Deklarata/ Jahjaga: Të mos orientohet rinia nga radikalizmi

0
192

jahjaga kosoveNën përcjelljen e forcave speciale të Policisë së Kosovës, 40 personat e arrestuar për pjesëmarrje në luftë në Siri e Irak janë paraqitur para gjykatës në Prishtinë. Ata dyshohen për kryerjen e veprave që cenojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pjesëmarrje në organizata të shpallura si terroriste, siç janë ISIS e Al Nusra.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përsëritur të martën se i mbështet veprimet e organeve të ndjekjes penale kundër personave të dyshuar për përfshirje në terrorizëm dhe aktivitete tjera që cenojnë rendin kushtetues të Kosovës.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë një vizite në Gaçanicë, ku, e shoqëruar edhe nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, janë takuar me kryetarin e kësaj komune, Branimir Stojanoviq.

Jahjaga ka thënë se Kosova nuk do të tolerojë radikalizmin islamik sikurse edhe veprimet tjera të rrezikshme. “Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vend-strehimore e veprimeve ekstremiste. Çështja e ekstremizmit dhe radikalizmit islamik ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër brengat e mëdha për vendin tonë. Veprimi i djeshëm i institucioneve, mekanizmave të sigurisë duhet të përshëndetet”, – ka deklaruar Jahjaga.

Nga numri prej 40 të arrestuarve shumica janë të rinj. Presidentja Jahjaga ka thënë me këtë rast se rinia e Kosovës është përparimtare dhe ajo duhet të orientohet kah integrimet evropiane dhe jo kah qëllimet tjera radikale.

“Kosova ka një rini, me të cilën duhet të krenohemi dhe se rinia jonë duhet të jetë e orientuar drejt kontributit të tyre për shtetin e tyre dhe drejt proceseve integruese, sepse alternativa e vetme për Kosovën është rruga evropiane, rruga e integrimeve euroatlantike”, – është shprehur Jahjaga.

Po në lidhje me përfshirje e të rinjve nga Kosova në luftë, qoftë në Siri apo Irak, Marie Berishaj, sociologe thotë se ka disa faktorë pse të rinjtë mund të jenë shtresa më e manipuluar, ndër të cilat ajo veçon sidomos arsyet e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë.

Po ashtu, edhe niveli i arsimit dhe qasja e pa limituar në internet, besohet se krijojnë lidhje me ideologji e besime të ndryshme.

Organet e ndjekjes penale kanë konfirmuar të hënën se grupi prej 40 personave të arrestuar nuk është i vetme që po hetohet rreth aktiviteteve të dyshuara për radikalizëm islamik.

Nën hetime është thënë se janë edhe imamë të xhamive, rekrutues për luftë jashtë Kosovës dhe nxitës, të cilët shumë shpejt mund të ballafaqohen me drejtësinë.

 

Sociologët, alarm: Të rinjtë, shënjestra më e lehtë

“Të rinjtë në shoqërinë tonë janë shënjestra më e lehtë. Fatkeqësisht, të rinjtë kalojnë mjaft kohë online (në internet), vizitojnë faqe të ndryshme, të cilat propagandojnë dhunë. Mungesa e aktiviteteve sociale për të rinj dhe papunësia, natyrisht, që janë faktorë. Po ashtu sistemi i arsimit, i cili më tepër riprodhon sesa që krijon të menduarit kritik mund të jetë një prej arsyeve. Si dhe arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është ndjenja e përkatësisë në grupe. Këto grupe, mund t’ju ofrojnë të rinjve ndjenjën e përkatësisë emocionale e psikologjike, prandaj edhe janë raste apo arsye për një manipulim më të madh të të rinjve”, – ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Marie Berishaj, sociologe.

 

Kosovë, të dyshuarit për terrorizëm – para gjykatës

Në Prishtinë janë marrë në pyetje 40 personat e arrestuar të hënën nën dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe Irak. Të gjithë ata janë të dyshuar për vepra penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Prokuroria e posaçme e Kosovës ka kërkuar që të gjithëve t’i shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Të gjitha ata u arrestuan në një operacion të policisë ditën e hënë, që cilësohet si më i madhi deri tash i drejtuar ndaj personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari radikale. Operacioni që u zhvillua në shumë komuna të Kosovës sipas policisë pasoi vlerësimet për rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit. Armë, municione e mjete shpërthyese janë konfiskuar gjatë operacionit në të cilin ishin përfshirë qindra pjesëtarë të policisë e cila beson se të arrestuarit kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç janë, Al Nusra dhe Shteti Islami i Irakut dhe Levantit.

 

Oliver Ivanoviç dhe katër të tjerë akuzohen për krime lufte dhe vrasje

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se është ngritur aktakuzë për krime lufte dhe vrasje ndaj pesë personave në gjykatën themelore në Mitrovicë.

Në një njoftim thuhet se njëri nga të pandehurit akuzohet për nxitje për të kryer krime të luftës në prill të vitit 1999.

Po ashtu, ai dhe një i pandehur tjetër akuzohen për nxitje në bashkëkryerje për të kryer veprat e vrasjes së rëndë dhe tentim të vrasjes së rëndë në shkurt të vitit 2000.

Tre të pandehurit e tjerë akuzohen për veprat e vrasjes së rëndë dhe tentim vrasjes së rëndë në shkurt të vitit 2000.

Ndonëse nuk është publikuar zyrtarisht identiteti i të akuzuarve, në mesin e tyre edhe politikani lokal serb Oliver Ivanoviç. Ai po mbahet në paraburgim që nga janari këtij viti kur qe arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore, të cilat janë kryer në shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur dhjetë shqiptarë kishin humbur jetën gjatë trazirave në atë zonë.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.