Debati për mbylljen e universiteve/ Rama: PD mbron piramidat në arsim. Basha: Reforma do dije, vullnet dhe ndershmëri

0
144

Gëzim Saliu

rama-bashaKreu i PD-së: Rama kërkon famë përmes cirkut të përbaltjes, thelbi i performancës arsimore qëndron tek financimi, partneriteti dhe koha. Rama: Po pastrojmë pisllëkun që latë

Debati për mbylljen e universiteteve private e publike nga qeveria është thelluar edhe më shumë dje përmes replikave në distancë me kryeministrit të vendit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Pas deklaratave të deputetit demokrat Genc Pollo nga selia e PD-së se kontrolli në universitete u bë me nxitim dhe pa transparencë, nëpërmjet një skeme korruptive, ka ardhur reagimi i parë i kryeministrit Rama, i cili ka akuzuar Partinë Demokratike se po mbron mbylljen e atyre që ai i cilësoi “piramida në arsim”. Menjërherë pas këtij komenti nuk ka munguar reagimi i kryedemokratit Basha, i cili në kundërpërgjigje të kryeministrit pohoi se reforma në arsim ka nevojë për dije, vullnet dhe ndershmëri dhe jo për propagandë. Edhe ndaj deklaratës së liderit të PD-së, Rama ka zgjedhur të komentojë sërish në rrjetin social twitter, duke akuzuar qeverisjen e kaluar për “pisllëkun që ka lënë pas” në fushën e arsimit.

 

Debati

Në përgjigje të akuzave të selisë blu për reformën në arsim dhe mbylljen e universiteteve, kreu i qeverisë tha dje se qeveria nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka zbatuar ligjin e hartuar nga të djathtët kur ishin në qeveri.  “Vazhdojnë përçart në mbrojtje të piramidave në arsim paçka se është zbatuar ligji që e bënë po se zbatuan kurrë. Vaj medet PD. Reforma s’ndalet”, shkruante Rama. Ndërkaq në reagimin e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha theksoi se reforma në arsimin e lartë kërkon dije, vullnet dhe ndershmëri. “Por kësaj qeverie i mungojnë të treja . I mungon dija se në vend të një kryqeveritari të ditur, racional dhe diskret në çështje të mprehta, ka zgjedhur demagogun sipërfaqësor që kërkon famën përmes cirkut dhe përbaltjes. I mungon vullneti për të kuptuar se thelbi i performancës arsimore qëndron tek financimi, partneriteti dhe koha. I mungon ndershmëria se në vend të së vërtetës ka zgjedhur të luajë me manipulimin e opinionit përmes rasteve të izoluara”, theksoi  ai. Më tej, kryedemokrati tha se PD do të jetë gjithnjë kundër  piramidës së injorancës në krye të qeverisë dhe arsimit. “Ne do të jemi gjithnjë kundër fushatave të diskretitimit publik të institucioneve arsimore. Ne do të jemi kundër mendjeve hileqare që në vend të debatit proporcional me grupet e interesuara, gjejnë momentin me të papërshtatshëm për të goditur në një çështje me rëndësi kombëtare”, përfundoi komentin e tij kryetari i Partisë Demokratike.  Por debatet në disatncë mes palëve nuk është ndalur me kaq, pasi kryeministri Rama reagoi sërish pas deklaratës së Bashës, duke akuzuar demokratët për reformat e ndërmarra më parë në arsim. “S’duam falenderime që po pastrojmë pisllëkun që lanë, por kur bëjnë si të rënë nga qielli mbi pisllëkun e tyre janë të vajtueshëm. Vaj medet PD”, pohoi ai. Vetmë pak ditë më parë, pas zbardhjes së raportit të Ministrisë së Arsimit dhe Sporti mbi bazën e kontrollit në universitete, qeveria i hoqi liçensën 25 prej tyre, publik dhe privat e ndërsa pezulloi 13 të tjerë, ku këta të fundit do të kenë dy vjet kohë për të plotësuar kriteret. Ndërkaq për studentët e prekur nga kjo reformë, minsitria ka theksuar se do të sistemohen në universitete të tjera, ku i gjithë procesi i tranferimit të studentëve do të drejtohet nga kjo ministri.  Qeveria ka pohuar se në muajin Shtator ministria e Arsimit do të ngrejë një komision të posaçëm, që do shqyrtojë dhe më pas sistemojë studentët në universitete të tjera publike dhe private, por gjithmonë duke u bazuar te kreditet që ata kanë marrë.

 

Reagimi për universitetet/ Pollo: Kontrolli i nxituar dhe pa transparencë, 8 mijë studentë ngelën rrugëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo në një reagim të tijin në lidhje me mbylljen e universiteteve shënjestron sërish qeverinë Rama, duke u shprehur se kontrolli në këto universitete u bë me nxitim dhe pa transparencë, nëpërmjet një skeme korruptive siç tha ai. “Partia Demokratike është për ligjshmëri, zbatimin korrekt të normave në fuqi dhe të standardeve zyrtare; si edhe në rastet kur këto shkelen për masa proporcionale. Por Kontrolli i Ministrisë së Arsimit në universitetet e vendit duket se është bërë me nxitim, me kontrollorë që së shumti janë marrë andej këtëj, pa njohuri për legjislacionin e fushës, me raste plot si kryeinspektorja edhe me diplomë fallco edhe donator e Partisë Socialiste. Por qartazi me yshtje se ku duhej të dilnin me raportin e tyre. Është e qartë pse raporti zyrtar përfundimtar i ministrisë përmban vetëm listën e ndëshkimeve për secilin universitet por aspak gjetjet dhe shkeljet për secilin syresh, çka do të bënte transparente ose në rastin më të mirë mund të justifikonte masën e marrë.”, sqaroi Pollo.  Sipas deputetit, Partia Demokratike përkrah kërkesën e profesoratit dhe të universiteteve për transparencë të plotë të kontrollit të ministrisë; të gjetjeve e shkeljeve të ministrisë ashtu siç janë shkruar e janë fshehur dhe pret që ministrja Nikolla t’i bëjë ato publike menjëherë. “Arsimit të lartë privat krahas përkrahjes i duhej edhe një regjim i fortë mbikqyrje e korrigjimi që ti orientonte ato tek rregullsia e plotë e tek standartet zyrtare. Fatkeqsisht qeveria zgjodhi sopatën jakobine e shtratin Prokrustit. Kështu u çuan dëm miliona euro të investuara në arsim. Dhe u krijua një problem i madh e vërtet i paprecedent për 8 mijë studentë që ngelën rrugëve si pasojë e sëpatës Rama. Do të pranohen ne fakultetet publike duke thyer parimin e meritës (studentëve të vitit të tretë bachelor me mesatare 9 të Maturës do tu bashkohen ata me mesatare 6 të maturës) apo në ato fakultetet private ku tarifa mund të jetë dy e trefish dhe xhepi nuk jau mban studentëve të lënë në rrugë. Ministria ka heshtur për këtë”, deklaroi Pollo.