Sonila Mesareja
Prokuroria: Gruaja qëlloi me levë hekuri babain, ndërsa i shoqi njerkën e gruas
Vajza nuk ia ka kursyer aspak jetën babait të saj, kur bëhej fjalë për çështje prone. Me ndihmën e burrit të saj, ajo ka siguruar një shufër hekuri dhe me të ka qëlluar në kokë për vdekje të atin, Jani Koka, ndërsa i shoqi ka qëlluar njerkën e gruas, Lefteri Kokën, e cila për fat arriti t’i shpëtonte vdekjes. Për krimin e rëndë të kryer nga çifti i bashkëshortëve Elefteria e Kristo Gjino, Prokuroria ka ngritur akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa mësohet se të dy të pandehurit e kanë pranuar akuzën dhe kanë dhënë versionin e tyre të ngjarjes. Dosja është dërguar për gjykim në gjykatë dhe pritet që t’i nënshtrohet hedhjes së shortit në muajin shtator kur të fillojë puna në gjyqësor.
Ngjarja
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bëhet me dije se më 16 korrik të vitit të kaluar, në fshatin Karahaxh të Delvinës, është gjetur i pajetë shtetasi Jani Koka dhe e plagosur rëndë gruaja e tij, Lefteri Koka. Sipas të dhënave të para të grumbulluara në vendngjarje u dyshua se autorë të mundshëm të kësaj ngjarjeje ishin vajza dhe dhëndri i viktimës, Elefteria e Kristo Gjino, të cilët u shoqëruan për në polici. Çifti Gjino janë gjetur në banesën e tyre, e cila ndodhet afër asaj të viktimës. Madje, në banesë u gjet edhe shufra e hekurit me të cilën ishte goditur viktima Koka.
Dëshmitë
Vajza e viktimës, Elefteria Gjino, pranoi para hetuesve krimin. Ajo është shprehur se kanë pasur me të atin dhe njerkën e saj konflikte pronësie. E pandehura ka deklaruar se është konfliktuar me njerkën e saj, Lefterinë, dhe kjo e fundit e ka qëlluar me gur në kokë. Më pas, sipas dëshmisë, aty është afruar edhe viktima, Jani Koka, i ati i të pandehurës. Sapo u afrua viktima, aty ka mbërritur edhe bashkëshorti i Elefterisë, Kristo, i cili kishte një shufër hekuri me vete. Elefteria ka dëshmuar se i rrëmbeu shufrën e hekurit bashkëshortit dhe me të qëlloi në kokë babain e saj, Janin, ndërsa i shoqi Kristo ka qëlluar njerkën e të shoqes, Lefteri Kokën. Më pas të dy janë larguar drejt banesës së tyre. Më pas ka dëshmuar për hetuesit edhe Kristo Gjini, i cili është shprehur se e shoqja po debatonte me babanë dhe njerkën kur i ka kërkuar ndihmë. Ai ka shkuar drejt saj me një shufër hekuri, të cilën gruaja ia mori dhe qëlloi të atin në kokë. Më pas deklaroi se ishin kthyer në banesë. Të dy burrë e grua pranojnë vrasjen dhe japin të njëjtin version.
Spanjë/ Trafikonin emigrantë drejt Anglisë, prangosen 72 persona
Policia spanjolle ka shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas policisë, në pranga kanë përfunduar 72 persona që merreshin me kontrabandë të paligjshme, më saktë çonin shqiptarë në Britaninë e Madhe. Shumica e shqiptarëve janë futur në Britani me dokumente false të blera në Itali ose Greqi, për të cilat paganin nga 500 deri në 4000 euro. Policia bëri bastisje në dy shtëpi dhe një shtëpi publike në Barcelonë, ku sekuestruar 14.000 dollarë para të gatshme, si dhe një pistoletë. Nga hetimet e policisë ky grup ka mbi 180 persona, 14 prej të cilëve ishin të mitur dhe shumë gra. Disa nga gratë detyroheshin të punonin si prostituta. Në mesin e të arrestuarve në këtë super operacionin, janë dhe anëtarë të grupit që dyshohet se ofronin mbështetje në Spanjë për drejtuesit e rrjetit që jeton në Shqipëri, Itali dhe Greqi. Nga mediat spanjolle mësohet se në Spanjë ishte baza ku priteshin emigrantët dhe pasi siguroheshin letrat, dërgoheshin për në Britani, aty ku sërish kishte pritës të tjerë, anëtare të këtij grupi.
Durrës/ Pranga ish-doganierit Katundi, i vodhi 7 mijë euro një gruaje
Policia Kufitare e Durrësit ka vënë në pranga një ish-doganier, i cili akuzohet se i ka marrë një shumë të konsiderueshme një gruaje. Sipas policisë, Altin Katundi, 46 vjeç, banues në Tiranë, ish-doganier pranë degës së Doganës Durrës, ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë prej gati dy muajsh pasi është i dyshuari kryesor për vjedhjen e 7000 eurove ndaj shtetases D. L. Ngjarja ka ndodhur më 12 Gusht të këtij viti në Ishull-Lezhë. Prokuroria Lezhë nga ana e saj e ka regjistruar këtë rast dhe akuzon Altin Katundin për veprën penale “Vjedhje”. Gjithashtu Policia ka njoftuar se ish doganieri i arrestuar iu është dorëzuar për veprime të mëtejshme shërbimeve të Drejtorisë Policisë Qarkut Lezhë.
Tiranë/ Raporti i auditit, Policia e Shtetit procedon 42 ish-drejtues
Raporti i auditit të brendshëm të Ministrisë së Brendshme ka bërë që Policia e Shtetit të nisë procedim disiplinor për 42-ish-drejtues policie, të gjithë në rangje të larta, drejtorë apo shefa komisariatesh. Burime pranë këtij dikasteri bëjnë me dije se auditi i kryer gjatë periudhës mars-prill nisi për verifikimet e 45 tenderëve të Policisë së Shtetit nga ku u gjetën disa shkelje. Procedimi nisi për efektivët që janë ende pjesë e policisë së shtetit pasi për të larguarit policia ka kallëzuar abuzimet në prokurori. Në përmbyllje të procedurave grupi auditues bëri me dije se u gjetën shkelje te blerja e produkteve të materialeve për Institutin e Policisë Shkencore, karburanteve, të karrotrecit, mirëmbajtja e shërbimeve të komunikimit, mjeteve të informatikës si dhe rikonstruksionit të godinave. Kështu nga 42 procedime, Agjencia e Prokurimit Publik ka miratuar gjobat për 31 ish-drejtues policie, 14 prej të cilëve janë vendosur gjoba deri në 800 mijë lekë, dhe për 17 janë vendosur gjoba për shkelje më të lehta që nuk i kalojnë 20 mijë lekët.
Vlorë/ Bllokohen 40 klandestinë, tentonin të kalonin për në Mal të Zi
Policia e Vlorës bllokoi 40 klandestinë afrikanë, pesë prej të cilëve përfunduan në spital, për shkak të gjendjes së tyre jo të mire shëndetësore. Ata kishin hyrë nga Greqia në Shqipëri dhe po tentonin Malin e Zi. Kapja e tyre u bë në segmentin nacional në afërsi të Vlorës, ndërkohë që u konstatua se shumë nga prej tyre ishin të sëmurë. Policia i ka kërkuar ndihmë Shëndetit Publik dhe disa nga klandestinët në gjendje më të rëndë u dërguan në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore.