Mbreti Zog shpall luftë Enverit/ Memorandum NATOS, si të organizohej ushtria

0
184

enver_hoxha1Vëllimi i tretë i letërkëmbimeve përfshirë në librin “Kuvend letrash me miqtë”, trashëgimtari i Mustafa Krujës vendos një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë që lidhet me familjen mbretërore, vështruar jo vetëm si kulturë letrash, por edhe si histori dhe gjeopolitikë që po krijonte ngjarjet jashtë atdheut, ndërkohë që vendi ishte nën regjimin komunist.

 Mendimin politik dhe programatik të Mbretit na e paraqet Mustafa Kruja në dokumentet që botohen në këtë vëllim për herë të parë, dokumente të hartuara në vitet 1948-‘55, kur armiqësia e dy prej shtetarëve më cilësorë e më të përfolur të historisë shqiptare u kthye në një miqësi që, jo vetëm përtëriu një ndjenjë të tillë të shfaqur shumë vite më parë, mbas shpalljes së Pavarësisë, por u bë një dëshmi e gjallë marrëdhëniesh të reja në dritën e ndryshimeve që bëjnë të detyrueshme edhe ndërrimin e koncepteve, opinioneve e programeve politike.

Vëllimi hapet me një letërkëmbim të shkurtër me familjen mbretërore. Krahas pak letrave, të firmuara kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, janë vënë edhe disa dokumente të hartuara nga M. Kruja me kërkesën e Mbretit apo me autoritetet e Lëvizjes së Legalitetit, për të nxitur këtë të fundit në një ripërtëritje e modernizim të Partisë Monarkiste. Më poshtë botojmë të plotë qarkoren drejtuar në emigrim gjithë shqiptarëve me shpresën për t’u rikthyer në një Shqipëri të çliruar. Një nga momentet më të rëndësishme duket se është pikërisht memorandumi që botojmë të plotë më poshtë, që Mbreti Zog I i dergon Mustafa Krujës, në dijeni të akteve politike që duhej të ndërmerrnin në mërgim duke parë gjendjen dhe situatën mjaft të rëndë që po kalonte Shqipëria nën regjimin komunist. Memorandumi është shkruar në frëngjisht e përkthyer nga Eugjen Merlika.

 

***

1gusht 1957

            Excellence,

Kët pjesën tjetër po e shkruej të diktueme prej Mbretit. Nji dënim për popujt e robnuem nën nji formë “diabolique” po përgatitet në Europën centrale edhe ne Balkan. Tue i marrë parasysh interesat e nalta të vendit t’onë nji memorandum i paraqita Nato-s, Ambasadës Inglize, t’Amerikës, të Francës, t’Italisë.

2-3 muej ma përpara tue i pa gjasat paç ba do démarcha verbale, prej të cilëve paç përgjegjen qi nuk besohet se nji gja e tillë mund të bahet. Do t’ishte mirë, tashma qi ka rrahë çeshtja edhe në shtyp, t’u bante prej emigratës shqiptare qi ndodhet atje démarcha kolektive në Departamentin e Shtetit, burimi i vetëm qi mund të na shpëtojë prej zgjedhjes slave. Këtë çështje po va laj edhe në gjykimin tuej e nuk po i shkruej tjetër kujt.

Shpresoj se Shqiptarët, tue i marrë para sysh qi nuk asht çeshtje partizanije, qi humbën kohë kot tue i ngatrrue njenën me tjetrin, po asht çeshtje atdhetarije, do të mundin të bajnë nji hap, si detyrë qi e kanë kundrejt atdheut.

 

MEMORANDUM

Bisedat e fundit ndërmjet drejtuesve rusë dhe ndonji antari të bllokut lindor për të sheshue mosmarrëveshtjet ideologjike, më japin rastin e përshtatëshëm të shtroj para Qeverive të Botës së lirë, rastin krejtësisht të veçantë të Shqipnisë.

Edhe se i vendosur gjeografikisht jashtë perdes së hekurt, vendi im-mbasi një regjim i kundërt me traditat e tij të lashta i u imponua me forcë-nuk përbën një fortesë të përparuar, por të veçuar të rrezikut sovjetik në qoshen Juglindore të Adriatikut, ka një rëndësi strategjike për mbrojtjen e botës së lirë, gjë e cila nuk ka nevojë të nënvizohet.

Populli shqiptar-që gjatë shekujve, pavarësisht pushtimeve të huaja, ka ditur të ruajë personalitetin e tij etnik dhe frymën e tij të dashurisë për lirinë, duke dhënë herë mbas here prova të vendosmërisë së pamposhtur për të fituar sovranitetin kombëtar deri në ditën e shpalljes së pavarësisë së tij më 1912- nuk duhet të quhet përgjegjës për gjëndjen në të cilën është vendi, kaq e dëmshme jo vetëm për interesat e tij dhe aspiratat kombëtare, por edhe për interesin madhor të botës demokratike.

Prandaj çlirimi i Shqipërisë, duke i dhënë fund tragjedisë së këtij populli të vogël, të privuar nga liria e të detyruar të pësojë një sundim t’ashpër të një pakice, do të plotësonte dhe hallkën e mangët të zinxhirit të mbrojtjes së Nato-s në sektorin ballkanik.

Është e sigurtë se, po të mos ishte shqetësimi për integritetin e vendit që e detyron të jetë i matur, populli shqiptar do të kishte shpërthyer prej kohësh një lëvizje çlirimi për të përmbysur regjimin e tiranisë që e martirizon prej më shumë se dhjetë vitesh.

Një Shqipëri e cunguar nuk do të mund të mbijetonte si një komb i lirë dhe i pavarur, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Është kjo arsyeja therëse që e detyron  këtë popull të vogël por trim e thellësisht liberal të mos bëjë asgjë që mund të verë në rrezik integritetin tokësor e të durojë i nënështruar, në rrethanat e soçme, zgjedhën e drejtuesve komunistë që vetëshpallen si të vetmit mbrojtës vigjilentë të kufijve kombëtarë, të përkrahur  në këtë detyrë nga mbështetja e plotë e B.R.S.S.

Duke sjellë   sa thashë më sipër në vëmëndjen e lartë të Shkëlqesisë Suaj, zgjedh rastin për të shtuar se, mbasi t’i jetë siguruar Shqipnisë së çliruar pavarësia dhe integriteti i saj, nën sigurinë e fuqive të mëdha demokratike, do të dëshirohej në të njëjtën kohë asnjanësia e saj e përherëshme.

Asnjanësia e Shqipërisë do t’i bënte të pandryshueshme marredhëniet e fqinjësisë së mirë mes saj dhe fqinjëve, aq të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë e të paqes në Ballkan, e asaj do t’i lejonte t’i kushtohej, pa asnjë pengesë, veprës paqësore të rimëkëmbjes kombëtare.

ZOG I

Cannes, 1 gusht 1957

 

 

Niagara Falls, 26 nânduer 1958

            Madhní,

Nji kartë urimesh dhe nji ftesë të “Komitetit Shqipnija e Lirë” prej Neë Yorku po më kujtojnë nji datë të largë, datën 28 Nânduer 1912. Në vetminë t’eme këtu, pa Shqiptar tjetër afër veçë djalit e gocës, edhe këta të hutuem mbas punet, gati se kisha qênë tue e harrue !

Ditë gzimi, ditë mallëngjimi pa fund ka qênë ajo për shumë Shqiptarë, tue i marrë si numër mbë vetvete, e fort pak tue i krahasue me popullin mbarë. Në këtë numër të vogël, por të zgjedhun, ishte mû në rradhë të parë edhe Madhnija e Juej, atëherë Ahmet Beg Zogolli, djalosh qi porsa kishin fillue me i çemun musteqet.

Un e mbaj mênd mirë Madhninë t’Uej kur erdhët aso kohe në Vlonë, tue kalue me rrezik jete nëpër Sërbët qi kishin pushtue vêndin t’onë. Ishi i ri, si thashë, dhe vetëm trashigimtar i nji shtëpije bujare ndër mâ të njohunat qi kishte Shqipnija. Por në fund të fundit nji si shumë tjerë qi ishin grumbullue atëherë n’atë qytet të vogël t’Adrijatikut, e qi askush gati s’i përmênd mâ.

Veçse Ju, Madhní, dikur mâ vonë Shqipnisë i dhatë nji kontribut aqë të çëmueshëm si Shtet, sa qi emni i juej ka për të rrue sa kohë qi komb’i ynë do të ketë nji historí. Prandej s’ka Shqiptar të gjallë e me zêmër të kthiellët qi s’ka për t’a kujtue personën t’Uej me mirnjohje mbasnesër. Këta Shqiptarë me zêmër të kthiellët janë ata qi u ka plasun buza, qi u ka ardhun shpirti me u dalë nëpër ksollat, nëpër arat, nëpër fushat e malet e Atëdheut fatkeq, nëpër burgjet e kampet e përqëndrimit ; nuk janë ata qi kërkojnë fatet politike mbas partinash a kafshatën e bukës nëpër botë.

Un, sa për vete, e ndjej detyrën e mirnjohjes ndaj Madhninë t’Uej, jo vetëm si bir i përvûtë i Shqipnisë, por edhe pse kam rrue mâ se tetë vjet në këtë pleqní të vështirë e t’idhët me bukën t’Uej në gojë e nuk njoh njeri mâ të përbuzëshëm se bukshkaltin.

Mora vesht se Mbretnesha e princesha Sanije paskan ardhun për pak dit këtu n’Amerikë. Fort do të m’a kish pasun ânda me i pamë, se fort më ka marrë malli për to. E nuk do të kisha munguem me e bâmë nji udhtim deri në Neë York sikur të kisha pasun prej tyne vetëm nji telefonatë për me më thânë se nuk do t’u ipsha mërzí. Por qe se duket qi kanë qênë tepër zânë si ato vetë ashtu edhe përsjellsit e tyne. Shëndosh për tjetër herë. Un s’e hjek ende shpresën qi do t’a shoh nji ditë vetë Madhninë t’Uej këndej.

Tashti, Madhní, po ju lutem qi, tue pranuem nderimet e përvûta të mija, të më lejoni me Ju përqafue me nj’aqë mallëngjim sa atë ditë me 29 korrik 1956 kur u damë në Villa Clément Bayard të Cannes-it.

Përvûtisht i M. s’Uej

                                                                                                Mustafa Kruja