga makina, punonjësit e parkimit privat i kanë thënë se vetëm te zyrat e parkimit mund të zgjidhej kjo situatë. Shtetasi A. Ndoj deklaron se së bashku me njërin prej punonjësve, i veshur civil, kanë shkuar me mjetin e tij te sheshi i parkimit, ku shtetasi Mikel Shani i ka prerë fletë gjobe në shumën 10.500 lekë. Duke qenë i detyruar të paguante shumën e parave pasi mjetin nuk e lejonin forcërisht të dilte nga parkimi, duke përfshirë në vlerën e gjobës padrejtësisht vlerën e bllokuesit të gomës dhe të karrotrecit, shtetasi A. Ndoj është larguar për tu paraqitur më pas të organi procedurës për të depozituar kallëzim penal. Një tjetër rast ka qenë ai i shtetasit J.Marko, me detyrë shtetërore në Sarandë. Në datën 21.10.2013, ky shtetas ka parkuar mjetin e tij zyrtar me targa TR xxxxx G, pranë bankës Veneto Bank. Pasi ka zbritur dhe ka qëndruar pranë mjetit për më shume se dhjetë-pesëmbëdhjetë minuta dhe nuk ka kontaktuar me asnjë person të angazhuar me prerjen e biletave të parkimit është nisur për të kryer punët e tij. Pasi është kthyer, pas disa orësh ka konstatuar se mjeti nuk gjendej në vendin ku ishte parkuar dhe ka lajmëruar oficerët e policisë duke qenë i shqetësuar për shkak të dokumentacionit që dispononte në automjet që ishte i një rëndësie të veçantë lidhur me detyrën funksionale. Pasi janë lajmëruar forcat e policisë është mësuar se mjeti ishte dërguar me karrotrec në pikën e bllokimit të shoqërisë “International Parking 2011”. Ka rezultuar se punonjësit në detyrë kanë qenë shtetasit Mikel Shani, Edmond Çipllaka dhe drejtuesi i karrotrecit Nikollaq Prifti, punonjës në detyrë në secilin prej rasteve të konstatuara.