Vjedhja në BSH/ Protesta para Bankës: Dorëzoni Don Fullanin!

0
158

Florenc Drizari

disha-protesta-2 “Nuk është Fullani po Full-Hajni, vodhi paratë e shqiptarëve”

 Dhjetëra qytetarë protestuan mesditën e së hënës para godinës ku është transferuar Banka e Shqipërisë, pranë sheshit “Avni Rustemi”. Ashtu siç ishte njoftuar dy ditë më parë në rrjetet sociale, organizatorët e protestave deklaruan se do të vijojnë protestën çdo ditë, derisa Parlamenti të mblidhet dhe të shkarkojë guvernatorin Fullani ose ai të jape dorëheqjen. Protestuesit mbanin në duar parulla të tilla si “Dorëzoni Don Fullanin”, “Full-Hajn” etj. Protestuesit kërkojnë mbledhjen e parlamentit dhe shkarkimin e Fullanit.

“Meqenëse Parlamenti është shpërndarë për pushimet e verës dhe nuk mund të mblidhen për të shkarkuar Guvernatorin, atëherë lë të protestojmë dhe të detyrojmë atë të dorëhiqet. Janë vjedhur 7.2 milionë dollarë, Përgjegjësia kryesore është e drejtuesit të BSH dhe më pas e zinxhirit të punonjësve që ai vetë i ka punësuar aty”, – thuhet në thirrjen për protestë.

Nuk do të heqim dorë nga protesta derisa Parlamenti të mblidhet për të shkarkuar Fullanin ose ai vetë me ndërgjegje të japë dorëheqjen”, – tha Zirkon Disha, një prej organizatorëve të protestës.

Protestuesit thanë se tubimi i tyre nuk ka qëllime politike por qytetare dhe me megafon thanë thirrjet e tyre drejtuar Fullanit të dorëhiqet ndërsa Parlamenti të reagojë.

“Nëse një punëtor ka vjedhur 7 milionë euro po ky si Guvernator sa milionë euro ka vjedhur kur djali i tij ka fshirë djersën me 500 euro”, – tha një protestues.

“Nuk është Fullani po Full-Hajni, vodhi paratë e shqiptarëve”, – tha Altin Goxhaj, drejtues i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ndërkaq, edhe Aleanca Kuqezi i bën thirrje qytetareve të protestojnë kundër vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Në një reagim të AK, postuar edhe ne rrjetin social, vjedhja cilësohet një krim mafioz nga ana e shtetit. “Qytetarët të martën në protesta. Ktheni paratë e popullit”, – bën thirrje AK. Sipas AK, të dy partitë e mëdha, duke mos reaguar për këtë krim, tregojnë se janë të inkriminuara me Fullanin. “Bella Mafia”, kapitulloi shtetin, janë të tjera deklarata nga AK. Protesta zgjati një orë, 12-13:00 dhe nuk pati incidente. Në fillim u pa se protesta u nda në dy grupe, mes AK-së dhe organizatorëve të tjerë të protestës. Ndërkaq, qëndrimi i disa qytetarëve për të protestuar deri në dorëheqjen e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, vjen në kohën kur prokuroria ka nisur hetimet ndaj 9 punonjësve të bankës, ndërsa priten edhe arrestime të tjera. Po kështu mësohet se edhe organe të tjera të kontrollit të shtetit, kanë filluar mbikëqyrjen ligjore që të ashtuquajturin skandali i Bankës së Shqipërisë.

 

Reagon opozita/ PD: Të shqetësuar për vjedhjen e Bankës, sistemi i sigurisë ka nevojë të reformohet

“Partia Demokratike po ndjek me vëmendje hetimet në Bankën e Shtetit. Ne si i gjithë opinioni publik jemi të indinjuar dhe shohim me shqetësim se si krimi godet sistemin bankar të vendit, një herë përmes plumbave dhe tani përmes vjedhjes. Inkurajojmë organet e drejtësisë të kryejnë hetime të plota dhe të gjithanshme dhe të nxjerrin përpara drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit. Ky është një rast i rëndë. Mbas vjedhjes së floririt, grabitësit godasin përsëri. Sistemi bankar ka nevojë të reformojë procedurat e sigurisë dhe përzgjedhjes së burimeve njerëzore. Ne inkurajojmë organet e drejtësisë të bëjnë pa vonesë punën e tyre për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënien para përgjegjësisë penale dhe ligjore të përgjegjësve, pa përjashtim. Banka e Shtetit është pjesë e sigurisë kombëtare. Lojërat për kapital politik janë të papranueshme për ne”,-thuhet në reagimin e parë zyrtar të Partisë Demokratike ndaj kësaj çështjeje.

 

Guvernatorët e dorëhequr në botë për shkak të skandaleve

 Shembuj transaksionesh të dyshimta dhe shitblerje aksionesh nuk kanë munguar për disa guvernatorë të ndryshëm në botë, duke bërë skandale në vendet respektive. Guvernatori i Bankës së Shtetit gjerman Në vitin 2004 Ernst Welteke, u detyrua të dorëhiqej nga presioni i fortë i opinionit publik pas një skandali të publikuar në media. Një nga figurat më të njohura të botës financiare në Gjermani, karriera e Welteke-s do të përfundonte vetëm sepse pranoi një dhuratë me vlerë 7 mijë e 600 euro. Kjo ishte tarifa e qëndrimit për tre ditë në një hotel luksoz në Berlin, të cilit Guvernatorit ju pagua nga një bankë private. Kaq mjaftoi që mediat dhe opinioni publik në Gjermani të nisnin kryqëzatën duke e detyruar shefin e Bankës Qendrore të jepte dorëheqjen nga posti që e mbante prej disa vitesh. Rasti Welteke nuk është i vetmi kur një Guvernator përfshihet në skandal. Vetëm një vit më vonë, Antonio Fazio, Guvernatori i Përjetshëm i Bankës se Italisë pësoi të njëjtin fat, madje me pasoja më të rënda. Prej 12 vitesh nën drejtimin e Bankës së Shtetit italian, Facio u vu në qendër të skandalit që u pagëzua me emrin Bancopoli, një zinxhir transaksionesh të dyshimta financiare me shitblerjen e aksioneve të Bankës Antonveneta. Pas shpërthimit të skandalit në vitin 2005, prokurori i Milanos hapi zyrtarisht hetimet që çuan fillimisht në dorëheqjen e Fazios dhe më vonë në dënimin e tij me burg për dy vjet e gjysmë nga Gjykata e Lartë. Pas rastit të Fazios, Giulio Tremonti, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, përballë edhe presionit të fortë nga publiku, propozoi një sërë reformash për të kufizuar superpushtetin e guvernatorëve. Së pari koha e qëndrimit në detyrë nga pa limit, u reduktua në gjashtë vjet si për guvernatorin ashtu dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, ndërsa paralelisht u lehtësuan dhe procedurat e shkarkimit duke i dhënë më shumë autoritet qeverisë. I fundit në radhë ishte guvernatori i Bankës Qendrore të Zvicrës, Filip Hildebrand.