MAS publikon kërkesat që duhen plotësuar për transferimin e studimeve. Brenda gushtit afati për dosjet
Publikohen të gjitha udhëzimet që duhet të plotësojnë universitetet private të cilave u është hequr licenca. Me vendim qeverie është përcaktuar që këto universitete duhet të japin pa asnjë detyrim financiar të gjithë studentëve të tyre dokumentet për të bërë regjistrimin në një universitet tjetër. Data 1 shtator është caktuar si afat i fundit.
Zbardhen detyrimet që duhet të plotësojnë 18 universitetet private, të cilave iu hoq licenca dhe iu ndërpre veprimtaria akademike për çdo cikël studimesh. Vendimi i qeverisë përcakton se universitetet e mbyllura duhet t’u japin pa asnjë detyrim financiar të gjithë studentëve që kanë të regjistruar, dokumentet që atyre u duhen për të bërë regjistrimin në një universitet tjetër. Afati i fundit është përcaktuar data 1 shtator. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se të gjitha universitetet private të arsimit që janë mbyllur, kanë detyrim për t’u kthyer studentëve detyrimet financiare që kanë kryer pagesën e plotë për cikël studimi, duke iu rimbursuar pjesa e papërfunduar e programeve përkatëse të studimit. Në total, nga mbyllja e universiteteve janë prekur 5820 studentë.
Sipas vendimit të qeverisë, të miratuar më datë 6 gusht, 18 institucionet e arsimit të lartë privat, të cilave iu hoq licenca, duhet të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014, në të gjitha ciklet e studimit ku ata ushtrojnë veprimtarinë dhe për të gjitha programet e studimit të ofruara; të përgatisin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve, dhe t’ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014; të marrin të gjitha masat për krijimin e mundësive, studentëve ende të padiplomuar, për transferimin e tyre në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi të njëjta apo të ngjashme, si dhe lehtësimin e procedurave për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm; dosjet e studentëve, të përgatitura nga institucionet private të arsimit të lartë, që nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës, përcillen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit brenda datës 10 shtator 2014. Këto institucione dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, brenda kësaj date, edhe të gjithë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponojnë dhe mbi bazën e të cilit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre akademike, që prej fillimit.
Transferimi
Vërtetimi i çregjistrimit nga universiteti përkatës, programi mësimor (ku të përfshihen lëndët që ka bërë mësim si dhe kreditet përkatëse), si dhe lista e notave – këto janë tri dokumente që u duhen studentëve të marrin nga universiteti ku kanë studiuar që t’u njihet transferimi në një tjetër universitet. Këto janë dokumente që kërkohen në çdo rast kur kryhet transferimi i studimeve. Por nëse do të kërkohen dokumente të tjera, ato do të përcaktohen nga udhëzimi i MAS, që pritet të dalë javën që vjen. Për çdo transferim do të kontrollohen të gjitha të dhënat si kriteret, notat, kreditet dhe monitorimi i programeve që kanë studiuar. Deri tani, sipas MAS, prioritet transferimi do të jenë universitetet publike.
Lista e universiteteve që u është hequr licenca
1. SHLUP “Vitrina”
2. SHLUJ “Universiteti Kristal”
3. SHLUJ “Justiniani I”
4. Akademia e Ndërtimit, Tiranë
5. SHLP “Universiteti Elite”
6. IPAL Shkolla e Lartë “Illyria”
7. Akademia e Studimeve të Aplikuara, Durrës
8. SHLP “Universiteti Planetar i Tiranës”
9. Akademia Pedagogjike, Tiranë
10. IALP Shkolla e Lartë “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”
11. IPAL “Kolegji profesional i sporteve, Fier”
12. Kolegj profesional “Argent”, Shkodër
13. IALP “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”
14. Shkolla e Lartë Private e Edukimit
15. Kolegjet Profesionale, private “Medicom”
16. IP “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”
17. SHPAL “Gjon Buzuku”, Shkodër
18. SHLUJ “Medikadent”
Universitetet e pezulluara
1. Universiteti “Aldent”
2. SHLP “Hëna e plotë” (Bedër)
3. Kolegji profesional privat “New Generation”
4. SHLP “Logos”
5. SHLUP “Instituti Kanadez i Teknologjisë”
6. Kolegji profesional “Ivoclar Vivadent & Partners”
7. SHLAP “Pavarësia” Vlorë
8. Akademia Profesionale e Biznesit
9. IPAL “ISSAT”
10. SHLUJ “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”
11. SHLUJ “Justicia”
12. SHLUP “Wisdom University”
13. Universiteti privat “Albanian University”