Të marrësh një kredi nuk është e lehtë dhe sidomos në një moment kur bankat në vendin tonë po i shtrëngojnë gjithnjë dhe më shumë kushtet. Për të marrë një kredi duhen pasur parasysh një sërë faktorësh. Së pari:
Bisedoni me një këshillues kredie
Bisedoni me një punonjës banke si pjesëmarrës të barabartë në bashkëbisedim. Kini parasysh se banka ka nevojë për ju ashtu si ju keni nevojë për bankën dhe se marrëdhënia me bankën është mbi të gjitha në statusin e partnerit dhe jo një marrëdhënie e varur bankë-klient. Rrjedha e bashkëbisedimit dhe vendimmarrja varet, në një masë të madhe, nga qëndrimi juaj ndaj bankës dhe këshilluesit tuaj të biznesit. Kjo do të thotë se për një marrëdhënie të qëndrueshme ju duhet të jeni i familjarizuar dhe i mirëpërgatitur për bashkëbisedim. Sa më mirë të dini çfarë jeni duke kërkuar, aq më qartë do të mund t’i drejtoheni një punonjësi banke. Në këtë mënyrë përveç të tjerash gjithashtu do të kurseni kohë. Gjatë aplikimit tuaj për kredi banka ndërmerr një proces të pashmangshëm mbledhjeje informacioni të rëndësishëm rreth jush, pjesë e cila mund të konsiderohet nga ju si e bezdisshme apo e mërzitshme. Këshilluesit e biznesit udhëzohen t’ju këshillojnë dhe t’ju vijnë në ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme së bashku me ju. Në një diskutim me bankën që nënkupton me këshilluesin e biznesit, nuk duhet të ruani sekrete. Jini gjithmonë të ndershëm: nëse banka vë re se ju jeni duke dhënë informacion jo të vërtetë, ajo nuk do t’ju besojë më dhe do ta refuzojë aplikimin tuaj të kredisë. Në ditët e sotme, kushdo mund të mirinformohet mbi rrethanat dhe afatet e zakonshme të huadhënies, dhe në këtë mënyrë ju mund të krahasoni kriteret ekzistuese të bankave të ndryshme. Për më tepër, punonjësit e kredisë janë ekspertë në fushën e tyre. Ajo çfarë është e rëndësishme për ju është që të analizoni seriozisht gjendjen tuaj financiare, së bashku me këshilluesin e biznesit i cili mund t’ju japë këshilla praktike. Bisedoni me këshilluesin tuaj të biznesit kurdoherë që është e mundur. Kërkoni këshilla. Jini i sinqertë dhe realist, pasi kjo është gjithashtu në interesin tuaj. Jini i lirë për të pyetur mbi çdo gjë që ju intereson, në veçanti nëse gjërat nuk janë të qarta.
Cili është qëllimi për marrjen e kredisë?
Merrni në konsideratë faktin se mallrat që ju keni blerë duhet “të shlyejnë vetveten” e kjo do të thotë që mallrat që ju keni blerë të mund të përdoren nga ju dhe familja juaj, si p.sh., blerja e një bolieri me konsum të ulët të energjisë elektrike e cila me kalimin e kohës do të ulë vlerën e faturave tuaja të energjisë elektrike dhe do t’ju ndihmojë në shlyerjen e kredisë. Apo në rastet e kredive për biznes, blerja e lëndëve të para do të rrisë shumëllojshmërinë e produkteve tuaja në treg, të cilat në vijim do të rrisin të ardhurat e kompanisë, do e bëjnë atë më konkurruese në treg, do ndihmojnë në shpërndarjen e riskut të biznesit, ose do t’ju mundësojnë një normë fitimi më të favorshme dhe një periudhë shlyerje më të lehtë dhe të thjeshtë të kredisë. Në rastin e kredive konsumatore të cilat përdoren kryesisht për blerjen e mallrave të tregtueshme, kjo në përgjithësi është e pamundur, dhe kjo është një prej arsyeve se pse ju duhet të mendoheni dy herë përpara dorëzimit të një aplikimi për kredi konsumatore. Niseni gjithmonë me pyetjet: a e keni vërtet të nevojshme atë që dëshironi të blini me anë kësaj kredie? Dhe a ju duhet vërtet një kredi për blerjen e saj? Kreditë gjithmonë duken si zgjidhja më e favorshme dhe më e shpejtë, por kjo nuk është gjithmonë kështu. Kini parasysh se kredia duhet të shlyhet dhe detyrimi juaj nuk mbaron kur ju ta keni blerë atë që dëshironi, por kur të keni paguar këstin e fundit të kredisë. Gjatë kësaj kohe, ajo që ju keni blerë e ka humbur vlerën e saj dhe i përket tashmë një periudhe të largët, si p.sh. pushimet e verës dhe jetëgjatësia e saj ka mbaruar.
Cila duhet të jetë periudha e shlyerjes së kredisë?
Nëse me kredinë tuaj dëshironi të blini diçka e cila ka një jetëgjatësi vërtet të shkurtër, atëherë periudha e shlyerjes së kësaj kredie nuk duhet të jetë më e gjatë sesa jetëgjatësia e mallrave që ju blini. Marrja e një kredie me afat shlyerjeje më të gjatë sesa jetëgjatësia e mallrave të blera me këtë kredi nuk i jep frytet e saj plotësisht. Për më tepër, mendoni mirë cila është periudha e shlyerjes minimale dhe maksimale që ju mund të përballoni. Kur mendoni për
të, kini parasysh shpenzimet tuaja të rregullta, por gjithashtu planet e tjera afatshkurtra, si p.sh. udhëtimet, ditëlindjet, shërbimet e rregullta të makinës, shpenzimet për dentistin etj. Harmonizoni periudhën e shlyerjes së kredisë me dinamikat e shpenzimeve ose investimeve të rregullta që ju po planifikoni. Ju nuk duhet të lejoni që dinamikat e shlyerjes së kredisë tuaj të vënë në rrezik stabilitetin e biznesit tuaj, d.m.th., likuiditetin.
Cila është gjendja juaj financiare?
Krahasojini të ardhurat tuaja me shpenzimet. Nëse bilanci i llogarisë suaj është negativ, çka do të thotë se nëse keni më shumë shpenzime sesa të ardhura, dhe në të njëjtën kohë nuk keni kursime ose kapital të akumuluar, ju nuk duhet të konsideroni marrjen e një kredie. Nëse ende mendoni se kredia është rruga për të kapërcyer krizën afatshkurtër, kini parasysh se: kredia do të jetë thjesht një tjetër detyrim shtesë, d.m.th. shpenzim shtesë. Ju mund të mbuloni bilancin tuaj aktual negativ, por do të keni një tjetër shpenzim për një periudhë të caktuar
kohe. Analizojeni mirë gjendjen tuaj financiare përpara dorëzimit të një aplikimi për kredi, në rastin kur të ardhurat tuaja i tejkalojnë shpenzimet. Për më tepër, zakonisht një këst mujor nuk duhet t’i tejkalojë 30% të të ardhurave tuaja mujore (për individët privatë), e cila do të thotë se nuk duhet ta tejkalojë fitimin mujor të kompanisë suaj ose të vërë në rrezik fitimin tuaj dhe të vërë në pikëpyetje ecurinë pozitive të biznesit tuaj. Me kompanitë, është vërtet e
rëndësishme të llogaritet gjithashtu kthimi nga aktivet e investuara. Merrni parasysh se në asnjë rast, shpenzimet e lidhura me interesin nuk duhet t’i tejkalojnë fitimet e planifikuara, pasi në të kundërt, marrja e një kredie nuk ka kuptim.
Çfarë garancish mund të ofroni? Çfarë garancish dëshironi të ofroni?
Marrja e kredisë nuk është e ndërlikuar dhe mund t’ju paraqitet si një procedurë rutinë. Megjithatë, ky nuk është aspak i tillë. Garancia e zakonshme për shumat e vogla është dizajnuar në mënyrë të tillë që në çdo kohë banka të mund të arkëtojë detyrimin në rastin kur ju nuk i shlyeni këstet në kohë. Kjo është arsyeja se pse ju duhet të mendoheni mirë mbi llojin e garancisë që mund të pranoni të vini si garanci, d.m.th. nëse ju mund ta pranoni garancinë që është e detyrueshme për kredinë e kërkuar ose nëse mund t’ju ofrohet një mundësi tjetër .
Nga ana tjetër, ju mund t’i ofroni bankës një tjetër lloj garancie që e shihni si më të përshtatshme. Banka mund të vlerësojë garancinë e ofruar si të përshtatshme dhe në të njëjtën kohë mund të jetë më e përshtatshme për ju që ta siguroni kredinë tuaj duke vënë, për shembull, peng një pasuri të patundshme, dhe jo pagën tuaj. Në çdo rast – bisedoni me bankën!
Cilat janë kostot e kredisë?
Një prej pjesëve më të rëndësishme të kontratës së kredisë i referohet shumës së interesit. Kur vlerësoni normën e interesit, merrni parasysh ndryshimin midis normës së interesit nominal dhe efektiv. Interesi nominal është përqindja e aplikuar mbi shumën e principalit dhe është shuma e interesit e paguar nga klienti në muaj ose në vit. Interesi nominal nuk përmban kostot shtesë të kredisë të cilat përfshihen në normën e interesit efektiv. Interesi efektiv është një mënyrë për të paraqitur, në një shifër, të gjitha shpenzimet që i referohen kredive. Norma e interesit efektiv përfshin të gjitha tarifat dhe kostot që paguhen për të siguruar një kredi (kostot e sigurimit të kredisë, kostot e procesimit të aplikimit të kredisë etj.) duke marrë parasysh momentin kur ato ndodhin. Në rastin e një kontrate tipike kredie, norma e interesit efektiv ndikohet nga shumë faktorë: interesi nominal mujor, tarifat / komisionet, mënyra e shlyerjes dhe periudha e shlyerjes. Pa tarifa shtesë, norma e interesit efektiv është e barabartë me interesin vjetor nominal.
Një kredi mund të përfshijë disa kosto të tjera të cilat mund të ndikojnë gjithashtu në buxhetin tonë: – Komisionet e mirëmbajtjes së llogarisë; Kostot e kolateralit të kredisë; Kostot afatshkurtra të financimit, në disa raste madje edhe siguracion për borxhin aktiv. Gjatë bashkëbisedimit me një punonjës banke, mund t’i kërkoni që të kryejë një përllogaritje të detajuar ku të pasqyrohen kushtet që i referohen kredisë së kërkuar. Ju keni të drejtën që të shlyeni kredinë para kohe, ndërsa bankës i jepet e drejta që të vendosë një tarifë për shlyerje të parakohshme. Kjo tarifë llogaritet në ditën e shlyerjes së plotë dhe aplikohet në varësi të kohës që ka kaluar që nga dita e marrjes së kredisë (kohëzgjatja e shlyerjes së kredisë). Kërkojini bankës t’ju japë informacion rreth vlerës së kësaj tarife kur plotësoni një aplikim kredie.
Çfarë duhet të përmbajë një kontratë kredie?
Një kontratë kredie duhet të përmbajë kontratën e kredisë dhe planin e pagesës. Ne ju këshillojmë që t’i kushtoni rëndësi të veçantë pjesëve në vijim të kontratës: Monedhës së kredisë Nenin, e cila përcakton normën e interesit për fondet e miratuara nga banka për ju. Një kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet përcaktimit të normës së interesit fiks ose të ndryshueshëm. Normë interesi fikse do të thotë që kjo normë nuk mund të ndryshohet gjatë gjithë periudhës së shlyerjes, ndërkohë që interesi i ndryshueshëm varion në linjë me ndryshimet në tregun e parasë dhe është i lidhur me EURIBOR për valutën EUR, LIBOR për valutën USD, dhe TB (bonot e thesarit) për Lekë. Gjithashtu duhet pasur kujdes me faktin nëse interesi llogaritet mbi shumën e kredisë së mbetur, d.m.th. shumën e kredisë aktive ose shumën në total të kredisë, e cila rrallë ndodh.
Plani i Pagesësështë një dokument i cili përmban shumë kolona. Kolona e parë përmban datat e të gjitha kësteve mujore gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë, kështu që në çdo kohë, ju mund të dini shumën e saktë që duhet të paguani në një datë të caktuar. Kolona e dytë përmban shumën e kredisë së aprovuar. Kolona e tretë përmban disbursimet e tjera, nëse janë të vlefshme. Kolona e katërt përmban këstin mujor, i cili përbëhet nga një pjesë principal dhe një pjesë interes. Kolona e pestë përmban pjesën e shumës së principalit në këstin mujor
dhe kolona e gjashtë përmban interesin në këstin mujor. Shuma e kolonës së pestë dhe të gjashtë jep kolonën e katërt, pra shumën e këstit mujor. Kolona e shtatë pasqyron komisionin e lëvrimit të kredisë që paguan klienti që në momentin e marrjes së kredisë. Kolona e tetë pasqyron se sa është shuma e kredisë që ju ka mbetur pa shlyer ende – e njohur me emrin kredi aktive e mbetur – e cila zvogëlohet muaj pas muaji me pagimin e kësteve ose me shlyerjen e detyrimit. Kolona e nëntë pasqyron numrin e kësteve.
Çfarë është EURIBOR-i?
EURIBOR është shkurtimi i Euro Inter-Bank Offered Rate (Normë e Ofruar Ndërbankare për Euron) dhe përfaqëson një normë shtesë interesi, referencë e cila përcaktohet nga oferta dhe kërkesa për para në tregun evropian, në bazë të kuotimit të dërguar çdo ditë nga bankat më të mëdha evropiane. Kur qytetarët hyjnë në borxh si pasoje e marrjes së një kredie, me një normë interesi të ndryshueshme, e lidhur kjo me EURIBOR-in, ndryshime të mundshme të EURIBOR-it duhet të merren parasysh. Në këto raste bankat brenda një periudhe të caktuar – të parashikuar nga kontrata (mujore, tremujore, gjashtëmujore ose njëvjeçare) – korrigjojnë normën e interesit për kreditë e lëvruara duke ndjekur lëvizjet e EURIBOR-it në atë moment. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastin e kredive me një periudhë shlyerjeje më të gjatë, ku ka më shumë se një mundësi që rritja e mundshme e EURIBOR-it të shkaktojë rritje në detyrimet mujore të përdoruesve të kredisë. Nga ana tjetër, bankat shpesh kanë nevojë që t’i lidhin kreditë që u lëvrojnë klientëve të vegjël dhe të mëdhenj me EURIBOR-in, pasi përveç depozitave, ato shpesh financojnë aktivitetin e tyre me kredi nga jashtë vendit të cilat janë, në shumicën e rasteve, të lidhura me normën e EURIBOR-it, vlera e të cilit është e ndryshueshme.
Kolaterali
Garancia imundëson një banke mbledhjen e arkëtimeve të saj nga burime të tjera, në rastin e një problemi me vjeljen e burimeve të pritshme të pagesës. Shlyerja e borxhit të kredisë kontraktohet zakonisht në bazë të të ardhurave mujore, por garancia ofron gjithashtu mundësi të tjera për arkëtimin e borxhit. Në përgjithësi një garanci për shlyerje kredie është një e ardhur e cila mund të kalojë për shlyerje kredie nëse ajo është në vonesë si paga (ndalim administrativ), ose pengje mbi pasuri të luajtshme ose të paluajtshme. Pengu rregullohet nëpërmjet një
marrëveshje të veçantë ku regjistrohet pengu i mbajtur si garanci. Depozita në para, depozita e metaleve të çmuara, sigurimi i shlyerjes së kredisë dhe ndonjëherë garancia bankare (garanci e marrë nga një bankë tjetër e cila garanton shlyerje në kohë të kredisë) mund të jenë gjithashtu forma te tjera garancie.
Cili është procesi që ndiqet pasi është dorëzuar aplikimi për kredi?
Procesi i kredisë kërkon ndërmarrjen e disave hapave, duke filluar nga dëshira juaj për marrjen e një kredie deri në miratimin e bankës, së cilës në gjuhën bankare i referohemi si procesi i miratimit të kredisë. Ju keni biseduar me këshilluesin e biznesit dhe keni plotësuar tashmë aplikimin tuaj të kredisë. Çfarë ndodh më pas?
Hedhja e të dhënave: informacioni i marrë nga aplikimi i kredisë hidhet në sistemin e bankës, d.m.th. në sistemet e krijuara posaçërisht për këtë qëllim.
Analiza e Kredisë: Në këtë fazë vlerësohet aplikimi juaj i kredisë. Bankat kontrollojnë nëse ju jeni i aftë financiarisht për ta marrë kredinë dhe analizojnë aftësinë tuaj për ta shlyer atë.
Vendimi për dhënien e kredisë: vendimi merret bazuar në kritere të mirëpërcaktuara nga çdo bankë. Në varësi të llojit të kredisë dhe të vetë shumës, mund të ndodhë që vendimi të merret nga shumë persona ose madje nga komiteti i kredisë, i cili, në varësi të shumës së kredisë, përbëhet nga punonjës ose menaxherë të ndryshëm të bankës dhe në disa raste nga anëtarë të këshillit mbikëqyrës të bankës. Ata shqyrtojnë aplikimin tuaj së bashku, duke marrë në konsideratë të gjitha dokumentet që ju keni dorëzuar, në mënyrë që të vërtetoni aftësinë tuajpër të paguar kredinë dhe më pas ata marrin një vendim. Ky vendim mund të jetë pozitiv ose negativ.
Termat e rrezikut
Monitorimi: Pas lëvrimit të kredisë (pra pasi klienti ka marrë fondet nga banka), banka nis me fazën e monitorimit. Në intervale të rregullta, banka kontrollon deri në ç’masë ju i respektoni detyrimet tuaja në bazë të kontratës së kredisë. Sipas një shkalle të caktuar, në disa intervale, kryesisht një herë në vit, banka rikontrollon gjendjen tuaj financiare.
Përcaktimi i Pagës (“ndalimi administrativ”) i siguron bankës të drejtën për të bllokuar të ardhurat tuaja të rregullta mujore, d.m.th. pagën, në rastin kur ju ndaloni së bëri shlyerjen e rregullt të kredisë.
Personi garant është një person i cili garanton me fondet ose pronën e tij dhe merr përsipër detyrimet tuaja në rastin kur ju nuk jeni më i aftë financiarisht për të kryer shlyerjen e tyre të rregullt.
Pengu përfaqëson një pjesë të pronës suaj ose të personit garant e cila shërben si garanci, d.m.th. një pjesë e pronës që banka mund të transferojë nën pronësinë e saj në rastin kur ju dështoni në përmbushjen e detyrimet tuaja të përcaktuara në kontratën e kredisë.
Hipoteka i siguron bankës të drejtën për të arkëtuar borxhin e kredisë nga pasuria e patundshme që ju keni lënë peng, në rastin kur ju dështoni në shlyerjen e kredisë në kohë.