Dokumente origjinale/ Priftërinj, xhandarë, marinarë, tregtarë… ja ç’zanate për shqiptarët

0
213

Lovorka Coralic/ Zagreb

venediku i hapurHistori/Dokumente origjinale nga Arkivi Shtetëror i Venedikut zbulojnë të kaluarën e emigrantëve shqiptarë në Venedik

 Marinarët, artizanët, tregtarët, priftërinjtë, xhandarët (rregullmbajtësit) – profesionet dhe mundësitë ekonomike të emigrantëve shqiptarë

Një nga elementet e pashmangshme rreth hulumtimit të përditshmërisë (jetës së përditshme) dhe rregullimit apo përshtatjes së jetës së emigrantëve në Venedik është edhe përcaktimi i veprimtarisë së tyre profesionale (profesionet). Qytetet për rreth bregdetit perëndimor të Adriatikut, në veçanti Venediku, në të kaluarën u kanë ofruar mundësi të shumta emigrantëve nga vendet e ndryshme të botës, për punësim të përkohshëm apo të përhershëm. Republika e Venedikut, si njëra ndër superfuqitë udhëheqëse (kryesore) evropiane të tregtisë detare, zhvilloi ndërtimtarinë e anijeve dhe ekonominë detare jashtëzakonisht të fortë, e cila tërhoqi numër të madh njerëzish për punësim të përhershëm. Arsenali dhe objektet e ndryshme të saj mbështetëse (përcjellëse), marina tregtare dhe ushtarake, prodhimtaria e tekstilit për tregjet e huaja si dhe nevojat më se të domosdoshme dhe urgjente për eskadrilat ushtarake, janë vetëm disa nga kushtëzimet, të cilat ishin të favorshme për ruajtjen dhe mbajtjen e përhershme të shumë grupeve emigrantësh. Materiali bazë i shfrytëzuar dhe i përdorur për të përcaktuar strukturën e profesioneve të Shqiptarëve në Venedik, janë shënimet (dokumentet trashëgimlënëse). Të dhënat mbi profesionin zakonisht jepen që në fillim të testamentit trashëgimlënës, por udhëzimi i tij nuk është i rregullt në të gjitha shkrimet (dokumentet). Kështu që, analizat janë bërë vetëm në bazë të atyre dokumenteve në të cilat të dhënat mbi profesionin e trashëgimlënësit shprehimisht tregojnë apo edhe – në bazë të të dhënaveë tjera – është e mundur të vërtetohen apo të përcaktohen këto me një siguri të madhe. Përveç dokumenteve testamentare, njohuritë shtesë mbi profesionet e imigrantëve shqiptarë mbajnë, përfshijnë edhe shkrimet e tregtarëve – korporatave zejtare (Arti), si dhe të dhënat në fondin Patroni e Provveditori all’Arsenal.

Bazuar në analizat e testamenteve është e mundur të shihet edhe ndarja e emigrantëve shqiptarë sipas llojeve të profesionit, punës, që ushtronin gjatë jetës së tyre në Venedik. Rishikimi statistikor i përfaqësuesve të kësaj bashkësie sipas profesionit (punës) (shih: Figura 4) tregon një epërsi të përfshirjes së tyre në veprimtarinë detare (28%) dhe asaj tregtare (24%). Në mesin e këtyre dy grupeve të punës, profesionit, numerikisht mbizotëruese është veprimtaria detare e të cilëve u prijnë marinarët e zakonshëm (të thjeshtë) të punësuar në anijet tregtare dhe luftarake venedikase. Shpesh shënohen (hasen) edhe pronarët e anijeve të vogla për bartjen e udhëtarëve dhe mallrave përgjatë kanaleve venedikase dhe Llagunës (barkarioli), ndërsa peshkatarët shqiptarë janë të shënuar në numër më të vogël. Dukshëm është spektri i gjerë i profesioneve artizanale në të cilat kanë qenë të përfshirë emigrantët de patribus Albanie. Burimet i përmendin ata si mjeshtër tekstili, përpunues-ndreqës të armëve, qirinjve, si kamerierë, lëkurëtarë, rrobaqepës, farkëtarë, mjeshtër gdhendës druri (marangozë), bukëpjekës, berberë etj. Në veçanti janë të rëndësishme dhe interesante shkrimet, analizat e të dhënave nga fondi Patroni e Provveditori all’Arsenal në bazë të të cilit mësojmë, veçanërisht për shekullin XVIII, emrat e punëbërësve në drugdhendje, zdrukthëtari (marangoz), në arsenalin venedikas, ky një ndër institucionet që janë më të përhapura në strukturën e punësimit të emigrantëve nga (zona) hapësira e gjerë e Adriatikut Lindor. Emigrantët shqiptarë janë të regjistruar si mjeshtër marangozë (marangoni) dhe ekspertë në ndërtimtari anijesh (kalafati). Shumica e tyre kanë banuar në zonën (pjesën) Castello (përgjatë së cilës gjendet hapësira e arsenalit e rrethuar me mure) dhe shpeshherë pranë cekjes së emrave të tyre janë të shënuara edhe të dhënat mbi gradimin (progresin) në detyrë (nga nxënës në mjeshtër). Sipas renditjes alfabetike dhe sipas pohimit identik në origjinal (në formën e italianizuar të emrave), të renditura sipas emrave personalë të këtyre punonjësve (mbiemrat nuk janë të shënuar) me prejardhje të origjinës amtare shqiptare, shënojmë këta persona sa vijon: Alvise Angelo Albanese (kalafat, vdiq më 1778), Angelo Alvise di Iseppo Albanese (i lindur më 1785, marangoz mjeshtër nga viti 1800), Antonio di Giovanni Battista Albanese (i regjistruar si nxënës marangoz vitin 1781), Antonio di Simon Albanese (marangoz mjeshtër nga viti 1774), Gasparo Piero Antonio de Francesco Antonio Albanese (i lindur më 1782, nxënës marangoz nga viti 1798), Bortolo Francesco Albanese (i lindur më 1761, provimin për mjeshtër kalafati e dha më 1782), Francesco Antonio di Lorenzo Albanese (i lindur më 1769, ndihmës kalafati nga 1789), Giacomo Piero Albanese (nxënës kalafati nga viti 1764.), Giacomo di Simon Albanese (i lindur më 1752, kalafat), Giovanni Antonio di Angelo Albanese (i lindur më 1781, marangoz mjeshtër nga viti 1801), Giovanni Battista di Angelo Albanese (i lindur më 1780, terza classe të aftësisë në studimet për marangoz i ka arritur më 1799), Giovanni Battista di Francesco Antonio Albanese (i lindur më 1782, terza classe të aftësisë në studimet për marangoz i ka arritur më 1798), Giuseppe Giovanni Battista di Giovanni Battista Albanese (i lindur më 1770, marangoz mjeshtër nga viti 1796), Giuseppe Nicolò Albanese (nxënës i mjeshtrit e kalafatit nga viti 1757), Giuseppe Simon Albanese (i lindur më 1750, kalafat, vdiq më 1796), Lodovico Zuanne Albanese (nxënës i mjeshtrit e kalafatit nga 1770), Lorenzo Francesco Albanese (i lindur më 1741, kalafat), Marc’Antonio Anzolo Albanese (i lindur më 1736, kalafat), Marin Albanese condam Simon (kalafat, banor i famullisë S. Trinità, 1743), Pietro Albanese (i regjistruar si nxënës i marangozëve nga viti 1775 deri 1778), Simon Anzolo Albanese (i lindur më 1723, kalafat, vdiq vitin 1787), Tomaso Zuanne Albanese (nxënës marangoz nga viti 1766 deri 1772), Vettor Zuanne Albanese (i lindur më 1764, provimin për mjeshtër kalafati e ka dhënë vitin 1784) dhe Zorzi Pasqualin filio Zuanne condam Nicolò Albanese (i lindur vitin 1776, mjeshtër kalafati nga viti 1797).

Më tutje, është interesante edhe prania e tyre e shpeshtë në thirrjet e shenjta, detyrën apo shërbimin meshtarak (14% nga numri i përgjithshëm i shqiptarëve te të cilët është paraqitur profesioni). Fjala është për meshtarët (priftërinjtë) veprimtarinë e tyre, në kisha të ndryshme venedikase, në rend të parë për ata të vendosur në pjesët e famullive ku emigrantët shqiptarë janë të regjistruar më shpesh, pra në numër më të madh. Kur është fjala për këtë detyrë të çmuar, të rëndësishme për jetën fetare dhe shpirtërore këtu do të përmendim disa shembuj konkret dhe specifikë jo vetëm në mesin e komuniteteve shqiptare, por edhe të qytetarëve venedikas në përgjithësi. Në vitin 1456 shënohet prifti Nikolla nga Ulqini, mansionarius (vër. përkth. misionar) në kishën e S. Foscka në pjesën e Cannaregio-s, ndërsa prezbiter Coradius de Dulcigno vepron (është aktiv) pranë Kishës S. Maria Nova. Kur është fjala për klerikët me prejardhje nga Shkodra, në vitin 1423 përmendët kryesisht Iohannes de Scutari (pranë kishës S. Vitale në pjesën e S. Marco-s; Nikollë Shkodrani është kapelan në kishën S. Severo në Castell, kurse Nikollë Petrov kleriku është në famullinë S. Luca. Shumë më vonë, në mesin e shekullit XVIII (viti 1749) si kreu (epror) i kuvendit (manastirit) françeskan në ishullin S. Spirito përmendët fra Antonio Scutari. Pikërisht fra Antoni u përpoq që të merrte leje te autoritetet venedikase për shërimin dhe trajtimin e shkrimtarit kroat fra Filip Grabovci-t (1697 – 1749) i cili ishte viktimë – e internimit në pjesën klimatike jo të shëndosh të Lagunës – ku qe sëmurur rëndë. Siç është e njohur kjo punë mirë, intervenimi i fra Anton Shkodranit, po as i përfaqësueseve të rregullit të Provincës së cilës i takonte Grabovci, nuk rezultoi me rezultat, kështu që mërgimtari i pafat kroat vdiq në ishullin e rregullit françeskan me 13.II.1749. Burimet regjistrojnë (shënojnë) priftërinj edhe nga vendet (pjesët) e tjera. Kah fundi i shek. XV në kishën S. Antonio vepron Natale Bogetiq nga Drishti, kurse si mansionarius në kishën S. Moisè vitin 1489, është i shënuar presbiter Petrus Bogissa de Albania.

Të dhënat shtesë të prezencës së klerikëve nga hapësira shqiptare në Venedik, por edhe në zonën e gjerë të Veneta-s, shënojmë në bazë të hulumtimeve të studiuesit të shquar të historisë së Regullit (Rendit) të françeskanëve konventualë, fra Ljudevita Antona Maračić-it. Në bazë të hulumtimeve të Maračić-it mësojmë për një numër të madh të françeskanëve të shquar shqiptarë të Provincës së Shën Jeronimit, të cilët kanë studiuar apo vepruar në pjesët e Italisë veriore. Kështu, në vitin 1400, përmendët Nikollë Shkodrani, doctor sacrae paginae, si dhe ndërmjetës në aktivitetet diplomatike mes autoriteteve shqiptare dhe atyre venedikase.

Me prejardhje nga Durrësi janë fra Nikolla, i shënuar vitin 1409 në Venedik, kurse vitin 1414, është i shënuar si lektor në Fakultetin Teologjik në Padovë, ndërsa po në këtë qytet studioi edhe bashkëqytetari i tij Georgius de Duracio (viti 1417). Me prejardhje nga i njëjti qytet janë edhe fra Andrija i Markut të ndjerë (shënuar vitin 1418 në Padovë), pastaj, profesori i teologjisë Dominik-u (1430), ndërsa në vendin Lendinara (provinca Rovigo në Venetu) vitin 1473 vepron fra Stephanus de Durachio. Më pas, pranë Padovës dhe Universitetit të Padovës është e lidhur edhe veprimtaria e fra Rajmond-it nga Shqipëria (1418) dhe e fra Palit nga Lezha (vitin 1440 në Padovë pranon tonzurën dhe rendet e ulëta), ndërsa rregulltari françeskan Bernardi nga Drishti, vitin 1417, përmendet në Viçencë.

Dymbëdhjetë për qind të emigrantëve shqiptarë evidentojmë (shënojmë) në aspekte të ndryshme të veprimtarisë tregtare-sipërmarrëse. Në të shumtën është fjala për tregtarë me kapital modest dhe fushëveprim të kufizuar të biznesit, rrezatimi (shtrirja) i së cilës kryesisht ka qenë i drejtuar vetëm për qytetin në të cilin ata jetonin, kështu që, sipas mundësisë ekonomike, nuk janë dalluar bindshëm (shumë) nga emigrantët e tjerë me të ardhura, pasuri, mesatare. Shembull i tillë, për të cilin mësojmë (informohemi) në bazë të të dhënave të ruajtura në fondin arkivor qendror Arti të shtetit venedikas, ku janë të shënuar se si Nikollë (Nikoletto) Shkodrani dhe Anton Shqiptari (Antonio Albanese), ishin si tregtarë të mallrave të dorës së dytë (strazzaroli). Kurse, si tregtarë të vegjël (marzeri) në fund të shekullit XVII dhe fillimin e shekullit XVIII, përmendën Gjon, Jerolim dhe Pjetër Shqiptari (Albanesi), ndërsa si prodhues makaronash (fritoler-shitje me pakicë) dhe tregtar regjistrohet Tomaso condam Zuanne Albanese, banues në famullinë S. Tomà (Shën Toma), i cili në shoqatë të repartit të profesionit të tij hyn vitin 1771, kështu që pranë kësaj paguan për pranim per la benintrade 12,8 lira.

Në strukturat shtetërore ishin të punësuar njëmbëdhjetë për qind të shqiptarëve të zhvendosur, kurse fjala është kryesisht për ato detyra e shërbime pranë bashkive të ndryshme venedikase më pak të paguar. Kështu, për shembull, si anketues vërtetë vlerësues në Zyrën për vera regjistrojmë Mark Ulqinakun (mensurator vini) dhe emigrantin relativisht të pasur nga Zeta Paulus condam Luce Albanese (stimador ad Officium datii vini); anëtar i shërbimit policor të quajtur Signori di Notte është Petrus Vorcius Albanensis de Dulcigno, ndërsa si kapitan i burgut dhe fante degli Esecutori vitin 1624, përmendet Gaspër, biri i Gjon Pagëzuesit nga Shkodra, i akuzuar nga magjistrata (gjyqi) Esecutori contro la Bestemmia për denoncim të akuzave false.

Emigrantët me prejardhje nga atdheu i bregut lindor të Adriatikut shpesh në Venedik punonin si shërbëtorë shtëpiakë dhe në këtë kontekst zakonisht janë regjistruar gratë. Një situatë e tillë është regjistruar edhe me rastin e emigranteve shqiptare (në shërbëtoret shtëpiake bie nëntë për qind nga raporti i përgjithshëm i punëve të emigrantëve nga kjo pjesë e Shqipërisë venedikase), të cilat në rend të parë (kryesisht) veprojnë si shërbëtore në shtëpitë e fisnikëve dhe qytetarëve venedikas (ancilla, servitrice, nuora, massara). Vetëm në një rast, kur është fjala për dokumentet (shkrimet) testamentore, në cilësinë e shërbëtorit shtëpiak shënojmë një emigrant kurse fjala është për Engjëllin nga Drishti, shërbyes (servitore) in gastaldia S. Dominici.

Së fundi, edhe pse ushtarët shqiptarë përgjatë kohës së fundme të shekullit të mesjetës dhe fillimit të hershëm të shekullit modern janë shpesh të pranishëm në shërbimin ushtarak venedikas, shkaku i mobilizimit-lëvizshmërisë së tyre dhe ndërrimit të shpeshtë të vendbanimeve të tyre, pjesëmarrja (përqindja) e tyre me vendbanim të përhershëm në qytetin në Llaguna është shumë i vogël me vetëm dy për qind.

 

 Profesionet e emigrantëve shqiptarë në Venedik

Nëse i krahasojmë tani, llogaritjet e raporteve të fituara sikur në rastet e mëparshme mbi shtrirjen apo përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në lidhje me profesionet, me ato të dhëna të cilat na i ka paraqitur B. Imhaus, atëherë do të fitojmë përfshirje diç më të ndryshme, kurse arsyeja e kësaj në rend të parë ka të bëjë me fondet dhe dokumentet e ndryshme arkivore. Pjesëmarrja apo përqindja e shqiptarëve në detari në të dy parallogaritë është i njëjti (30% të përfaqësimit sipas Imhaus, kurse 28% në bazë të analizave tona). Mjeshtëria apo artizanati sipas analizave të testamenteve të dokumentuara e përfaqësuar me 24%, ndërsa tek Imhaus kjo përqindje është dukshëm më i vogël (15%). Tutje, përdorimi apo shfrytëzimi i shkrimeve të shumta nga fondet e magjistraturës e të cilat kanë të bëjnë lidhje me administratën shtetërore dhe policore shkaktoi faktin apo kushtëzoi rrethanat që sipas hulumtimeve të B. Imhaus emigrantët shqiptarë si dhe shërbyesit civil të janë të përfaqësuar me madje 24%, edhe pse në thelb fjala është apo e gjitha kjo korrespondon me profesionet e njëjta të gradave apo kategoritë më të ulëta profesionale dhe më pak të paguara. Pjesëmarrja, apo përqindja e punonjësve shqiptarë si shërbyes dhe e ushtarëve në të dy statistikat është identike, e ngjashme (shërbyesit përfaqësohen me 9%, kurse ushtarët me vetëm 2%), gjersa dallime të dukshme dhe në mospërputhje apo që nuk përputhën në përqindje janë ato që kanë të bëjnë me tregtarë dhe klerik (te Imhaus ato shënohen me nga 7%).

*Titulli është redaksional

 

 Venediku – qytet i hapur

Ky material që do ta botojmë me cikle bazohet në zbërthimin e dokumenteve origjinale nga Arkivi Shtetëror në Venedik (dokumente testamentare, kadastra, regjistra të Bashkisë për shoqata artizanale dhe tregtare, shkrime të Zyrës për Arsenalin e të tjera) dhe Arkivi i Vëllazërisë Shën Gjergji dhe Trifoninë Venedik (libra nga takime vjetore të vëllazërisë), si dhe në ekzaminimin e njohurive ekzistuese të historiografisë. Gjurmëve të burimeve edhe literaturës në punim analizohen në detaje komponentët themelorë nga e kaluara e emigrantëve shqiptarë në Venedik: korniza kohore e pranisë dhe veprimtarisë së tyre në Venedik, mënyra e regjistrimit në burime, prejardhja më nga afër e vendlindjes, vendet e banimeve, profesionet dhe mundësitë ekonomike, lidhjet familjare dhe miqësore dhe marrëdhëniet me institucionet kishtare venedikase dhe të klerit. Vëmendje e veçantë u është dhënë formave të komunikimit të emigrantëve shqiptarë me grupe të tjera emigrantësh. Në pjesë të fundit të punimit trajtohen disa forma të pranisë së padëshirueshme ose ligjërisht të palejueshme të shqiptarëve në Venedik, kurse në fund paraqiten kontributet e disa familjeve dhe individëve shqiptarë dhënë kulturës dhe artit venedikas.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency