Ervin Kaduku
– Si do të shkojë puna me çmimin e energjisë elektrike?
– Humbjet në rrjet mbeten në nivele tepër të larta
– Kompania fsheh nivelin dhe shumën e arkëtimeve
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka kryer ndërhyrje emergjente në rrjetin e shpërndarjes së Tiranës, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, por edhe garantimin e furnizimit me energji elektrike. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë me dije se gjatë këtij 6-mujori, investimet kanë qenë të pakta si pasojë e mungesës së fondeve. Një situatë e tillë ka ardhur pasi statusi i kompanisë nuk ka qenë i qartë. Në këto kushte, është ndërhyrë në 500 kabina 20 kV të shpërndarjes së energjisë në Tiranë, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike. Në zonat periferike, ku edhe vjedhjet dhe abuzimet në dëm të kompanisë janë akoma më të mëdha, është vendosur 50 km kabëll ABC për të reduktuar humbjet në rrjet dhe për të përballuar konsumin e lartë të energjisë elektrike. Edhe pse linjat e përcjelljes së energjisë elektrike në këto zona janë në një kaos të vërtetë dhe nuk mund të përcaktohet se ku shkojnë, nevoja për investime ka qenë shumë herë më e lartë, ndërsa operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike është mjaftuar me këto punime për të përmirësuar disi situatën. Gjithashtu, ndërhyrje ka pasur edhe në riparimin e transformatorëve në dy nënstacionet më të mëdha të Kryeqytetit, si edhe të pajisjeve të tjera të linjave 35, 20 dhe 10 kV.
Por situata në rrjetin e shpërndarjes vazhdon të jetë e rënduar, për shkak edhe të keqmenaxhimit shtetëror të kompanisë së furnizimit me pakicë, ndërkohë që ende sot e kësaj dite kompania nuk bën të ditur vlerën dhe nivelin e arkëtimeve në shkallë Republike. Humbjet e kompanisë në rrjet konsiderohen të arrijnë në rreth 37% në 6-mujorin e parë të vitit, një vlerë kjo më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ku humbjet arrinin në 41%. Por megjithatë, mbetet një vlerë tepër e lartë si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për taksapaguesit shqiptarë.
Problemet
Humbjet në rrjet për kompaninë e shpërndarjes së energjisë, që së fundmi ka ndërruar emrin në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në maj 2014 ishin 41%, nga 39% që kishte qenë objektivi për këtë periudhë. Shifra bëhet e ditur në raportin vjetor të kompanisë.
Në marrëveshjen me FMN-në në shkurt të këtij viti, për një hua 330 milionë euro, qeveria shqiptare arriti që t’i shpëtonte rritjes së çmimeve të energjisë, si një rrugë e propozuar për të dalë nga gjendja e vështirë financiare ku ndodhet ky sektor, me premtimin se do të ulte humbjet në rrjet të energjisë.
Në një intervistë pak muaj më parë, shefi i FMN-së, Nadeem Ilahi, shef i Misionit të Fondit Ndërkombëtar për Shqipërinë la të nënkuptohej se shumë do të varej nga aftësia e qeverisë për të ulur humbjet në rrjet. “Unë mendoj se reforma e energjisë në Shqipëri kërkon zgjidhje të vështira. Mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve ndoshta e kuptojnë këtë. Se cilat do të jenë këto zgjidhje është diçka që ia vlen të eksplorohet. Pikëpamja jonë shumë e gjerë është se, nga ajo që dëgjojmë nga kolegët tanë të Bankës Botërore, vjedhjet në sektor janë një problem dhe se ndoshta një administrim më i fortë për humbjet do të përmirësojë qëndrueshmërinë bazë të sektorit. A përfshin kjo dhe një rritje të tarifave?! Unë nuk e di në këtë fazë, por do të jetë diçka që do të jetë pjesë e paketës që do të dalë në vijim. Sektori duhet të fillojë të mbajë veten”, – tha ai.
Kushtet e FMN-së përfshijnë reduktimin e humbjeve të energjisë në sistemin e shpërndarjes (afati i shkurtër dhe i mesëm): Përmirësimin e normës së mbledhjes dhe cilësisë së rrjetit, reduktimin e vjedhjeve të energjisë.
Pak ditë më parë u botua dhe marrëveshja e huasë mes Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe qeverisë shqiptare në shumën 87 milionë eurosh për politikën e zhvillimit për modernizimin e sektorit financiar. Një nga kushtet e huasë ishte: “Huamarrësi, nëpërmjet rregullatorit shqiptar të energjisë, ka nxjerrë rezolutën nr. 146, datë 24.12.2013, që udhëzon “CEZ Shpërndarje” të zbatojë një normë të sheshtë për klientët shtëpiakë dhe “CEZ” ka filluar zbatimin e këtyre udhëzimeve”.
Humbjet
Në vitin 2013, që përkon me periudhën kur kompania u mor në administrim nga qeveria shqiptare, performanca e kompanisë u përmirësua disi, duke ulur disa zëra të shpenzimeve, ndërkohë që të ardhurat ishin po njësoj. Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat në vitin 2013 ishin 269.3 milionë euro, të barabarta me një vit më parë.
Shpenzimet për blerje energjie ishin 214 milionë euro, 25% më pak se një vit më parë. Shpenzimet e tjera (gjoba e penalitete, krijimi dhe kthimi i provigjionimeve dhe krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme) u reduktuan më pak, me 4.6%, në 158 milionë euro, ku peshën kryesore e zinte zëri “krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme”, – meqë nënkupton paratë që kompania nuk arrin t’i arkëtojë nga klientët (humbjet e energjisë). Shpenzimet e tjera administrative u ulën me 6.2%, në 82.3 milionë euro.