Kush do ta ndalë “Shtetin Islamik”?

0
171

shteti islamikXhihadistët kanë vënë nën kontroll pjesë të mëdha të Irakut dhe kanë kryer ekzekutime masive. Një nga mënyrat për të luftuar ata është ndjekja e shembullit sunit, mendon gazetari i “DW”, Rainer Sollich.

 Ndërkohë që bota është duke ndjekur atë që po ndodh në Gaza, xhihadistët në Irak po vazhdojnë përparimin e tyre. Pasi militantët që luftojnë për një shtet islamik ose siç njihet ndryshe, ISIS, morën nën kontroll qytetin e Mosulit në veri të Irakut në muajin qershor, tani kanë marrë nën kontroll edhe qytetet e Sinjarit dhe Samarit, të cilët janë aty afër, dy fusha nafte dhe digën e Mosulit, më e madhja në vend. Portalet kurde dhe arabe të lajmeve raportojnë shumë ekzekutime dhe, sipas OKB-së, 200.000 njerëz janë larguar nga vendi. Kësaj here pjesa më e madhe e viktimave janë nga minoriteti fetar Yazidi, të cilin ekstremistët e ISIS e konsiderojnë “të pabesë”. Më parë ky rajon përjetoi një eksod të të krishterëve, të cilët panë largimin si të vetmen mënyrë për të shpëtuar nga ndërrimi i fesë ose pagesa e një takse të veçantë fetare.

 

Kurdët janë dobësuar

Pyetja se kush mund të ndalojë ISIS është duke u bërë gjithnjë e më shumë urgjente. Kur u mor Mosuli, u bë e qartë se ushtria e Irakut do ta kishte të vështirë t’u kundërpërgjigjej luftëtarëve të mirarmatosur dhe të financuar të ISIS. Ushtria praktikisht u la qytetin militantëve pa luftuar. Sulmet e fundit të xhihadistëve treguan gjithashtu se edhe fuqia ushtarake e milicëve kurdë Peshmerga është gjithashtu e kufizuar. Kurdët kanë filluar një kundërpërgjigje, rezultati i së cilës mbetet për t’u parë. Dhe kësaj here ata kanë mbështetjen e forcave ajrore të Irakut. Deri tani, kjo milici ka pësuar disa disfata, duke mos qenë në gjendje të mbrojë popullin në rajonin e saj. Deri tani “Shteti Islamik” ka nën kontroll një sipërfaqe të Irakut dhe Sirisë, që është më e madhe se Libani apo Jordania. Në këtë territor ku janë luftëtarët e ISIS mbizotëron një terror që është me i ashpër se ai i Al Kaedas dhe talibanëve. Edhe nëse xhihadistët nuk do të kenë sukses në zgjerimin e zonës së influencës së tyre, ata janë duke vrarë shumë njerëz. Për sa kohë bota do të shohë pa ndërhyrë?

 

Xhihadistë nga Evropa

“Shteti Islamik” duket se është kthyer në një vend tërheqës punësimi për xhihadistë nga e gjithë bota. Militantët janë duke bërë edhe një propagandë në rrjetet sociale duke postuar video ku u tregojnë momente gjatë luftimeve dhe u bëjnë thirrje xhihadistëve të tjerë t’u bashkohen.

Dhe po funksionon: nuk janë vetëm disa mijëra luftëtarë nga vende të ndryshme arabe që luftojnë për ISIS, por edhe disa qindra nga Evropa, thonë disa shërbime inteligjente. Burri që vrau katër persona në një muze hebre në maj në Bruksel kishte luftuar më parë si xhihadist në Siri.

 

ISIS duhet luftuar ushtarakisht

Terrori nuk lindi nga hiçi. Xhihadistët janë duke përfituar nga diktatori sirian Bashar al-Assad, i cili po bombardon disa zona të vendit të tij dhe Kryeministri i Irakut Nouri al-Maliki, i cili po mban larg pushtetit sunitët. Zgjidhjet politike janë të komplikuara dhe ndoshta të pamjaftueshme. “Shteti Islamik” duhet të luftohet ushtarakisht. Një shembull për këtë janë sunitët në lindje të Sirisë, të cilët nuk pranuan ISIS dhe tani nuk janë duke luftuar vetëm ndaj Assadit, por edhe ndaj terroristëve.

 

 Gjermania nuk është ende gati të pranojë “të huajt”

Normalisht, kur dikush arrin të qëllojë zogun prej druri në Schützenfest (Festivali i Qitësit) në Gjermani, është një rast i mirë për të festuar. Dhe kështu bëri në fillim Mithat Gedik, 33-vjeçari mysliman me prindër turq, pasi qëlloi në shenjë në Schützenfest të qytetit Werl më 18 korrik.

“Vëllezërit” e tij të St. Georg Schützenbruderschaft (Vëllazëria e Qitësve) e përgëzuan ngrohtësisht dhe i dhanë titullin “Mbret i qitësve” (Schützenkönig) për këtë vit dhe i dhanë një varëse speciale për të shenjuar aftësitë e tij qitëse. Ceremonia u shoqërua edhe nga një shërbesë e veçantë në kishë, ku pastori foli për vlerat kristiane dhe u lut për të mirat e integrimit.

 

Abdikim i detyruar?

Por të shpallësh një mysliman mbret të klubeve qitëse gjermane, të njohur për konservatorizmin e tyre, duket se nuk është pritur mirë nga shoqata mëmë, Bund der Historischen Deutschen Schützenbruderschaften (BDHS) (Shoqata Historike e Vëllazërisë Gjermane të Qitësve).

Kjo shoqatë thotë se Gedik duhet të kthejë mbrapsht titullin e tij dhe nuk i lejohet të shfaqet si mbreti rajonal i Schützenfest, sepse ai është mysliman. Sipas tyre, ai as që nuk duhet të ishte pjesë e klubit rajonal. BDHS i arsyeton këto kërkesa tek paragrafi i dytë i statusit që e cilëson vëllazërinë si një “bashkësi të njerëzve të krishterë”. Zëdhënësi i BDHS, Rolf Nieborg, tha për agjencinë e lajmeve DPA se klubi St. Georg ose duhet t’i kërkojë ‘mbretit’ mysliman të abdikojë ose thjesht ta bëjë ‘mbretin’ jozyrtar të qitësve. Nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë klubi rrezikon të përjashtohet nga shoqata mëmë. Me reagimin e saj BDHS ka rindezur debatin për tolerancën dhe integrimin në Gjermani. Është ky një rast i veçuar apo tregon në përgjithësi gatishmërinë e shoqërisë gjermane për të pranuar njerëzit që nuk kanë prejardhje gjermane?

Mithat Gedik është i martuar me një grua gjermane, me të cilët ka edhe katër fëmijë. Ai punon në degën e një kompanie të madhe në Mannheim dhe është aktiv si vullnetar në shërbimin e zjarrfikësve të zonës. Dhe pavarësisht se është mysliman, në vitin e fundit të studimeve ai zgjodhi të studionte fenë katolike. Një tjetër shenjë e vullnetit të tij për t’u integruar është hyrja në Schützenverein (Klubi Lokal i Qitësve). Schützenverein është simbol i të qenit pjesë dhe ndjekjes së të njëjtave tradita. Është vendi ku burrat pijnë së bashku, thellojnë miqësitë dhe bëjnë edhe marrëveshje biznesi.

Gedik ndihet mjaft i trishtuar nga kjo histori, por më e rëndë për të është kërkesa e zyrtarëve të BDHS, të cilët sugjerojnë se ai duhet të ndërrojë fenë, pra të bëhet i krishterë. “Nuk mund ta besoj se mund të bëhet një diskutim i tillë në shekullin e 21-të. Gjermania nuk është ende gati për pranimin e të huajve”, – deklaroi ai për mediat gjermane.

 

Hakerët rusë vjedhin 1,2 miliardë fjalëkalime

Një kompani amerikane që merret me sigurinë e internetit, ka bërë të ditur se një rrjet kriminelësh rusë kanë vjedhur 1.2 miliardë fjalëkalime dhe mbi 500 milionë adresa poste elektronike.

Kompania amerikane e sigurisë “Hold Security” i ka konfirmuar gazetës amerikane “New York Times” se të dhënat kanë të bëjnë me kombinime të ndryshme emrash dhe fjalëkalimesh. Gazeta “The New York Times” pohon se kompania e sigurisë “Hold Security” megjithatë nuk është e gatshme – për shkaqe ligjore – që të bëjë publike faqet e internetit që janë sulmuar prej hakerëve rusë. Por “Hold Security” thotë se shumë nga faqet e sulmuara të internetit, në mes të të cilave ka edhe kompani të mëdha ndërkombëtare, janë ende të pasigurta dhe sulmet mund të përsëriten.

Firma amerikane ka shtuar se hakerët po përdorin informacionet e vjedhura për të dërguar mesazhe të panumërta nëpër rrjete sociale, duke kërkuar para. Sipas saj sulmi mund të jetë kryer nga një rrjet hakerësh rusë që gjendet në një qytet të vogël në pjesën jugqendrore të Rusisë.

“Hold Security” bën të ditur se hakerët kanë vjedhur mbi 500 milionë adresa të ndryshme e-mail-esh. Hakerët duket se shumicën e fjalëkalimeve i kanë siguruar në tregun ilegal, me ndihmën e software-ëve të ndryshëm. Mendohet se ata kanë vjedhur të dhëna nga 420.000 faqe dhe profile të ndryshme në rrjetet sociale. Disa ekspertë dyshojnë se kjo mund të jetë vjedhja më e madhe e të dhënave në histori.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency